Gazetaria hapësinore: vendi ku takohet teknologjia, transparenca dhe raportimi

27.08.2021. / 09:34

Gazetaria kërkon t'i komunikojë publikut se çka, kur dhe ku ka ndodhur diçka.

Këto paramtera në mënyrë unike mund t'i përçojë gazetaria hapësinore (spatial journalism).  Nëse praktikohet gazetaria hapësinore, nuk do të nevojiten shpjegime shtesë lidhur me distancën mes plumbave dhe viktimës apo vijat e sakta të dukshmërisë që mundëson një pikë e caktuar vrojtimi.

Raportimit dhe transparencës në gazetari teknologjia i sjell mundësi të reja të mëdha.

Çka është gazetaria hapësinore?

Gazetaria hapësinore përfshin hapësirën, vendin dhe vendndodhjen e saktë në procesin dhe praktikën e gazetarisë.

AR, VR dhe 3D luajnë rol të madh sepse gazetarinë hapësinore ne e krijojmë falë këtyre teknologjive.

Shembullin e parë të gazetarisë hapësinore në vitin 2012 e zhvilloi Amy Schmitz Weiss nga Universiteti San Diego. Ishte ky aplikacioni AztecCast për pajisjet mobile.

sa
Foto: Spatial Journalism: A New Frontier (sdsu.edu)​​​​​​

Ky aplikacion përdorte teknologjinë e gjeolokacionit për t'u dhënë studentëve të dhëna relevante gjeografike. Kështu, ata mund të mësonin për ngjarjet dhe lajmet që lidheshin specifikisht me çfarëdo ndërtese.

AzteCast u mundësonte studentëve të kenë informata relevante gjeografike në dispozicion falë përdorimit të teknologjisë së gjeolokacionit. "Aplikacioni u mundëson studentëve të mësojnë për zhvillimet dhe informatat relevante për çdo ndërtesë (në kampus)", tha Schmitz Weiss. "Nëse, ta zëmë, gjenden përpara ndërtesës për muzikë apo shkencë, ata do të kenë qasje në listën e ngjarjeve dhe të dhëna të tjera për çfarëdo dite".

Aplikacioni AztecCast është shembulli themelor i përdorimit të hapësirës, vendit dhe lokacionit të saktë për tregimin e storieve. Por, përparimi në teknologji ka mundësuar përvojë edhe më të pasur, siç është ajo në vitin 2021.

Elemente të reja që sjell gazetaria hapësinore

Mediat digjitale dhe mobile hapin rrugë të reja drejt konsumit të lajmeve, ndërsa ideja e asaj se ç'është lokale, ç'është afër dhe ç'është në fqinjësi po ndryshon.

Siç thonë disa autorë, afërsia për dekada me radhë në gazetari shërbente si bazë për zgjedhjen e lajmeve në redaksi, dhe si vlerë që lajmet do të kenë te përdoruesit. Domethënia që afërsia ka në mjedisin medial mobil dhe digjital merr përmasa të reja sepse lajmet sot mund t'i gjeolokohen publikut.

Dikur lajmet lokale konsideroheshin ato që ndodhnin në afërsinë tuaj direkte fizike. Sot në masë të madhe propozohet që me lokale të konsiderohet përkatësia në një komunitet dhe si ai komunitet jeton në një hapësirë të caktuar.

Hulumtimet në të cilat janë analizuar tetë storie 360 VR nga The New York Timesi zbulojnë se në të gjitha këto storie paraqiten tri kategori:

  • dialogu që përdoruesi ka me hapësirën virtuale

  • roli që lokacioni fizik ka në storie,

  • realiteti emocional që përdoruesi ka me personazhet në mjedisin VR përmes afërsisë fizike dhe hapësirës personale.

