Në ç'mënyrë mendimi sistemik mundëson storie më të mira

26.04.2021. / 08:40

Tregimet gjithmonë kanë pasur fuqinë të ndikojnë në rrjedhën e ngjarjeve shoqërore, të arrijnë te njerëzit, t'i japin kuptim botës sonë kaotike, të zgjojnë emocione dhe të nxisin ndryshimet. Tregimet formojnë mënyrën se si e kuptojmë botën, vendin tonë në të dhe aftësinë dhe dëshirën tonë për ta ndryshuar atë. Sot, në epokën e gazetarisë digjitale, kur tregimet e njerëzve dhe ngjarjeve të ndryshme, nga pjesë të ndryshme të botës, janë vetëm një klik larg, rëndësia e tyre është mbase edhe më e madhe.

Përmes punës së tyre dhe mënyrës se si ata raportojnë për probleme ose ngjarje të caktuara, gazetarët mund të kontribojnë për arritjen e ndryshimeve pozitive. Artikujt e mediave mund të jenë rrugë direkte drejt emocioneve të lexuesve, ato mund të zgjojnë dhembshuri për të tjerët dhe të ndryshmit, dhe kështu të luajnë rol të rëndësishëm në vendimmarrjen e tyre për përfshirjen aktive në ndryshim.

Kriza e emigrantëve, terrorizmi, ndryshimet klimatike, shkeljet e të drejtave themelore të njeriut, janë vetëm disa nga problemet me të cilat përballet bota, dhe për të cilat gazetarët në të gjithë botën raportojnë çdo ditë. Por, është shumë e rëndësishme të dimë se këto probleme përbëhen nga një mori problemesh të tjera, të ndërlidhura, që ndërveprojnë me njëri-tjetrin. Kjo është arsyeja pse raportimi për këto dhe çështje të ngjashme kërkon qasje sistematike, si mënyrë inovative për të kuptuar më mirë çështjet komplekse, të cilat mund të jenë sidomos të dobishme për gazetarët në punën e tyre.

Të menduarit sistemik është mënyrë për të parë botën dhe lidhjet themelore, modelet dhe idetë që e formojnë atë. Kjo përfshin një grup mjetesh për të kuptuar problemet komplekse dhe për të njohur mundësitë për të mësuar dhe ndryshuar. Të shohësh botën në sisteme na ndihmon të shohim përtej ngjarjeve të atypëratyshme dhe të eksplorosh më thellë forcat, strukturat dhe vlerat shoqërore që i nxisin ato.

Për gazetarët/et, të menduarit sistemik është mënyrë për të kontekstualizuar ngjarjet për të cilat ata raportojnë, për të shpjeguar se ç'është ajo që mban gjallë problemin dhe për të parë mundësitë për të ndryshuar sistemin. 

Veglat për zhvillimin e të menduarit sistemik

Të menduarit sistemik mund të shërbejë si mënyrë e dobishme e të menduarit e gazetarëve që ata të kuptojnë dhe raportojnë më mirë dhe më plotësisht mbi çështjet komplekse, në mënyra praktike, reale dhe që janë pjesë e mënyrës së tyre të përditshme të raportimit.

Journalism + Design ka zhvilluar një varg veglash të të menduarit sistemik për gazetarët për të përqendruar raportimin e tyre në shkaqet kryesore të problemeve komplekse: politikat, dinamikat e fuqisë dhe besimet që nxisin sisteme të cilat dëmtojnë në mënyrë aktive, margjinalizojnë ose u sjellin dobi vetëm individëve.

Një nga veglat praktike për zhvillimin e sistemeve të të menduarit që gazetarët mund të përdorin, pavarësisht nëse ata kanë afate të shkurta për të shkruar tekstin, apo po bëjnë punim të gjerë kërkimor, quhet "Maja e ajsbergut". Kjo vegël mund t'u ndihmojë gazetarëve të zhyten më thellë dhe të shikojnë ngjarjet individuale për të cilat raportojnë, duke ndjekur modelet themelore të ngjarjeve, strukturave dhe ideve të mëparshme që e bëjnë sistemin të qëndrueshëm. Duke përdorur këtë vegël për zhvillimin e të menduarit sistemik, gazetarët mund ta shohin më lehtë tërësinë, pra jo vetëm majën e ajsbergut, por edhe atë që fshihet nën sipërfaqen e ujit. Nivele të ndryshme të të menduarit paraqiten si nivele të ndryshme të ajsbergut.

sa

1. Niveli i ngjarjeve

Nëse shikojmë majën e ajsbergut do të marrim vetëm përgjigjen e pyetjes se çfarë po ndodh aktualisht, çfarë ngjarjesh apo problemesh po shohim. Me këtë qasje në raportim, ngjarjet dhe problemet shikohen të izoluara, duke u përqëndruar vetëm në pasojat e tyre, por jo në shkaqet. Problemi thelbësor i kësaj qasjeje është fakti se lajmi i izoluar mund të mos lidh siç duhet shumë faktorë që i paraprinë një ngjarjeje apo problemi të caktuar, dhe lexuesit nuk do të jenë në gjendje të shohin pasqyrën e plotë se si pjesët e ndara lidhin dhe formojnë tërë storien. 

