Gazetaria konstruktive - gazetaria për nesër

27.12.2021. / 13:58

"Gazetaria konstruktive është term ombrellë për gazetarinë qasja e së cilës orientohet drejt zgjidhjeve, e jo qasje tradicionale negative, si dhe forcon publikun të reagojë konstruktivisht" – thuhet në Express Guide to Constructive Journalism të autores Giselle Green.

Pra, pavarësisht se a flasim për gazetari të bazuar në zgjidhje, apo për një qasje pozitive ndaj raportimit medial, e gjitha bie brenda gazetarisë konstruktive. Çdo qasje që ofron një formë konstruktiviteti ose zgjidhjeje për ato probleme të raportuara futet brenda termit ombrellë të gazetarisë konstruktive.

Gazetaria konstruktive është fushë e re brenda gazetarisë që dalëngadalë po merr hov në qarqet akademike dhe përfshin një zonë komunikimi të bazuar në raportimin e zgjidhjeve të orientuara drejt lajmeve, e jo të sillet rreth storieve negative dhe të bazuara në konflikt. Ideja e gazetarisë konstruktive është t'u japë storieve më shumë kontekst dhe ta bëjë publikun më inteligjent. Duke dhënë më shumë sfond e duke raportuar për atë që po ecën mirë, që njerëzit të aftësohen për të krijuar pasqyra reale të botës – ky është boshti i këtij lloji të gazetarisë. Në vend se të raportohet vetëm për problemet, me gazetarinë konstruktive gazetari/ja i ofron publikut atë që ata mund të bëjnë me këto informata. Gazetarët/et i përgjigjen pyetjes: Çka mund të bëj për ta ndryshuar këtë?

Gazetari nuk jep mendimin e vet e as nuk sjell apo zbaton zgjidhje, por përpiqet ta informojë shoqërinë se ç'zgjidhje mund të ekzistojnë.

Si gazetar/e, ju keni ndikim të madh në mënyrën se si njerëzit mendojnë për shkak të mënyrës së krijimit të lajmeve. Gazetarët/et duhet të jenë më të vetëdijshëm për këtë përgjigjësi duke qenë më të kujdesshëm me mënyrën se si i ndërtojnë storiet e tyre. Shumë gazetarë/e harrojnë se duke raportuar për gjithçka që shkon mbrapsht ata nga distanca nxisin edhe shoqërinë.

Qëllimi i mënyrës konstruktive të raportimit është të shmanget anshmëria ndaj negativitetit dhe të përfshihen gjetjet nga hulumtimet e psikologjisë pozitive për të krijuar korniza të reja për gazetarinë. Pra, në vend se të raportojmë thjesht për konfliktet e problemet, gazetaria konstruktive përpiqet të gjejë një pasqyrë më gjithëpërfshirëse të problemeve në fjalë. Qëllimi i saj është të zbulojë shkaqet kryesore të problemit, por edhe të raportojë për idetë dhe zhvillimet e reja që shoqëria të nxitet drejt rrugëve më të paanshme e më të qëndrueshme.

Mënyrën e këtillë e forcon dhe e ndihmon kodi i gazetarisë duke shmangur shtrembërimin e informatave për të ofruar pasqyrën reale të botës. Gazetaria konstruktive përpiqet të krijojë një storie interesante e cila është faktikisht e vërtetë pa teprime në shifra a realitet.

Katër llojet e intervistimit

Sipas gazetares daneze Cathrine Gyldensted, katër llojet e intervistimit terapeutik të terapeutit sistematik familjar kanadez, Karl Tomm, mund të adoptohen në qasjen ndaj intervistave që mund t'u shërbejnë edhe gazetarëve.  Korniza burimore e Tommit ofron katër lloje pyetjesh të cilat terapeuti mund t'i shfrytëzojë në sesionet terapeutike për të nxjerrë rezultate pozitive terapeutike te klienti. Duke përdorur të njëjtin model në gazetari, nga bashkëbiseduesi mund të merren përgjigjet e njëjta konstruktive.

1.    Pyetjet lineare ("Detektivi"):
Pyetjet themelore hulumtuese të cilat lidhen me: "Kush e bëri?", "Ku?", "Kur?" dhe "Pse?". Ky lloj pyetjesh ndihmon për të zbuluar aspektin faktik të problemit.

2.    Pyetjet rrethore ("Antropologu"):
Ky lloj pyetjesh zbulon perspektivën relevante kontekstuale prapa problemeve. Shembujt: "Si ndikoi kjo te ju (apo te gjërat/njerëzit e tjerë, etj)?, dhe "Cili është shpjegimi juaj për A ose B?".

3.    Pyetjet refleksive ("Shkencëtari i ardhshëm")
Në pyetjet refleksive, gazetari propozon një këndvështrim të ri për temën në fjalë, duke e nxitur bashkëbiseduesin të mendojë për mundësinë e re të zgjidhjes konstruktive të problemit. Shembujt: "Ç'mendoni se beson A kur është në situatën e tillë?", "Si do t'i qaseshit këtij problemi?", dhe "Çfarë veprimi duhet ndërmarrë që A ose B ta bëjë këtë?".

4.    Pyetjet strategjike ("Kapiteni"):
E orientojnë bashkëbiseduesin t'i përkushtohet zgjidhjes. Shembujt: "Çka duhet bërë?", "A do ta bëni këtë?", dhe "Kur do ta bëni këtë?".

Tri drejtimet e gazetarisë konstruktive

Instituti Constructive ka krijuar tri shtylla si udhëzime të cilat mund të çojnë te gazetaria konstruktive.

Gazetaria për nesër

Si përgjigje më të hollësishme në çdo shtyllë, ata kanë ofruar shembuj nga praktika që mund t'ju ndihmojnë më shumë të kuptoni se ç'është fokusi te zgjidhjet, mbulimi i nuancave dhe nxitja e bisedave demokratike. Me shembuj praktikë, me storiet e BBC-së, gazetës daneze Berlingske, dhe televizionit norvegjez NRK, do të merrni përgjigjet më të hollësishme se si të zhvilloni këtë qasje përmes praktikës.

DW Akademie ka themeluar Laboratorin e Gazetarisë Konstruktive: Nxitja e Mediave.

"Mediat kanë rol kryesor gjatë pandemisë COVID-19. Raportet e lajmeve japin fakte, shifra dhe informata të përditësuara, kërkojnë përgjegjësi dhe flasin për ankesat. Këto janë elementet jetike të raportimit, por shpesh ndjekin moton "më mirë pak se hiç" thonë ata.

Meqë një pjesë e madhe e publikut për shkak të raportimit të tillë ndihet në depresion, dhe fillojnë t'i shmangin lajmet, rëndësia e krijimit të laboratorëve të këtillë është më se e madhe.

"DW Akademie beson fuqishëm se mediat kanë potencial të bëjnë shumë më shumë sesa të raportojnë për anët negative – edhe në kohën e pandemive. Roli tjetër i mediave mund të jetë drejtimi i gazetarisë konstruktive".

Gazetarisë konstruktive nuk është diçka në të ardhmen e largët. Ajo po shndërrohet në një qasje e nevojë gjithnjë e më të shpeshtë në gazetari. Mediat si BBC, Guardian, New York Times, Economist, Time magazineDR News në Danimarkë, SVT në Suedi dhe Tages-Anzeiger në Zvicër tashmë po e aplikojnë një praktikë të këtillë.

 

 

 

Ocijenite kvalitet članka