Ngjarjet kulturore si burim informacioni për gazetarët

10.05.2021. / 07:52
Autor
Share
Predstava "Welcome", izvor Oslobođenje
Predstava "Welcome", izvor Oslobođenje
Predstava "Welcome", izvor Oslobođenje

Kultura gjithmonë ka luajtur rol të rëndësishëm në shoqëri, siç dëshmohet nga fakti se zhvillimi i një shoqërie shpesh matet me zhvillimin e kulturës së saj në një periudhë të caktuar kohore. Sot, kur kultura shtyhet në kufijtë e vlerave shoqërore, mund të jetë më e rëndësishme se kurrë të shohim rëndësinë e saj.

Historikisht, në ballë të zhvillimit të kulturës gjithmonë kanë mbetur të gdhendura thellë problemet, tragjeditë, humbjet, sukseset dhe betejat më të mëdha me të cilat përballet një shoqëri ose një grup i caktuar shoqëror. Pavarësisht se a bëhet fjalë për film, shfaqje, performancë apo ndonjë ngjarje tjetër kulturore, shumica e tyre janë shpesh të gërshetuara me ngjarje aktuale në shoqëri, siç janë shkeljet e të drejtave të njeriut, shëndeti mendor, ndryshimet klimatike, kriza e migrantëve e kështu me radhë. Përveç rëndësisë së vet të përshkuar në të gjitha segmentet e jetës, mënyra në të cilën kultura, veçanërisht në fushën e artit teatror, ofron përgjigje për problemet e përditshme me të cilat përballemi, mund të jetë shumë e dobishme për gazetarët në punën e tyre të përditshme.

Lidhja e pashkëputshme midis gazetarisë dhe kulturës

Gazetaria ka shumë pikëtakime me fushën e gjerë të kulturës dhe artit. Sot, të dy këto fusha përballen me një numër sfidash dhe rreziqesh ekonomike e teknologjike. Gjithashtu, gazetarët dhe punëtorët e kulturës dhe artistët kanë motive të ngjashme të brendshme dhe afektive karshi punës. Por, kjo lidhje është veçanërisht e fortë në vendet ku gazetaria bashkohet me kulturën në fushën e artit teatror. 

George Pitcher, gazetar, autor dhe prift anglikan britanik, beson se gazetarët mund të mësojnë shumë nga dramaturgët, pikërisht për shkak të të përbashkëtave midis fushave të tyre të punës. Këto pika të përbashkëta janë:

  • Rrëfimtaria në kohë reale;

  • Varësia nga audienca, gjegjësisht lexuesit

  • Ofrimi i pasqyrës, ndonjëherë ekskluzive, të gjendjes njerëzore.

Këto pika të përbashkëta, historike, por edhe bashkëkohore të gazetarisë dhe artit teatral, çojnë në pyetjen se si bashkëpunimi i tyre mund të përmirësojë arritjen e qëllimeve individuale? A mundet me një punë për qëllime të përbashkëta të avancohet dhe të lehtësohet jetësimi i qëllimeve individuale (më shumë publik / lexues, rritja e të hyrave, vetëdijësimi për tema të rëndësishme shoqërore e politike, etj.)?

Format teatrore të quajtura Gazeta e gjallë (Living Newspaper), të cilat u zhvillua në Bashkimin Sovjetik në vitin 1920 për të paraqitur ngjarjet aktuale dhe problemet sociale, tregojnë se shtjellimi i këtyre lidhjeve nuk është asgjë e re. Por, sot kjo lidhje duhet të rimëkëmbet dhe të forcohet. Rezultatet e studimit "Gazetaria përmes teatrit: Si mund të informojë forma artistike" (Journalism through theater: How an art form can inform), të realizuar nga Ori Tenenboim dhe Natalie Jomini Stroud, e konfirmojnë këtë. Ç'është e vërteta, qëllimi i tyre kryesor ishte të përcaktonin se si shfaqjet teatrore ndikojnë në publik kur përdoren në formën e gazetarisë. Për ta arritur këtë, janë analizuar reagimet e publikut ndaj tre shfaqjeve të bazuara në gazetarinë hulumtuese. Në bazë të sondazheve të publikut dhe intervistave të thukta me njerëzit e përfshirë në shfaqje, u nxorën përfundimet në vijim:

  • Teatri i bazuar në gazetari mund të nxisë publikun që rolet e caktuara mediale (si roli i mbikëqyrjes së punës së qeverisë) t'i shohë si më të rëndësishme;

  • Mund t'i ndihmojë publikut të kuptojë më mirë punën e organizatave mediale;

  • Mund të rrisë njohuritë e njerëzve dhe të ndikojë në besimet dhe qëllimet e tyre.

