Instagrami, i cili është në pronësi të kompanisë Meta, është vazhdimisht duke shtuar karakteristika dhe funksione të reja për të përmirësuar përvojën e përdoruesit. Kështu, në vitin 2023, ajo na solli një sërë funksionesh të reja në Instagram, e disa prej tyre sigurisht se do të jenë interesante edhe për organizatat mediale.
Nga radhitja e re e shiritit të navigimit e deri te funksionet krejt të reja – siç është funksioni "Shënimet", i frymëzuar nga Twitteri, aplikacioni për rrjetet sociale sivjet sigurisht do të ketë një qasje të re.
Opsioni Reels barazohet me formate të tjera
Lajmi se Reels nuk ka më primat në Instagram u konfirmua nga CEO-ja i Instagramit, Adam Mosseri. "Ideja është të thjeshtojmë Instagramin dhe të përqëndrohemi më shumë në atë që po përpiqemi të bëjmë. Ne përpiqemi t'i bashkojmë njerëzit rreth asaj që ata duan. ... Për ta bërë këtë, jemi të përqëndruar në tri gjëra: frymëzimin e njerëzve për t'u shprehur, asistimin e njerëzve për të zbuluar atë që duan dhe krijimin e lidhjeve mes njerëzve rreth asaj që gjejnë", ka shpjeguar Mosseri.
📣 Navigation Update 📣
— Adam Mosseri (@mosseri) January 10, 2023
The navigation is changing in February to make it easier for people to create, be entertained and connect with friends over the things they love.https://t.co/9tR4kIH9d0 pic.twitter.com/DwinENhku7
Me këtë ndryshim, Instagrami e ka lëvizur butonin Reels nga mesi i feedit për një fushë në të djathtë. Në mes tash është butoni për të krijuar të gjitha llojet e postimeve. Ky ndryshim mund të shpjegohet përmes rëndësisë së krijimit të çfarëdo formati të përmbajtjes, në varësi të asaj që i përshtatet publikut tuaj. Me ardhjen e Reelsit, Instagrami i dha atij një avantazh të madh për një kohë, dhe me këtë mbulimi i publikut ishte më i madh me cilindo Reels, se sa do të kishte qenë rasti me formate të tjera në Instagram. Ky ndryshim i ri tash i jep shans të barabartë çdo formati.
Broadcast channels – ndërtimi i komunitetit
Instagrami aktualisht po e teston një funksion të ri të quajtur Broadcast Channels. Kjo do t'u mundësojë llogarive të verifikuara të shpërndajnë transmetime të drejtpërdrejta me ndjekësit dhe miqtë e tyre. Kjo veçori do të jetë në dispozicion për të gjithë përdoruesit e Instagramit, por vetëm llogaritë e verifikuara do të mund të krijojnë dhe transmetojnë kanalet e tyre.
Broadcast Channels do t'u mundësojë përdoruesve të transmetojnë livestream me ekran të plotë, duke i dhënë publikut përvojën më të mirë të mundshme. Po ashtu, do të mundësojë shpërndarjen e kanalit në platforma të tjera, duke përfshirë YouTube dhe Facebook, duke u dhënë kështu mundësi krijuesve të mbulojnë publik më të gjerë.
Kanalet për transmetim në Instagram mund të jenë të dobishme për mediat në mënyra të ndryshme. Me mundësinë e mbulimit të publikut më të madh e më të përkushtuar, mediat mund t'i shfrytëzojnë kanalet për ta ndarë lajmin shpejt dhe thjeshtë. Ky opsion mund të çojë në krijimin e lidhjeve të rëndësishme dhe të qëndrueshme me komunitetin.
Ky opsion mund t'u ofrojë mediave edhe një platformë tjetër për zhvillimin e bisedave, intervistave dhe konferencave live. Kështu do të mund të komunikoni me publikun tuaj në kohë reale, gjë që është thelbësore për lajmet e fundi, dhe do të mund të krijoni një bazë shumë të dobishme të ekspertëve dhe t'u qaseni atyre dhe burimeve që mund të jenë të dobishme në raportim.