Hulumtuesit kanë vërejtur: "Siç u gjet në analizën tonë, narrativa hapësinore tregon storien, e zhvillon dhe mbështet raportet e personazheve. Narrativa hapësinore fillimisht ndikon tek ajo që përjetohet dhe si përjetohet, duke paraqitur rrethanat me elementet estetike ose përzgjedhjen e vendeve në të cilat është i zhytur përdoruesi. Ndryshe nga ajo që pretendonin Zhang, Perkis dhe Arndt, përveç që mbështet përjetimin dhe i përshtatet lëvizjes së përdoruesit, hapësira i kontribon edhe angazhimit emocional".

Të gjithë këta elementë na i tregon edhe aplikacioni i lartpërmendur AztecCast, ku lajmet lokale janë ato që u nevojiten studentëve që gjenden në kampus dhe kërkojnë informata në lidhje me zhvillimet në vendin e ngjarjes.

Një nga shembujt mjaft të përmendur të gazetarisë hapësinore përmes pajisjes mobile është Time-ov. Kjo është gazetari interaktive ku përdoruesi vendos se çka dëshiron të shohë.

Dobitë e gazetarisë hapësinore

Si çdo teknologji që ka filluar të praktikohet në gazetari, përveç ndryshimeve të mëdha në kryerjen e punës, organizimin e redaksisë dhe edukimin e gazetarëve, gazetaria hapësinore ka edhe dobitë e saj.

Këto dobi nënkuptojnë jo vetëm mënyrën e avancuar të raportimit që do të tërheqë publiikun, por edhe ndërtimin e besimit në media përmes transparencës së shtuar.

Disa nga përfitimet që sjell gazetaria hapësinore janë:

Promovimi i neutralitetit të mediave

Gazetarët e kanë për obligim të shpalosin storien e cila bazohet në fakte të verifikuara dhe të verifikueshme dhe prova të besueshme. E vërteta më e mirë dhe dëshmia më e besueshme mund të jenë dëshmitarët e ngjarjes nga dora e parë.

Kjo është pikërisht ajo që ofron gazetaria hapësinore. Shikuesit/et do të kenë mundësinë të përjetojnë ngjarjen ashtu siç ka ndodhur dhe të nxjerrin përfundimin e vet. Aty nuk do të përfshihet interpretimi i gazetarëve/eve.

Kuptimi më i mirë i ngjarjeve

Në vend të tregimit të storieve, raportimit ose shpjegimit të fenomeneve komplekse, sot publiku mund ta përjetojë ngjarjen ose fenomenin nga dora e parë dhe të kuptojë gjithçka në mënyrën e vet. Niveli i ri i pranisë ofron një lloj krejt të ri informatash.

Vegla për luftën kundër lajmeve të rreme

Mangësia e madhe e kalimit nga shtypi në media digjitale, për çka ekspertët më të mëdhenj nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje, është përhapja e lajmeve të rreme. Me miliona faqe dhe rrjete sociale, po bëhet sfidë gjithnjë më e madhe të filtrohen lajmet dhe burimet jolegjitime të informatave.

Qasja në ngjarje me ndihmën e gazetarisë hapësinore mund ta bëjë të vështirë krijimin e lajmeve të rreme për ngjarje të caktuara, sepse është e vështirë të imagjinohet projektimi i elementëve të rremë (apo edhe joekzistues) në realitetin virtual që shfaq besnikërisht hapësirën dhe të gjitha të dhënat lidhur me distancën e objekteve dhe njerëzve në atë hapësirë.

Gazetaria hapësinore paraqitet si diçka që tashmë është këtu dhe është e nevojshme në tregun medial. Me çdo inovacion, me testimin dhe përmirësimin e zgjidhjeve të cilat kryesisht lidhen me shpejtësinë dhe aftësinë për të lexuar këto formate në të gjitha pajisjet, gazetaria hapësinore fiton peshë.

Kjo teknologji do t'i bëjë lajmet dhe gazetarinë më me ndikim sepse kujtesa dhe empatia e publikut stimulohet më mirë nga përvojat e jetuara në mënyrë hapësinore.

 

Ocijenite kvalitet članka