"Të raportoftë Andrija Jaraku përpara shtëpisë".
Ky humor i zi, i cili u përhap në rrjetet sociale, flet qartë se sa i rëndësishëm është stand-upi në gazetari për mediat dhe për publikun. Të qëndrosh përpara kamerës dhe t'ia transmetosh publikut atë që ka ndodhur nuk kërkon vetëm precizitet në transmetimin e lajmit. Gazetari/ja në këto situata prezenton lajmin.
Kur e kuptojmë se sa ndikon prezentimi te lajmi, e shohim se roli i gazetarit/es është po aq i rëndësishëm sa edhe lajmi të cilin do ta transmetojë.
Ç'është stand-upi në gazetari?
Personi i cili me zërin e vet do ta transmetojë informatën e bën stand-upin në gazetari, dhe mund të ndihmojë në vendosjen e besueshmërisë së reporterit/es dhe të ndërtojë marrëdhënie me shikuesit.
Stand-upi në gazetari është mënyrë e mirë për të shpjeguar çështje apo koncepte të ndërlikuara. Si funksionon kjo në punën e përditshme të mediave? Stand-upi mund të kompensojë mungesën e video materialeve të ndonjë ngjarjeje të caktuar.
Ku e kanë parë fëmijët ariun për herë të parë? Ja këtu, përpara kësaj peme. Ku është kapur filani? Në këtë vend, në dalje të banesës që e kishte me qira. Këto lloje të stand-upëve nuk janë për çfarëdo storie, e as nuk janë për çdo ditë, por nëse përdoren arsyeshëm dhe në kontekstin e duhur, ato mund t'u ndihmojnë shikuesve të kuptojnë tema të vështira.
Në rastet e ngjarjeve të papritura të cilat mund të lënë pasoja të rënda e të këqija, xhirimi është pjesë e pranueshme e stories. Nëse dalim në terren për të mbuluar edhe detajet se ku ka ngrënë drekë delegacioni politik i BE-së, këtë mund ta konsiderojmë si huqje të madhe profesionale.
Llojet e stand-upëve në gazetari.
Asociacioni i parë me raportimin nga terreni është programi informativ dhe ngjarjet të cilat kanë jehonë të madhe në opinion. Por gazetarët/et raportojnë nga palestrat, nga pazari, nga plazhi apo nga pishina, nga parqet në të cilat zhvillohet jetë normale.
Llojet e stand-upëve:
- Më dërgo te skena – shikuesve u pëlqen të shohin se ku ndodh lajmi dhe ku ka ndodhur ai në të kaluarën. Prandaj shihni gazetarë lokalë përpara ndërtesave të cilat rrinë të mbyllura deri te transmetimi i lajmeve... por duket se "ky është vendi ku është takuar bordi i shkollës këtë mbrëmje" edhe më shumë i tërheq shikuesit.
- Përdorimi i rekuizitave – nëse ekziston ndonjë rekuizitë e rëndësishme për storien, vazhdoni tutje. Shikuesve u tregohet pse është ajo e rëndësishme.
- Interaksioni kreativ – kjo është ajo storie së cilës i duhet pak koreografi për të qenë e përpunuar si duhet, që do të thotë se gazetari/ja është në interaksion me vendin dhe njerëzit për të cilët flet. Për shembull, pjesëmarrja në vjeljen e rrushit gjatë xhirimeve në vreshta.
- Tranzicionet – stand-upi kalimtar e shtyn storien në drejtim tjetër. Reporteri e merr shikuesin për dore dhe e çon në një skut të ri, apo sjell një skut të cilin shikuesi nuk e ka parë.
- Demonstrues – reporterët mund të tregojnë se si funksionon diçka apo si ka ndodhur diçka në storie. Për shembull, gazetarja duke ulëritur lëshohet me zipline gjatë xhirimit të materialit për parkun e adrenalinës.
Rekomandimet për sjelljen e gazetarëve në stand-up
Joanne Stevens nga Stevens Media Consulting thotë se është me rëndësi të mos harrohet se stand-upi nuk bën fjalë vetëm për ju. "Gjithnjë e më shumë shoh se gazetarët po më pengojnë, në vend se të më fusin më thellë në storie. Fjala kyç është 'me mençuri'".
