Kur shkruani fjalën feminizëm në gazetari në Google, në rezultate ju shfaqen tekste që flasin për gjendjen e profesionit, nënpagesën e grave, të drejtat dhe barazinë gjinore. Atë që mua më interesonte, nuk e gjeta.
Feminizmi si themeli i modelit të biznesit medial është ajo për të cilën dua të nis diskutimin.
Diskutim për ATË gjë që krijon mediumi – politikën redaktoriale, që përzgjedh gazetare (ndonjëherë edhe gazetarë) për një qëllim dhe krijon redaksi që do të arrijë qëllimin e vet. Atë feminist.
Pse të theksohet feminizmi si themeli i modelit të biznesit? A nuk është tregu i njëjtë për të gjithë?
Tregu dikur ishte i njëjtë për të gjithë. Sot, ka dallime përpara të cilëve shumë njerëz ende i mbyllin sytë, por jo ata që e bëjnë tregun.
Pse feminizmi ndikon në themelimin e mediumit?
Gratë në gazetari dhe media janë më të shumta se burrat. Pavarësisht kësaj, të gjitha hulumtimet, madje edhe ato më të fundit, tregojnë se gratë janë të nënpërfaqësuara në pozita udhëheqëse dhe redaktuese. Kjo nuk është paraqitja e gjendjes në vendet më pak të zhvilluara.
Studimi i Reutersit Women and leadership news media 2022 tregon se shifrat janë po aq të pafavorshme në mbarë botën. Mediat në Ballkan i ndjekin trendet botërore. "Ka më shumë gazetare sesa kolegët e tyre meshkuj", thuhet në një hulumtim të Fakultetit të Shkencave Politike në Beograd. “Ato përbëjnë 63 për qind ndërsa gazetarët përbëjnë 37 për qind të të punësuarve. Si redaktore rubrikash gjithashtu përbëjnë shumicën (58%) dhe ky raport qëndron edhe kur bëhet fjalë për pozitën e ndihmës dhe zëvendëskryeredaktorit/es. Por, këtu kemi një ndryshim rrënjësor, në pozitën më prestigjioze dhe më të spikatur për profesionin e gazetarit – pozitën e kryeredaktorit – vetëm 18 për qind janë femra (6 nga 34)".
Problemi nuk është vetëm te përfaqësimi në pozita drejtuese, por edhe në përzgjedhjen dhe këndvështrimin e storieve që publikojnë mediat. Edhe kur ekzistonte iniciativa për të shkruar për gratë, të drejtat e grave nga këndvështrimi feminist, nuk kishte asnjë interes. Nuk po flasim për interesin e publikut, por për interesin e redaksive.
Për një përvojë të këtillë për portalin Kosovo 2.0 ka folur Lara Whyte, gazetare e pavarur hulumtuese dhe producente e filmave dokumentarë e lindur në Irlandën e Veriut, e cila kryesisht merret me tema që mediat i kanë neglizhuar dhe shmangur në të kaluarën, duke përfshirë: rëndësinë e dinamikës gjinore në aktivizëm, lëvizjet politike (majtiste dhe djathtiste) fushëbeteja, konflikte dhe epidemi.
“Në televizione propozoja shumë storie për të drejtat e grave, ose doja të punoja vetë në raporte për të drejtat e grave, por redaktorët/et më thoshin: “Kjo nuk është storie”. Personazhet [në storie] ishin zakonisht viktima, dhe rrëfimi ishte diçka që doja shumë ta zbërtheja në punën time dhe në internet. Në fund gjeta publikun".
Edhe sot në media kemi storie se si diçka është "femërore". Nëse e kanë bërë burrat – ashtu është, e nëse aty kanë kanë marrë pjesë gratë, atëherë prezenca femërore vihet në pah, shpesh me një narrativë degraduese.
"Storiet që unë përpiqem të gjej dhe redaktorët e storieve kanë të bëjnë me kundërshtimin. Konsideroj se narrativa e cila lidhet me gratë dhe e cila vazhdon të jetë e përfaqësuar në mainstream është shumë e mërzitshme, por edhe e pavërtetë. Nuk është e drejtë të shohësh vetëm burra që marrin pjesë në disa gjëra, sepse gratë gjithmonë kanë marrë pjesë në lëvizje të ndryshme. Ata gjithmonë kanë marrë pjesë edhe në luftëra", konsideron Whyte.
Mjaft me keqardhje për veten dhe me fjalët se kjo apo ajo po bëhet në emër të barazisë gjinore
Ekziston një hendek mes "mënyrës së jetesës" tradicionale në mediat tradicionale nga njëra anë dhe feminizmit akademik nga ana tjetër. Përgjatë rajonit aziatiko-paqësor, gazetarët po përpiqen të kapërcejnë këtë hendek, duke krijuar faqe të popullarizuara lajmesh feministe që fokusohen te gratë, duke treguar storie nga dhe për gratë, duke vënë në qendër lidhjen, qasjen dhe rrjetëzimin.
