Media Innovation Lab: Qasje multidisiplinare ndaj raportimit etik

03.12.2020. / 11:58
Share
Media Innovation Lab: Multidisciplinaran pristup etičkom izvještavanju
Media Innovation Lab: Multidisciplinaran pristup etičkom izvještavanju
Media Innovation Lab: Multidisciplinaran pristup etičkom izvještavanju

Sot është dita e tretë e Media Inovation Labit dhe ekipet tashmë po i zhvillojnë projektet e tyre. Nga idetë fillestare, nga trajtimi i aspekteve të ndryshme, përfshirja e inovacioneve, e deri te përshtatja e formatit dhe përmbajtjes për publikun. Media Innovation Lab (MIL) kësisoji u ofron të gjithë pjesëmarrësve një platofmë së cilës mund t'i qasen në mënyrë unike me idetë e tyre dhe me ndihmën e mentorëve/eve t'i shtyjnë përpara idetë e veta.

Për këtë qëllim, ne kemi biseduar me mentorët e sivjetëm për atë se si e shohin MIL-in, dhe si mund t'u kontribojnë ekipeve të sivjetme.

Raportimi etik dhe shëndeti mendor

Duke qenë se tema e sivjetme e Labit përqendrohet në raportimin etik gjatë kohës së pandemisë, Lidija Arambašić, profesoreshë e psikologjisë klinike nga Zagrebi, beson se "psikologjia dhe psikologët/et mund të ndihmojnë duke shpjeguar me tregues të natyrshëm, të zakonshëm se si ndihen njerëzit gjatë ngjarjeve stresuese dhe traumatike (e këto në fakt dëmtojnë jetën dhe shëndetin e njerëzve). Përveç kësaj, psikologët e dijnë se mënyrat për zbutjen e stresit dhe traumave varen nga shumë faktorë dhe se nuk ekzistojnë ato që janë të përdorshme në mënyrë universale. Po kështu, psikologët mund të flasin shumë për mënyrat (jo)efikase të ofrimit të mbështetjes për njerëz me stres (traumatik). Unë këtë me butësi e quaj "Këtë mos e bëni – këtë bëjeni".

Danica Ilić, eksperte e mediave digjitale dhe sociale, e cila për vite me radhë merret me standardet etike të gazetarisë në epokën digjitale, konsideron se "etika - raportimi etik dhe 'e mira' etike e menaxhimit të mediave (good governance) është qenësore për kthimin e besimit në media dhe informata. Etika u kthye në fokus apo vazhdon të kthehet me shfaqjen e mediave sociale, me rënien e gjithëmbarshme të standardeve të raportimit, me rritjen e madhe të numrit të 'autorëve' të informatave dhe dezinformatave – publikut i duhen media të besueshme. Kjo nevojë del në pah edhe më shumë në kohë pandemie dhe krize globale të shoqërisë, në situatat e saj politike e ekonomike, në përmbysjen klimatike dhe, me gjasë, në pabarazinë e papërmirësueshme mes popujve, gjinive, racave e klasave".

Qasja multidisiplinare të cilën ofron MIL-i është pikërisht ajo që mund t'i kontribojë raportimit etik.

"Është shumë mirë që ekipet po punojnë me mentorë nga fusha të ndryshme; kështu mund t'i shohin dhe t'i zhvillojnë idetë e tyre nga disa aspekte. Do të thosha se kjo është një qasje multidisiplinare ndaj projekteve dhe një përvojë e tillë mund t'u sjellë shumë dobi gazetarëve dhe mediave", thotë Marija Vučić, eksperte për verifikimin e fakteve në Raskrikavanje.rs.

Verifikimi i vërtetësisë së informatave të cilave u qasen gazetarët/et janë aspekt i rëndësishëm i raportimit etik dhe në këtë kontekst të dish si të verifikosh faktet është tejet e rëndësishme për secilin gazetar/e.

