Glitchi i pashpresë njerëzor: Vizuelizimi i të dhënave përmes shprehjes autoriale

21.12.2018. / 14:34
Share
Fotografitë majtas: Vizuelizimi i ngjarjeve historike të cilat çuan drejt bombardimit të Hiroshimës, nga zbulimi i rrezeve rëntgen deri te përdorimi ushtarak i plutoniumit. Mathew Lucas, Popular Science, 2013.  Fotografia djathtas: Vizuelizimi i distancës së viktimave në raport me pikën e goditjes. Mathew Lucas, Popular Science, 2013.
Fotografitë majtas: Vizuelizimi i ngjarjeve historike të cilat çuan drejt bombardimit të Hiroshimës, nga zbulimi i rrezeve rëntgen deri te përdorimi ushtarak i plutoniumit. Mathew Lucas, Popular Science, 2013. Fotografia djathtas: Vizuelizimi i distancës së viktimave në raport me pikën e goditjes. Mathew Lucas, Popular Science, 2013.
Fotografitë majtas: Vizuelizimi i ngjarjeve historike të cilat çuan drejt bombardimit të Hiroshimës, nga zbulimi i rrezeve rëntgen deri te përdorimi ushtarak i plutoniumit. Mathew Lucas, Popular Science, 2013.  Fotografia djathtas: Vizuelizimi i distancës së viktimave në raport me pikën e goditjes. Mathew Lucas, Popular Science, 2013.

Dokumentet me të cilat shërbehemi flasim
një gjuhë të tmerrshme faktesh e brenda tyre fjala
shpirt prodhon jehonë blasfemie.

– Danilo Kiš

Me rastin e 70-vjetorit të sulmit atomik mbi Hiroshimë, revista “Popular Science” botoi disa grafikë atraktivë të bombardimeve, të autorit Mathew Lucas. Vizuelizimet e të dhënave ishin aq të bukura saqë shumë njerëz u tërbuan. Tragjedia u shndërrua në statistikë, thanë. Abstragimi i krimit. Estetizimi i tmerrit.

Derisa po lexoja polemikën, m'u kujtua se me po këto fjalë – estetizimi i tmerrit – e kishin sulmuar Werner Herzogun. Ishte kjo në fillim të viteve të nëntëdhjeta, në festivalin e filmit në Milano, ku Herzogu shfaqi filmin e tij dokumentar për Kuvajtin "Leksionet e territ", i cili u xhirua pas Luftës së Gjirit. Kuadrot e pesazheve të ashpra e të frikshme, njëkohësisht jashtëtokësore e të bukura, e hidhëruan publikun. Në asnjë kuadër, thanë, nuk mund të dallohet planeti Tokë, e lëre më bombardimet dhe krimet. Herzogu iu përgjigj me fjalët: ju jeni të marrë! Edhe Danteja e kishte bërë të njëjtën gjë me Ferrin, ashtu sikurse Goya, dhe Hieronymus Bosch!

Nëse Data Science është shkenca mbi të dhënat, dhe asgjë më shumë se informatika dhe statistika e unifikuar, Data Arti, arti i të dhënave – veprimi artistik i bazuar në të dhëna – do të mund të përkufizohej si lidhje e informatikës, artit, dizajnit dhe dokumentaristikës. Në mesin e data-artistëve ka laramani të madhe: prej internet-rrëfyesit të pakrehur, Jonathan Haris, deri te dizajnerja e butë dhe dinake Giorgia Lupi; prej hartografit avanturist Trevor Paglen deri te kritiku i softverëve Josh Begley; prej enfant terrible  teknologjik James Bridle deri te autori i romaneve infografike Chris Ware. Ndryshe nga infografikët standardë të cilët shfrytëzohen në biznes a gazetari, veprat e këtyre autorëve paraqesin topografi intime: harta emocionesh globale, harta rutinash ditore, harta njohjesh algoritmike të fytyrës, harta vëzhgimesh, harta depresioni nënurban çikagas, harta vendsh të cilat në këto çaste bombardohen nga dronët. Këta artistë nuk shërbehen me brusha apo gurë, por parashtojnë po të njëjtat pyetje të cilat i bën edhe Herzogu, Danteja, Goya, apo Boschi: çka është bota dhe si të shikohet ajo?

