Kompania Meta në pronësi të së cilës është Instagrami, më 6 korrik krijoi dhe mundësoi përdorimin e një kanali të ri "të zgjeruar", gjegjësisht një aplikacioni të quajtur Threads. Ky konkurrent i Twitterit, sipas shumë njerëzve, shënoi 97 milionë përdorues të regjistruar në javën e parë, gjë që e bën atë interesante edhe për komunitetin e mediave.
Sipas drejtorit të Instagramit, Adam Mosseri, Threadsi është për biseda publike, dhe ai shpreson që ky aplikacion të përcjellë shumë foto dhe video, por me një shtim më të madh të tekstit. "Duam të krijojmë një hapësirë ku ata mund të angazhohen në biseda publike që janë miqësore dhe të hapura. Dhe kështu do të sjellim shumë vegla të mira nga Instagrami në Threads".
Platforma e re për rrjete sociale aktualisht është në dispozicion vetëm si aplikacion për smartphone. Mund ta gjeni në Google Play Store ose Apple App Store. Ky opsion nuk është aktualisht në dispozicion në Bashkimin Evropian, dhe nëse nuk jeni në gjendje ta përdorni atë, ekziston probabilitet i lartë që profili juaj të jetë i lidhur me një telefon të regjistruar në një vend të BE-së, prandaj provoni të ndryshoni dyqanin e aplikacioneve manualisht.
Si të krijoni llogari në aplikacionin Threads
Si te krijoni llogari ne aplikacionin Threads by Balkansmedia
Nëse keni profile të shumëfishta në Instagram, kushtojini vëmendje se nga cila dëshironi të regjistroheni:
1. Zgjidhni opsionin Switch Account nga faqja kryesore e aplikacionit. Pastaj klikoni në fund tek 'Identifikohu në llogari tjetër në Instagram'.
2. Tani mund të futni detajet e regjistrimit në një llogari tjetër në Instagram ose të krijoni një të re. Por jo Threads të ri, por profil të ri në Instagram që më pas do të shkrihet.
Pasi të jeni regjistruar, do t'ju paraqitet ekrani fillestar Threads. Këtu do të shihni se çka kanë publikuar të tjerët. Mund të komunikoni me njëri-tjetrin përmes postimeve ose pëlqimeve, duke komentuar në to, duke ripostuar atë ose duke ndarë postimet. Shiriti i navigimit në pjesën e poshtme mund të përdoret për të hyrë në panele të ndryshme. Mund të kërkoni përdorues, të kontrolloni njoftime ose të shikoni profilin tuaj.
Në mes të shiritit të poshtëm është butoni CREATE. Kur klikoni mbi të, mund të krijoni postim. Mund të shtoni fotografi ose video.
Pasi të keni shkruar thread, mund të zgjidhni se kush mund të ketë qasje në përgjigje duke zgjedhur 'Çdokush mund të përgjigjet' në këndin e poshtëm të majtë dhe duke e ndryshuar atë në opsionin e dëshiruar. Pasi të jeni gati, klikoni butonin Post në pjesën e poshtme të djathtë për të publikuar Threadin tuaj.
Pastaj, Threadët tuaj mund t'i publikoni në storie në Instagram apo feed. Threadin mund ta shpërndani drejtpërdrejt edhe në Twitter. Mund të kopjoni linkun dhe pastaj t'ia dërgoni dikujt privatisht.
Dallimet kryesore mes Instagramit dhe Threadsit
Publikimet mund të jenë deri në 500 karakterë dhe të përfshijnë linkë, fotografi e video deri në 5 minuta. Emri juaj i Instagramit është i lidhur me llogarinë në Threads, dhe nëse klikoni dhe shkarkoni aplikacionin Threads dhe në ndonjë moment dëshironi të fshiheni, kujdes sepse kështu do ta fshini edhe llogarinë tuaj në Instagram. Emri juaj i përdoruesit, përshkrimi dhe fotografia e profilit do të tërhiqen nga Instagrami, por pas hyrjes në Threads aty do të mund ta përshtatni përshkrimin dhe fotografinë.
Threads ofron hapësirë të re, të ndarë për përditësimin në kohë reale dhe biseda publike. Edhe pse për nga pamja duket sikur Twitteri, megjithatë dallon ngase Threadsin mund ta shpërndani tutje në feedin apo storien tuaj në Instagram, e këtë opsion nuk e ka Twitteri.
Kur flasim për dallimet kryesore mes Instagramit dhe Threadsin, ato janë:
- Fokusi i Instagramit është në publikimin e fotografive, videove, storieve dhe Reelsëve, derisa fokusi i Threadsit është në tekst (edhe pse keni mundësinë të shtoni edhe përmbajtje tjetër – foto, video).
- Instagrami nuk ju lejon të ripublikoni publikimin e tjetërkujt, derisa Threadsi e ka opsionin Repost që i ngjan opsionin Retweet në Twitter.
- Profili Threads i ngjan shumë profilit në Instagram, vetëm se në vend të fotografive në rrjet shfaqen postimet në format vertikal sikur tweete.
- Nuk ka panel poshtë profilit të Threadsit që shfaq postimet të cilat u pëlqejnë përdoruesve dhe publikimet ku janë të përfshira mediat.
- Përdoruesit gjithashtu mund të kalojnë lehtë në Instagram përmes profilit të tyre të Threadsit.
S'ka dyshim se edhe ky rrjet social shumë shpejt do të bëhet i popullarizuar dhe se dobia e tij në të gjitha sferat, përfshirë edhe gazetarinë, do të shihet në periudhën para nesh. Deri atëherë, provoni të eksperimentoni me të dhe të shihni se si mund t'i shërbejë mediumit tuaj për shpërndarjen e informatave dhe ardhjen deri te publiku i ri. Ajo që mbetet të shihet është nëse Threadsi do të përfshihet në Fediverse gjë që do t'u mundësojë përdoruesve të ri të komunkojnë jo vetëm me ato llogari që gjenden në Threads por edhe në rrjetet tjera siç është Mastodon.