Si mund t'ia afrojmë artikullin publikut tonë përmes formateve të ndryshme digjitale?

04.03.2020. / 13:51

Që në fakultetin e gazetarisë na mësonin se një artikull cilësor duhet të ketë titull të shkëlqyer, nëntiruj interesantë dhe një hyrje e cila do t'i nxisë lexuesit tuaj potencialë ta lexojnë tekstin deri në fund. Me përhapjen e rrjeteve sociale, këtij përkufizimi iu shtuan elemente të reja.

A ju ka ndodhë ndonjëherë të ndani një pjesë të madhe të kohës për hulumtim, të gjeni të dhëna të rëndësishme për publikun, të bëni titull, nëntituj e hyrje interesante – gjithçka sipas rregullave, dhe në fund të mos keni sukses sa i përket nxitjes së reagimit të publikut?  

Sot nuk mjafton vetëm ta tregoni rrëfimin. Për më tepër, nëse dëshironi që informacionet tuaja të arrijnë deri te publiku sa më i madh, duhet që përmes formateve të ndryshme të krijoni storien. Tashmë në tekstin tonë "Trendet në rrjetet sociale në vitin 2020 që janë të rëndësishme për gazetarinë" kemi thënë se për përhapjen e përmbajtjes mediale "rrjetet sociale janë bërë burimi kryesor i informacioneve".

Kështu, rrjeti social TikTok "përdoruesve ju ofron mundësinë të krijojnë, të shpërndajnë e të zbulojnë video klipe të shkurta, zakonisht deri në 15 sekonda, por me mundësi të bashkimit të videove deri në 60 sekonda". Kjo na tregon se njerëzit gjithnjë e më rrallë lexojnë tekste dhe gjithnjë e më shumë shikojnë video përmbajtje. S'ka dyshim se video klipet janë bërë përditshmëri joshëse. Kështu,  në vitin 2019 është shënuar rritje e kohëzgjatjes së klipeve deri në 30 sekonda. Sipas agjencisë së marketingut "Zenith" njerëzit aktualisht kalojnë rreth 84 minuta në ditë duke shikuar video klipe. Duke pasur parasysh trendet e reja, ju kemi përgatitur disa këshilla se cilat formate janë më të mira për ta publikuar storien tuaj.  

Përdorni fotografi

Fotografitë janë promocion i shkëlqyer i tekstit tuaj. Teksti duhet të ketë fotografinë cilësore e cila më së mirë e përshkruan përmbajtjen e asaj për të cilën shkruani. Rrjetet sociale janë kanal i shkëlqyer për të publikuar një varg fotografish të cilat pasqyrojnë përmbajtjen e tekstit tuaj. Për shembull, nëse bëhet fjalë për ndonjë aferë korruptive, provoni që me fotografi t'ia afroni publikut problematikën me të cilën merreni – akterët e aferës apo institucioni ku ka ndodhë afera. Thjesht, sado që provoni që me fjalë t'i transmetoni lajmet, njerëzve u pëlqen të shohin fotografi cilësore, andaj përpiquni që tekstin tuaj ta erëzoni me disa fotografi.  

Krijoni GIF

GIF (Graphics Interchange Format) është mënyrë e shkëlqyer për ta animuar tekstin tuaj. Duke u nisur nga mungesa e kohës, njerëzit më me qejf shikojnë video klipe nga të cilat do ta marrin vesh informacionin, sesa të lexojnë lajme.

Nëse nuk keni video përmbajtje apo nëse nuk dini si të bëni montazhë, përdorni GIF. Nëse kërkoni shprehjen "How to create GIF" do të gjeni shumë vegla për GIF të cilat me shumë cilësi dhe kreativitet mund ta përmbushin tekstin tuaj. Njërën prej këtyre veglave mund ta gjeni në këtë link.

Nëse dëshironi t'i vizualizoni të dhënat tuaja, më shumë për këtë temë mund të gjeni në tutorialin tonë: Vegla për vizualizimin e thjeshtë të të dhënave të thjeshta. Në Balkanmedia.org përdorim pikërisht këtë formë për t'ua afruar tekstet tona lexuesve dhe për t'i bërë interesante. Gjithashtu, përmes tyre ne shpalosim përmbajtjen më të rëndësishme nga artikujt, dhe deri më tani është vërtetuar se kjo është formulë e suksesshme. Shembujt tanë të GIF-ëve mund t'i gjeni në rrjetet sociale.  

Bëni video të shkurtë

Nëse dëshironi ta paralajmëroni storien tuaj, video përmbajtjet e shkurta janë mënyra më e mirë për ta shpalosur punën tuaj. Mjafton të xhironi disa kuadro  me telefonin tuaj celular, dhe përmes aplikacioneve falas thjesht dhe shpejt të prodhoni një intro video. Ne ju rekomandojmë të provoni aplikacionin Filmora Go i cili është i thjeshtë për  krijimin e video përmbajtjeve të shkurta.
Me paraqitjen e opsionit "stories" në Facebook dhe Instagram, kjo formë është shumë praktike. Video përmbajtjet e shkurta deri në 30 sekonda janë të shkëlqyera për promovimin e tekstit tuaj sepse gjasat janë më të mëdha që njerëzit ta kërkojnë storien tuaj nëse këto video xhirime u duken interesante. Video formatet tuaja mund t'ia përshtatni formës së tekstit tuaj përmes veglës Canva për të cilën tashmë kemi shkruar.  

Tregoni tërë storien përmes video formatit

Nëse keni ndonjë storie të gjatë hulumtuese, një video me 8 deri në 10 minuta, një "dokumentar i vogël" siç e quajnë ekspertët, mund t'ju kryejë punë.  Nëse bëni storie hulumtuese apo intervistë, e nuk keni mundësi për produksion profesional, provoni që me telefonin tuaj të prodhoni dokumentar të vogël i cili secilin do ta lë pa fjalë. Por, para se t'i futeni kësaj aventure, duhet të keni njohuri themelore për produksion të video përmbajteve. Shembull i praktikës së mirë bashkë me produksionin profesional nga Bosnja dhe Hercegovina është Qendra për Gazetarinë Hulumtuese (CIK) Shembujt e tyre mund t'i gjeni në këtë link.

Krijoni infografika interaktive

Nëse keni shumë të dhëna, apo vetëm tekst, artikullin tuaj mund ta shndërroni në infografikë e cila me simbole dhe pak tekst do të zbulojë të gjitha detajet e stories suaj. Infografikat janë shumë të dobishme kur   përmes tyre dëshironi të nxjerrni në pah informacionet nga teksti juaj. Infografikë shumë të mirë për tekstin tuaj mund të krijoni përmes veglës online Canva. Infografikat me sa më shumë numra e simbole, dhe së më pak tekst, janë formula e suksesit.

Jini në trend

Sot, një artikull cilësor përveç titullit të shkëlqyer, nëntitujve interesantë, për të ardhë deri te numri sa më i madh i lexuesve duhet të jetë i shpalosur në formë të fotografisë dhe video përmbajtjes. Nëse bëni ndonjë storie të madhe hulumtuese provoni të përdorni elemente të reja siç është fotografia, GIF, infografika, video e shkurtë apo mini dokumentar. Sigurisht se do t'i shihni rezultatet.

 

Ocijenite kvalitet članka