Intervistë: Muzeu digjital me fokus te njeriu i thjeshtë

16.12.2020. / 12:11

Dje keni pasur mundësinë të lexoni intervistën me Ermin Sočon, njërin nga fituesit e sivjetëm në Media Innovation Lab.

Media Innovation Lab tash e tri vite ofron përmbajtje kreative e inovative për profesionistë të medias, dizajnerë si dhe të gjithë personat që duan të jenë të informuar lidhur me mediat e reja si dhe lidhur me sfidat dhe ndryshimet që ato sjellin.

Covidmembrance Project nga Maqedonia e Veriut së bashku me ekipin e vet dëshiron të zhvillojë një projekt multimedial të cilin e kanë quajtur "Covidmembrance" e i cili do të përbëhej nga pesë filma të shkurtë dokumentarë. Storiet të cilat do t'i mbulonte projekti do të preknin aspekte të ndryshme të shkaktuar nga ndryshimet socio-ekonomike, kulturore e psikologjike të cilat i solli Covid-19.

Platforma e tyre do të jetë interaktive dhe do të përmbajë kategori të ndryshme përmes së cilave publiku do të ketë mundësinë të përfshihet në këtë projekt.

Në vazhdim mund të shihni paraqitjen finale të projektit Covidmembrance, si dhe të lexoni intervistën në të cilën i kemi pyetur se si e shohin MIL-in e sivjetëm, megjithëse ishte mbajtur online, si u zhvillua procesi i përpunimit të idesë, sa u ndihmuan mentorët/et në zhvillimin dhe përmirësimin e idesë fillestare, dhe çka do të thotë raportimi etik për të.

 

Balkansmedia: Si e keni përjetuar Media Innovation Labin e sivjetëm, sidomos duke qenë se u mbajt në sferën online?

Projekti Covidmembrance: E keni parasysh kur dikush thotë: "Do të kemi 4 ditë konferencë dhe do të jemi 5-6 orë online" dhe pastaj në mendje të vjen ajo pyetja: "çka?" Eh, kjo zgjati më pak se dy minuta sepse njerëzit nga MIL-i me energjinë e tyre na bënë për vete që nga fillim. Nga dita e parë, që kur na treguan se ishim pjesë e MIL-it, e deri te momenti e fundit kur na shpallën njërin nga ekipet fituese, ishim mirënjohës që kishim këta njerëz të na udhëheqin përgjatë krejt procesit. Ishte online, por dukej sikur të gjithë ishim bashkë në një vend.

Balkansmedia: Sa ju është përshtatur kjo formë e punës ku për katër ditë në mënyrë intensive eksplorimi dhe përpunoni idenë tuaj?

Po, ishte intensive, por ishte pozitive. Jemi të bindur se po të ishte gjithçka e drejtpërdrejtë, do të ishte vetëm më interesante, do t'i kishim njerëzit aty, do të mësonim më shumë për të tjerët dhe do të shkëmbenim më shumë mendime dhe ide. Por siç themi, secili prej nesh kishte marrë pjesë në konferenca të ndryshme online por asnjëra nuk ishte aq interesante dhe energjike si kjo. Gjatë katër ditëve patëm mundësinë para së gjithash të punonim, por edhe të pinim kafe kurdo nga shtëpia, të mos kujdesemi fort për veshjen, e mbase kjo liri i kontriboi më së shumti mungesës së tensionit dhe fokusit të vazhdueshëm tek ideja. Me ato 5-6 orë ppunë, njerëzit që morën pjesë vetëm na ndihmuan ta përpunonim idenë fillestare dhe e falënderojmë secilin veç e veç.

Balkansmedia: Sa ka ndryshuar ideja juaj nga fillimi i saj? Si ishte dukur në fillim, dhe në fund të MIL-it? Na tregoni më shumë për projektin tuaj.

