Potenciali i YouTube-it për avancimin e gazetarisë digjitale në fushën e kulturës

21.06.2021. / 11:23

Shfaqja dhe zhvillimi i gazetarisë digjitale i ka detyruar mediat të krijojnë strategji të reja që lidhen me krijimin, shpërndarjen, marketingun dhe promovimin e lajmeve nga fusha të ndryshme. Përballë kësaj nevoje për rindërtim, mediat e suksesshme botërore gjithnjë e më shumë po zgjedhin të përdorin kanale audiovizuale që do t'u mundësojnë mbulueshmëri të sigurtë të sa më shumë njerëzve. Një nga këto kanale që janë treguar shumë të dobishme për mediat është YouTube.

Në një nga tekstet e mëparshme kemi folur për mjedisin digjital të gazetarisë në fushën e kulturës, ku vëmendje e veçantë i kushtohet identifikimit të njohurive dhe shkathtësive të domosdoshme të gazetarëve të cilët mbulojnë fushën e kulturës, por edhe mundësive të cilat i ofron hapësira digjitale dhe shfrytëzimi i veglave të reja për t'u lidhur me lexuesit, për pasurimin e përvojës së tyre kërkimore dhe për t'i informuar për zhvillimet aktuale në fushën e kulturës. Puna e portalit britanik The Guardian do të shërbejë si shembull i praktikës së mirë të raportimit për kulturën dhe mjedisit digjital, dhe shfrytëzimit cilësor të potencialit që ai ofron. Duke ndjekur këtë shembull, ndër të tjera, do të tregojmë se si mediat vendore mund të përfitojnë nga mundësitë e ofruara nga YouTube, që të rritet numri i lexuesve të tyre të rregullt.

Pse është YouTube i dobishëm për raportimin mbi kulturën?

YouTube është platformë dhe mjet i fuqishëm që u mundëson mediave, në të gjitha fushat e veprimtarisë së tyre, të arrijnë miliona njerëz përmes videove interesante. Kjo mund të jetë veçanërisht e dobishme në fushën e gazetarisë kulturore, dhe siç vijon:

  • Rritja e audiencës – më shumë se një miliardë përdorues vizitojnë kanalin YouTube çdo ditë. Mu për këtë, motivimi kryesor i mediave për të përdorur YouTube-in pasqyrohet në përfitimin e mundësive që ky mjet ofron për të rritur numrin e njerëzve që ndjekin punën e tyre.

  • Lidhja me audiencën – me shpërndarjen dhe komentimin e video përmbajtjeve që lidhen me ngjarjet në fushën e kulturës dhe punës kulturore, rriten mundësinë e krijimit të një lidhjeje të fortë me audiencën. Kjo mund të arrihet në cilindo nga mënyrat e mëposhtme:

  1. Shikuesit/et mund të abonohen në kanalin që u pëlqen; videot nga këto kanale shfaqen në seksionet e YouTube-it të quajtura "Çfarë të shikosh" ("What to Watch") dhe "Abonimet e mia" ("My Subscriptions").

  2. Kanali YouTube është interaktiv; shikuesit/et mund t'u bëjnë pyetje mediave dhe të marrin përgjigje për pyetjet e tyre brenda videove, ose në komentet poshtë videos.

  3. Audienca e YouTube-it shpërndan videot që i pëlqejnë në vend të konsumit pasiv; në thelb kjo është platformë e mediave sociale dhe shpërndarja është pjesë thelbësore e përjetimit në YouTube.

  4. Shikuesit/et mund të shtojnë video në listën e dëgjimit për të parë më shpesh përmbajtjet që u duket interesante dhe / ose të dobishme.

  5. Përvoja dhe kënaqëshmëria e përdoruesve mund të analizohen përmes opsioneve "Më pëlqen" dhe "Nuk më pëlqen", që ndodhen poshtë videos.