TV producentja dhe fituesja e çmimit Emmy, Jeanette Abrahamsen, konsideron se stand-upi ndihmon në lidhjen me shikuesit, por mund ta shkatërrojë storien nëse realizohet keq. Sipas fjalëve të saj "Stand-upët do të duhej ta forconin storien, e jo ta bëjnë atë rrugë të sikletshme pa dalje".
Disa këshilla të Jeanette Abrahamsenit për xhirimin e stand-upëve më të mirë:
- Jini kreativë dhe demonstrues. Prekni gjëra. Mblidhni gjëra.
- Tregojini publikut diçka që ndihmon për të shpjeguar storien në mënyrë kreative.
- Kushtojini kujdes asaj që është prapa jush. Sfondi juaj duhet të jetë relevant për storien, por nuk do të duhej ta kthente vëmendjen e shikuesit nga ajo që ju po tregoni.
- Kushtojuni vëmendje zërave rreth jush. A po e tregojnë ato storien tuaj apo po largohen nga ajo?
- Nëse lëvizni apo përkuleni, kini arsye të mira për këtë.
- Mos bëni zoom derisa xhironi përveç nëse keni arsye shumë të mirë për këtë.
- Flisni rrjedhshëm që të tingëlloni natyrshëm. Nëse e mësoni skenarin përmendësh, kështu do të tingëllojë shumë më mirë.
- Qëndrimi juaj nuk duhet të zgjasë shumë. 5 deri në 10 sekonda është mrekulli! Më pak mbahet mend dhe realizohet më lehtë.
- Vishuni në mënyrë të duhur, varësisht nga storia juaj. Nëse visheni me kostum, ndërsa xhironi në palestër, do të dukeni çuditshëm.
Unë kësaj liste do t'i shtoja: le të jetë stili juaj i veshjes në përputhje me qëllimin e transmetimit të informatave. Dekolteja e dukshme, fustani shumë i shkurtër, copë të mëdha stolie dhe grimi i fortë nuk do të ndihmojnë për të kuptuar më mirë informatën.
Rekomandimet për përgatitjen dhe xhirimin e stand-upëve
Mos lejoni që stand-upi t'ju bëhet mend për herën tjetër.
Xhirimi pasi ka kaluar shumë kohë nga ngjarja vetëm sa për të fituar diçka nuk është ajo që dëshironi t'ia shpalosni publikut. Shembuj të këtillë shpesh shohim me rastin e raportimeve përpara restoranteve në të cilat delegacioni i BE-së ka ngrënë drekë dhe është larguar moti (nuk dihet se çka ka pasur në meny).
Stand-upi duhet të jetë pjesë e rëndësishme e stories, shpalosje e informatave të reja dhe shtyrje përpara e stories.
Para se të filloni të planifikoni stand-upin, kini parasysh këto pyetje:
- Pse do të doja të fusja stand-up në këtë storie?
- Cilat informata do t'i transmetoja në stand-up?
- A kam ç'të tregoj në këtë stand-up?
- Ku dhe kur mund ta realizoj këtë stand-up?
- Si do të përshtatet stand-upi në storien e gatshme?
Para se ta xhironi stand-upin, ju duhet ideja e qartë e strukturës së stories suaj. Pasqyra e raportit të plotë ku stand-upi juaj do të jetë pjesë e vogël e tij duhet të përbëjë tërësinë në të cilën çdo pjesë e ka qëllimin e vet.
Ky qëllim nuk është që edhe ju të jeni një ekip që ka xhiruar në terren. Qëllimi është informata e re e cila ka qenë aq e rëndësishme saqë është dashur të xhirohet në mënyrën tuaj.
Ku qëndron problemi me stand-upët e sotëm?
Sa problem përbëjnë pixhama portalet, mediat të cilat kurrë nuk kanë kapur informatë nga terreni dhe janë treguesi i saktë i aktualitetit të agjencive të lajmeve, aq problem përbën edhe paraqitja e tepruar nga terreni që nuk ka kurrfarë vlere për publikun.
Xhirohet që lajmi të jetë më dinamik. E jo që informata të jetë më e qartë.
Paraqitja dinamike e lajmit që i pëlqen publikut rezulton me raportimin nga të tri lokacionet të cilat përmenden brenda lajmit. Edhe pse në vendin e ngjarjes kapet vetëm dera e mbyllur e institucionit, për disa ka vlerë edhe xhirimi i prime timeit.