Ideja ynë ka ndryshuar, besojmë, vetëm në rrugën e duhur. Kemi menduar dy-tri ditë pasi e kemi parë konkursin, por kur u takuam, mjaftuan vetëm 15 minuta për t'u pajtuar se si do të dukej ideja. Nga ato pesë dokumentarë nuk jemi të gatshëm të heqim dorë assesi, dhe thamë se çfarëdo që ndodh gjatë MIL-it ne vetëm do të pranojmë ide dhe do t'u përgjigjemi pyetjeve pa kurrfarë kalkulimi dhe me sinqeritetin më të madh. Na erdhi mirë kur dëgjuam nga shumë mentorë se ideja jonë ishte interesante dhe e dinim se po shkonim në drejtimin e përfytyruar. Por, energjia dhe kreativiteti u bënë bashkë me feedbackun dhe as që e vërejtëm se kaluan katër ditë, me 5-6 orë në ditë. Na vjen mirë që ekipi i organizatorëve dhe mentorëve e panë idenë e "Covidmembrance" ashtu siç e kishim përfytyruar, pra të merremi me ato tema rreth koronës për të cilat rrallëkush apo askush nuk ka folur, nuk ka informuar. Në ato pesë dokumentarë do të paraqesim transformimet shoqërore, dukuritë dhe paradokset. Do të paraqesim anën e ekspertëve, por më shumë do të merremi me njeriun e rëndomtë dhe me rrugëtimin e tij personal nëpër pandemi, por edhe me atë që na pret në periudhën e ardhshme. "Covidmembrance", siç tregon vetëm emri, është projekt i cili arkivon një kohë kur njerëzit ndryshuan, por gjithashtu tregon atë që njerëzit dinin apo nuk dinin, si të motivohen në momentet më të rrezikshme për sigurinë e tyre por edhe si të bashkëveprojnë me njerëzit përreth. "Covidmembrance" është muze digjital.

Balkansmedia: Sa dhe në ç'mënyre i ka ndihmuar zhvillimit të idesë suaj ekipi i sivjetëm i mentorëve?

Konkursi është i shkëlqyer, ekipi i shkëlqyer, idetë ishin interesante. Besonim se kishim idenë më origjinale nga fillimi e deri në fund, gjë që është e domosdoshme. Por pa ata mentorë nuk do ta kishim zhvilluar idenë kësisoji. Nga momenti i paraqitjes së dizajnit të përfytyruar e deri te mënyra se si ta shesim idenë. Si të mendojmë strategjikisht për promovimin dhe marketingun.

Balkansmedia: Tema e MIL-it të sivjetëm ishte raportimin etik në kohë të pandemisë. Çka është raportimi etik për ju dhe si do të jetë ai pjesë përbërëse e projektit tuaj?

Nëse marrim shembullin e raportimit në kohën e pandemisë, jo vetëm në Maqedoninë e Veriut, por edhe në shumë media të mëdha në botë, pjesa e madhe e intervistimit sillet rreth shifrave të të infektuarve, të vdekurve dhe të shëruarve. Duket thuajse i kemi harruar temat e tjera, apo së paku temat rreth COVID 19 por në një nivel tjetër. Sa të kufizuara janë të drejtat tona, sa fitojnë njerëzit sot, pse aparati shtetëror nuk i subvencionon së paku vitaminat, si shpenzohet buxheti i fundit familjar për parandalimin dhe trajtimin. Kur do të flasim puer rëndësinë e ndihmës dhe dhembshurisë? Nëse jo sot, kur do të analizojmë apo të dëgjojmë se ç'u duhet njerëzve? Përmbajtjet janë plot me spekulime, si në rrjetet sociale ashtu edhe në media. Projekti "Covidmembrance" do të ndihmojë në adresimin e këtyre çështjeve thelbësore, me njeriun në qendër të këtyre çështjeve. Do të zvogëlojmë qasjen sensacionaliste e cila prodhon panik moral. Qëllimi ynë është të edukojmë përmes aspekteve të ndryshme personale për të raportuar më mirë në situata krize, për të përmirësuar përgjegjësinë qytetare dhe për të zvogëluar pasojat në të ardhmen.

 

Ocjenite kvalitet članka