Blockchain dhe gjenerata e re e mediave

19.12.2018. / 16:26
Share
Blockchain ilustracija sa mrežom tačaka i tekstom blockchain u sredini.
Blockchain tehnologija i mediji
Blockchain ilustracija sa mrežom tačaka i tekstom blockchain u sredini.

A keni dëgjuar për blockchain?

Fjala është për teknologjinë e cila deri më tash definitivisht e ka arsyetuar pyetjen – "A do të jetë kjo teknologji the next big thing në botën e TI-së?" Shumë njerëz e njohin blockchainin si teknologjinë që lidhet me kriptovaluata. Për përdorimin e parë praktik meritat i ka personi/grupi i interesit/organizata që ende konsiderohet e panjohur – Satoshi Nakamoto. Në vitin 2008, në kohën e krizës financiare globale, Nakamoto publikoi një whitepaper me titull "Bitcoin: A Peer-to-Peer Electronic Cash System“ ku shpjegoi konceptim e sistemit të ri i cili bazohet në kriptovaluata dhe nuk bazohet në banka. Kriptovaluata e parë peer-to-peer është pikërisht Bitcoini i cili bazohet në blockchain. Kështu, sektori financiar ishte "stacioni i parë" i aplikimit. Blockchaini ka gjetur vend edhe në fushën e mediave. Parashtrohet pyetja – "A do të ndikojë pikërisht kjo teknologji në zhvillimin e gjeneratës së re të mediave?" ku do të lindin edhe konceptet e reja siç është blockchain journalism.

Para së gjithash, duhet shpjeguar shkurtimisht çka është teknologjia blockchain dhe si funksionon ajo. Blockchain është baza e të dhënave apo baza e shënimeve të transaksioneve për përgatitjen e vlerave hash. Shpeshherë me këtë koncept lidhet edhe nocioni teknologjitë e librit kryesor të shpërndarë (ang. Distributed Ledger Technologies, DLT). Vetë emri përbëhet prej dy nocioneve – nocioni block ka të bëjë me tërësinë e përkufizuar të përmbajtjes, derisa nocioni chain ka të bëjë me ndërlidhjen e ndërsjellë të blloqeve, njëri mbi tjetrin. Ky zinxhir rritet në mënyrë lineare, derisa kriptimi i bllokut të ri quhet edhe nxjerrje (ang. mining). Ai realizohet përmes rrjetit të shpërndarë (ang. peer-to-peer) në të cilin çdo kompjuter i lidhur fut informata për të gjitha transaksionet. Në rrjet verfikohen dhe validohen transaksionet dhe kështu blloqet lidhen në një zinxhir.

Për ta kuptuar më mirë parimin e punës së kësaj teknologjie, por në përgjithësi edhe të teknologjive të shpërndara, së pari duhet kuptuar konceptet themelore mbi të cilat bazohet blockchaini. Këtu kemi të bëjmë me funksionin hash, pemën e Merklit (ang. Merkle tree) dhe konsensusin e shpërndarë (ang. distributed consensus). Funksioni hash është funksioni i cili për të dhënën hyrëse të madhësisë arbitrare llogarit vlerën e madhësisë së caktuar paraprakisht, e cila në të shumtën e rasteve është e shprehur në bite – rezultati është vlera hash. Pema e Merklit është parimi të cilin i pari e prezantoi Ralph C. Merkle në vitin 1980. Struktura e kësaj qasjeje imiton strukturën e një peme, derisa blockchaini aplikon këtë qasje me rastin e llogaritjes së vlerës hash dhe me rastin e krijimit të zinxhirit të blloqeve të lidhura. Rrjeti i shpërndarë nuk ka server qendror sepse të gjithë kompjuterët janë të lidhur me njëri-tjetrin dhe janë të rëndësisë së njëjtë, dhe kështu ky rrjet nuk ka single point of failure. Një prej përparësive është se nuk ekziston nevoja për palën e tretë të besueshme. Me aplikimin e parimit të konsensusit të shpërndarë, çdo pjesëmarrës (nyjë) verfikon çdo zhvillim në librin kryesor.

Me aplikimin e kësaj teknologjie çdo proces bëhet transparent dhe më i sigurtë. Ekziston mundësia të pasurohen të dhënat, por zakonisht pasurohen vetëm vlerat hash të të dhënave. Çdo përpjekje për ndryshimin e bllokut shkakton dëm zinxhiror, e pikërisht për këtë arsye ndryshimet e blloqeve të krijuara nuk janë të mundura. Blockchaini ruan sigurinë virtuale edhe me aplikimin e kriptografisë asimetrike (çelësi publik + privat), që mbron identitetin e dërguesit të transaksionit si dhe siguron pamundësinë e ndryshimit të shënimeve ekzistuese në blockchain.

Si mund të ndikojë dhe si ka ndikim kjo teknologji në media? Cilat probleme mund t'i zgjidhë kjo teknologji, dhe cilat zgjidhje e procese ekzistuese mund t'i përmirësojë ajo? A ekzistojnë tashmë zgjidhje të cilat bazohen në këtë teknologji?