"Shpresoj që ndihma ime t'u sjellë dobi për t'i zhvilluar idetë e tyre duke menduar për fakt-checking, gjegjësisht për t'u kujdesur që gjithçka që plasojnë të jetë e saktë dhe e kontekstualizuar në mënyrë precize. Tema e MIL-it të sivjetëm është raportimi etik në kohë pandemie, ndërsa raportimi etik është i pandashëm nga raportimi i saktë dhe i vërtetë. Mendoj se muajt e fundit, duke qenë përballë krizës shëndetësore globale, jemi dëshmitarë të asaj se sa e rëndësishme është të verifikohen informatat dhe të zgjedhen burimet të cilave do t'u besojmë" – thotë Marija.

Epoka digjitale në gazetari

Gorjan Jovanovski, eko-aktivist maqedonas, sipërmarrës dhe inxhinier softuerik thotë se ky lloj bashkëpunimi në Ballkan është tejet i rëndësishëm sepse "po përballemi me probleme të ngjashme dhe kemi publik të ngjashëm; andaj, përvoja e një personi nga një shtet mund të jetë tejet e zbatueshme te të gjithë të tjerët. Duke u ofruar mbështetje ekipeve, si financiare ashtu edhe të mentorimit, është qenësore t'u ndihmojmë që projektet e tyre të jetësohen".

Duke qenë se Gorjani është inxhinier softuerik me përvojë dhjetëvjeçare në krijimin projekteve të ndryshme me dobi shoqërore, ndihma e tij do të pasqyrohet në të kuptuarit e dobisë së teknologjisë, dhe të mënyrave e formateve më të mira për të arritur deri te publiku.

Lamia dhe Eldin Herenda janë ekipi i pazëvendësueshëm i mentorimit në Media Innovaton Lab dhe kanë qenë këtu që nga fillimi. Lamia është drejtoreshë multimediale ndërsa Eldini është dizajner grafik. Kështu, ata ndihmojnë shumë në sferën e zgjidhjeve vizuale dhe shpalosjes së ideve.

"Përparësia më e madhe e Media Innovation Labit është se pjesëmarrësit/et mund t'i vlerësojnë idetë e tyre, t'i analizojnë dhe të marrin komente nga një ekip vërtet i larmishëm i mentorëve dhe ekspertëve nga fushat të cilat për ta mund të jenë të panjohura. Përveç nga mentorët, ata mësojnë edhe nga njëri-tjetri. Gjatë kohës së MIL-it nuk ka konkurrencë, por vetëm dëshirë për përmirësim, frymësim i pashtershëm dhe gjithsesi shoqërim cilësor. Në MIL, gazetarët kanë mundësinë të mësojnë drejtpërdrejt se çka ndodh në regjion, të njihen me kolegët, gjegjësisht koleget e tyre nga rajoni dhe, më e rëndësishmja, të bashkëpunojnë. Ka diçka magjike në sprintet kreative dhe vërtet është kënaqësi të mentorosh njerëz kaq kreativë nga të cilët edhe unë kam mësuar shumë gjëra" – thotë Lamija.

Ajo thotë se ata si dizajnerë/e dhe video producentë/e duan t'u shpalosin gazetarëve forma të reja dhe të theksojnë se bota po ndryshon, me apo pa dëshirën tonë. "Është e rëndësishme të mësojmë të notojmë në këto ujëra, që përmbajtja e keqe dhe e pavërtetë të mos i vërshojë rrjetet sociale dhe portalet vetëm pse është paketuar më mirë".

"Mënyra se si Internews dhe USAID, me projektin MIL përpiqen t'i nxisin njerëzit të merren me inovacionet dhe që, me një ekip vërtet të shkëlqyer dhe të larmishëm mentorësh nga pothuajse të gjitha fushat të cilët mund të ofrojnë ndihmë, të ofrojnë mundësinë që ato ide të shkëlqyera vërtet të përmbledhen apo të krihen është vërtet diçka për të cilën njerëzit që kanë mundësi të jenë pjesë e MIL-it mund të jenë veç mirënjohës" – thotë Eldini.

Lamija dhe Eldini punojnë drejtpërdrejt me ekipet, dhe me inputet e tyre kërkojnë gabime dhe i nxjerrin ato në pah që t'i largojnë ato sa më shumë dhe  ta paketojnë sa më mirë idenë në prezentimin final.

