Colossyan: Vegla AI që ju ndihmon të krijoni video përmbajtje sintetike nga teksti

11.08.2022. / 08:00
Share
Text to video
Text to video mashup
Text to video

Inteligjenca artificiale (AI), siç e kemi diskutuar tashmë në disa artikuj të mëparshëm, paraqet mundësi të madhe për prodhim më të shpejtë të lajmeve, përfaqësim më të barabartë, por si medium sintetik paraqet edhe shumë sfida dhe mund të bëhet edhe problem. Por, përveç rrezikut, për mediat inteligjenca artificiale paraqet mundësi për prezentime të shumta të përmbajtjes duke ulur kostot. Meqë videoja tërheq gjithnjë e më shumë vëmendjen e publikut, e ajo bart kosto që nuk mund t'i përballojnë të gjitha mediat, një nga teknologjitë që fiton peshë në këtë rast është ajo e cila na mundëson që me teknologjinë e konvertimit të tekstit në video të gjitha mediat të shfrytëzojnë dhe të shpërndajnë sa më mirë përmbajtjen e tyre. 

Sot po ju prezentojmë veglën Colossyan, vegël që ju mundëson të krijoni me shpejtësi video narrative duke përdorur inteligjencën artificiale pa pasur nevojë të punësoni aktorë, studio dhe montazh. Këtë vegël e zhvilloi një grup njerëzish të cilët, sipas CPO-së së tyre Dominik Mate Kovacs, u mblodhën rreth idesë për të krijuar një vegël për zbulimin e videove deepfake, por duke qenë se nuk kishte treg për të, ata vendosën të zhvendosnin fokusin e tyre në një vegël që krijon video sintetike nga teksti. Duke studiuar në Danimarkë dhe Hong Kong, ai dhe kolegët e tij fituan ekspertizë rreth "krijimit të përmbajtjes me ndihmën e inteligjencës artificiale". Fillimisht provuan të krijonin veglën Defudger që do të konfirmonte nëse videoja është e vërtetë apo jo. Por, duke pasur parasysh se askush nuk ishte gati të paguante për një vegël të tillë, dhe pas bashkëpunimit me disa publikues të mediave, përmes të cilëve kuptuan telashet e krijimit të shpejtë dhe efikas të video përmbajtjes, ata vendosën të ridrejtojnë teknologjinë që krijuan për verifikim në krijimin e një vegle që do të mundësojë krijimin e video përmbajtjes pa telashe. 

Karakteristikat kryesore

Ky web aplikacion funksionon duke kombinuar AI dhe aktorë realë. Pasi të shkoni në faqen e tyre dhe të regjistroheni për llogari provuese që ju ofron mundësinë për të krijuar 3 video në muaj, procesi i krijimit të videos është i thjeshtë. Pas zgjedhjes për të krijuar draft të ri (new draft), ju hapet një hapësirë pune me disa elemente. Gjëja e parë që duhet të bëni është të ngjitni tekstin në dritare në një nga 60 gjuhët e mbështetura. Tre nga ato 60 gjuhë të mbështetura janë kroatishtja, shqipja dhe maqedonishtja. Pas ngjitjes së tekstit në këtë dritare, mund të dëgjoni menjëherë se si tingëllon ky tekst duke klikuar butonin Listen to script. Kini parasysh se në llogarinë falas në një faqe mund të shtoni më së shumti 3,000 karakterë. Ky nuk është problem i madh, sepse ju megjithatë dëshironi të diversifikoni skenat e narracionit të prezentuesit AI. 

Pas kësaj, mund të zgjidhni nëse ai tekst do të ndahet tutje si nëntitull, të përcaktoni sfondin dhe pozicionin e prezentuesit dhe në përgjithësi të modifikoni vizualisht vetë videon. 

Shikoni një shembull të shkurtër të një videoje që arritëm ta realizojmë në më pak se 10 minuta, falë përkthyesve tanë, ku prezantuesja flet në shqip, maqedonisht dhe kroatisht. 

