Instagrami dhe të gjitha ndryshimet e reja

04.04.2022. / 10:12

Instagrami është padyshim një nga ato aplikacionet që po zhvillohet me shpejtësi të madhe, dhe as që arrini të mësoheni të përdorni ndonjë opsion e të tjerat tashmë kanë ardhur. Inovacionet, përditësimet e rregullta dhe veçoritë e reja të Instagramit sigurojnë që asnjë moment të mos mbetet i pakapur.

Nga storiet në kohën e duhur e deri te lajmet, fotot dhe videot, Instagrami është padyshim platformë ku mund të mësoni dhe të plasoni lloje të ndryshme të përmbajtjes. Me rritjen e formatit Reels, i gjithë aplikacioni Instagram ka fituar edhe më shumë peshë. Duke u mundësuar përdoruesve të Instagramit të paraqesin veten në mënyra unike dhe të ndryshme, kryesisht përmes videove, Instagrami ka bërë që sot këtë aplikacion ta shohim krejt ndryshe nga aplikacioni fillestar i shpërndarjes së fotografive.

Andaj, nuk është çudi që me të gjitha risitë, kompanitë, shtëpitë mediale dhe figurat publike të “vrapojnë” në Instagram për të arritur drejtpërdrejt te publiku. Instagrami vërtet është platformë e madhe që për media mund të jetë e dobishme në shumë mënyra.

Në vazhdim po i paraqesim disa nga përditësimet më të fundit, disa prej të cilave mbase tashmë i keni hasur.

Moderimi i paraqitjeve live

Që përvoja të jetë sa më profesionale dhe e organizuar, karakteristika e re e Instagramit i mundëson përdoruesit të emërojë moderatorin për Livein e tij. Moderatori do të mund të raportojë komente, t'i largojë shikuesit nga streami, si dhe t'i pamundësojë komente ndonjë shikuesi. Kjo karakteristikë e re do t'i ndihmojë Instagramit të jetë në hap me YouTubein ku moderimi i drejtpërdrejtë është diçka krejt e zakonshme. Kjo karakteristikë është gjithashtu tejet e nevojshme meqë trollët dhe gjuha e urrejtjes në komente priren të rriten gjatë sesioneve live.

Caktimi i moderatorit është shumë i lehtë. Thjesht shtypni tri pikat në shiritin e komenteve gjatë transmetimit live dhe prej aty mund të zgjedhni moderatorin nga lista e llogarive të propozuara. Po ashtu mund të përdorni shiritin e kërkimit për të kërkuar një llogari specifike.

Tagët e përmirësuar për kreatorët

Instagrami në mart ka lansuar tagë të përmirësuar për t'u lehtësuar kreatorëve marrjen e meritave për punën e tyre. Karakteristikat e këtilla u mundësojnë kreatorëve të ri që komuniteti gjithnjë e më i madh t'i dallojë e t'i zbulojë ata. "Tagët e përmirësuar mundësojnë që kategoria e profilit të autorit që e ka specifikuar vetë në llogaritë profesionale të shfaqet në tagun e personave, që personat të mund të shpërndajnë dhe të shohin kontributin specifik të kreatorit në një foto ose video" – kanë deklaruar nga Instagrami.

Edhe kjo karakteristikë mund të shtohet me lehtësi. Thjesht hapni aplikacionin Instagram dhe shtypni (+) në këndin e sipërm djathtas për të krijuar një postim. Pasi të shtoni foto ose video, përfundoni të gjitha ndryshimet kreative dhe shtypni Next. Mund të shkruani ndonjë titull dhe të shtypni një herë "Tag people". Zgjidhni "Add tag" dhe zgjidhni bashkëpunëtorët. Shtypni "Show profile categories", për paraqitjen e kategorisë së kreatorit. Shtypni Done për të përfunduar, dhe pastaj shpërndani.

Titrimi

Për rëndësinë e inkluzivitetit të videove tashmë kemi shkruar disa herë. E meqenëse një numër i madh videosh gjenden dhe krijohen në rrjetet sociale, kompanitë duhet të kenë më shumë ndjeshmëri dhe të gjejnë zgjidhje të reja dhe kreative për t'i bërë videot (dhe përmbajtje të tjera) të qasshme për njerëzit që nuk mund të shikojnë ose dëgjojnë materiale në ato rrjete sociale.

Andaj është për çdo lavdatë që Instagrami ka vendosur një karakteristikë që do t'u mundësojë njerëzve me dëgjim të dëmtuar të aktivizojnë titra në video.

