Ç'është konvergjenca e mediave

24.05.2022. / 18:29

Termi "konvergjencë" përdoret shpesh për të përshkruar bashkëpunimin mes teknologjisë, mediave dhe informacionit që po i ndryshon shoqëritë në mbarë botën.

Konvergjenca përkufizohet si ndërlidhje e anasjelltë e informatikës dhe teknologjisë së informacionit dhe komunikimit, rrjeteve të komunikimit dhe përmbajtjeve mediale e cila ka ndodhur me zhvillimin dhe popullarizimin e internetit, dhe produkteve, shërbimeve dhe aktiviteteve konvergjente të cilat janë paraqitur në hapësirën digjitale mediale.

Konvergjenca e mediave përkufizohet si formë bashkëpunimi mes mediave, zakonisht duke përfshirë radiodifuzionin, shtypin, fotografinë dhe faqet e internetit.

ACMA e përkufizon konvergjencën e mediave si "një dukuri në të cilën digjitalizimi i përmbajtjes, si dhe standardet dhe teknologjitë për transmetimin dhe shfaqjen e përmbajtjes digjitale, mjegullojnë dallimet tradicionale mes transmetimit dhe mediave të tjera në të gjithë elementet e zinxhirit të furnizimit, krijimit të përmbajtjes, grumbullimit, shpërndarjes dhe audiencës".

Sipas Gragam Meikles dhe Sherman Youngut, konvergjenca mund të kuptohet përmes katër dimensioneve:

  • Teknologjike - kombinim i informatikës, komunikimit dhe përmbajtjes rreth platformave të mediave të rrjetëzuara digjitale;

  • Industriale - përfshirja e institucioneve të etabluara mediale në hapësirën e mediave digjitale dhe ngritja e kompanive me bazë digjitale si Google, Apple, Microsoft dhe të tjera si ofrues të rëndësishëm të përmbajtjeve mediale;

  • Sociale - rritja e mediave sociale si Facebook, Twitter dhe YouTube, dhe rritja e përmbajtjes së krijuar nga përdoruesit;

  • Tekstuale - ripërdorimi dhe ripërzierja e mediave në atë që quhet modeli "transmedial", ku storiet dhe përmbajtja mediale (si tingujt, imazhet, teksti i shkruar) shpërndahen nëpër platforma të shumta mediale.

Kjo formë e gazetarisë kërkon që gazetari/ja të jetë i/e aftë në më shumë se një disiplinë. Për shembull, gazetari/ja i/e konvergjencës mund të shkruajë një artikull gazete dhe të krijojë një paketë multimediale për të njëjtën storie, të gjitha brenda një dite. Gazetaria konvergjente gjithashtu shton më shumë elemente dhe detaje në një storie duke përdorur më shumë se një format të stories.

Sot, kur shkoni në ndonjë portal të mediave për të lexuar një artikull, ka shumë mundësi që brenda artikullit të gjeni videoklip, foto dhe, në varësi të temës, një infografikë. Lexuesit i duket shumë më tërheqëse të shohë foto dhe video gjatë shikimit të artikullit.

Multimedia si parakusht për konvergjencë

Kolegia Irena Omazić ka shkruar më parë se çfarë do të thotë gazetaria multimediale për punën e një gazetari, duke thënë se sot mbi 50% e njerëzve në botë përdorin internetin, që është një tregues i qartë se mediat duhet të përshtaten me rrethanat. Këto ndryshime kanë ndikuar edhe në edukimin e gazetarëve.

Kjo lloj gazetarie i bën gazetarët më të shkathët dhe të aftë në lloje të ndryshme mediash. Prandaj sot gazetarët janë ekspertë në gazetarinë televizive, si dhe në shtypin apo median online. Nëse nuk janë, humbasin mundësitë dhe gjasat për të gjetur punë ose mbeten të kufizuar me shumë pak mundësi.

Në fakt, qasja konvergjente mediale bazohet në parimet e rrëfimit, jo vetëm në praktika teknike specifike, dhe kështu u siguron gazetarëve aftësitë përshtatëse të nevojshme si për të shkruar ashtu edhe për të raportuar nëpërmjet një sërë veglash në dispozicion.

Zhvillimi i teknologjisë dhe konvergjenca e mediave kanë ndryshuar mënyrën se si gjenerohet dhe shpërndahet përmbajtja. Sot, çdo shtëpi mediale i ka kanalet e veta shtesë të komunikimit dhe shpërndarjes së lajmeve përmes rrjeteve sociale. Rrjetet sociale kanë mundësuar realizimin e programeve live që i ofrojnë publikut qasje autentike dhe qasje në lajmet në kohë reale. Në këtë mënyrë, përdoruesit marrin lajmet aktuale përmes konvergjencës së teknologjisë së re.

Globalizimi i platformave, përmbajtjeve dhe shërbimeve mediale është gjithashtu tipar kritik i mjedisit medial konvergjent. Edhe pse dukuria nuk është e re, përmes internetit dhe zgjerimit të qasjes në internet me futjen e rrjetit 5G në mbarë botën, shtrirja dhe qasja në informata është rritur.

Përdoruesi/ja i/e përmbajtjes = krijuesi/ja i/e përmbajtjes

Një ndryshim i rëndësishëm në media që lidhet me konvergjencën është rritja e përmbajtjes së krijuar nga përdoruesit dhe ndryshimet në natyrën e përdoruesve të mediave – nga publiku te pjesëmarrësit dhe prodhuesit e lajmeve.

Charles Leadbeater dhe Paul Miller i quajtën trendet e tilla "revolucion pro-am" në të cilin veglat e të kuptuarit të përmbajtjes bëhen më të lira dhe më të lehta për t'u përdorur, duke mjegulluar dallimin mes "amatorëve" dhe "ekspertëve".

Profesori Henry Jenkins i Universitetit të Kalifornisë Jugore përshkroi marrëdhënien mes konvergjencës së mediave dhe fuqizimit të përdoruesve, dhe implikimet e saj për organizatat tradicionale të mediave: “Konvergjenca kërkon që mediat t'i rimendojnë supozimet e vjetra rreth asaj se çfarë do të thotë të konsumosh media – supozime këto që formësojnë edhe vendimet programore dhe reklamuese". Nëse supozohet se konsumatorët e vjetër janë pasivë, konsumatorët e rinj janë aktivë. Nëse konsumatorët e vjetër ishin të parashikueshëm dhe qëndronin aty ku u thoshit të qëndrojnë, konsumatorët e ri po migrojnë, duke treguar gjithnjë e më pak besnikëri ndaj rrjeteve apo mediave. Nëse konsumatorët e vjetër ishin individë të izoluar, konsumatorët e ri janë më të lidhur shoqërisht. Nëse puna e konsumatorëve të mediave dikur ishte e qetë dhe e padukshme, tani konsumatorët e ri janë të zhurmshëm dhe publikë”.

Krejt kjo do të thotë se mediat duhet të përdorin parimet e rrëfimit për të gjetur mënyra të reja për të krijuar komunitetin e tyre me të cilin do të punojnë së bashku për të krijuar përmbajtje dhe për të krijuar mjedis medial që duan të përdorin dhe në të cilin duan të kontribojnë vazhdimisht.

Ocijenite kvalitet članka