Çmimi

Duke pasur parasysh faktin se prodhimi i videos është i shtrenjtë dhe kërkon shumë mbështetje logjistike, një vegël si kjo, e cila ju mundëson të krijoni video sintetike të gatshme për t'u postuar në çdo rrjet social apo faqe interneti, është e dëshirueshme dhe relativisht e përballueshme, sepse sigurisht që do të ju kushtojë dhjetë herë më pak se angazhimi i përhershëm i ekipit për realizimin e videove të tilla. Colossyan ofron tri plane: falas, basik dhe pro. 

planin falas mund të krijoni një ose më shumë video 5-minutëshe me 2 aktorë premium dhe, sipas fjalëve të tyre, vetëm në anglisht dhe vetëm në raportin 16:9 me vulë të detyrueshme. Gjithashtu keni të drejtë të bëni videon me vetëm 3 skena. Megjithatë, në këtë plan arritëm të krijojmë një video në të tri gjuhët në të cilat Balkansmedia publikon përmbajtjen e vet. Kjo do të thotë se në momentin që regjistroheni, keni 7 ditë për të provuar të gjitha veçoritë e këtij softueri falas. 

Plani bazik ofron shumë më tepër për një çmim që sillet nga 21 dollarë amerikanë për të krijuar një video 10-minutëshe deri në 210 dollarë amerikanë për 100 minuta. Si në çdo rast të ngjashëm, ju paguani menjëherë çmimin total për nivel vjetor që sillet nga 252 deri në 2,520 dollarë amerikanë. Ndër të tjera, plani përfshin qasjen në 12 aktorë premium, 6 skena për video, ngarkimin e imazheve dhe videove tuaja, konvertimin e fajlëve PDF dhe PowerPoint, etj. 

Plani pro përfshin gjithçka që ofron aktualisht ky aplikacion në internet dhe çmimi minimal është 70 dollarë amerikanë për 40 minuta video në muaj për maksimum 25 skena për video, që është më se e mjaftueshme për çdo format që do t'i duhej një mediumi. Çmimi maksimal është 560 dollarë amerikanë për 320 minuta në muaj për video përmbajtje sintetike. 

Është e rëndësishme të theksohet se të dyja planet ju japin licencë të plotë komerciale që do të thotë se mund ta transmetoni me lehtësi këtë përmbajtje publikisht, pavarësisht se a jeni media, organizatë që kërkon të krijojë video trajnimi me çmim të lirë ose organizatë tjetër që gjen përdorim të këtij aplikacioni në internet. 

"E ardhmja e krijimit të videove të mbështetura nga inteligjenca artificiale u jep mbështetje atyre që duan të krijojnë këtë lloj përmbajtjeje" -- Dominik Mate Kovacs

Siç shprehet Dominik Mate Kovacs në artikullin e tij autorial, "e ardhmja e krijimit të videove të mbështetura nga inteligjenca artificiale u jep mbështetje atyre që duan të krijojnë këtë lloj përmbajtjeje". Përveç kësaj, kjo qasje, sipas tij, mundëson personalizimin e përmbajtjes për çdo përdorues individual në gjuhën e tij amtare. Kovacs përfundon me fjalët se "nëse kompanitë mediale nuk përshtaten (për këto ndryshime, shën. përk.) gjasat janë të mëdha që publiku të shkojë diku tjetër ku konsiderojnë se mund të shihen". Kovacs tutje thotë se disa media në Indi, shtet shumëgjuhësh, tashmë kanë filluar të përdorin me sukses veglën e tyre dhe të arrijnë më lehtë te publiku në një vend me mbi 20 gjuhë zyrtare. 

Vegla si Colassyan u ofron gazetarëve dhe redaksive të tyre mundësi me kosto të ulët për të eksperimentuar me teknologjitë e mbështetura nga AI për të mbuluan publikun e tyre sa më shpejt që është e mundur në një format që atyre u përshtatet dhe në vendin ku ata janë. 
 

Ocijenite kvalitet članka