Në kuadër të Media Innovation Labit të tretë të mbajtur në dhjetor 2020 nën ombrellën e programit USAID BMAP më 20 shtator 2021 ekipi maqedon i përbërë nga gazetarë/e dhe artistë digjitalë publikojnë mini serialin Covidmembrance.
Bëhet fjalë për një projekt të dokumentarit të shkurtë që trajton pesë tema të ndryshme të lidhura me pandeminë globale të shkaktuar nga COVID-19,e të cilat pasqyrojnë situatën socio-ekonomike në Maqedoninë e Veriut. Si bartës të dokumentarëve, u krijua edhe një muze digjital si platformë interneti në www.covidmembrance.com.
“New Image” është episodi i parë i cili do të transmetohet më 20 shtator, ndërsa në pesë javët në vazhdim, çdo të hënë do të publikohen episode të ndryshme të shkurta me një temë tjetër. New Image është episodi që trajton maskën mbrojtëse, gjegjësisht shpjegimet e specializuara dhe këndvështrimin e njeriut të thjeshtë, përse bartet, a ofron mbrojtje dhe si e pranojnë njerëzit.
Në "Fearing other", do të dëgjojmë rrëfimet e atyre profesionistëve që kanë punuar në vlugun e pandemisë, derisa "From doubters to believers" është episod i bazuar në rrëfimin personal për humbjen e më të dashurve nëpër labirinte burokratike dhe në kërkim të parave për shërim.
"Covidless" shfaq jetën e përditshme të njerëzve që kanë punuar nga shtëpia, ndërsa paraqitet edhe kopja e një klase online, derisa episodi "The next day" përqendrohet te beteja me COVID-19 dhe pasojat e mundshme.
Mini seriali është prodhim i tërësishëm i autorëve Vlatko Čalovski, Veronika Kamčevska, Darko Komnenović, dhe Bojan Kočevski, derisa toni origjinal është vepër e Goran Moskovit.
Sipas tyre, rrëfimet që janë përmbledhur në Covidmembrance kanë për qëllim të shpërfaqin aspekte të ndryshme të shkaktuar nga ndryshimet socio-ekonomike, kulturore dhe psikologjike si pasojë e pandemisë COVID-19.
"Vetë titulli i mini serialit, krejt projekti, i quajtur Covidmembrance konsiderojmë se është mjaft inovativ dhe tregues për publikun. Gjatë kësaj pandemie, disa herë si publik i jemi kthyer gripit spanjoll i cili ka marrë shumë jetë, por fakt është se nuk ishim shumë të ekspozuar. Këto mini dokumentare të cilat i kemi xhiruar me mbi 30 intervista me profesorë dhe qytetarë na kanë mundësuar të trajtojmë temën e sivjetme të MIL-së – raportimi etik gjatë pandemisë. Imagjinoni të dëgjonit në ndonjë rast tjetër se si një shofer u frikësua nga teshtima e një udhëtari? Këto janë detajet që lënë gjurmë, detajet të cilave mund t'u kthehemi në të ardhmen" thonë autorët/et.
Ata shtojnë se janë krenarë që projekti i tyre ishte ndër tri projektet ndërkombëtare të mbështetura nga programi USAID BMAP, dhe që aty fillojnë të zhvillojnë platformën.