Komunikimi transformues gjinor në media

13.02.2024. / 10:43
Share
rodno transformativna komunikacija u medijima.png
Ilustrcija sa naslovnice publikacije "Rodno transformativna komunikacija u medijima: Put prema inkluzivnosti i ravnopravnosti"
rodno transformativna komunikacija u medijima.png

Shoqëria sot përballet me sfida në luftimin e pabarazisë gjinore në të gjitha segmentet e saj. Pabarazia gjinore manifestohet në mënyra të ndryshme, duke krijuar një sistem kompleks dhe të gërshetuar kufizimesh dhe diskriminimi.

Dimensione të ndryshme të pabarazisë gjinore përshkojnë jetën tonë të përditshme, nga rolet dhe normat tradicionale gjinore deri te pabarazia në vendin e punës përmes pozitave të pushtetit dhe pagave të pabarabarta, nga stereotipet në raportimin e mediave deri te qasja e pabarabartë në arsim.

Normat gjinore janë rregullat dhe pritshmëritë që shoqëria ka nga njerëzit. Normat gjinore diktojnë rolet dhe detyrat e ndërtuara në mënyrë shoqërore që priten t’i realizojë dikush bazuar në atë nëse personi identifikohet si grua apo burrë. Ajo që u jep formë normave gjinore janë stereotipet dhe paragjykimet që bëhen bindje e fiksuar sa i përket rolit të burrave dhe grave në shoqëri.

Njohja e pabarazisë gjinore shkon përtej njohjes themelore të problemit, ajo është thirrje për të kuptuar dhe për të trajtuar më thellë shkaqet që gjenden në themel të pabarazisë gjinore. Vetëm përmes analizës së plotë mund të formësojmë strategji që do të nxisin transformimin e normave dhe institucioneve shoqërore.

Për të arritur ndryshim afatgjatë që do të kontribojë në barazi dhe mundësi të barabarta, është e rëndësishme të merret në konsideratë dhe të përfshihet një qasje transformuese gjinore në komunikim në media.

Ç'është qasja transformuese gjinore në komunikim në media?

Qasja transformuese gjinore në komunikim mund të hapë derën për krijimin e një shoqërie që nxit pjesëmarrje të barabartë, që mbështet diversitetin dhe që avokon fuqishëm për drejtësi dhe barazi, pavarësisht gjinisë. Ky evolucion në qasjen ndaj barazisë gjinore premton ndryshime më të thella dhe më të qëndrueshme në shoqëri, duke hedhur themelet për një të ardhme më gjithëpërfshirëse.

Çështja e qasjes dhe komunikimit transformues gjinor ka qenë e pranishme në sfera të ndryshme të veprimtarisë shoqërore për më shumë se tridhjetë vjet, ndërsa në dekadën e fundit ka pasur gjithnjë e më shumë punime shkencore, hulumtime dhe raporte që mbulojnë këtë temë. Një pjesë e madhe e kësaj tashmë është pranuar dhe përshtatur, por mbetet nevoja për ta integruar këtë qasje në të gjitha sferat e veprimtarisë njerëzore.

Qasja transformuese gjinore u referohet strategjive, politikave ose nismave që synojnë krijimin e ndryshimeve pozitive dhe të thella në shoqëri përmes njohjes, konfrontimit dhe transformimit të pabarazive dhe normave gjinore. Kjo qasje shkon përtej njohjes së problemit të pabarazive gjinore dhe kërkon t’i ndryshojë rrënjësisht sistemet, institucionet dhe normat shoqërore që kontribojnë në pabarazitë gjinore. Komunikimi transformues gjinor synon të ndryshojë sjelljen, qëndrimet dhe bindjet individuale dhe shoqërore në lidhje me gjininë. Ai kundërshton normat diskriminuese gjinore përmes imazheve, gjuhës ose mjeteve të tjera të komunikimit. Ky lloj komunikimi përfshin mbështetje të qasjeve që janë të orientuara drejt eliminimit të pabarazive gjinore dhe promovimit të barazisë gjinore.

