Gazetaria zhytëse: Kur gazetaria tregon se bota nuk është larg

25.06.2021. / 10:25
Share
Immersion Story - 5(ish) Questions: Ted Genoways and his year-long embed on a family farm
Immersion Story - 5(ish) Questions: Ted Genoways and his year-long embed on a family farm
Immersion Story - 5(ish) Questions: Ted Genoways and his year-long embed on a family farm

Gazetari fitues i Çmimit Pulitzer Edward Humes tha se intervistat janë thelbësore dhe se dokumentet mund të jenë të paçmueshme, "por nuk ka asgjë si të marrësh pjesë në ngjarje për të cilat shkruani ose, të paktën njohja e botës dhe kulturës ku jetojnë personazhet tuaja".

Kjo është pikërisht arsyeja pse gazetaria immersion (zhytëse) fitoi hapësirë në media. Më parë, vepra të tilla publikoheshin si libra, sot primatin e ka marrë përmbajtja 3D dhe realiteti virtual.

Çfarë është gazetaria zhytëse

Gazetaria gjithëpërfshirëse, zhytëse ose imersionizmi, janë emra për një stil të shkruari në gazetari ku përvojat individuale përshkruhen në detaje nga një perspektivë thellësisht personale. Individi zgjedh situatën dhe zhytet në ngjarje dhe njerëz të përfshirë. Ithtarët e gazetarisë së zhytur argumentojnë se kjo strategji hulumtuese u lejon autorëve të përshkruajnë përvojën e brendshme të ngjarjeve të jashtme dhe të shkëputen nga objektiviteti i gazetarisë tradicionale.

Sipas disa burimeve, përfshirë Wikipedian, pretendohet se kjo lëvizje ishte e popullarizuar në vitet 1960 dhe 1970 dhe se përfundoi në vitet 1980. Sot, nëse shohim zhvillimin e gazetarisë dhe mediave, raportimin për disa ngjarje, lajmet e fundit – kemi përshtypjen se lajmet nuk krijohen vetëm në bazë të fakteve.  Përdorimi i inteligjencës artificiale dhe realitetit virtual në gazetari e ka intensifikuar këtë trend.

Ku e hasim gazetarinë zhytëse

Profesori i gazetarisë dr. Tony Harcup thotë se parimi themelor i praktikës gazetarore është rrëfimi. Në gazetarinë zhytëse, rrëfimi i stories bëhet më i rëndësishëm sesa “Kush? Çka? Ku? Kur? Pse? Si?” që përbëjnë rregullin e piramidës së përmbysur në gazetari.

Shumica e shikuesve nuk reagojnë ndaj tragjedive që ndodhin në tërë botën. Nëse fatkeqësitë nuk kanë pikëtakime me ta, këto lajme shpejt shndërrohen në zhurmë nga mediat. Kur duam të përcjellim një rrëfim që po e përjetojnë njerëzit e prekur nga një fatkeqësi, ne duhet të nxisim emocione tek audienca.

Dhembshuria, mirëkuptimi dhe vënia në vendet ku zakonisht nuk keni qasje janë arsyet kryesore për përdorimin e gazetarisë zhytëse. Ka storie që janë të shkëlqyera për shkak të emocioneve të aktorëve të tyre kryesorë. Vlerësimi i gazetarit se ia vlen të shpërfillësh objektivitetin dhe neutralitetin dhe të përcjellësh një rrëfim është vendim personal, por reagimi i audiencës ndaj rrëfimeve të tilla justifikon qasjen emocionale.

Shembull i gazetarisë zhytëse

Gazetaria zhytëse zakonisht nënkupton llojin e raportimit që e ka bërë Ted Genoways. Ai dhe bashkëshortja e tij, fotografe, kaluan një vit duke jetuar me një bujk, prodhues të sojës dhe familjen e tij në Nebraska për të na treguar nga afër se si është jeta e 2% të popullsisë që i furnizon me ushqim të gjithë të tjerët.

Kjo storie flet për përvojat e përditshme të bujqve nga sezoni në sezon – një dëshmi intime e 2% të popullsisë amerikane. Autori Genoways për këtë storie tha, "Doja t'u jepja fermerëve zë në një sistem ku atyre shpesh u flitet ose diktohet, por ata rrallë dëgjohen".

Shpesh storiet zhytëse marrin formatin e një libri, si kjo storie për jetën e një bujku "Kjo Tokë e Bekuar".

Kështu ishte deri në shfaqjen e realitetit virtual, i cili solli ndryshime në gazetarinë zhytëse.

Elementet shtytëse të gazetarisë zhytëse

Rrëfimi i hollësishëm i storieve nga skena në skenë duke përdorur gjuhë emocionale, e cila do t'i ndihmojë lexuesit të imagjinojë rrëfimin dhe të lidhet me personazhet, është qëllimi më i madh i gazetarisë zhytëse.

Për të arritur këtë qëllim, është e nevojshme të përfshihen disa elemente në storie:

  • Prania

Elementin e pranisë gazetarët/et përpiqen t'ia përçojnë audiencës në çdo rrëfim. Fjala zhytje do të thotë të jetosh në një realitet tjetër. Të jesh brenda rrëfimit, si vëzhgues/e ose pjesëmarrës/e, sjell emocione që nuk mund t’i nxisim tek audienca me një qasje gazetarore objektive.

  • Angazhimi

Angazhimi shpesh varet nga ajo se sa interesante është përmbajtja, nga gjinia e përdoruesve, por edhe nga elementët subjektivë siç janë motivet e përdoruesit për të "përzgjedhur dhe për t'u angazhuar në aktivitet".

Angazhimi është gjendje e vetëdijes në të cilën vëmendjen e përdoruesit e tërheq ndërfaqja ose multimedia, përdorshmëria e sistemit, aftësia e përdoruesit për të marrë pjesë në përvojën dhe për t'u përfshirë në storie.

Për t'u siguruar njerëzve informatat e nevojshëm, lajmet dhe shpalosja e tyre duhet të jenë tërheqëse, të angazhojnë dhe tërheqin vëmendjen e audiencës, përndryshe vëmendja e përdoruesit do të humbet.

  • Emocioni

Sot, përdoruesit nuk janë më të kënaqur kur diçka është e përdorshme dhe e dobishme. Ata duan edhe kënaqësi emocionale. Andaj edhe dizajni i stories kohët e fundit përqendrohet shumë më tepër në ndikimin emocional.

Shefja e departamentit në RYOT, Molly Swenson, krijoi një storie rreth një burri të dënuar paligjshëm, i cili u mbajt në izolim për një vit.

"Ai tregon përvojën e tij, ju dëgjoni me kufje, shikoni përreth dhe ai largohet. Për 15 sekonda, ju jeni në gjendje të hiqni kufjet dhe të ktheheni në jetën normale, por kjo nuk vlen për 80.000 amerikanët që sot mbahen në izolim", tha Swenson. "Të gjithë e kemi një moment kur themi: 'O Zot, po sikur të mos mund të hiqja kufjet dhe ky të ishte realiteti im?'"

Përshtypja më e fortë që gazetaria zhytëse i lë audiencës gjendet në pyetjen "po sikur të ishte ky realiteti im?!"

Atëherë audienca e kupton atë që gazetari e ka kuptuar shumë kohë më parë – se bota nuk është aq larg.

Ocijenite kvalitet članka