A mund të jetë memeja gazetari? Këto storie ofrojnë përgjigje

06.01.2023. / 08:44

Asnjë meme nuk është ishull.

Nuk mund ta shikoni fotografinë me ndonjë personazh specifik me komentin prej tri, katër fjalësh dhe të mendoni se e keni kuptuar. 

Kjo lidhje e pazakontë mes të thënave dhe të pathënave e bëjnë memen terren të rrezikshëm për mediat.

Kur meme kulturën e mbulojnë mediat mainstream, kjo çon në gabime katastrofale

Një nga këto gabime është edhe raportimi i famshëm për 4chain.

Sipas shkrimit të shumë mediave, ky ishte momenti nga i cili u krijuan memet.

"Kush është ky person a kjo faqe 4chain?" pyeti gazetarja e CNN-së, Brooke Baldwin, me çka bëri gabim të kobshëm.

Ishte viti 2014, e 4chain, forum anonim online i njohur për rregullat e veta të buta, sapo kishte publikuar një numër të madh fotografish gati lakuriqe grash të famshme në ngjarjen e cila së shpejti do të quhej "The Fappening" (fap është zhargon i internetit, dhe lidhet me masturbim).

Raportimi medial për kulturën e internetit shpesh është i dobët, e memeja "hakeri i njohur si 4chain" përbën kulmin e këtij dështimi.

Nuk është sekret se pse mediat shpesh i keqkuptojnë memet.

Kultura meme nuk është e qartë për të huajt, sepse shumë nga memet më të popullarizuara rrjedhin nga komunitete krejtësisht të izoluara në internet. Mund të themi se komunitete të tilla kanë gjuhë joinkluzive të cilën personat jashtë atij komuniteti nuk e kuptojnë për shkak të mungesës së kontekstit, mënyrës së të shprehurit, fjalëve që përdoren.

"Kur gazetarët raportojnë vetëm sipërfaqësisht për një meme, kjo nuk të çon askund", tha Myojung Chung, asistent profesor i komunikimeve strategjike në Universitetin e San Franciscos. "Në vend të kësaj, gazetarët duhet të ofrojnë kontekstin më të gjerë të memeve, si dhe të marrin në konsideratë implikimet e tyre më të gjera".

Funksioni i memeve në media

Memet janë imazhe, zakonisht me humor, të krijuara për të përhapur shpejt një mesazh përmes kanaleve të mediave sociale. Ato shpesh shfaqin persona të famshëm ose skena të paharrueshme nga kultura popullore. Elementi i parë i memes që vë re publiku është humori, por në komunikimin medial me publikun ky nuk bën të jetë funksioni parësor.

Tregimi i storieve dhe përcjellja e informatave janë elemente të rëndësishme të memeve në media.

Memeja si karikaturë e avancuar politike

Memet në media kanë rëndësi sociale sepse ato veprojnë si një lloj zhvillimi i karikaturave politike që kanë ekzistuar në gazeta për shekuj me radhë.

Në këtë rast, ato kërkojnë mbulim serioz, gjithëpërfshirës dhe e vetmja mënyrë për ta arritur këtë është të zhyteni plotësisht në subkulturë. Tish Grier, gazetare e pavarur dhe eksperte e mediave sociale theksoi se "të gjitha memet kanë burime".

Publiku duhet të dijë për këto burime dhe kontekstin e memeve, dhe jo të nxjerrë përfundime të bazuara në gjykim të lirë.

Rritja e vizitave dhe shikueshmërisë së përmbajtjes

Memet kanë fuqinë për të rritur vizitat, shikueshmërinë, veçanërisht në mesin e publikut më të ri për të cilët memet janë mënyrë komunikimi në internet.

Shefja e lajmeve në TV2 daneze Østjylland, Louise Pettersen, thotë se "të rinjtë danezë janë absolutisht të dashuruar në gazetari. Problemi është se mediat tradicionale hezitojnë të publikojnë storie në platforma moderne ku të rinjtë preferojnë të konsumojnë përmbajtje, duke përdorur gjuhën e duhur. Ky është problemi ynë, dhe jo i të rinjve”, thotë ajo.

meme

Në një bisedë për Online Journalism Blog, Pettersen vuri në dukje një pikë shumë të rëndësishme. "Na është dashur të përpiqemi të komunikojmë në këtë gjuhë të cilët e kuptojnë të rinjtë. Por, për ne ishte gjithashtu e rëndësishme – meqë ne jemi shërbim publik – që të ketë edhe një element gazetarie në vetvete, që të mos jetë thjesht argëtim. Ato duhej të ishin storie mediale të cilat ne donim t'i përcillnim, vetëm se me anë të memeve dhe grafikëve. Është mirë që njerëzit të qeshin, por duhet të ketë edhe një element të gazetarisë. Kur të rinjtë i shohin memet tona, ata e shohin edhe storien".

Pettersen shton se për Danimarkën, si një vend i vogël, është e rëndësishme të shtyhen përpara mediat në gjuhën daneze si alternativë për krejt përmbajtjen vizuale në anglisht që është në dispozicion në Instagram dhe YouTube. Ajo beson se përtej mënyrës për ta arritur këtë, kjo qasje është edhe pjesë e misionit të tyre.

“Ne financohemi nga danezët për të gjithë danezët, prandaj është e rëndësishme që të jemi relevantë për të gjitha grupet e synuara. Publiku ynë tradicional televiziv po bëhet gjithnjë e më i pakët, dhe nëse duam të ruajmë rëndësinë tonë në dhjetë vitet e ardhshme, duhet të arrijmë një publik më të ri që tani", shpjegoi ajo.

Memet krijojnë ndjesinë e përkatësisë

Rebecca Ortiz, asistente në Newhouse School, zbuloi në hulumtimin e saj se memet shpesh krijohen si përgjigje ndaj diçkaje që ndodh në kulturën popullore ose për tema me rëndësi të përbashkët mes grupeve të njerëzve. Ato i bashkojnë njerëzit rreth një eksperience të përbashkët. Sipas fjalëve të saj, "kur e kuptoni se çka thotë memeja, ju jeni 'në shaka'. Ju ndiheni pjesë e një grupi dhe keni ndjesinë e komunitetit dhe bashkësisë - diçka që neve, njerëzve, na nevojitet".

"Memet mund të shpërndahen vetëm nëse ka diçka në to që vetëm një grup i zgjedhur njerëzish mund ta kuptojnë", vëren Ortiz. "E ky grup mund të jetë grup prej miliarda njerëzish". Ju mund të lidheni me dikë përmes këtyre kuptimeve të përbashkëta dhe referencave kulturore dhe të ndiheni të veçantë sepse e kuptoni këtë. Kështu krijohet lidhja brenda grupit".

Drejtoresha artistike e TV2 Østjylland, Kristine Helms, shpjegoi se si krijohen memet e famshme, të cilat përveç elementeve argëtuese kanë në vetvete edhe gazetarinë. “Kur në redaksi flas me gazetarët për storiet e tyre, rri ulur pranë gjithë këtyre gazetarëve që po bëjnë gjëra shumë serioze dhe kërkoj macen, qenin ose GIF-in perfekt për të treguar ndjenjën duke lexuar storien e tyre!"

"Sepse flasim hapur për këtë", vazhdon Kristine, "dhe ndonjëherë ata mendojnë dhe dalin me ide të mira. Memeja ju vë në lëvizje, por në fakt ju jeni të lidhur me temën dhe mendoj se këtu qëndron bukuria.

Kjo pra është rrëfimtaria, por edhe gazetaria".

Ocijenite kvalitet članka