Inteligjenca artificiale është praktika e nxitjes së makinave të imitojnë inteligjencën njerëzore për të kryer detyrat. Me siguri tashmë e keni hasur inteligjencën artificiale në jetën tuaj të përditshme në disa raste, siç janë asistentët zanorë celularë Siri ose Alexa.
Një nga degët e inteligjencës artificiale është edhe mësimi makinerik. Ajo që faktikisht është specifika kryesore e mësimit makinerik është aftësia që një makinë të "mësojë" nga shabllonët e të dhënave pa ndërhyrjen njerëzore. Kjo fushë përfshin sasi të madhe të dhënash që përpunohen dhe shpërndahen nga veprime të caktuara.
Inteligjenca artificiale ka ndryshuar mënyrën se si ne u qasemi të dhënave dhe informatave dhe ka sjellë kaq shumë ndryshime në gjithçka që ne bëjmë, e me ardhjen e inteligjencës artificiale gjeneruese janë hapur edhe më shumë mundësi që mund të jenë të dobishme edhe në gazetari.
Inteligjenca artificiale gjeneruese (AI) përshkruan algoritme që mund të përdoren për të krijuar përmbajtje të reja, duke përfshirë zërin, imazhet, tekstin, simulimet dhe videot. IA gjeneruese i përket kategorisë së mësimit makinerik. Modelet gjeneruese IA mund të trajnohen në grupe të mëdha të dhënash për të mësuar shabllone dhe stile të të dhënave dhe më pas të gjenerojnë përmbajtje të re që është e ngjashme me përmbajtjen që është përdorur për të mësuar. Me paraqitjen e fundit të ChatGPT-së, IA gjeneruese ka fituar edhe më shumë popullaritet.
IA gjeneruese ka shumë aplikime praktike, siç është gjenerimi i imazheve realiste për video lojëra ose filma, krijimi i përmbajtjes së personalizuar për përdoruesit duke u bazuar në preferencat e tyre, ose gjenerimi i përgjigjeve në gjuhë të natyrshme në chatbot. Por, kjo gjithashtu ngre shqetësime etike në lidhje me keqpërdorimin e mundshëm të përmbajtjes së krijuar nga IA, si krijimi i lajmeve të rreme ose videove të rreme, pasi makina të tilla përdorin të dhëna të gjetura në internet që nuk janë gjithmonë të verifikuara dhe të sakta. Siç thotë autori Mirza Krajina në një artikull për revistën Republica, "Për shkak të mënyrës se si funksionon, chatboti mund t'u japë përgjigje kuptimplota, por të pasakta përdoruesve të tij". Në artikull, ai shpjegon pse është kështu dhe pse është e rëndësishme t'i kushtoni vëmendje informatës së marrë nga veglat gjeneruese IA.
Llojet e inteligjencës artificiale gjeneruese
Ka shumë lloje të inteligjencës artificiale gjeneruese, si teksti, imazhi, videoja gjeneruese dhe shumë të tjera.
Gjenerimi i tekstit
Gjenerimi i tekstit është një lloj inteligjence artificiale gjeneruese që përfshin krijimin e pjesëve të reja të tekstit të shkruar, si artikuj, tregime madje edhe poezi, që janë të ngjashme në stil, ton dhe përmbajtje me tekstin njerëzor. S gjithçka tjetër që bën IA gjeneruese, gjenerimi i tekstit bazohet në një grup të madh të dhënash tekstesh të shkruara, si libra, artikuj dhe postime në rrjetet sociale, dhe më pas ato njohuri përdoren për të krijuar tekst të ri që imiton shabllonet dhe stilet e të dhënave të trajnimit.
Ekzistojnë disa teknika për gjenerimin e tekstit, duke përfshirë:
- Modelet gjuhësore: Këto modele mësojnë të parashikojnë probabilitetin e një fjale ose një sekuence fjalësh në kontekst. Ato përdoren kryesisht në aplikacionet e përpunimit të gjuhës natyrore (NLP) që prodhojnë tekst në një formë dalëse, që përfshin përkthime.
