Etika e memeve që publikohen në media

13.01.2023. / 08:42

Pasi që BuzzFeed dhe Verizon Media në vitin 2019 bënë së bashku 1000 shkarkime në të njëjtën ditë, shumë gazetarë që ndanë informata për shkarkimet e tyre në Twitter u vërshuan me përgjigjet "mësoni të kodoni".

Nuk ishte kjo këshillë për zhvillim të karrierës. Përkundrazi, kjo ishte fushatë e synuar ngacmimi ndaj punëtorëve të mediave, e organizuar në 4chan nga njerëz që i urrejnë mediat mainstream.

Memet janë përdorur për të synuar grupet e margjinalizuara për së paku një dekadë. Dihet gjithashtu se komunitetet e internetit që i prodhojnë ato përhapin dezinformata dhe cënojnë besimin te qeveritë dhe mediat.

Përdorimi i memeve ka anët e veta pozitive. Por, përpara se t'i përdorim memet si përmbajtje mediale, duhet të dimë se cilat anë mund të jenë negative dhe joetike.

Nëse nuk ka etikë, memeja shumë lehtë bëhet nënçmim, etiketim, mikroagresion

Nga ana pozitive, memet kanë funksion të rëndësishëm – duke i shpërndarë, ato ndihmojnë për të kuptuar situatat dhe ngjarjet. Memeja mund të jetë përgjigjjz ndaj ngjarjeve të frikshme.

Një shembull i përdorimit pozitiv të memes u dha nga Pamela Rutledge, eksperte e psikologjisë së mediave.“Një TikTokere ukrainase e njohur për glamurozitetin dhe modën e saj postoi për 500.000 ndjekësit e saj ndikimin e pushtimit, duke përfshirë mungesën e ushqimit dhe sulmet ajrore.

Memet janë përgjigje relevante ndaj ngjarjeve të frikshme jashtë kontrollit tonë. Pra, edhe pse me humor, ato mund të pasqyrojnë edhe disponimin e publikut".

Shembulli është pozitiv sepse ky format është përdorur si informatë e papërpunuar relevante për ngjarjet e përjetuara nga njerëzit e prekur nga lufta, pa i zvogëluar pasojat dhe raportimin sensacional.

Ana negative e përmbajtjes emocionale që përmban memeja mund t'i pengojë njerëzve duke vënë në dyshim saktësinë e informatës vizuale. Pikërisht për shkak të anës negative, kemi nevojë për etikën e memeve në gazetari.

Memeja është përgjigje e zgjuar ndaj ngjarjeve dhe situatave të rëndësishme. E ky humor shpesh fokusohet në shaka seksiste, raciste, shoviniste e mizogjene. Sipas analizës së 20 artikujve nga media të ndryshme, autori i analizës, Nathan Miczo, beson se kemi edhe "humor pandemik" që është në kufijtë e gazetarisë etike.

Ronald De Sousa, autor i tekstit "Kur është gabim të qeshësh?" argumentoi se çdo shaka bazohet në disa premisa dhe premisat përfshijnë besime dhe qëndrime. “Të kuptosh shakanë do të thotë t'i kuptosh ato qëndrime. Ta konsiderosh shakanë qesharake, të qeshësh me të, do të thotë t'i mbështetësh qëndrimet e shprehura në shaka. Nëse shakaja është raciste, të qeshësh me shakanë nënkupton pranimin e premisave të saj raciste dhe të mbështesësh ato premisa do të thotë se ti je racist".

Nëse në krijimin dhe shpërndarjen e informatave përdorim gjuhë që spikat gjininë mashkullore, dhe të gjitha të tjerat nënkuptohen, nëse e lidhim gjininë femërore me disa punë apo dobësi, dhe përmbajtja në portal gjithmonë i jep përparësi gjinisë mashkullore, aty nuk ka vend për humor apo kulturë pop në internet. Aty kemi të bëjmë me mikroagresion dhe përdorim të ndërgjegjshëm të gjuhës joinkluzive.

