Ç'është qasja OSINT në hulumtimin medial

16.11.2021. / 11:39
Share
Izvor: https://medium.com/
Izvor: https://medium.com/
Izvor: https://medium.com/

Sigurimi i informatave për një storie të cilin e përgatisin gazetarët nganjëherë mund të jetë punë e lodhshme dhe konsumuese. Edhe pse interneti e ka bërë më të lehtë qasjen në informata, mes miliona të dhënash është e vështirë të gjenden të duhurat.

Të hulumtosh lidhur me aktorë të rëndësishëm brenda një storieje, kompani, të dhëna, do të thotë të klikosh në dhjetëra a qindra linkë për të siguruar një informatë të rëndësishme për storien. Kjo do të thotë se puna e hulumtimit të një pjese të informatave mund të zgjasë disa ditë.

Për fat të mirë, sot ka shumë teknika dhe vegla që mund t'ju ndihmojnë në këtë proces dhe t'ju kursejnë ditë, e ndonjëherë edhe muaj pune.

Andaj sot po flasim për një metodë që ju ndoshta e keni përdorur tashmë në punën tuaj hulumtuese. Bëhet fjalë për teknikën OSINT dhe metodën e hulumtimit të informatave në dispozicion publik.

Ç'është qasja OSINT?

OSINT është shkurtesë për  të dhëna të inteligjencës nga burimet e hapura (Open-Source Intelligence Tools), që ka të bëjë me të gjitha informatat që mund të merren ligjërisht nga burimet publike falas për një individ a organizatë. Në praktikë, kjo zakonisht nënkupton informatën e gjetur në internet, por teknikisht të gjitha informatat publike bien në kategorinë OSINT, qofshin ato libra apo raporte në bibliotekën publike, artikuj në media apo deklarata në një kumtesë për shtyp.

OSINT përfshin gjithashtu informata që mund të gjenden në lloje të ndryshme mediash. Edhe pse zakonisht mendojmë se bëhet fjalë vetëm për tekst, informatat në foto, video, webinare, fjalime publike dhe konferenca gjithashtu futen brenda këtij termi.

Qasja OSINT për mbledhjen e e të dhënave për ju apo për angazhimin tuaj medial mund të jetë mënyrë e shkëlqyer për të kuptuar se çfarë informatas ndani me publikun, si dhe për të kuptuar më mirë procesin e kësaj metode dhe se si mund t'u qaseni informatave për të tjerët.

Termi OSINT u krijua disa dekada më parë nga agjencia ushtarake e SHBA-së në fund të viteve 1980, derisa ata po rivlerësonin natyrën e kërkesave për informata në nivele taktike në fushat e betejës. Më pas, në vitin 1992. Akti i Riorganizimit të Inteligjencës përcaktoi se objektivat kryesore të mbledhjes së të dhënave përfshinin koncepte kyç si:

  • Duhet të jetë objektive informata e inteligjencës pa paragjykime

  • Të dhënat duhet të jenë të qasshme në burime publike

Kategoritë e burimeve OSINT

Burimet OSINT mund të ndahen në gjashtë kategori të ndryshme të rrjedhës së informatave:

  • Mediat online, gazetat, revistat, radiot dhe televizionet nga të gjitha vendet

  • Interneti në përgjithësi, publikimet online, blogët, grupet e diskutimit, mediat qytetare (gjegjësisht videot në telefonat celularë dhe përmbajtjet e krijuara nga përdoruesit), YouTube dhe faqet e tjera të mediave sociale (gjegjësisht Facebook, Twitter, Instagram, TikTok, etj.). Ky burim gjithashtu tejkalon një numër burimesh të tjera për shkak të afatit kohor dhe lehtësisë së qasjes.

  • Të dhënat e administratës publike, raportet, buxhetet, seancat dëgjimore, adresarët telefonikë, konferencat për shtyp, faqet e internetit dhe fjalimet. Edhe pse ky burim vjen nga një burim zyrtar, ato janë në dispozicion të publikut dhe mund të përdoren hapur dhe lirisht.

  • Publikimet profesionale dhe akademike, informatat e marra nga revista, konferencat, simpoziumet, punimet akademike, disertacionet dhe punimet e diplomave.

  • Të dhënat komerciale, imazhet komerciale, vlerësimet financiare dhe industriale dhe databazat.

  • Literatura gri, raportet teknike, patentat, dokumentet e punës, dokumentet e biznesit, letrat dhe buletinët e pabotuar.

Përparësitë e qasjes OSINT

Përparësitë e teknikës dhe metodës OSINT janë se veglat e përdorura janë me burim të hapur, se informatat janë publike, falas dhe të ligjshme.

Për gazetarët, veglat dhe teknikat e këtilla për mbledhjen e të dhënave mund të jenë shumë të dobishme. Përdorimi i OSINT-it kërkon pak ose aspak investim financiar sepse sipas definicionit informata është në dispozicion pa pagesë.

Meqë të dhënat e mbledhura nuk përcaktohen si konfidenciale dhe zbulohen publikisht me pëlqimin e burimit origjinal, është plotësisht e ligjshme të mblidhen të gjitha të dhënat që mund të gjeni.

Për shkak të natyrës publike të burimeve të përdorura në OSINT, përdoruesit ka të ngjarë të shtojnë dhe përditësojnë të dhënat e tyre rregullisht.

Mediat mund të kenë një pasqyrë më të gjerë të hulumtimeve të tyre duke përdorur informatat OSINT, që u mundëson qasje më të gjerë në informata dhe sigurim më të lehtë të tyre.

Verifikoni informatat

Edhe pse OSINT është vegël tepër e dobishme për mbledhjen e informatave, ka disa gjëra që duhet të dini përpara se ta përdorni:

  • Informatat duhet të zbatohen praktikisht

Mbledhja e informatave është e pakuptimtë nëse nuk mund të krijoni një plan veprimi ose të përdorni të dhënat e mbledhura në mënyrë domethënëse. Përpjekja për të klasifikuar të dhëna të dobishme nga një sasi e madhe informatash të panevojshme është jashtëzakonisht e vështirë pa vegla teknologjike të krijuara për këtë qëllim. OSINT kërkon vegla që përdorin AI dhe teknologjinë e të mësuarit të makinerive për të përfituar vërtet nga përparësitë e ofruara nga informatat e inteligjencës me burim të hapur.

  • Informatat duhet të konfirmohen

Edhe pasi të keni gjetur informatat që mund të jenë të dobishme, do t'ju duhet të verifikoni saktësinë e tyre përpara se t'i përdorni. Kompanitë dhe individët mund të përpiqen të mashtrojnë qëllimisht për rreziqet e mundshme duke publikuar informata të rreme, dhe ka shumë informata të rreme në internet që mund të jenë ose jo të qëllimshme.

  • Informatat kërkojnë analizë

Informatat e papërpunuara duhen analizuar dhe përpunuar përpara se të nxirret ndonjë përfundim i dobishëm ose efektiv. Për të përdorur informatat e gjetura, analizojini dhe krahasojini mirë, përpara se t'i përdorni për të shkruar tekst.

Disa nga veglat e përmendura më parë për të cilat kemi shkruar e që i përkasin teknikës OSINT janë TinEye, Hunchly ndërsa disa nga veglat më të mira OSINT në vitin 2021 janë  Maltego, Recon-ng, theHarvester, Shodan dhe Google Dorks, e për këto do t'ju tregojmë më shumë në ditët në vijim.

Ocijenite kvalitet članka