Mjedisi digjital i gazetarisë në fushën e kulturës - praktikat e mira dhe mundësitë

12.04.2021. / 09:53

Gazetaria digjitale është fenomen bashkëkohor i cili për një kohë shumë të shkurtë kaloi nëpër transformime të llojllojshme. Në kuptimin më të gjerë gazetaria digjitale rëndom përkufizohet si çfarëdo forme e përmbajtjes gazetarore e cila publikohet në internet, dhe që mund të jetë tekst, audio apo video. Krahas zhvillimit të saj ndryshonte edhe mënyra se si ne e përjetojmë botën dhe se si vijmë deri te informatat me interes dhe rëndësi personale, por edhe mënyra se si gazetarët raportojnë për fusha të caktuara. Përpjekjet për të arritur qëndrueshmërinë gjatë krizës të cilën e ka kapluar gazetarinë tradicionale, dhe të gjejnë mënyra të reja të arritjes deri te lexuesi, sollën trende dhe inovacione në pothuajse të gjitha fushat e gazetarisë digjitale, duke përfshirë fushën e kultuës.

Qëllimi i gazetarisë në fushën e kulturës zgjerohej dhe ndryshonte në vijë me të kuptuarit tonë të kulturës dhe rolit të saj në shoqëri. Edhe pse, si interes parësor i gazetarisë në fushën e kulturës theksohet arti dhe puna kreative, si dhe individët, institucionet dhe politikat të cilat e realizojnë apo e bëjnë të mundur atë punë, përkufizimi i gjerë mund të përfshijë pothuajse gjithçjka, nga kopshtaria dhe gastronomia e deri te planifikimi urban dhe të arriturat inovative teknologjike. Por, nuk bën të shpërfillet kontributi ekonomik i sektorit të kulturës në krijimin e vendeve të punës, turizëm, rritjen dhe zhvillimin e ekonomisë së vendit, por edhe roli i tij në zgjidhjen e problemeve shoqërore, ruajtjen dhe përcjelljen e vlerave shoqërore.

Duke u nisur nga rëndësia e kultuës, gazetaria në këtë fushë duhet parë si kategori e veçantë që ka domethënie të shumëfishtë shoqërore. Mu për këtë, vëmendje e veçantë duhet t'i kushtohet identifikimit të njohurive dhe shkathtësive të domosdoshme të gazetarëve të cilët mbulojnë fushën e kulturës, por edhe mundësive të cilat i ofron hapësira digjitale dhe shfrytëzimi i veglave të reja për t'u lidhur me lexuesit, për pasurimin e përvojës së tyre kërkimore dhe për t'i informuar për zhvillimet aktuale në fushën e kulturës. Puna e portalit britanik The Guardian do të shërbejë si shembull i praktikës së mirë të raportimit për kulturën dhe mjedisit digjital, dhe shfrytëzimit cilësor të potencialit që ai ofron.

Kush janë gazetarët/et në fushën e kulturës?

aa

Raportimi cilësor dhe profesional për kulturën kërkon posedimin e njohurive të gjera të përgjithshme nga fusha të ndryshme siç është arkeologjia, historia e artit, historia, antropologjia dhe sociologjia. Mu për këtë, gazetarët e angazhuar në këtë fushë duhet të posedojnë informata themelore që të mund të realizojnë kërkime, të bashkojnë dhe të përpunojnë në mënyrë sistemore informatat të cilat i kanë siguruar, dhe të shkruajnë lajmin i cili do të gjejë rrugën deri te interesi i lexuesit/es. Andaj, është i rëndësishëm posedimi i shkathtësive në vijim:

Perceptimi – me rastin e raportimit të një ngjarjeje kulturore gazetari së pari shpreh vështrimet e tij të cilat i plotëson me informata të cilat i merr nga personi, apo institucioni që organizon atë ngjarje. Andaj, posedimi i njohurive paraprake nga fusha e kulturës për të cilët raportohet është thelbësor për krijimin e perceptimit të duhur, por edhe për sigurimin e transmetimit profesional dhe të saktë të përmbajtjes, qëllimit dhe mesazhit.

Vështrimi kritik – ndryshe nga lajmet e tjera, ato nga fusha e kulturës përmbajnë vështrime kritike të ngjarjeve, gjegjësisht vlerësimin personal të ngjarjes kulturore, veprës apo objektit. Vështrimi kritik është argument i bazuar në prova të cilat përfshijnë përshkrimin objektiv të asaj për çka raportohet.

Mendimi pozitiv apo negativ për temën e caktuar, i shkruar nga eksperti i gazetarisë apo njohësin e çështjes, do të ndikojë në vendimin e lexuesit nëse do të marrë pjesë në atë aktivitet. Ç'është e vërteta, studimi tregon se lexuesit e portalit britanik The Guardian konsiderojnë se Vështrimet (Reviews) janë më të rëndësishme në rubrikën "Kultura". Arsye për këtë është se të gjithë këta artikuj i kanë shkruar ekspertët apo autoritetet që kanë kaluar shumë vite pune dhe kërkimi në   atë fushë.

Për të përmirësuar shkathtësitë tuaja të shkrimit të vështrimit kritik, dr. Maya Jaggi në ligjëratën online "Çka është kritika?" gazetarëve të cilët punojnë në fushën e kulturës u propozon parashtrimin e këtyre pyetjeve:

  • A po bën artisti diçka të re, apo formën ekzistuese artistike po e kthen në drejtimin tjetër?