- Rrjetet e përsëritura nervore (RNN): Këto modele janë krijuar për të përpunuar të dhëna sekuenciale, si teksti, dhe mund të përdoren për të gjeneruar sekuenca teksti. RNN-të përdorin lidhje të kthyera për të ruajtur gjendjen e cila kap kontekstin e fjalëve të mëparshme, duke u mundësuar të gjenerojnë tekst koherent dhe kontekstualisht relevant.
- Modelet transformuese: Këto modele përdorin një mekanizëm të vetëvëmendshëm për të mësuar marrëdhëniet mes fjalëve të ndryshme në një fjali, duke u mundësuar të gjenerojnë tekst më kompleks dhe më të ndjeshëm ndaj kontekstit. Modelet e transformatorëve janë përdorur për një gamë të gjerë detyrash të gjenerimit të tekstit, duke përfshirë përkthimin e gjuhëve dhe gjenerimin e dialogut që tingëllon realist.
Duke përdorur inteligjencën artificiale, vegla Trint do t'ju ndihmojë të ktheni të folurit në tekst. Në përgjithësi, gjeneruesit e titrave janë të dobishëm në gazetari dhe këtu mund të lexoni për pesë gjeneratorë automatikë të titrave që do t'jua bëjnë më të lehtë titrimin.
Gjenerimi i tekstit ka shumë aplikime praktike, si krijimi i chatbotëve ose asistentëve virtualë ose gjenerimi i përmbajtjes për fushatat e marketingut. Mund t'ju ndihmojë me frymëzim dhe kreativitet, por për shkak të potencialit për keqpërdorim, si krijimi i lajmeve të rreme, këto vegla duhet të përdoren me kujdes.
Gjenerimi i imazheve dhe videove
Ajo që e karakterizon gjenerimin e imazheve dhe videove është krijimi i imazheve ose videove të reja që janë të ngjashme në stil, përmbajtje dhe cilësi me imazhet dhe videot e krijuara nga njerëzit. Modelet e gjenerimit të imazheve dhe videove mund të trajnohen në grupe të dhënash të mëdha imazhesh dhe videosh dhe më pas ta përdorin atë njohuri për të krijuar imazhe dhe video të reja që imitojnë shabllonet dhe stilet e të dhënave të trajnimit. Ato mund të kombinojnë të dhëna të shumta nga video të ndryshme dhe t'i bashkojnë të gjitha në një video ose imazh, por duhet pasur kujdes sepse kjo teknikë përdoret shpesh për deep fake të videove dhe imazheve, si fotografia e Papa Françeskut me një xhaketë të bardhë, ose arrestimi i Donald Trumpit.
Ekzistojnë disa teknika për gjenerimin e imazheve dhe videove:
- Variational Autoencoders (VAE): Këto modele janë krijuar për të mësuar paraqitjen e kompresuar të një imazhi dhe videoje (që njihet si "koder") dhe më pas e përdorin atë paraqitje për të gjeneruar një imazh dhe video të re (që njihet si "dekoder").
- Generative Adversarial Networks (GAN): Këto modele përbëhen nga dy rrjete të thella nervore: një gjenerator dhe një diskriminues. Rrjeti i gjeneratorit mëson të krijojë imazhe ose video të reja që janë të ngjashme me të dhënat e trajnimit, ndërsa rrjeti i diskriminuesit mëson të dallojë imazhet dhe videot e krijuara prej atyre reale. Të dy rrjetet punojnë së bashku për të përmirësuar aftësinë e gjeneratorit për të krijuar imazhe ose video më realiste dhe bindëse.
- Autoregressive models: Këto modele gjenerojnë imazhe dhe video të reja duke parashikuar në mënyrë të përsëritur vlerën e çdo pikseli në imazh dhe video duke pasur parasysh vlerat e pikselëve të mëparshëm. Kjo qasje mund të jetë e kushtueshme, por mund të gjenerojë imazhe dhe video me cilësi të lartë me detaje të shkëlqyera.
Më herët kemi shkruar për disa vegla të dobishme në gazetari që përfshijnë inteligjencën artificiale gjeneruese, si Colossyan, e cila ju ndihmon të krijoni video përmbajtje sintetike nga teksti. Ju kujtojmë tekstin e mëhershëm të Irena Omazicit, e cila foli për videot në internet dhe çështjen e lajmeve të rreme.