Në fund, kanalet e transmetimit mund të përdoren për të promovuar storiet dhe përmbajtjet që do të vijnë. Kjo është mënyrë efikase për të zgjeruar publikun tuaj dhe për të rritur dukshmërinë e punës suaj.
Kanalet e transmetimit do të përmbajnë edhe vegla interaktive, si sondazhet, pyetjet dhe përgjigjet, që publiku të mund të bashkëveprojë me përmbajtjen që po shpërndahet. Kjo do të ndihmojë në krijimin e një lidhjeje më të thellë mes krijuesve të përmbajtjes dhe shikuesve, pasi ata do të mund të përfshihen më shumë në prodhimin dhe konsumin e përmbajtjes.
Funksioni është ende në periudhën e testimit, por duket shpresëdhënës dhe mund të presim që së shpejti të jetë në dispozicion.
Ndryshimet e tjera
Një nga ndryshimet e reja është edhe funksioni i shtimit të muzikës për 90 sekonda në postimet e fotove në feed.
"Muzika është pjesë e rëndësishme e të shprehurit në Instagram, dhe jemi të ngazëllyer që mund të ofrojmë mundësinë për të shtuar muzikë në fotografitë në Feed siç keni mundësi me Reels dhe Stories", thanë nga Instagrami.
Edhe pse muzika tash e një kohë është mbështetur për Stories dhe Reels, kjo është hera e parë që Instagrami u mundëson përdoruesit të shtojnë muzikë në fotot në feedin kryesor.
Instagrami së fundmi ka sjellë edhe Shënimet (Notes). Mënyra më e mirë për të shpjeguar këtë funksion të ri është ndoshta të themi se duket si një version i vogël i Twitterit. Një mënyrë që në dukje provon të nxisë më shumë spontanitet në komunikimin e përdoruesve, ky funksion i ri përbëhet nga postime të shkurtra teksti deri në 60 karaktere.
Kjo është hera e parë që përdoruesit do të mund të krijojnë postim pa përfshirë foto, video apo Reels. Shënimet shfaqen pranë fotografisë së profilit të përdoruesit në krye të aplikacionit në mesazhe. Atyre mund t'u përgjigjemi, por jo publikisht: përgjigjet vijnë si DM në posterin origjinal të Shënimeve.
Edhe pse nuk duket të jetë funksion i rëndësishëm, meqë shënimet janë të dukshme vetëm nëse ndiqen nga të dyja palët, përfitimi i tyre do të jetë i dukshëm sivjet.
Një tjetër ndryshim që mund të jetë i rëndësishëm për mediat është lloji i ri i njoftimeve. Tash ju mund të shihni kur ju vijnë ndjekës të ri nëpërmjet Reelsit. Ky funksion mund të jetë i dobishëm për të parë nëse publiku ju vjen më shumë përmes Reelsëve të cilët i krijoni apo përmes formateve të tjera të përmbajtjes. Mangësia e vetme është se nuk mund të shihni se nga cili Reels ka ardhur personi.
Sigurisht se një nga njoftimet e rëndësishme është se Kompania Meta do të sjellë pagesën për verifikimin e llogarisë. Ky njoftim është i ngjashëm me njoftimin e Twitterit nga viti i kaluar në lidhje me një simbol të kaltër.
Ky shërbim abonimi do t'ju mundësojë të verifikoni llogarinë tuaj duke përdorur një dokument zyrtar identifikimi, të merrni një simbol të kaltër dhe të pranoni mbrojtje shtesë nga vjedhja e identitetit kundër llogarive që pretendojnë se janë ju. Pagesa për këtë shërbim do t'ju mundësojë edhe qasje të drejtpërdrejtë në mbështetjen e klientëve, tha CEO-ja i Facebookut, Mark Zuckerberg.
Në përgjithësi, duket se kompania Meta po punon intensivisht në zgjerimin e platformës së Instagramit, e cila me siguri do të forcojë pozicionin e saj si një nga platformat kryesore të rrjeteve sociale në vitin 2023. Sigurisht se ne jemi më të interesuar të dijmë se si do të funksionojnë kanalet transmetuese të cilat kanë më shumë potencial për të qenë të dobishëm në gazetari ku qasje do të kenë vetëm llogaritë e verifikuara.