Kur flasim për organizatat mediale dhe qasjen e komunikimit transformues gjinor, ne flasim për nxitjen e gjithëpërfshirjes dhe diversitetit në raportim dhe barazinë brenda redaksive. Duke promovuar storie pozitive për identitete të ndryshme që lidhen me seksin, gjininë, orientimin seksual, identitetin gjinor, racën, klasën, statusin ekonomik e kështu me radhë, ne kontribojmë në barazinë gjinore në media.

Shpesh, struktura e brendshme organizative është vendi që pasqyron më së shumti pabarazinë gjinore përmes pozitave të pushtetit dhe vendimmarrjes. Mundësitë e pabarabarta pasqyrohen në të gjitha aspektet e veprimtarisë, shpesh duke i lënë gratë në plan të dytë.

Çekuilibri gjinor në organizata shpesh shprehet përmes burimeve njerëzore sepse praktikat e burimeve njerëzore, gjegjësisht politikat, vendimmarrja ose zbatimi i tyre, ndikojnë në punësimin, trajnimin, pagën dhe promovimin e grave. Studime të ndryshme tregojnë se në pozita të pushtetit dhe vendimmarrjes më shpesh janë burrat, e edhe kur gratë janë në këto pozita ato shpesh jetësojnë modele patriarkale të sjelljes të cilat nuk dallojnë nga burrat që janë në ato pozita.

Struktura e brendshme organizative mund të pasqyrojë çekuilibrin dhe pabarazinë gjinore në mënyra të ndryshme, e disa nga elementet kryesore janë:

  • ndarja e pushtetit dhe pozitave
  • dallimi në paga
  • diversiteti në pozitat drejtuese
  • kultura e vendit të punës
  • politikat e punësimit dhe zhvillimit të karrierës
  • mungesa e barazisë në vendimmarrje.

Parimet e komunikimit transformues gjinor

Në nëntor të vitit 2020, në kuadër të revistës "Forumi ndërkombëtar i studimeve gjinore", u botua artikulli "Qasjet transformuese gjinore në zhvillimin ndërkombëtar: histori e shkurtër dhe pesë parimet e bashkimit". Këto parime shërbejnë për të mbështetur kërkimin dhe praktikën që përfshin qasjen transformuese gjinore.

Përdorimi i gjuhës

Komunikimi transformues gjinor në media ndikon ndjeshëm në përdorimin e gjuhës, duke nxitur ndryshime në fjalorin dhe ndërtimin e fjalive për të mbështetur barazinë gjinore. Kjo mund të pasqyrohet edhe në përdorimin e gjuhës neutrale gjinore.

Më poshtë janë disa shembuj që mund të shërbejnë si ilustrim dhe perspektivë e re për përdorimin e një gjuhe neutrale transformuese gjinore gjatë raportimit:

Në vend të Përdorni
"stjuardesës" ose "stjuardit" "ekuipazhi i kabinës"
“zjarrfikësit” “ekipi zjarrfikës”
"infermieres" ose "motrës medicinale" ose "teknikut medicinal" "personeli mjekësor"
"amvises" ose "nikoqirit" "personi përgjegjës për amvisërinë" ose "familja"
"biri" ose "bija"

"fëmija"
nëse nuk e dini se si po identifikohet

"burri me çantë" ose "gruaja me kapele" "personi me çantë" ose "personi me kapele"

Këta shembuj kanë të bëjnë me ato raste kur nuk e dini saktësisht se cilës gjini t'i referoheni, ose kur në përgjithësi po flisni, ta zëmë, për stafin mjekësor ose fëmijën e dikujt që nuk e dini saktësisht nëse ai person deklarohet mashkull apo femër.

 

Përveç gjuhës neutrale, përdorimi i termave gjithëpërfshirëse që përfshijnë identitete të ndryshme gjinore mund të krijojë hapësirë për të gjithë njerëzit, pavarësisht gjinisë së tyre.

Shembull: Në vend të "të gjithë burrat dhe gratë", përdorni "të gjithë njerëzit" ose "të gjithë personat".

Refuzimi i modelit binar në gjuhë nxit njohjen e diversitetit të identiteteve gjinore. Po ashtu, shmangia e konstrukteve gjuhësore që mbështesin stereotipet gjinore ndihmon në dekonstruktimin e paragjykimeve.

