Filloi edicioni i tretë i Media Innovation Lab: Raportimi etik në kohë pandemie

30.11.2020. / 19:25

Sot filloi edicioni i tretë i USAID BMAP Media Innovation Lab (MIL) ku për katër ditë me radhë do të marrin pjesë e do të garojnë gjashtë ekipe. Media Innovation Lab tash e tri vite ofron përmbajtje kreative e inovative për profesionistë të medias, dizajnerë si dhe të gjithë personat që duan të jenë të informuar lidhur me mediat e reja si dhe lidhur me sfidat dhe ndryshimet që ato sjellin.

Sikurse shumë aktivitete të tjera në vitin 2020 në fokus të Media Innovation Labit të sivjetëm është pandemia, andaj edhe vetë konferenca ndodh në mjedisin online. Nga gjithsej 18 projekte të paraqitura u veçuan gjashtë ekipe të cilat në katër ditët në vijim do të kenë mundësinë të zhvillojnë idetë e tyre kreative në përputhje me temën e sivjetme e cila bazohet në raportimin etik në kohë pandemie

Me mbështetjen e mentorëve dhe mentoreve, këto gjashtë ekipe do të zhvillojnë intensivisht idetë e tyre kreative, në mënyrë që në ditën e katërt ta shpalosin projektin e tyre para jurisë. Tri idetë më të mira dhe më inovative do të marrin mbështetjen e USAID BMAP-it në vlerë 5000 dollarë.

Gjashtë idetë më të mira të MIL-it të sivjetëm

Ekipet e sivjetme na vijnë nga mbarë rajoni. Mes tyre është edhe Montenegro Independent News Agency (MINA). MINA dëshiron të zhvillojë një aplikacion mobil i cili do të ofrojë të gjitha informatat relevante lidhur me pandeminë Covid-19 në shtetet e Ballkanit Perëndimor.

"Duke përdorë dizajn të mençur dhe duke kombinuar lajmet lokale lidhur me pandeminë, ne duam t'i ofrojmë një numri maksimal të përdoruesve aplikacion mobil ku ata, në çdo moment, mund të gjejnë të gjitha informatat e besueshme" – thuhet në përshkrimin e idesë së tyre.

Me përditësimin e rregullt të lajmeve dhe statistikave lidhur me pandeminë, ata dëshirojnë të ofrojnë një shërbim të besueshëm i cili u ndihmon njerëzve në rajon t'i planifikojnë udhëtimet e tyre ndërkufitare duke ndjekur të gjitha masat dhe rekomandimet.

Veronika Kamchevska nga Maqedonia e Veriut bashkë me ekipin e saj dëshiron të zhvillojë një projekt multimedial të cilin e kanë quajtur "Covidmembrance" e i cili do të përbëhej nga pesë filma të shkurtë dokumentarë. Storiet të cilat do t'i mbulonte projekti do të preknin aspekte të ndryshme të shkaktuar nga ndryshimet socio-ekonomike, kulturore e psikologjike të cilat i solli Covid-19.

"Dukuritë e reja shoqërore të cilat po i modelojnë jetët e njerëzve dhe qasja e adaptimit ndaj kushteve hibride socio-ekonomike do të shfaqen përmes filmave dokumentarë. Qëllimi i Covidmebrance është të ofrojë ruajtjen e përvojës kolektive, por edhe të nxisë diskutimin për parimet etike në shoqëritë në kohë krize. Andaj, ideja për Covidmembrance është menduar asisoji që të lërë gjurmë për ekzistencën e pandemisë globale duke përshkruar dukuri të ndryshme, dhe jo vetëm ato mjekësore".

Action for Democratic Society nga Kosova dëshiron të krijojë një vegël për vërtetimin e fakteve dhe vërtetësinë e artikujve që flasin për Covid-19. Përmes këtij elementi në faqe ata planifikojnë të përzgjodhin në mënyrë rastësore 5 artikuj në ditë që do t'u vihen në dispozicion lexuesve për vlerësim.

"Do të përmendim standardet themelore të gazetarisë të cilat do të duhet t'i ketë një artikull gazete, siç është cekja e autorit, titulli, objektiviteti, disa burime, qartësitë gjuhësore, etj. Në fund të artikullit do të vendosim një anketë për artikullin e caktuar dhe do t'i lusim përdoruesit të vlerësojnë standardin e plotësuar. Kështu, nga përdoruesit do të kërkohet të verifikojnë të gjitha standardet ekzistuese para vlerësimit të artikullit. Në fund, në bazë të kodit do të llogariten përgjigjet e përdoruesve dhe do të shfaqet përqindja e cilësisë në bazë të standardeve në fjalë, e përdoruesit do të mund të shohin përse dhe nëse një artikull është cilësor".

Plani është që artikujt e verfikuar të shpërndahen si në publik, ashtu edhe përmes mediave të tjera dhe organizatave të shoqërisë civile.

Media Research Center nga Serbia dëshiron që, përmes përmbajtjeve të ndryshme multimediale, të arrijë te publiku i ri. Përmes kësaj përmbajtjeje, ata dëshirojnë të paraqesin qëndrimin dhe mendimin e publikut të ri lidhur me koronavirusin.

"Qëllimi ynë kryesor është që me përmbajtjen tonë interesante multimediale të informojmë popullatën më të re se si të jenë të shëndoshë dhe si t'i përshtaten jetës së re shoqërore. Ideja jonë është të prodhojmë anketa, video multimediale me tekste gjegjëse duke përdorë Page Flow, Adobe Premier dhe Canva, pastaj përmbajtje interesante për llogaritë tona në rrjetet sociale për disa tema si: shëndeti mendor dhe fizik, si të shfrytëzohet koha në mënyrë efikase gjatë pandemisë, lajmet e rreme, si të argëtoheni pa klube dhe ndeja, etj".

Radio MOF nga Maqedonia e Veriut dëshiron që përmes fushatave mediale në rrjetet sociale të rrisë dukshmërinë e kujdesit për shëndetin mendor gjatë pandemisë. Qëllimi i tyre është të vënë në pah rëndësinë  e kujdesit për shëndetin mendor të publikut të tyre në këto kohë të pasigurta, duke ofruar komunikim të drejtpërdrejtë me psikologë/e dhe psikoterapistë/e. Të gjitha këshillat e zbatueshme do të promovohen në webfaqen e Radio MOF-it dhe në rrjetet sociale në formë të fushatës mediale për të mbuluar publikun e ri.

"Artikujt të shkruar nga psikologë/e e psikoterapistë/e, dizajne me këshilla të zbatueshme për promovim në rrjetet sociale dhe webinare që ofrojnë vend të sigurtë për ushtrime për shëndet mendor që organizohen nga ekspertë të ri – këto janë propozimet kryesore të aktiviteteve të projektit. Krejt përmbajtja do të jetë në dispozicion për rishpërndarje, ndërsa webinari do të jetë i hapur për publikun".

Ermin Sočo nga Bosnja dhe Hercegovina së bashku me ekipin e tij dëshiron të krijojë një platofmë online për vizualizim të avancuar të të dhënave, duke përdorë data gazetarinë.

"Në botën tonë e cila gjithnjë e më shumë bazohet në të dhëna, vizualizimi po bëhet vegël qenësore për të kuptuarit e saktë të lajmeve. Kur vizualizimet bëhen si duhet, ato janë mjet sqarimi dhe vërtetësie. Vizualizimi tashmë nuk e plotëson storien e shkruar. Vizualizimi është vetë storia".

Ocjenite kvalitet članka