2. Niveli i modeleve të ngjarjeve të mëparshme

Në pjesën e ajsbergut të vendosur pak nën sipërfaqen e ujit ekziston një nivel tjetër i të menduarit, i cili ka të bëjë me modelet e ngjarjeve të mëparshme. Në këtë nivel të të menduarit, mund të vijmë te përgjigjja e pyetjes se si janë të lidhura ngjarjet, gjegjësisht të shohim ngjarje të ngjashme që kanë ndodhur në të kaluarën, dhe të cilat mund të jenë të dobishme për gazetarët për të parashikuar dhe / ose parandaluar ngjarjet e ardhshme.

Për ta arritur këtë, Journalism + Design në këtë nivel rekomandon që gazetarët të bëjnë pyetjet e mëposhtme:

  • Cilat janë prirjet dhe modelet që shkaktojnë këtë ngjarje dhe / ose problem?

  • Çfarë ndodhi në periudhën e mëparshme?

  • Cilat të dhëna ose kërkime mund të shpërfaqen e që kanë të bëjnë me këtë problem?

  • Si lidhet kjo ngjarje me përvoja të ngjashme?

3. Niveli i strukturës

Nëse zhytemi më thellë, vijmë në nivelin tjetër të të menduarit, i cili lidhet me politikat, lidhjet dhe dinamikat e fuqisë që ndikojnë në modelet e ngjarjeve të mëparshme dhe që formësojnë sistemin. Ky nivel i përgjigjet pyetjes se çka i shkakton modelet që vëzhgojmë dhe cila është ndërlidhja mes ngjarjeve të ndryshme që i paraprinë. Në këtë nivel arrijmë të kuptojmë se si funksionon sistemi, dhe gazetarët mund të ndihmohen duke iu përgjigjur pyetjeve të mëposhtme:

  • Cilat politika nxisin trendet dhe modelet? Ato mund të jenë ligje dhe politika zyrtare, ose standarde të brendshme joformale.

  • Cilat janë dinamikat e forcave në lojë? Kush përfiton më shumë nga ekzistenca e një sistemi të tillë dhe në çfarë mënyre ata e realizojnë atë përfitim? Kush është më i dëmtuar dhe në çfarë mënyre?

  • Çfarë janë rregullat dhe praktikat institucionale që nxisin këto modele?

4. Niveli i modeleve mendore

Në rrënjën e ajsbergut, gjegjësisht në sistemin e vëzhguar  gjenden modelet mendore, që kanë të bëjnë me sjelljet, besimet, parimet morale, pritjet dhe vlerat shoqërore që lejojnë që struktura të vazhdojë të ekzistojë dhe të funksionojë në mënyrën si funksionon. Këto janë besime që ne zakonisht i mësojmë në mënyrë të pavetëdijshme nga shoqëria ose familja, dhe për të cilat mund të mos jemi të vetëdijshëm, gjë që e bën identifikimin e tyre shumë sfidues. Përgjigjet e pyetjeve të mëposhtme mund të ndihmojnë:

  • Çfarë supozimesh dhe besimesh personale keni kur bëhet fjalë për këtë temë?

  • Cilat botëkuptime, besime ose ide formësojnë politikat që keni identifikuar?

  • Cilat janë supozimet e pathëna që janë të nevojshme që sistemi të funksionojë në mënyrën se si funksionon?

Maja e ajsbergut është vetëm një nga veglat për aplikimin e të menduarit sistemik qëw gazetarët/et mund të përdorin. Libri i punës "Praktika sistemike" përmban shumë vegla dhe teknika që mund të ndihmojnë në përmirësimin e të menduarit sistemik, por edhe t'u shërbejë gazetarëve që duan t'i qasen raportimit për çështje komplekse në mënyrë sistemike dhe të kontribojnë në arritjen e disa ndryshimeve të qëndrueshme shoqërore.

Bëni hapa prapa

Nëse shikojmë vetëm majën e ajsbergut, ekziston një probabilitet i madh që nuk do të jemi në gjendje të kuptojmë ekzistencën e një mase më të thellë, më të madhe që shtrihet nën sipërfaqen e ujit. Mu për këtë është thelbësore që gazetarët të bëjnë një hap prapa që të mund të vendosin ngjarjen ose problemin (majën e ajsbergut) që po raportojnë në kontekstin e duhur, gjegjësisht të shohin pasqyrën e plotë, të identifikojnë qasje të ndryshme dhe të eksplorojnë ide kreative se si raportimi për një ngjarje apo problem të caktuar mund të arrijë te komuniteti në të cilin ka ndodhur.

Qasja sistemike e të menduarit u ndihmon gazetarëve që raportimin e tyre për disa ngjarje komplekse dhe / ose probleme ta vënë në dy shtresat e fundit të ajsbergut. Rezultati i kësaj mënyre të punës dhe të menduarit janë artikuj medialë të përqendruar për t'u ndihmuar lexuesve të kuptojnë më mirë dhe më lehtë mënyrën e krijimit të sistemeve, por edhe lidhjet, forcat e fuqishme dhe idetë që i nxisin dhe i bëjnë ato të qëndrueshme, gjë që kontribon në përmirësimin e gjasave për ndryshim pozitiv të atij sistemi. 

Ocijenite kvalitet članka