  • Gjenerimi i të ardhurave. YouTube është e vetmja platformë e mediave sociale që u mundëson prodhuesve të përmbajtjes të gjenerojnë të ardhura. Programi partner i YouTube-it shpërndan të ardhurat nga reklamat duke u bazuar në kohën e shikimit, shikueshmërinë dhe kohëzgjatjen e qëndrimit të audiencës. YouTube merr kompensimin prej 45% të të ardhurave totale të kanalit. Edhe pse kjo përqindje e madhe ishte temë e shumë debateve, fitimet e realizuara nga mediat në këtë mënyrë u mundësojnë të mbulojnë disa nga kostot e prodhimit.

Si të përdorim potencialin e YouTube-it?

YouTube është vend gjigant ku qytetarët, pavarësisht profesionit dhe interesimit, mund të shpërndajnë video dhe të komunikojnë me njëri-tjetrin. Me mbi dy miliardë përdorues unikë të YouTube-it (gati një e treta e përdoruesve të internetit), në mbi 100 vende në 80 gjuhë, me një miliardë orë video të shikuara çdo ditë, kjo platformë për shpërndarjen e videove mund të tërheqë shumë njerëz - shumë më tepër se çdo televizion, radio apo gazetë në tërë botën.

Kjo mund të jetë shumë e dobishme kur bëhet fjalë për gazetarinë në fushën e kulturës. Përveç asaj që mediat e fushës së kulturës mund ta shfrytëzojnë si kanal informatash ku mund të publikohen përmbajtje interesante dhe ngjarje aktuale, YouTube mund të sigurojë burim të vazhdueshëm informatash mbi ngjarjet aktuale në botën e kulturës.

YouTube gjithashtu siguron qasje në video përmbajtje edukative që mund të jenë të dobishme për gazetarët në zhvillimin e tyre profesional. Video prezentimet dhe ligjëratat nga gazetarë të shquar botërorë në fushën e kulturës mund të ndihmojnë në përmirësimin e të kuptuarit të tyre për qëllimin dhe specifikat e punës në këtë fushë, por edhe të mundësivr që përmirësimi i gazetarisë në fushën e kulturës mund të ketë në rritjen e ndërgjegjësimit shoqëror, zhvillimin e të menduarit kritik dhe krijimin e një shoqërie aktive dhe progresive.  Një nga këta shembuj është kursi online Maye Jaggi, „Introduction to Cultural Journalism“, ku me video prezentime të shkurta shpjegohet se çka është gazetaria në fushën e kulturës, cilat janë format themelore të gazetarisë në fushën e kulturës, dhe cilat janë mënyrat e krijimit të audiencës për kulturë. Në kanalin YouTube të Art Baselit, ndër të tjera, mund të gjendet një ligjëratë mbi mediat digjitale dhe gazetarinë në fushën e kulturës.  Matthew Anderson, redaktor për BBC Culture nga Londra; George Chen, Shef i Politikave Publike për Hong Kong dhe Tajvan për Facebook; Nonny de la Peña, themelues i Emblematic Group-it nga Santa Monica, folën për mënyrën se si trendet që solli revolucioni digjital (lajme të shpejta, raportim i drejtpërdrejtë në rrjetet sociale, realiteti virtual) po ndikojnë në kritikën e artit dhe gazetarinë kulturore.

Këto janë vetëm disa nga shembujt e shumë webinarëve, ligjëratave, prezentimeve dhe shumë përmbajtjeve të tjera edukative në lidhje me gazetarinë kulturore në tërë botën, që gazetarët mund t'i gjejnë në YouTube përmes makinës së kërkimit.

YouTube si kanal informativ i mediave

Puna e portalit britanik The Guardian, u tregua shembull i mirë i punës së suksesshme dhe shfrytëzimit cilësor të potencialit të ofruar nga mjedisi digjital në raportimin mbi kulturën. Mu për këtë, do të shikojmë mënyrën se si ky portal shfrytëzon mundësitë që ofron kanali YouTube.