  • Nëse punojnë në mënyrë tradicionale, a e përshtatin këtë mënyrë apo po largohen nga ajo?

  • Çfarë është ajo vepër në raport me veprat e tjera të atij artisti, apo veprat e artistëve të tjerë?

  • Cili art i ka frymëzuar apo ka ndikuar tek ata?

Qëllimi i shumëfishtë i veglave digjitale në raportimin për kulturën

ds

Përdorimi i veglave digjitale është shumë i rëndësishëm në raportimin për kulturën dhe lidhjen me lexuesin, dhe qëllimi i tyre në mjedisin digjital është i shumëfishtë:

  • Përjetimi më i pasur – veglat digjitale hapin dyer të dimensioneve të reja të përpunimit të lajmit për kulturë dhe raportimit për ngjarjet kulturore, ku lexuesit përveç pjesës narrative, duke përcjellë video materiale, kanë mundësinë të kenë edhe përjetim vizual me çka pasurohet dukshëm përvoja e tyre, përjetimi dhe të kuptuarit e temës për të cilën raportohet.

  • Lidhja – mjedisi digjital pasurohet me përdorimin e hyperlinkëve të cilët e pasurojnë artikullin dhe u hapin mundësitë lexuesve të hulumtojnë tutje temën e caktuar. Ata, ndër të tjera, pasurojnë kontekstin e gjerë të stories, apo shpjegimin shtesë të temës, na çojnë tek informatat më të hollësishme për objektin kulturor, personin, veprën e artit apo ngjarjen për të cilën flitet në artikull, dhe mundësojnë qasje të thjeshtë te mendimet e ndryshme të cilët konfirmojnë atë që thuhet në artikull.

  • Burimi i qëndrueshmërisë – këto vegla mund të jenë të dobishme si një nga mënyrat e tejkalimit të problemit të qëndrueshmërisë së mediumit digjital, dhe si burim potencial i të ardhurave nga reklamat.  Në fakt, përveç mënyrës tradicionale të reklamimit, The Guardian shfrytëzon mundësitë multimediale dhe interaktive të rubrikës "Kultura" për të dërguar porosi marketingu në fillim të video materialit – dhe kjo është shndërruar në një nga burimet më të mëdha të të ardhurave të tyre.

Dimensioni i ri i gazetarisë digjitale në fushën e kulturës

Zhvillimi i gazetarisë digjitale ka mundësuar zhvillimin e teknikave të reja dhe mënyrave të tregimit të stories. Gazetarët sot kanë mundësinë të tregojnë storien duke përdorur tekst, fotografi, video materiale dhe infografika për t'u lidhur sa më mirë me lexuesit/et. Veglat digjitale mundësojnë pasurimin e përjetimit të lexuesve, ndërsa përmbajtjen e lajmit e bëjnë më interesante dhe më të kuptueshme.

Rubrika "Kultura" e portalit britanik The Guardian mund të konsiderohet si shembull i praktikës së mirë të shfrytëzimit të mundësive të cilat i ofron hapësira digjitale, por edhe zgjidhjeve inovative dhe mënyrave të lidhjes me lexuesit, si dhe raportimit për këtë temë të rëndësishme.

Rubrika "Kultura" është e organizuar në tetë kategori: Books (librat), Music (muzika), TV & radio (TV dhe radio), Art & design (art dhe dizajn), Film (film), Games (lojëra) Classical (klasika), Stage (teatri). Secila kategori pastaj është e ndarë në nënkategori. Kështu, ta zëmë, kategoria Art & design është e ndarë në këto nënkategori: Reviews (vështrime), Photography (fotografi), Architecture (arhitekturë), Visual arts (arti vizuale), dhe nënkategoritë „You may have missed“ (ndoshta ju ka ikur), dhe „Most Viewed“ (më të shikuarat). Të gjitha këto fusha janë të përshtatura asisoji që lexuesit mund ta "fshehin" shfaqjen e tyre apo ta "zgjerojnë" për t'iu qasur numrit më të madh të artikujve nga fushat në fjalë.

via GIPHY

Një nga inovacionet që mundësohen nga shfrytëzimi i hapësirës digjitale për raportimin në fushën e kulturës është heqja e kufijve mes rubrikave dhe kategorive, e që mundëson shikueshmëri më të mirë si dhe kalim më të lehtë nga njëra fushë në tjetrën. Siç shihet nga shembulli i portalit The Guardian, në rubrikën "Kultura" nuk janë vetëm artikujt që kanë të bëjnë ekskluzivisht me këtë fushë. Linku "All today's stories" (Të gjitha storiet e sotme) që gjendet në fund të faqes së rubrikës "Kultura" – por edhe të të gjitha kategorive të tjera – i çon lexuesit te të gjithë artikujt e publikuar në këtë rubrikë por edhe tek ata artikuj që në fillim janë publikuar në rubrika të tjera por të cilat mund të jenë interesante për lexuesit e rregullt të kësaj rubrike. 

The Guardian është vetëm një nga shembujt e praktikës së suksesshme të shfrytëzimit të mundësive të cilat i ofron mjedisi digjital i gazetarisë në fushën e kulturës, si gazetarëve ashtu edhe lexuesve. Duke ndjekur përvojën e tyre, praktikën e tyre të punës dhe zhvillimin e gazetarisë në fushën e kulturës hapen mundësitë e shfrytëzimit më të plotë të potencialit medial të cilin kjo fushë e bart me vete.

Ocijenite kvalitet članka