Me këtë karakteristikë të Instagramit, të gjitha videot e feedit do të kenë mundësinë e shtimit të titrave automatike në 17 gjuhë. Ekziston edhe opsioni i fikjes së titrave. Kjo karakteristikë i ndihmon Instagramit të jetë në hap me TikTokun, i cili e shpalosi këtë karakteristikë në pranverën e vitit 2001.

Për fat të keq, asnjë nga këto 17 gjuhë nuk është nga Ballkani Perëndimor, por sipas njoftimit të tyre, plani është shtimi i më shumë gjuhëve.

Storiet në Reelsin tuaj

Nuk do ta teprojmë nëse themi se Reelsët po dominojnë në feedin e Instagramit sot. Reelsët me fotografi, video apo me kombinim të të dyjave me audio të sinkronizuar në sfond, vërtet po e vendosin trendin dhe po ju shtyjnë që menjëherë të dëshironi t'i provoni.

A e keni ditur se mund të bëni Reels nga storiet tuaja në Instagram dhe këtë mund ta bëni shumë lehtë. Kiikoni në storien e caktuar dhe klikoni "Create" në këndin e poshtëm të majtë. Pastaj thjesht mund të shtoni audio dhe në përputhje me rrethanat të sinkronizoni fotografitë tuaja për të krijuar Reels fantastikë të storieve tuaja.

Kjo nuk kufizohet vetëm në fotografi të paraqitura në pjesën highlight. Përdoruesit mund të heqin dhe të shtojnë fotografi të tjera për t'i bërë ato edhe më kreative.

Planifikoni aktivitetin tuaj

Qëllimi i kësaj karakteristike është që përdoruesit e Instagramit të shohin dhe t'i menaxhojnë aktivitetet e tyre në një vend.

"Njerëzit tani do të mund të menaxhojnë në mënyrë grupore (fshijnë, arkivojnë) përmbajtjen e tyre (postimet, storiet, IGTV dhe Reels) dhe interaksionet e tyre (komentet, pëlqimet, reagimet në tagun e stories, etj.)", thuhet në deklaratën zyrtare në Instagramit. Hapi tutje u mundëson përdoruesve të kërkojnë komentet e kaluara, pëlqimet dhe përgjigjet ndaj storieve nga periudhat e ndryshme kohore. Opsioni gjendet në këndin e sipërm të djathtë të profilit tuaj të quajtur "Your activity".

sa

Radhit xhirimin live

Për të maksimizuar angazhimin e publikut, në janar të vitit 2022 Instagrami paraqiti një karakteristikë të re jo vetëm për planifikimin e liveve, por edhe për krijimin e storieve dhe feedeve prej saj.

Live i planifikuar gjithashtu do të paraqitet si karakteristikë në profilet e kreatorëve, poshtë biografisë. Ndjekësit dhe vizitorët e interesuar thjesht mund të klikojnë mbi distinktivët për t'u abonuar në rikujtues live.

Instant abonimet

Krijimi i të ardhurave tani varet vetëm nga përmbajtja dhe jo nga mbulueshmëria apo numri i ndjekësve.

Funksioni sjell tri lloje të ndryshme të përmbajtjes. Live i parë është specifik për abonentët që autorëve u mundësojnë të transmetojnë drejtpërdrejt vetëm për abonentët e tyre. I mundëson publikut të gjerë të shohë përmbajtjen dhe i nxit ndjekësit të abonohen dhe t'i qasen përmbajtjes ekskluzive. I dyti, abonentët do të marrin storie të publikuara vetëm për ta. Unaza vjollce u tregon abonentëve se përmbajtja është për shikim ekskluziv. Dhe i treti, vetë abonentët marrin distinktivë vjollce që i veçojnë ata në DM dhe komentet e kreatorëve.

Drejtuesi i Instagramit, Adam Mosseri, njoftoi në janar se karakteristika synon kreatorë të zgjedhur në SHBA, por kompania po punon për ta bërë atë të qasshme globalisht.

Sikur kjo, edhe disa karakteristika të tjera mbase ende nuk kanë mbërritur te ne, por kjo nuk do të thotë se nuk do të vijnë së shpejti. Me ndryshime kaq të shpejta që po ndodhin, padyshim se janë një hap larg nesh. Duke i ditur paraprakisht këto ndryshime, mediat mund të përgatiten më mirë për momentin kur këto mundësi bëhen të qasshme edhe në hapësirën tonë gjeografike.

Ocijenite kvalitet članka