Videot e formateve më të gjata si rregull për shpalosjen e përmbajtjes në rrjetet sociale

22.12.2020. / 12:36

Ndërsa po i afrohemi fundit të këtij viti aq të paparashikuar shtrohet pyetja se ç'është ajo që mund të na presë në vitin 2021 kur bëhet fjalë për trendet në media. Edhe pse të gjitha parashikimet e vitit të shkuar për vitin 2020 ishin të aplikueshme për krejt vitin, siç është fakti se rrjetet sociale janë burimi kryesor i informatave, si dhe forma më e gjatë e videove dhe koha më e gjatë e shikimit të videove, as që kemi mundur të imagjinojmë se disa parashikime do të shënonin rritje kaq të madhe.
Akamai raporton se qarkullimi global në internet këtë vit u rrit për më se 30 për qind.

Rrjetet sociale si burimi parësor i informatave

Ajo që solli pandemia dhe mbyllja e përnjëhershme e shoqërisë nëpër shtëpitë e tyre është rritja e papritur e përdorimit të rrjeteve sociale, ngase përdoruesit u qaseshin atyre platformave për të qenë në kontakt me familjen dhe miqtë, dhe për të gjetur njëfarë strehe apo rrugëdalje nga shtëpia e tyre drejt socializimit, qoftë edhe virtualisht.
Në korrik të këtij viti numri i përdoruesve  të rrjeteve sociale arriti në 4.57 miliardë, që paraqet gjysmën e popullsisë së përgjithshme botërore – raportojnë Hootsuite We dhe We Are Social.
Sebastian Redenz, nga Havas Media Group, thotë se Facebooku është fitues në pandemi, dhe se dëshmi për këtë është fakti se shumë brende investuan në reklama pikërisht në Facebook.
"Facebooku është i mbrojtur mirë me modelin e vet themelor të licitimit, që do të thotë se në momentin kur një reklamues heq dorë, tjetri zë vendin e tij. Asnjë kompani nuk mund të përballojë që konkurrentët të zënë vendin e tyre, dhe për këtë arsye të gjithë klientët u kthyen shpejt dhe harxhuan para në Facebook".

Videot, më të rëndësishmet në rrjetet sociale

Cisco parashikon që deri nue vitin 2022 videot në internet të zënë mbi 82% të krejt qarkullimit në internet, që është 15 herë më shumë se në vitin 2017.
Videot gjatë pandemisë kanë marrë dimension të ri. Pandemia përshpejtoi nevojën për shpërndarjen e videove në kohë reale, e Facebooku që në fillet e pandemisë, në mars, shënoi 50% rritje të numrit të përdoruesve që shikonin video live në krahasim me muajin shkurt.  
Rrjeti TikTok siç edhe ishte parashikuar në fillim të vitit shënoi popullaritet të jashtëzakonshëm, pikërisht sepse në fokus të veprimtarisë së vet ka video përmbajtje.
Sarah Penny, udhëheqëse e përmbajtjes në Intelligence Influencer, duke komentuar rrjetin TikTok, thotë:
"Përdorimi i video përmbajtjeve vërtet u nxit nga popullariteti i madh i TikTokut dhe kjo vetëm sa do të rritet. Duke qenë se përdoruesve të përditshëm po i bëhet përditshmëri transmetimi i videove, kohëzgjatja e përmbajtjes do të jetë në rritje e sipër, siç edhe parashikon TikToku i cili tashmë teston video triminutëshe. Pashmangshmërisht, edhe platformat e tjera do të ndjekin shembullin e tij, ndërsa videot e formateve më të gjata do të bëhen rregull".
Sipas Video Marketing Landscape 2020, 70% të njerëzve besojnë se pikërisht videot ndikojnë që ndonjë informatë t'u mbetet më gjatë në kujtesë.

Video Conferencing Landscape graf


 

Duket se popullariteti i videove në rrjetet sociale nuk do të zbehet për një kohë të gjatë. Kompanitë dhe mediat që kanë shfrytëzuar fuqinë e videove sigurisht po shënojnë rritje të publikut të tyre.
Videot në rrjetet sociale definitivisht u ofrojnë mediave mundësi të shkëlqyer për t'u lidhur me publikun e tyre. Fakti se përdoruesit janë të gatshëm të shikojnë më gjatë, por megjithatë përmbajtje interesante, u jep mundësinë edhe atyre mediave të cilat nuk u janë përshtatur formateve më të shkurta të vazhdojnë të tregojnë storie të rëndësishme me gjuhë vizuale duke i kushtuar kujdes si trendeve ekzistuese ashtu edhe atyre të ardhshme.
Rrjetet sociale janë kanali më i popullarizuar i informimit për gjithçka që ndodh aktualisht, dhe sot mediat e kanë të pamundur të ekzistojnë jashtë rrjeteve sociale. Rrjetet sociale e kanë ndryshuar përgjithmonë fytyrën e gazetarisë dhe ky trend sigurisht do të vazhdojë në vitin 2021.

Ocijenite kvalitet članka