Dizajni universal dhe mediat

31.12.2020. / 13:35

Dizajni universal nuk është koncept aq i ri. Ky nocion u shfaq në vitin 1997 kur një grup punues arkitektësh, dizajnerësh produktesh, inxhinierësh dhe hulumtuesish të mjedisit u bënë bashkë për të përmirësuar qasshmërinë e dizajnit fizik dhe virtual për të gjithë pjesëtarët e komunitetit. Nën udhëheqjen e Ronald Maceit, arkitektit me famë botërore, ata krijuan shtatë parime që synonin krijimin e një mjedisi përfshirës dhe të qasshëm për të gjithë. Ato parime janë:

  1. Përdorim i barabartë
  2. Fleksibiliteti në përdorim
  3. Përdorimi i thjeshtë dhe intuitiv
  4. Informata të dukshme
  5. Tolerimi i gabimeve
  6. Përpjekja e vogël fizike
  7. Masa dhe hapësira për qasje dhe përdorim 

Shkurt, ky koncept paraqet prodhimin dhe mjedisin i cili mundëson që ato në masën më të madhe të mundshme të jenë në dispozicion për të gjithë njerëzit pa pasur nevojë për adaptime të tjera apo përdorim të dizajnit të specializuar. Për parimet e dizajnit universal tashmë kemi folur në video prezantimin gjatë Media Innovation Labit të sivjetëm

Dizajni universal dhe përmbajtja mediale

Ndërsa fitohet përshtypja se këto parime vlejnë vetëm për hapësirat fizike apo virtuale dhe rrjedhimisht zbatohen vetëm nga dizajnerët, duhet pasur parasysh se këto parime mund të aplikohen te cilido produkt të krijuar nga njeriu (pajisjet, mjediset, sistemet dhe proceset) që e përdorin njerëzit me diapazon të gjerë shkathtësish. Kjo do të thotë se ky dizajn mund dhe duhet të aplikohet edhe te përmbajtjet mediale, ashtu siç aplikohet te përmbajtjet edukative përmes dizajnit të shtuar mësimor universal. Duke u nisur nga kjo, çdo gazetar gjatë krijimit të stories duhet të shtrojë këto pyetje:

  • A kam materiale vizuale të cilat shpalosin informatat kryesore të cilat nuk mund t'i shohin apo t'i kuptojnë të gjithë lexuesit, shikuesit apo dëgjuesit?
  • A përfshin storia ime materiale multimediale (audio, video) të cilat shpalosin informatat kryesore të cilat nuk do të mund t'i dëgjojnë, t'i shohin apo t'u qasen të gjithë konsumuesit?
  • A përmban storia ime dokumente në formate të cilave nuk mund t'u qasen të gjithë lexuesit?

Në bazë të këtyre përgjigjeve, varësisht nëse janë pohore apo mohore, ju mund të bëni shumëçka që storiet tuaja të hartohen sipas parimeve të dizajnit universal.

Çka duhet të bëni që përmbajtja juaj të jetë me dizajn universal

Në kontekstin e organizimit të përmbajtjes së shkruar mund të kontrolloni nëse përmbajtja juaj është e ndarë me tituj  dhe nëntituj. Kjo do të thotë se pjesët janë të ndara në mënyrë sekuenciale dhe hierarkike nga Heading 1 te Heading 6 varësisht se në ç'masë dëshironi të ndani përmbajtjen tuaj, por rekomandohet të mos kaloni Headingun 2 apo më së shumti Headingun 3. Madhësia e shkronjave minimalisht duhet të jetë 12pt apo më e madhe për tekstin kryesor. Për fusnota apo endnota mund të përdorni madhësi prej 9pt. Në fund, është me rëndësi që madhësia e shkronjave të mund të rritet për 200%.

Fotografitë dhe paraqitjet e tjera grafike

Kur flasim për fotografitë dhe përmbajtjen vizuale në përgjithësi duhet të përdorni përshkrimet e përmbajtjeve apo funksionin e fotografive përmes tekstit alternativ (alt text). Vizualizimet grafike të të dhënave dhe hartat gjithashtu duhen përfshirë detaje kontekstuale dhe ato ndihmëse në tekstin përreth fotografisë. 
Po ashtu, është me rëndësi që fotografitë të mos mbështeten në ngjyra për të përçuar informatat. Fotografitë që kanë vetëm funksion dekorativ nuk duhet të kenë përshkrime alt-tag. Teksti i këtillë përshkrues nuk është i nevojshëm nëse fotografitë nuk japin informata kontekstuale. 

Linkët dhe tabelat

Tekstet shpesh përmbajnë vegëza apo linkë të cilat japin informata shtesë dhe ato duhet të jenë të shoqëruara me fjalët bazë si "klikoni këtu" apo "lexoni më shumë". Kujdesuni që linkët tuaj të mos hapen në faqen apo tabin e ri. Edhe pse në aspektin e dëshirës për ta mbajtur lexuesin në faqen tonë ky opsion mbase nuk është i dobishëm, megjithatë në aspektin e dizajnit universal është më se i pëlqyer. Nëse megjithatë ju duhet të vendosin një link i cili hapet në faqen apo tabin e re, nevojitet të përfshini edhe referencën apo informatën tekstuale për linkun (psh. [Tabi i ri]). 
Tabelat duhet të përmbajnë emra të kolonave dhe rreshtave. Emrat e rreshtave dhe kolonave duhet të kenë shtrirje të definuar saktë. Është me rëndësi që tabelat të kenë edhe përshkrime. Shmagni qeliza të bashkuara apo të ndara dhe kujdesuni që të ketë hapësira adekuate mes qelizave.

Përmbajtja multimediale

Në rastin e publikimit të video përmbajtjeve, përveç titrave të cilat rëndom janë brenda videos duhet të keni edhe transkriptin për çdo burim multimedial duke përfshirë përshkrimet e përmbajtjes së pathënë relevante. Transkriptet duhet të përfshijnë:
-    Emrin e folësit
-    Krejt përmbajtjen e thënë
-    Përshkrimin relevant të bisedës
-    Përshkrimet e përmbajtjes së pathënë relevante
-    Tituj dhe nëntituj
Përshkrimet e përmbajtjes së thënë dhe të përmbajtjes së pathënë relevante përfshihen në burimin multimedial. Këtu gjithashtu hyn audioa e sinkronizuar me video prezentimin. 

Dizajni universal do të thotë dizajn i mirë

Të gjitha këto rekomandime mund të filloni t'i aplikoni me lehtësi në proceset tuaja të punës me rastin e publikimit të përmbajtjes multimediale. Dizajni universal nuk është ndonjë kërkesë e veçantë për nevojat e një pakice të shoqërisë por kushti themelor për dizajn të mirë. Mediat dhe gazetarët do të nxjerrin shumë dobi nëse përmbajtjet e tyre i bëjnë të qasshme, të përdorshme, të duhura dhe të lehta për përdorim.  
 

Ocijenite kvalitet članka