Humori mund të jetë i gabuar etikisht sepse dëmton personin që e ka postuar shakanë

De Sousa argumentonte gjithashtu se disa forma të humorit janë të gabuara etikisht, sepse ato e dëmtojnë rrëfyesin e shakasë, në këtë rast mediumin.

Të marrësh pjesë në shaka do të thotë të përfshihesh në elemente që janë pjesë e shakasë. Kur qeshim së bashku, i sinjalizojmë vetes dhe të tjerëve ngjashmërinë e cila është bazë e identifikimit. Shakaja raciste e drejtuar ndaj dikujt tjetër shpreh tjetërsimin, e tjetërsimi bazohet në një pikëpamje tepër të thjeshtuar që mohon ose shpërfill realitetin kompleks të personave të gjallë.

Duke tejtheksuar apo mohuar situatën me fotografi apo fjalë me të cilat e përshkruajnë situatën, ne e dëmtojmë brendin e mediumit i cili është autor i asaj memeje.

Si t'i përdorni memet në mënyrë etike dhe të jeni prapë të zgjuar dhe relevantë

T'i bësh njerëzit të qeshin, t'i bësh të shpërndajnë përmbajtje dhe të jesh prapë korrekt me të gjithë? A është e mundur?

Nathan Miczo thotë se me ndihmën e teorisë së përgjegjësisë sociale kjo është e mundur, duke respektuar disa standarde.

Dinjiteti

Dinjiteti lidhet me respektimin e individëve dhe përvojave të tyre unike.

Nëse do ta përkthenim këtë me humor, kjo është si rekomandim se po krijoni humor nga këndvështrimi personal.

Edhe pse ekziston rekomandimi se humori duhet të krijohet nga përvojat personale. Redaksitë që respektojnë praktikën e gazetarisë solidare dhe përpiqen të krijojnë përmbajtje me gjuhë gjithëpërfshirëse, zvogëlojnë shanset për të përbuzur publikisht dikë.

Përjashtimi i dashakeqësisë

Humori nuk duhet të synojë të dobëtit, të sëmurët dhe të padrejtët. Linja që ndan përmbajtjen e mirë dhe të zgjuar nga përdorimi joetik i problemit, vështirësisë ose gjinisë së tjetrit për qëllime të talljes është dashakeqësi. Nëse në përmbajtje mund të gjejmë dashakeqësi, duhet t'u kthehemi mësimeve fillestare për profesionalizmin dhe etikën në gazetari.

Gil Greengross në tekstin e vet thotë: "Është e qartë se ne nuk po qeshim me vetë tragjedinë, me viktimat e virusit apo me njerëzit që vuajnë prej tij. Por ne mund të synojmë situatën në dukje absurde në të cilën ndodhemi të gjithë". Një nga shakatë e pandemisë (tani shaka antologjike) është veshja "shtëpiake-biznesore" për takimet online, ku pjesa e sipërme e trupit duket vërtet e shkëlqyeshme, dhe pjesa e poshtme që nuk e shfaq kamera është zakonisht me pizhame. Ky lloj humori pandemik meriton një meme cilësore.

Vërtetësia

Parimi etik i vërtetësisë i referohet vërtetësisë me të cilën humori aludon ose kap thelbin e një situate. Pse njerëzit kanë postuar dhe kanë shpërndarë barcoleta dhe meme gjatë pandemisë? Janë identifikuar tri nënkategori në lidhje me funksionet e humorit gjatë fazave të hershme të mbulimit medial dhe urdhrave për mbyllje. Ato janë:

  1. Humori i lidh njerëzit, krijon ndjesi të bashkësisë

  2. Qeshja është e mirë për shëndetin

  3. Humori është mekanizëm i mirë për ballafaqim

Nëse i shikojmë elementet që përbëjnë rekomandimet etike në përdorimin e memeve në gazetari, do të thoshim se rregullat janë të njëjta me ato të shkrimit për gazeta 40 vjet më parë. Ajo që e bën dallimin është diskriminimi i mbështjellë me humor, të cilin ne e perceptojmë ndryshe në imazhet qesharake virale, dhe kështu edhe etika na rrëshqet nëpër duar si rërë.

Ocijenite kvalitet članka