Kjo është lidhja kryesore ndërmjet data-artit dhe dokumentaristikës artistike. Fotografi dokumentues, regjisori e artisti fillojnë nga dokumentet, nga e vërteta e fakteve, për ta rrëfyer tregimin, të vërtetën e përjetimit. Nuk ekziston rrëfimtari i pafajshem; secili është gënjeshtar. Me përzgjedhjen e kuadrove të cilat do t'i xhirojë, me përzgjedhjen e fotografive të cilat do të hyjnë në koleksionin përfundimtar, me mënyrën e radhitjes së dokumenteve – me fjalët, me mënyrën si e ndan realitetin – dokumentaristi e krijon të vërtetën e vet. Kjo nuk do të thotë se autori nuk është përgjegjës karshi realitetit. Gjithsesi është përgjegjës, por jo kundrejt realitetit të së dokumentuarës por edhe kundrejt realitetit të rrëfimit, kundrejt së vërtetës poetike, emocionale apo ekstatike. Vetëm në atë gjendje madhështie është e mundur diçka më e thellë, ka thënë Herzogu, është e mundur një e vërtetë e cila është armik i faktikes së zhveshur. Ajo e vërtetë ushqehet si nga të dhënat, ashtu edhe nga emocionet: rrëfimi i mirë nuk është vetëm interesant, por është edhe më i vërtetë se një reportazh i thjeshtë, sepse tek ai i cili e përjeton, te lexuesi apo shikuesi, prodhon një ndjenjë më të thellë të të kuptuarit të realitetit.

 

E vërteta faktike në formën e vet më të koncenturar, sipas Herzogut, gjendet në numratorin telefonik. Herzogu këtu, gjithsesi, provokon dhe banalizon qëllimisht: Nëse do ta merrnim me telefon secilin nga numratori telefonik me mbiemrin Shmit, me qindra njerëz do ta konfirmonin se vërtet e kanë mbiemrin Shmit; po, ky është vërtet mbiemri i tyre. Por ka diçka edhe brenda numratorëve telefonikë (ashtu si brenda orareve të udhëtimeve të hekurudhave ndërkombëtare, të cilat, siç kishte thënë Kiši, janë një trashëgimi e tërë letrare e kosmopolitane). Si fëmijë, në të nëntëdhjetat e hershme, shkoja t'i vizitoja të afërmit të cilët në toalet mbanin numratorin telefonik voluminoz. Meqë pranë guacës së toalitetit nuk kishte letra toaleti, kuptova se për çka shërbente ai numrator, i cili pas çdo vizite bëhej çdoherë e më i hollë. Zakonisht, unë e lexoja ato numrator. Më pëlqente të kërkoja rima në mbiemra të përafërt, të shpikja tregime për ta: njëri prej tyre ishte pilot nga Donji Milanovaci, i cili askujt nuk ia pranonte se ëndërronte të emigronte në Amerikë dhe të bëhej astronaut; tjetri, fshatar nga Osijeku, frikësohej nga traktori dhe kurrë nuk i shiti kuajt; e treta, bibliotekistja nga Konjici e cila nuk i radhiste librat sipas rendit alfabetik, por sipas ngjyrës dhe teksturës së letrës. Ata në çdo moment mund t'i merrja në telefon, por këtë nuk e bëra kurrë: kjo do ta prishte tensionin ndërmjet numrit real dhe fatit të përfytyruar. Por, po të mos kisha mundësi t'i merrja në telefon, loja nuk do të ishte aq interesante.

Vizuelizimi i të dhënave është më i fuqishëm se dokumentaristika klasike edhe për faktin se bazohet në traditën e fuqishme të metodës shkencore, në idenë se e vërteta arrihet përmes matjes së kujdesshme të botës. Nëse i masim të gjitha brigjet, do ta kemi hartën e saktë të kontinenteve, nëse e masim gjatësinë e të gjithë njerëzve, do ta dijmë gjatësinë mesatare të një njeriu – kjo është shenjtëria e të dhënave, të cilën e përcjell estetika e ftohtë, teknike dhe e përsosur e grafikëve dhe vektorëve.