Një tjetër vegël e dobishme për krijimin e videove është Steve Ai.
IA gjeneruese funksionon me një gamë të gjerë aplikacionesh, duke përfshirë:
- Ndërfaqet e gjuhës natyrore. Në realizimin e sintezës së fjalës në tekst, këto sisteme të inteligjencës artificiale aktivizojnë asistentë digjitalë si Alexa e Amazon, Siri i Apple dhe Google Assistant, si dhe vegla që përmbledhin automatikisht tekstin ose gjenerojnë automatikisht njoftime për shtyp nga një sërë faktesh kryesore.
- Sinteza e imazhit. Këto sisteme IA krijojnë imazhe duke u bazuar në udhëzime. Ato mund të përdoren për të krijuar reklama, dizajne të modës ose storie të produksionit filmik. DALL-E, Midjourney dhe Wombo Dream janë shembuj të gjeneratorit IA të imazheve.
- Space synthesis. IA gjithashtu mund të krijojë hapësira dhe objekte tredimensionale, si reale ashtu edhe digjitale. Mund të projektojë ndërtesa, dhoma, madje edhe plane të tëra qytetesh, si dhe hapësira virtuale për lojëra e bashkëpunim në stilin e metaversit. Një vegël e tillë është edhe Spacemaker.
- Dizajni i produkteve dhe sinteza e objekteve. Inteligjenca artificiale gjeneruese mund të dizajnojë, e madje edhe të krijojë objekte fizike siç janë pjesë të makinave dhe aparate shtëpiake. AutoCAD dhe SOL75 janë vegla të cilat përdorin IA për realizimin apo asistencën në projektimin e objektit fizik.
Potenciali i inteligjencës artificiale gjeneruese në gazetari
Inteligjenca artificiale gjeneruese ka potencial të hatashëm të transformojë fushën e gazetarisë, duke u mundësuar mediave të krijojnë lajme në mënyrë më efikase dhe me më shumë vëllim. Një nga përparësitë kryesore të inteligjencës artificiale gjeneruese në gazetari është aftësia e saj të përmbledhë me shpejtësi sasi të mëdha informatash dhe t'i shpalosë ato në mënyrë unike. Por, tërë potencialin nuk bën ta marrim kështu thjesht si "në pjatë". IA gjeneruese tashmë përdoret në gazetari dhe ky është fakt të cilin nuk mund ta shpërfillim. Por, çështja etike dhe çështje e verifikimit të informatave të cilat i gjeneron inteligjenca artificiale mbeten pikëpyetje.
Duke përdorur shembullin e ChatGPT-së për shkrim në tekstin Si duhet ta shikojnë gazetarët inteligjencën artificiale gjeneruese? autori jep një këndvështrim të problemit të përdorimit të inteligjencës artificiale gjeneruese në gazetari, duke theksuar se industria e mediave në fakt nuk do të duhej ta përdorë atë sepse ka shumë lëshime, ka probleme etike dhe vështirë mund të kontrollohet tërësisht përmes verifikimit të informatave.
"Ka shumë borxh etik të cilin këto sisteme e krijojnë nga posht lart përpara se veglat të arrijnë deri te gazetarët. Mbase do t'u kërkoni redaktorëve ta shikojnë tekstin e gjeneruar për fakte dhe vërtetësi, por do të jetë më e vështirë të kapen paragjykimet regresive në kategorizim dhe karakterizim. Nëse përmblidhni kontekste historike në tërësinë e tyre, dhe dëshironi të testoni përmbledhës makinerikë, përdorini në artikuj dhe dokumente të zgjedhura të cilat ju tashmë i keni kontrolluar. Vazhdoni me kujdes" – thuhet në tekst.
Për shkak të kësaj brenge dhe potencialit të keqpërdorimit të inteligjencës artificiale gjeneruese në gazetari, rëndësia e kujdesit dhe transparencës së përdorimit të kësaj inteligjence, përgjegjësia dhe etika mbesin fokusi parësor para se të fillojmë me përdorimin e ndonjërës prej këtyre veglave.