Pronarja e një mediumi të tillë është gazetarja Shaili Chopra. Si gazetare e biznesit ajo ka parë nevojën për këtë lloj mediumi në treg, duke qenë e hidhëruar që gratë po trajtohen si një kategori në portale. Pra, kemi politika, biznesi, sporti dhe GRATË.
Ajo ka vendosur të tregojë se gratë në Indi janë gjithësi, me shumë interesa dhe bëjnë gjëra të ndryshme. Kanali femëror ka për qëllim të krijojë hapësirë për gratë që ato t'u japin zë përvojave të tyre në jetën e përditshme, për të gjitha fushat nga të përmuajshmet e deri te politika – me një këndvështrim feminist.
"Kam dashur që reklamuesit dhe drejtorët t'i shohin gratë si treg. Të reklamojnë për gratë sepse kjo kishte avantazh financiar", thotë ajo. "Mjaft me keqardhje për veten dhe me fjalët se kjo apo ajo po bëhet në emër të barazisë gjinore".
Edhe pse SheThePeople.TV është pozicionuar qëllimisht si "fitimprurës", nuk bëhet fjalë vetëm për paratë.
Në kompaninë e tyre, edhe reklamuesit janë nën llupë. Kur marka popullore e kremrave zbardhues Fair and Lovely ndryshoi emrin e vet në Glow and Lovely, Shaili përsëri refuzoi të pranonte reklamën e tyre. “Në fund të fundit, çka do të bëjë kompania për gratë? A do të bëhen gratë financiarisht të pavarura? Ne do të bashkëpunojmë me banka apo fonde investimi”, thotë ajo. Për të plotësuar reklamat, ata gjenerojnë të ardhura programore, ngjarje me bileta dhe shitje mallrash, dhe po punojnë gjithashtu në krijimin e një paywalli për disa nga përmbajtjet e tyre.
Detyra e feminizmit është të krijojë liderë të epokës së re, jo paga të barabarta
Një nga pionierët është RTV21, servisi i spikatur televiziv i pavarur në Kosovë, me kanale radio dhe televizive 24-orëshe. Me bashkëthemelueset ku hyn edhe Afërdita Kelmendi dhe Xheraldina Vula, kjo kompani fitoi reputacion gjatë konfliktit të armatosur mes Kosovës dhe Serbisë, kur njësitë paraushtarake i dëbuan me forcë themelueset.
Lael Stegall, drejtoreshë e STAR-it, ishte në Kolorado kur e telefonoi Afërdita Kelmendin, gazetaren kosovare të dëbuar në Maqedoni. Gjatë verës Kelmendi e mbajti celularin dhe me të e telefonoi shoqen dhe kolegen e saj amerikane dhe i tha: "Lael, sigurtë jam, mirë jam".
Kelmendi dhe Stegall janë pjesë e asaj që Stegall e quan "rrjet madhështor" me mbi 150 OJQ të grave që trajnojnë gratë dhe i promovojnë ato në pozita udhëheqëse në Ballkan. Rezultati i atij pozicioni është edhe liderja e cila më vonë u shpërblye për guximin në gazetari.
STAR është shkurtesë për Strategë, Trajnerë, Avokues dhe Resurse për Ndryshimin Social të Grave dhe selia e organizatës ishte në Uashington. STAR punoi me organizata në Kroaci, Bosnjë dhe Hercegovinë dhe Maqedoni. Ai u financua nga Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), Komisioneri i Lartë i Kombeve të Bashkuara për Refugjatët (UNHCR), Banka Botërore dhe donatorë privatë.
Kelmendi është fituese e çmimit Guximi në gazetari të Fondacionit Ndërkombëtar Medial të Grave (IWMF), por shembulli i saj dhe i Vulës si udhëheqëse mediale shkon përtej guximit. Si drejtoreshë e përgjithshme dhe zëvendësdrejtoreshë e përgjithshme, Kelmendi dhe Vula mbikëqyrën zgjerimin e kompanisë drejt Maqedonisë së Veriut.
Puna e tyre e deritanishme në mbështetjen e çështjeve gjinore përfshin redaktimin e revistës së parë kushtuar çështjeve të grave në Kosovë dhe themelimin e një qendre për trajnimin e grave të reja në gazetari dhe zgjidhjen e konflikteve.
Ndërmarrësia e grave konsiderohet si mundësia më e madhe për rritjen dhe zhvillimin potencial të shoqërisë, sepse çdo femër ndërmarrëse riinveston 90% të fitimit të saj në familje dhe në komunitet. Biznesi medial i nxitur nga feminizmi nuk bën përjashtim.