Por, edhe hartat gjeografike shkencërisht të sakta dijnë të mashtrojnë.

Në kohëra të lashta, hartat e botës ishin njëkohësisht edhe hartat e miteve, dhe bashkë me brigjet e busullat, vizatonin edhe bisha të detit, kulçedra e popuj me kokë qeni. Në kohëra moderne, shkruan Judith Schalansky, njerëzirt u shndërruan në bisha të cilat i dëbuan nga hartat. Hartat u pastruan nga mitologjitë e lashta, por u veshën me një shtresë të re manipulimi.

Ja një shembull: edhe në hartat të cilat vizatohen për punë relievi e gjeografie, sipas rregullit vizatohen edhe kufijtë e shteteve, thuajse ato kufi janë po aq të natyrshëm. Ngjyra e kuqe në hartën e Rusisë nuk nënkupton të njejtën gjë si ngjyra e kuqe në cepet hinduse të Indisë; ngjyra e gjelbër në Hungari nuk është si ngjyra e gjelbër në botën arabe. Manipulimi emocional ndodh edhe në nivel më delikat: çdo hartë dydimensionale është paraqitje e shtrembëruar e globit; secila në një masë të caktuar gënjen, sado që i qëndron besnike matematikës së projeksionit të vet. Projeksioni më i njohur, ai i Merkatorit, ai që haset në çdo shkollë, si dhe në hartat e vjetra të Googleit, i deformon në mënyrë drastike viset polare. Kështu, ta zëmë, Grenlanda del të jetë më e madhe se Amerika Jugore, derisa në fakt ajo është gjashtë herë më e vogël; pastaj Europa e cila është pesë herë më e vogël se Afrika, paraqitet vetëm si dy herë më e vogël. Pse vizuelizimi i këtillë i Tokës është imponuar si normë? Pikësëpari, sepse i ruan këndet reale ndërmjet gjerësisë dhe gjatësisë gjeografike (që është e rëndësishme për navigim dhe orientim), por edhe pasi që, me Europën të zmadhuar bujarisht, ky vizuelizim i ka shkuar për shtati civilizimit eurocentrik, kolonial dhe imperialist i cili e ka krijuar atë.

Asnjë vizuelizim i të dhënave nuk është neutral. Po them përsëri: kjo nuk do të thotë se realiteti nuk ekziston, se realitetin nuk mund ta masim dhe se nuk kemi përgjegjësi ndaj së maturës; kjo do të thotë vetëm se realiteti, ashtu siç e ka shpjeguar Vladimir Tasići në vështrimin e tij mbi paralaksën, ndryshe shohim nga vendet e ndryshme. Metoda shkencore – të jemi të qartë – është jashtëzakonisht e rëndësishme për ta kuptuar botën. Matematika po ashtu. Por kur nga matja dhe analiza e të dhënave kalojmë në komunikimin e të dhënave, ne hyjmë në botën e të rrëfyerit, në shushurimën e paraqitjeve mediale dhe të emocioneve.

Aty ku nis rrëfimi, shifrat e humbin pafajësinë.

Kam përshtypjen se data-autorët bashkëkohorë duhet ta përqafojnë këtë kufizim. Por si? Kjo epokë është jashtëzakonisht argëtuese për dizajnerët e vizuelizimit të të dhënave, thotë Giorgia Lupi. Projektet bëhen çdoherë e më komplekse e sfiduese, ndërsa fusha zgjerohet dhe bëhet çdoherë e më e popullarizuar. Jemi të shtyrë të shpikim gjuhë të reja për paraqitjen e të dhënave, duke hulumtuar se si njëkohësisht ta pëçojmë dijen dhe t'i frymëzojmë ndjenjat. Duhet t'i qëndojmë besnikë saktësisë shkencore, por edhe të lejojmë shpërfaqje të përjashtimeve. Duhet t'u japim jetë të dhënave - jetë njerëzore.

Çka në të vërtetë do të thotë kjo jetë njerëzore për të cilën flet Lupi?