Shumë pjesëtarë të kësaj industrie i konsiderojnë karakteristikat e pazakonshme dhe natyrën e blockchainit si një sërë zgjidhjesh potenciale për një numër të madh problemesh me të cilat ballafaqohen mediat. Gjithashtu janë iniciuar shumë eksperimente (p.sh. AdChain dhe Po.et) për ta testuar këtë teori. Eksperimentet kanë rezultuar me shkallë të ndryshme suksesi, ndërsa rezultatet kanë qenë edhe probleme dhe sfida të reja të cilat kërkojnë zgjidhje.

Stefan Farestam, njëri prej themeluesve të CareChainit me seli në Suedi, së fundmi ka mbajtur një webinar në të cilin shkurtimisht ka shpjeguar parimin e punës së kësaj teknologjie, ndërsa fokusi kryesor ka qenë aplikimi i blockchainit në fushën e mediave. Ai ka vënë në pah tri fusha potenciale të aplikimit.

APLIKIMI I BLOCKCHAINËVE NË MEDIA

Ai gjithashtu ka theksuar se si në të gjithë industrinë e mediave para aplikimit të blockchainit nevojitet koncepti i identitetit, derisa pikërisht identiteti është një prej sfidave më të mëdha afariste. Çështja e identitetit në masë të madhe ndikon në zgjidhjet ekzistuese të cilat i aplikojnë mediat – pikërisht për shkak të nevojës për kredibilitet, besueshmëri në krijimin e përmbajtjes dhe përmes konfirmimit të identitetit të përdoruesve. Farestam kështu propozon konceptin e identitetit i cili bazohet në blockchain, si një zgjidhje e mundshme. Rolin kryesor në zgjidhjen e lartpërmendur e ka koncepti "Verified Claims“.

Njëri prej problemeve më të spikatura me të cilin ballafaqohen mediat është edhe lufta kundër lajmeve të rrejshme, e blockchaini mundëson:

  • konfirmimin e burimit të përmbajtjes;
  • konfirmimin se nuk ka pasur ndryshim të përmbajtjes;
  • konfirmimin e identietit të burimit dhe përmbajtjes së tij gjegjëse;
  • zinxhirin e hapur i cili përcjell çdo ndryshim eventual të përmbajtjes;
  • verfikimin e përdorimit të duhur të fotografive;

Farestam gjithashtu konsideron se lufta kundër lajmeve të rrejshme do të rezultonte me sukses edhe më të madh nëse bashkë me blockchainin aplikohet edhe Inteligjenca Artificiale dhe machine learning.

Potencialin e teknologjisë së blockchainit e ka vërejtur edhe organizata globale e kompanive anëtare të cilat merren me ofrimin e shërbimeve dhe këshillave profesionale – Deloitte. Në internet mund të gjendet broshura e cila në mënyrë të thjeshtë dhe interesante me pesë shembuj ilustrues shpjegon se në ç'masë koncepti blockchain mund të jetë i rëndësishëm për të ardhmen e mediave.

Rezultat i aplikimit të deritanishëm janë edhe disa koncepte të reja, që tregon se blockchaini dhe mediat kanë një të ardhme. Njëri prej tyre është edhe blockchain journalism. Ky koncept më së shumti lidhet me njërin prej startup-ëve më të njohur në fushën e gazetarisë – Civil. Civil është treg i decentralizuar i gazetarisë së qëndrueshme i cili bazohet në blockchain dhe kripto-ekonomi. Civil është vend për të gjithë ata të cilët dëshirojnë të mbështesin gazetarinë etike në një mënyrë të re – me krijim, konsumim dhe shpërndarje. Njësiti themelor funksional i platformës Civil është desku informativ (newsroom) i cili e lidh gazetarin me rrjetin global të lexuesve. Një newsroom mund të ketë një a më shumë gazetarë. Civil dëshiron t'i nxisë gazetarët të angazhohen në mënyrë më të drejpërdrejtë e më transparente, si dhe të zvogëlojë varësinë ndaj ndërmjetësuesve të cilët shpehherë nuk janë të interesuar të financojnë gazetari cilësore.

Me këtë artfikull shkurtimisht kemi shpjeguar se çka është teknologjia blockchain dhe cilat koncepte duhen kuptuar që parimi i punës të jetë sa më i qartë. Gjithashtu kemi prekur disa aplikime potenciale të blockchainit për zgjidhjen e sfidave me të cilat ballafaqohen mediat, si dhe kemi dhënë shembullin e një startup-i i cili me qëllim të përmirësimit të gjendjes së gazetarisë aplikon zgjidhje e cila bazohet në blockchain. Por, këtu nuk përfundon gjithçka. Blockchaini dhe mediat definitivisht kanë të ardhme, e ne e kemi prekur vetëm sipërfaqen.

Për më shumë:

Model for Preservation of Trustworthiness of the Digitally Signed, Timestamped and/or Sealed Digital Records (TRUSTER Preservation Model) (EU31). Final report, 2018. URL: https://interparestrust.org/assets/public/dissemination/TRUSTERPreservationModel(EU31)-Finalreportv_1_3.pdf

How blockchain can enable next-generation media. URL: https://www.inma.org/blogs/conference/post.cfm/how-blockchain-can-enable-next-generation-media

Blockchain @ Media: A new Game Changer for the Media Industry?. URL: https://www2.deloitte.com/content/dam/Deloitte/tr/Documents/technology-media-telecommunications/deloitte-PoV-blockchain-media.pdf

 

Ocijenite kvalitet članka