Në fakt, The Guardian në kanalin e vet zyrtar në YouTube ka 1.67 milionë abonues/e. Përveç kësaj, ai posedonn edhe gjashtë kanale të tjera në YouTube, duke përfshirë Guardian Culture që i dedikohet shpërndarjes së videove të fundit të Guardianit në fushën e kulturës dhe artit.

Duke analizuar mënyrën se si Guardian përdor platformën YouTube, mund të nxjerrim observimet dhe përfundimet e mëposhtme që mund të jenë të dobishme për mediat vendore për të avancuar punën e tyre:

  • Video materiale të shkurta. Pavarësisht se a bëhet fjalë për ndonjë njoftim dhe / apo shfaqje të ekspozitës, koncertit, arritjes së re filmike a teatrore, paraqitje të artistit a aktorit në fushën e kulturës, këto video zakonisht nuk zgjasin më shumë se 10 minuta. Në botën e lajmeve të shpejta, është shumë e rëndësishme të paraqitet ngjarja dhe / ose njerëzit nga bota e kulturës në mënyrë interesante dhe informuese në kohën më të shkurtë të mundshme.

  • Krijimi i dokumentarëve të shkurtër për p.sh. një drejtim të caktuar në art, mënyrën se si ai la gjurmë në skenën e kulturës bashkëkohore, por për mënyrat se si ai ekziston sot, mund të jetë mënyrë shumë interesante për ta paraqitur atë. Meqë kjo forma më e gjatë e videos, ajo gjithashtu mund të shërbejë si mjet i mirë për të rritur numrin e njerëzve të interesuar në këtë përmbajtje, dhe kësisoji edhe numrin e njerëzve që ndjekin kanalin tuaj në YouTube.

  • Raportimi direkt (live streaming). Mbase mënyra më efektive për të tërhequr vëmendjen e audiencës dhe për të rritur numrin e njerëzve që ndjekin kanalin tuaj në YouTube është të raportoni direkt nga ngjarjet kulturore.

  • Titujt, përshkrimet dhe tagët mbresëlënës janë faktorët kryesorë që tërheqin vëmendjen e përdoruesve të YouTube-it. Mu për këtë, ato duhet të formulohen asisoji që të zgjojnë kërshuerinë e përdoruesve të YouTube-it, dhe t'i nxisin që në oqeanin e përmbajtjeve të tjera të zgjedhin tuajën.

  • Temat aktuale dhe të popullarizuara janë gjithmonë më interesantet. Raportimi për ndarjen e Çmimit Oskar, apo për personazhet e famshëm që lexojnë vepra të rëndësishme letrare, janë disa nga mënyrat se si Guardian Culture kërkon të tërheqë vëmendjen e sa më shumë njerëzve.

  • Playlistat u mundësojnë përdoruesve të YouTube-it të gjejnë në një vend tërë video përmbajtjen që ka të bëjë me një temë të caktuar. Përveç kësaj, siç tregon shembulli i Guardian Culture, ky opsion mund të përdoret edhe për të shpalosur zhvillimin e një teme të caktuar nga bota e kulturës. 

Pavarësisht rëndësisë që ka në çdo pjesë të ekzistencës shoqërore, kultura është shtyrë në kufijtë e interesimit dhe prioriteteve. Andaj, nuk është për t'u habitur se, për shkak të interesimit të pamjaftueshëm për këtë kategori, ajo shpesh shtyhet në margjina kur bëhet fjalë për raportimin e ngjarjeve kulturore. YouTube është platformë potenciali i së cilës ende nuk është shfrytëzuar plotësisht nga media vendore, gjë që vërehet sidomos nëse shikojmë potencialet e sipërpërmendura që ka, të cilat mediat botërore i ka parë prej kohësh. Duke shfrytëzuar këto potenciale në mënyrat e paraqitura, përveç avancimit të gazetarisë digjitale dhe mënyrës së raportimit mbi kulturën, do të kontribohej edhe në promovimin e kulturës dhe të krejt asaj që ajo përmban.

Ocijenite kvalitet članka