Aty secili autor, do të thosha, duhet ta zhvillojë poetikën e vet, që do të thotë se ai për vete dhe për çdo punë të tij duhet ta zgjidhë nyjën ndërmjet së përgjithshmes dhe individuales, ndërmjet sistemit të koordinatave dhe çdo pike brenda tij. Ndërmjet: (a) të dhënave (dokumenteve, fakteve, rezultateve të matjes); dhe (b) rrëfimit (efektit dhe afektit).

Për mua personalisht, e vërteta emocionale e infografikës gjithmonë ka pasur të bëjë me vendet ku thyhej dhe nëpërkëmbej ajo estetikë e ftohtë e empirikes dhe e precizes kompjuterike.  Dy vepra luajtën rol kyç që unë ta kuptoja këtë. Të dy këto vepra kishin mangësi dhe asnjëra nuk merret si vizuelizim i të dhënave: e para është një reklamë e kantierit të anijeve, tjetra ishte përmendore e viktimave të fashizmit.

Veprën e parë e hasa duke lexuar për tregtinë me robër përmes Atlantikut. Infografika së cilës s'i hiqja dot sytë përmbante një plan klasik të anijes, të ndarë në seksione sipas kordinatave x,y,z. Hapësirat e parapara për transportin e robërve ishin përplot me vizatime të vogla njerëzish të zinj. Kjo mbase kishte rëndësi për ndërtuesit, që blerësit t'ia bëjnë me dije se sa robër mund të barteshin në një xhiro.

Slika: Dijagram broda za prevoz robova tokom Atlanske trgovine robljem. Prvi su ga objavili britanski abolicionisti 1788.
Fotografia: Diagrami i anijes për transportin e robërve gjatë tregtisë me robër nëpër Atlantik. Të parët e publikuan abolicionistët britanikë në vitin 1788.

E dija se çfarë ishte morali atëbotë dhe me ç'sy shiheshin afrikanët; imagjinatën nuk ma zgjuan as dimensionet e anijes, as numri i njerëzve, as konteksti. Vëmendjen ma mori vizatimi analog. Në atë kohë nuk ekzistonte copy-paste dhe çdo zezak duhej vizatuar një ga një. Secili doli ndryshe; jo dhe aq ndryshe, por mjaftueshëm sa të të zgjojë emocion.

Slika: Detalj dijagrama broda za prevoz robova tokom Atlanske trgovine robljem.

E rrita grafikonin dhe kalova kohë të gjatë nëpër grimasa të shtrembëruara dhe trupa të përdredhur, duke imagjinuar rrëfime të atyre njerëzve (ashtu siç bëja kur isha fëmijë, duke e lexuar atë numrator telefonik të toalitetit). Vetëm atëherë – kur arrita të lidhesha emocionalisht me pikat individuale të diagramit – vërtet e përjetova tregtinë me robër. Atëherë e kuptova gjëmën për të cilën Mirko Kovači shkruante në “Vratima od utrobe”: Fakti mund të vlejë më shumë nëse futet në jetën e ndryshueshme, historia në vetvete është e parregulluar; ajo kuptohet dhe vjen në shprehje vetëm pas gjëmës së pashpresë njerëzore.

Vepra tjetër është një data-skulpturë, megjithëse nuk konsiderohet e tillë. Bëhet fjalë për përmendoren e viktimave të bastisjes në Novi Sad. Përveç figurës së familjes së uritur, përmendorja përmban edhe listën e të vrarëve – listën e emrave të gdhendur, të radhitur sipas rendit alfabetik, si në numratorin telefonik apo në ndonjë bazë të dhënash: Đorđe Adam, Gizela Adam, Manojlo Adam, Rastislav Adamović. Mos ndoshta më ka shtyrë përvoja e leximit të numratorit t'i lexoja të gjitha emrat me rend, këtë nuk e di, por dikur, para shumë vitesh, i kam lexuar me rend.

Slike: Detalji Spomenika žrtvama racije u Novom Sadu. Fotografija: Uroš Krčadinac, 2014.
Fotografitë: Detajet e Përmendores së viktimave të bastisjes në Novi Sad. Fotografia: Uroš Krčadinac, 2014.