Shembull: Në vend të "punët e burrave" dhe "punët e grave", përdorni "punët e hapura për të gjithë" ose "punët në të gjithë sektorët", ose thjesht "punët".

Kur bëhet fjalë për theksimin e titujve profesionalë të njerëzve, është e rëndësishme t'i pyesni saktësisht se si duan të quhen. Kujdesuni që personat që identifikohen si gra të mos paraqiten përmes titujve profesionalë në gjininë mashkullore.

Shembulli kur flitet për gratë:

Në vend të "president" përdorni "presidente", "politikan" përdorni "politikane", "profesor" përdorni "profesoresha", "drejtor" përdorni "drejtoresha", "minator" përdorni "minatorja", e kështu me radhë.

Këta shembuj ilustrojnë se si komunikimi transformues gjinor ndryshon gjuhën për të qenë më gjithëpërfshirës dhe neutral ndaj gjinisë dhe për t’i zvogëluar paragjykimet. Ndryshime të këtilla gjuhësore kontribojnë në krijimin e një mjedisi medial që pasqyron diversitetin e identiteteve gjinore dhe mbështet barazinë gjinore.

Përdorimi i materialit vizual

Materiali vizual transformues gjinor u referohet fotografive, videove, ilustrimeve, grafikave, veprave të artit dhe përshkrimeve të tjera mediale, të cilat synojnë të mbështesin dhe promovojnë barazinë dhe diversitetin gjinor. Këto imazhe synojnë të përcjellin mesazhe pozitive dhe gjithëpërfshirëse për gjinitë e ndryshme, duke shmangur stereotipet dhe paragjykimet dhe duke nxitur ndërgjegjësimin mbi diversitetin e identiteteve gjinore.

Materiali vizual transformues gjinor është ai që sfidon dhe ndryshon aktivisht normat e njëanshme gjinore.

Karakteristikat kryesore të materialeve vizuale transformuese gjinore përfshijnë diversitetin e identiteteve gjinore, largimin nga stereotipet, përfaqësimin e barabartë dhe pozitiv të grave dhe burrave, gjithëpërfshirjen në kontekste të ndryshme, përfaqësimin e dinamikës gjinore, fuqizimin dhe vetëbesimin.

Sipas hulumtimeve në botë dhe në Ballkanin Perëndimor, burrat përfaqësohen më shpesh në media, si përmes përmbajtjes mediale ashtu edhe përmes materialeve mbështetëse (foto, video, ilustrime...) edhe kur nuk kanë të bëjë drejtpërdrejt me një burrë ose një grup të caktuar burrash.

Këto janë disa shembuj të fotografive të cilat përfshijnë qasjen transformuese gjinore dhe marrin parasysh të gjithat që u përmendën më lart:

Integrimi i materialeve të tilla vizuale në mbulimin medial ndihmon në krijimin e një paraqitjeje të ekuilibruar dhe të vetëdijshme të burrave dhe grave, si dhe diversitetin e të gjithë personave, pavarësisht gjinisë ose identitetit të tyre gjinor.

Mediat mund të veprojnë si platformë për transformimin e normave gjinore, me transformimin e strukturës së brendshme organizative në mediat e tyre, dhe drejtpërdrejt përmes mënyrës së raportimit, përdorimit të vetëdijshëm dhe të ndërgjegjshëm të gjuhës dhe pajisjeve vizuale të raportimit medial.

***

Teksti është version i shkurtuar i publikimit “Komunikimi transformues gjinor në media: Rruga drejt përfshirjes dhe barazisë”, i cili mund të shkarkohet nëpërmjet linkëve të mëposhtëm: BHSCG, ENG.

Ne kemi krijuar edhe një kuiz të shkurtër për t'i testuar njohuritë tuaja lidhur me këtë temë, mos e lini pa e plotësuar.

Ju kujtojmë nismën FEMBASE të BMAP FORWARD, e cila po përpiqet të zgjidhë problemin e mungesës së vazhdueshme të zërave të grave në media në Ballkanin Perëndimor. Nëse jeni grua dhe dëshironi të jeni në databazën tonë, ju ftojmë ta plotësoni formularin e shkurtër.

Vlerësoni cilësinë e artikullit