Gjithashtu, rezultatet e hulumtimit sugjerojnë se shfaqjet teatrore të bazuara në gazetarinë hulumtuese mund të ndihmojnë në rritjen e njohurive të përgjithshme të njerëzve për tema të caktuara, aktuale dhe të kontribojnë në ndryshimin e perceptimit të tyre, por edhe sjelljen e tyre të mëparshme në lidhje me disa probleme sociale. Përveç kësaj, rrëfimet që ndërthurin gazetarinë dhe artin perceptoheshin si shumë më precize dhe më të këndshme sesa mënyra se si publiku kishte pasur mundësinë të dëgjonte dhe të lexonte për tema të caktuara më parë.

Rëndësia e shfaqjeve teatrore për zhvillimin e gazetarisë

Në kërkim të një mënyre më të mirë dhe më gjithëpërfshirëse të raportimit mbi temat aktuale, rezultatet e hulumtimit tregojnë nevojën për të ushqyer marrëdhëniet reciproke midis gazetarisë dhe teatrit, si një nga fushat e kulturës. Ç'është e vërteta, për të kuptuar më mirë problemet e grupeve të caktuara shoqërore lokale, por edhe problemet politike dhe ekonomike globale, gazetarët mund të kërkojnë ndihmë në skenën e artit teatror.

Kjo është një nga mënyrat më të mira për të kuptuar shoqërinë, ndryshimet shoqërore dhe problemet, pavarësisht nëse ata aktualisht po përballen me to, apo nëse gjurmët e tyre nga e kaluara janë ende të dukshme në fytyrën e së tashmes. Shfaqjet teatrore, por edhe performancat që trajtojnë çështje të caktuara aktuale me të cilat përballet komuniteti lokal, rajoni, apo edhe bota, mund të kenë shumë domethënie për përmirësimin e punës së gazetarëve që merren me këto tema në punën e tyre.

Ajo që shfaqjet teatrore dhe performancat mund t'u ofrojnë gazetarëve është:

  • Mundësi të shtjellimit të perspektivave të ndryshme të vrojtimit të një fenomeni të caktuar shoqëror,

  • Burim shtesë të informacionit,

  • Hapësirë të re ku mund të marrin përgjigje për disa nga pyetjet aktuale për të cilat shkruajnë çdo ditë.

Kështu, për shembull, shfaqja teatrore "Welcome" mund t'u ndihmojë gazetarëve të shohin krizën e migrantëve dhe refugjatëve nga një këndvështrim tjetër. Disa nga dobitë e kësaj shfaqjeje për punën e gazetarëve janë:

  • Përjetimi më i plotë i përvojave të refugjatëve dhe emigrantëve;

  • Zhvillimi i gazetarisë së bazuar në fakte, por edhe respektimi dhe të folurit për të vërtetat emocionale të njerëzve;

  • Zhvillimi i gazetarisë që zgjon kurreshjen dhe krijon hapësirë për hulumtime të mëtejme në rrugën drejt të kuptuarit më të mirë;

  • Zhvillimi i gazetarisë që zgjon dhembshuri dhe interes të lexuesve;

  • Gazetaria e cila lexuesve u ofron një këndvështrim dhe drejtim të ri ku qëndron zgjidhja e problemit.

Mënyra e raportimit dhe ndërtimit të stories është qenësore për kapërcimin e kufirit që ndan leximin e thjeshtë mbi një temë nga angazhimi emocional, për krijimin e mendimit kritik mbi temën dhe marrjen e vendimeve për përfshirjen aktive në zgjidhjen e problemeve. Për të arritur këtë nevojitet të kuptuarit gjithëpërfshirës të saj, dhe ngjarjet kulturore janë sigurisht disa nga vendet që gazetarëve u ofrojnë mundësinë për të kuptuarit më të mirë, e kjo në masë të madhe mund të lehtësojë këtë rrugëtim.

Ocijenite kvalitet članka