Kolonat e para nuk më zgjuan kurrfarë emocioni. Por në një moment, erdha deri te informacioni:

Boris Buton
Gjyshja e Boris Butonit

Atëherë plasi. Askush, mendova, askush nuk ka mbijetuar për ta ditur se si quhej plaka. E përgjithshmja u bë individuale – personale, tmerrësisht intime – dhe imagjinata prodhoi skenën. E pashë banesën në të cilën jetonte familja Buton, çizmen e cila ngjitej shkallëve, përplasjen e derës, dëgjova se si shpërthen akulli në Danub dhe se si ngrihet limfa. Asgjë nuk dija për këta njerëz ndërsa e dija të vërtetën: të vërtetën emocionale e cila e tejkalon të vërtetën faktike.

Duke folur për poetikën e vet dokumentare, si dhe për të ardhmen e rrëfimtarisë së medias së re, Adam Curtisi iu referua Tolstojit. Sepse Tolstoji, tha, në një kapitull shkruan skena të hollësishme për individët dhe për ndjenjat e tyre, e jo më larg se në kapitullin tjetër shkon mbrapa dhe tregon se si ato ndjenja kontekstualizohen në raport me një pasqyrë më të madhe.  Njëherë e përshkruante betejën nga këndi i protagonistit, pastaj e paraqiste si fragment të një mase historike. Mua kjo më duket shumë interesante. Mund të krijoni rrëfime të mira në internet dhe të shpikni mënyra të tjera rrëfimi nëse arrini të ktheheni mbrapa dhe të veproni si Tolstoji.

Mediumi i vizuelizimit të të dhënave mundëson pikërisht këtë: lëvizjen mbrapa. Hartat japin kontekste, sisteme koordinatash dhe saktësi linjash kompjuterike, masën historike dhe vatrën e madhe të betejës. Kjo është thelbësore për situatën bashkëkohore e cila vuan nga grumbullimi i kompleksitetit sistemor po aq sa vuan edhe nga kuantifikimi i gjithanshëm i jetës. Andaj vizuelizimi i të dhënave është pasqyrë thelbësore e bashkëkohores, e rrezikshme, potente dhe kundërthënëse, me të cilën merren inxhinierët, biznismenët e gjeneralët sa edhe artistët. Autorët e Bureau d’études, kolektiv i cili, sikurse Curtisi, merret me hartografinë e fuqisë, thotë kështu: data-estetika për menaxhimin bashkëkohor të sistemeve të informacionit është siç është porteti i mbretit për monarkinë.

Dhe këtë e ka shfrytëzuar Lucasi, duke bërë vizuelizimet e tij për Hiroshimën: gjerësinë e horizontit, fuqinë e ftohtë të abshisës dhe të ordinatës. Por, ndjenjat fshehen në të çarat, në detaje shumë të vogla: në vizatimet e ngathëta të fytyrave, në gjyshen e Borisit. Nëse grafikët e Lucasit i marrim si data-art, kjo mua më pengon – mungesa e papërsosmërisë – e jo estetizimi i thjeshtë i tmerrit.

Nëse shikohet nga prizmi i një statistikisti, inxhinieri a shkencëtari, detajet për të cilat e kam fjalën janë gabimet, jopërsosmëria e mediumit (vizatimi analog) apo paplotësia e bazës së të dhënave (mungesa e emrit të gjyshes). Por për rrëfimtarin dhe artistin, këto gabime janë dëshmi e çmuar se data-vizuelizimi para së gjithash është krijim i njeriut, bashkë me të gjitha qëndrimet e tij, vlerat, këndvështrimet politike, animet, ndjenjat dhe prirjet estetike, se nuk është neutral dhe nuk mëton të jetë i tillë. Gabimet janë të çarat mekanike nga të cilat rrjedh njerëzorja – tepër njerëzore do të mund të thuhej. Pikërisht këto janë shkëndija nga të cilat thuret rrëfimi, avuj të cilët fluturojnë rreth zjarrit derisa thuhet llafi.

Jehona e blasfemisë e Kišit. Glitchi. Kurthi dhe prishja. Gjëma e pashpresë njerëzore e Kovačit.

 

Ocijenite kvalitet članka
Fotogalerija