Gazetaria e gjallë si koncept për kthimin e besimit të publikut

04.08.2021. / 10:48
Share
https://reutersinstitute.politics.ox.ac.uk/
https://reutersinstitute.politics.ox.ac.uk/
https://reutersinstitute.politics.ox.ac.uk/

Gazetaria e gjallë është koncept ku gazetarë, ilustrues, shkrimtarë, redaktorë, kolumnistë, dizajnerë grafikë, fotografë, podcasterë dhe artistë realizojnë vepra me përmbajtje origjinale gazetarore të përshtatura për skenën.

Gazetaria e gjallë ku fjalët e thëna, multimedia dhe tregimet e metrazhit të gjatë realizohen personalisht nga ata që i kanë shkruar ato, integron artet interpretuese, teknologjinë e teatrit dhe gazetarinë e cilësisë së lartë. Formati tërheq publikun në mënyra të reja dhe të ndryshme dhe zgjeron perceptimin e tyre për atë që është gazetaria. Ajo është quajtur si zhanri i ri i "angazhimit ekstrem".

Drejtoresha ekzekutive e revistës Live Magazine, Florence Martin-Kessler, dëgjoi për formatin Pop-Up Magazine sa ishte bursiste e Niemanit dhjetë vite më parë dhe  kështu mori frymëzimin në produksion. "Mendoja se kjo ishte ide e shkëlqyer", tha ajo në një intervistë nga Parisi. "Njoha bashkëthemeluesin e Pop-Up Magazineit, Douglas McGray, dhe ai më shtyu ta nis edhe unë në Paris, dhe kështu veprova".

"Rrëfimi i drejtpërdrejtë nuk ishte aq i përhapur në Francë, kur fillova unë", tha ajo. Ishte koncept mjaft i ri.

Në ditët tona të vërshimit me të gjitha format e mundshme të përmbajtjes multimediale, ku publiku deri në pafundësi shfleton tituj nëpër rrjete sociale, lidhja mes gazetarëve dhe publikut të tyre po bëhet gjithnjë e më e largët. 

Mungesa e lidhjes njerëzore midis gazetarëve dhe lexuesve të tyre ndikon te besimi në media ngase zbeh ndjenjën e afërsisë e cila është aq e rëndësishme në raportin e besimit, shkruan Journalist.co.uk.

Për të punuar në rikthimin e besimit në media dhe lidhjen e publikut me gazetarë, trupa teatrore The News on Stage Project zhvilloi një emision 90-minutësh të quajtur News Cabaret, e cila bën bashkë gazetarë dhe aktorë të cilët shikuesve drejtpërdrejt u tregojnë storie të papublikuara.

"Duhet t'ua afrojmë gazetarinë njerëzve nëse ata janë distancuar", thotë njëra nga producentet, Catherine Adams, puna e përditshme e së cilës është ajo e ligjërueses së medias dhe komunikimit në Universitetin Nottingham Trent.

Producentët britanikë edhe gjatë kohës së pandemisë punuan në konceptin e ngjashëm përmes transmetimit në Zoom, dhe në këtë mënyrë përmes "gazetarisë live" tërhiqnin publikun.

Renée Kaplan, udhëheqëse e angazhimit të publikut në Financial Times, u frymëzua kur disa vite më parë pa gazetarinë live në Paris.

"Atë e konsiderova aq bindëse për shkak të drejtpërdrejtësisë së saj, fuqisë së rrëfimit live, për shkak të privilegjit dhe intimitetit të pranisë së gazetarëve të cilët për vite me radhë vetëm i kemi lexuar. Gjithmonë mendoja, në mendimet e mia, se do të ishte mrekulli sikur të krijonim një version FT dhe një version FT live".

Kështu Financial Times në vitin 2019 realizoi shfaqjen e parë duke shpalosur gazetarinë live.

Lexuesit e lajmeve dhe konsumatorët po bëhen gjitnjë e më të ngopur me përmbajtjen dhe më pak luftojnë me qasjen sesa me mënyrat e filtrimit të asaj që shohin, shfletojnë, lexojnë, konsumojnë dhe hasin. "Mendoj që ekziston pothuajse një ndjenjë e lehtësimit, pushimit dhe mirënjohjes që ekziston një hapësirë jodigjitale ku mund të merren me gazetari, por jo në mënyrën e cila parasheh pothuajse lejen për t'i lënë telefonët e tyre", thotë ajo.

Gazetaria live flet për fuqinë e lidhjes, dhe mbahet mend në një mënyrë krejt të re, teatrore të përjetimit.

Një hapësirë tjetër shumë e rëndësishme e cila hapet me gazetarinë e gjallë është mundësia e shpërndarjes së informatave atje ku hapësira mediale është e tkurrur. Shembull për këtë është Venezuela e cila përballet me qasjen e kufizuar në internet, si dhe me kujdesin që kërkohet për të shpërndarë informatat në publik.  Duke marrë parasysh këtë, katër vjet më parë, gazetarja Claudia Lizardo vendosi të krijojë një transmetim direkt të lajmeve përmes linjave të autobusëve në komunitetet lokale. Përmes këtij koncepti kreativ, ajo ofroi informata relevante dhe të verifikuara për temat e politikës ditore në vend.

ewwe
"TV lajmet show" në autobusin e transportit publik në Caracas, Venezuelë, 10 qershor 2017. Xhirimet u realizuan më 10 qershor 2017. "The Bus TV" - REUTERS/Ivan Alvarado

Sipas Reutersit, ekipi që zhvilloi këtë koncept kreativ thotë se "qëllimi i projektit të quajtur" BusTV është të prodhojë lajme të bazuara në fakte për të arritur te njerëzit e lodhur nga anshmëria e mëdhe në mediat e tjera".

The News on Stage Project i përmendur më lart dhe i formuar rishtazi kërkon pikërisht këtë – afrimin e publikut dhe ndërtimin e besimit të bazuar në faktet e vërtetuara dhe të paanshme.

Producentët/et të cilët i anketuan vizitorët pas emisionit zbuluan se edhe besimi i tyre në gazetari ishte rritur. "Ndihem sikur tash po ju njoh mirë", tha njëri nga të pranishmit. Kjo tregon se kontakti i drejpërdrejtë, shkëmbimi, sjell besim. Ne priremi t'u besojmë njerëzve që i njohim.

Megjithatë, në këtë shpejtësi të përhapjes së informatave, kur numërohen klikimet dhe jo storiet e lexuara, mangësia e gazetarisë live është se ajo është e ngadaltë.

"Në të ardhmen duam t'i nxisim mediat (të krijojnë emisionet e tyre) dhe të bëjnë teatro me buxhet të vogël" – thotë Catherine Adams, ligjëruese e medias dhe komunikimit në Universitetin Nottingham Trent. 

Ocijenite kvalitet članka