"Ne vijmë nga sektori real ku beteja për një copë keku gjithmonë ka qenë e ashpër por kurrë nuk kemi lejuar që kjo të ndikojë në kreativitetin tonë dhe dëshirën tonë për avancim dhe zbulim të risive; andaj, konsideroj se përvoja jonë nga industria kreative dhe biznesi gjithashtu mund t'u sjellë mjaft dobi".

Darjan Radenković, shefi i marketingut në Brainster, pajtohet me kolegët/et e tyre mentorë/e rreth rëndësisë së një qasjeje të këtillë.

"Me ndihmën e mentorëve, çdo ekip mund të fokusohet tek ato aktivitete të cilat me një brainstorming të përbashkët veçohen si më relevante për projektin, duke përjashtuar ato ide të cilat mentorët nga përvoja e tyre që në fazën e zhvillimit të projektit mund t'i vlerësojnë si të tepërta apo joefektive për qëllimin përfundimtar të projektit. Po kështu, motivohet pivotimi dhe transformimi i ideve që në fazën e hershme të projektit – e kjo është shumë e rëndësishme për qëndrueshmërinë e çdo projekti. Gjithashtu, duke i pasur në dispozicon mentorët të cilët janë specialistë të fushave të ndryshme, secili projekt fiton ekspertizë në shumë aspekte të cilat mbase nuk janë mbuluar me profilizim të ekipit bartës të idesë, e të cilat mbase mund të dëmtonin efikasitetin e projektit nëse nuk adresohen që në këtë fazë".

Data gazetaria në kohën e pandemisë – e popullarizuar

Duke qenë se data gazetaria është segment shumë i rëndësishëm i punës së gazetarit/es, por edhe të projekteve të sivjetme, sidomos për faktin se tema e MIL-it mbështetet në pandeminë, Imer Muhović, inxhinier i bioinformatikës, i njohur për përcjelljen e rezultateve zgjedhore dhe krijimin e vizualizimeve, si mentor i MIL-it i kontribon pikërisht kësaj sfere.

 

I pyetur se sa e rëndësishme është të dish të kuptosh dhe prezantosh vizualisht të dhënat për të shmangur keqinterpretimin e të dhënave, ai thotë: “Të dhënat mund të keqpërdoren në dy mënyra – njëra është nga padituria, tjetra nga keqinterpretimi i qëllimshëm. Antidoti për të dyja është njohja e bazave të punës me të dhëna dhe vizualizim, sepse nuk ka shumë elementë themelorë në vizualizim, kështu që lehtë mund të fitoni njohuri të mjaftueshme për të shmangur manipulimin".

Pikërisht në këtë segment, ai u jep kontribut ekipeve të sivjetme.  "Unë shoh se do të jem në gjendje t'u ndihmoj të zhvillojnë aftësitë e tyre në prezentimin dhe interpretimin e të dhënave në mënyrë transparente  kryesisht duke theksuar se cilave aspekte duhet t'u kushtojnë vëmendje kur raportojnë në pandemi për të mos e çuar publikun drejt përfundime krejtësisht të gabuara".

Rëndësia e shëndetit të gazetarëve

 

Dhe për fund, duke vlerësuar rëndësisë e ruajtjes së shëndetit mendor gjatë pandemisë, Lidija Arambašić konkludon:  "Është krejt e gabuar bindja se ekspertiza (e çdo lloji) mund të na mbrojë nga ngjarjet e vështira të cilave u ekspozohemi. Duke qenë se këtu bëhet fjalë për Media Innovation Labin, do të përmend vetëm se gazetarët, sikurse publiku i tyre, janë gjithashtu njerëz me jetët e tyre private dhe njerëzishmëria e tyre nuk mund të ndahet nga puna (megjithatë shumëkush me demagogjnë e tyre përpiqen të na bindin në të kundërtën).  Pra, i ashq. sindromi i djegies në punë dhe traumatizimi i tërthortë gjithsesi janë të pranishme në punën e gazetarit/es dhe këtë duhet marrë shumë seriozisht".

Ocjenite kvalitet članka