Në dy ditët që lamë pas, patët mundësinë të lexoni më shumë rreth dy ideve fituese të Media Innovation Labit të sivjetëm – aplikacionin për vizualizimin e të dhënave për data gazetarinë dhe muzeun digjital Covimembrance.
Media Innovation Lab tash e tri vite ofron përmbajtje kreative e inovative për profesionistë të medias, dizajnerë si dhe të gjithë personat që duan të jenë të informuar lidhur me mediat e reja si dhe lidhur me sfidat dhe ndryshimet që ato sjellin.
Action for Democratic Society nga Kosova dëshiron të krijojë një vegël për vërtetimin e fakteve dhe vërtetësinë e artikujve që flasin për Covid-19. Përmes këtij elementi në faqe ata planifikojnë të përzgjodhin në mënyrë rastësore 5 artikuj në ditë që do t'u vihen në dispozicion lexuesve për vlerësim. Publiku do të ketë rastin që me këtë vegël të mësojë për standardet etike në gazetari, dhe të marrë pjesë aktivisht në vlerësimin e artikujve në pajtim me ato standarde.
Në vazhdim mund të shihni paraqitjen finale të projektit të tyre, si dhe të lexoni intervistën në të cilën i kemi pyetur se si e shohin MIL-in e sivjetëm, megjithëse ishte mbajtur online, si u zhvillua procesi i përpunimit të idesë, sa u ndihmuan mentorët/et në zhvillimin dhe përmirësimin e idesë fillestare, dhe çka do të thotë raportimi etik për ta.
Balkansmedia: Si e keni përjetuar Media Innovation Labin e sivjetëm, sidomos duke qenë se u mbajt në sferën online?
Action for Democratic Society: Ekipi ynë i përjetoi shumë frytshëm ditët e Labit. Edhe pse ishte online, ishte intensiv dhe efektiv. Për çdo ide na u desh të flisnim gjerë e gjatë, të kemi pasqyrime të menduara dhe të shihnim se si dukej koncepti i idesë sonë nga këndvështrimi i të tjerëve. Të gjithë/a mentorët/et që morën pjesë në Media Innovation Lab ishin shumë profesionalë dhe mbështetës. Për më tepër, patëm mundësinë të shohim se ç'preokupim kishin pjesëmarrësit e tjerë dhe zgjidhjet e tyre në atë aspekt.
Balkansmedia: Sa ju është përshtatur kjo formë e punës ku për katër ditë në mënyrë intensive eksplorimi dhe përpunoni idenë tuaj?
Action for Democratic Society: Edhe pse shumica e ekipit tonë nuk ka mundur të marrë pjesë për shkak të punës që zhvillohej tjetërkund, agjenda ishte e rehatshme dhe dinamike. Të gjitha pyetjet e mentorëve/eve të ndryshme na shërbyen për ta hapur të menduarin tonë dhe të menduarin për aspekte të tjera të idesë për të cilat nuk menduam në fillim. Duke shërbyer si "avokatë të djallit", na ndihmuan të shohim se ku duhet t'i forcojmë dobësitë tona, dhe ishte mirë që krejt kjo ndodhi aq shpejt sepse nuk pati kohë për të menduar gjatë, por vetëm për të marrë atë që funksionon më së mirë në atë moment.
Balkansmedia: Sa ka ndryshuar ideja juaj nga fillimi i saj? Si ishte dukur në fillim, dhe në fund të MIL-it? Na tregoni më shumë për projektin tuaj.
Ideja jonë fillestare nuk pësoi shumë ndryshime, por shtuam mjaft elemente që idenë ta bëjmë më pragmatike dhe efektive. Në vend se të shtonim web shtrirjen në platformën tonë, vendosim të zhvillojmë aplikacion për ofrimin e shkathtësive të njohurive të lajmeve që do të ketë 5 nivele të vështirësisë, duke nxitur kësisoji njerëzit për ta tejkaluar veten dhe për t'u ofruar ndjesinë e lojës. Për më tepër, në fillim nuk menduam për metodologjinë e përzgjedhjes dhe vlerësimit të artikujve gazetarorë që do t'u viheshin përdoruesve në dispozicion për vlerësim, por pastaj, pas diskutimeve me mentorët, vendosëm të hartonim metodologjinë në partneritet me Këshillin e Mediave, redaktorët/et dhe profesionistë akademikë për të pasur bazë të fuqishme vlerësimi. Metodologjia gjithashtu do të bazohet në standardet dhe këshillat gazetarore të cilat do të na ndihmojnë neve dhe përdoruesve për vlerësimin e artikujve. Në fillim nuk menduam shumë se si ta promovonim aplikacionin, por kur mentorët këmbëngulën rreth këtij elementi, përmendëm rrjete të ndryshme me të cilat mund të ishim partnerë që aplikacionin ta bënim më të dobishme, siç është integrimi i saj në kurrikulën e njohurive të mediave të kurseve për arsimtarë dhe nxënës, duke ua vënë në dispozicion departamenteve të mediave në Kosovë, duke e shtuar aplikacionin si zgjerim në web për të gjitha organizatat të cilat merren me këtë problem. Pra, hartuam një ide bazë për rritjen e shkallës së njohurive mediale te qytetarët, por MIL na mundësoi të gjenim mënyra të tërthorta për ta bërë këtë në mënyrë sa më efikase.
Balkansmedia: Sa dhe në ç'mënyre i ka ndihmuar zhvillimit të idesë suaj ekipi i sivjetëm i mentorëve?
Mentorët i dhanë mjaft kontribut idesë sonë duke parashtruar pyetje të vështira dhe duke na kujtuar se duhet të mendojmë për secilin element, siç është qëndrueshmëria, besueshmëria e vlerësuesve, rangimi, etj. Po ashtu, ata ishin në gjendje t'u përgjigjeshin secilës pyetje që ne kishim. Në përgjithësi, na motivuan shumë me entuziazmin e tyre për idenë tonë dhe me mbështetjen e përgjithshme.
Balkansmedia: Tema e MIL-it të sivjetëm ishte raportimin etik në kohë të pandemisë. Çka është raportimi etik për ju dhe si do të jetë ai pjesë përbërëse e projektit tuaj?
Raportimi etik është raportim fer dhe i saktë. Projekti ynë ka për qëllim të ngritë njohuritë mediale të përdoruesve për t'u bërë të mundur dallimin mes raportimit etik dhe mungesës së tij. Kështu, qytetarët me njohuri mediale do ta rrisin kërkesën e tyre ndaj mediave që ato t'i rrisin standardet e tyre gazetarore, e me këtë edhe kodin etik gjatë raportimit. Projekti ynë gjithashtu u jep kontribut të drejtpërdrejtë mediave që respektojnë kodin etik sepse qytetarët me njohuri mediale do të jenë në gjendje t'i dallojnë mediat profesionale nga ato joprofesionale, dhe kësisoji mediat do t'i kenë qytetarët si aleatë të cilët mund t'u ofrojnë mbështetje në rastet kur ato përballen me sfida siç është censura, rënia e besimit, etj.