Data gazetaria ka shënuar rritje të popullaritetit dhe praktikës në vitet e fundit. Hulumtimi i dytë vjetor i realizuar nga Datajournalism.com, i cili përfshiu më shumë se 1800 njerëz, flet për këtë rritje në vitin 2022 ku 97.4% e të anketuarve thanë se kishin përdorur data gazetarinë si pjesë integrale të punës së tyre. Ky raport, sipas tyre, "pasqyron përkushtimin e Datajournalism.com për mbështetjen e vazhdueshme të komunitetit të data gazetarisë".
Nga numri i lartpërmendur, 39,2% thanë se përdornin rregullisht data gazetarinë, ndërsa 29,7% të tjerë thanë se e përdornin atë herë pas here. Gati dy nga tre të anketuar thanë se besonin se data gazetaria ishte bërë pjesë e rëndësishme e raportimit të tyre. Hulumtimi tregoi gjithashtu se shumica dërrmuese e të anketuarve (84,2%) besojnë se data gazetaria po bëhet gjithnjë e më e rëndësishme në fushën e tyre. Kjo i atribohet një numri faktorësh, duke përfshirë disponueshmërinë e të dhënave dhe presionin e tregut konkurrues.
Tutje, hulumtimi gjeti se shumica e data gazetarëve (86,8%) përdorin vegla të ndryshme për të analizuar të dhënat e tyre. Kjo përfshin tabela, softuerë për vizualizimin e të dhënave, dhe gjuhë të tjera programuese.
Gazetarët thanë se data gazetaria është sfiduese, por se ata kënaqen në punën e tyre dhe se shohin se data gazetaria ka ndikim pozitiv në shoqëri.
Hulumtimi mbi gjendjen e data gazetarisë për vitin 2022 ka ofruar një pasqyrë të demografisë së fushës së data gazetarisë. Sipas hulumtimit, 58% e të anketuarve identifikohen si burra, 40% si gra, 1% si jobinarë/genderqueer, 1% preferojnë të mos përgjigjen dhe 1% identifikohen si të tjerë.
Këto të dhëna tregojnë se data gazetaria ende dominohet nga burrat, por është e rëndësishme të theksohet se gratë janë kryesisht më të reja dhe me arsim të lartë. Numri më i madh i të anketuarve janë të moshës 25 deri në 54 vjeç.
Edhe pse hulumtimi mbuloi një numër të madh shtetesh, pjesa dërrmuese e të anketuarve ishin nga SHBA-ja, Mbretëria e Bashkuar, Italia dhe Gjermania, derisa disiplinat në të cilat ishin specializuar data gazetarët/et ishin arti dhe shkencat humane (39%), pastaj shkencat natyrore (31%), si dhe biznesi, financat apo drejtësia (7%). Personat jobinarë/genderqueer të cilët morën pjesë në këtë hulumtim përbëjnë përqindjen më të madhe të atyre me doktoraturë (19%).
Shkathtësitë dhe veglat
Sipas këtij hulumtimi, veglat më të popullarizuara në mesin e data gazetarëve janë Excel dhe Google Sheets (i përdorin 72%, respektivisht 58% të të anketuarve), pastaj Datawrapper, Flourish dhe Tableau.
Hulumtimi gjithashtu tregoi se programimi nuk është detyra kryesore e data gazetarëve, ku vetëm 29% do të zgjidhnin programimin. Gjuha më e popullarizuar programuese në data gazetari është Python (62%), pastaj HTML/CSS (49%) dhe R (42%). Për sa i përket shpeshtësisë, shumica dërrmuese programimin e përdorin në baza ditore (58%). Gati katër nga pesë të anketuar thanë se ishin vetëmësuar duke përdorur burimet online. Pak më shumë se një nga pesë të anketuar mësohen vetë edhe për sa i përket kodimit. Përvoja në data gazetari është e lidhur pozitivisht me vlerësimet e nivelit më të lartë të shkathtësive, dhe kjo vlen veçanërisht për analizën e të dhënave dhe vizualizimin e të dhënave. Fushat me më së paku përmirësim me kalimin e kohës janë të mësuarit makinerik dhe statistikat. Në ballinën e Datajournalism.com mund të gjeni një numër udhëzuesish dhe kursesh të dobishme, duke përfshirë video kursin Python për gazetarët, të dedikuar për gazetarët që duan të mësojnë se si të merren me data gazetari më shpejt dhe më saktë.
Shumica e të anketuarve në data gazetari mbështeten kryesisht ose ekskluzivisht në softuerët e jashtëm kur bëhet fjalë për veglat grafike (45%). Megjithatë, në krahasim me vitin 2021 pati kalim të lehtë drejt softuerit të brendshëm.
Sfidat dhe mundësitë
Hulumtimi tregoi se data gazetarët përballen me një numër sfidash, duke përfshirë qasjen ndaj të dhënave cilësore, mungesën e burimeve financiare, presionin kohor dhe mungesën e njohurive në analizën dhe vizualizimin e të dhënave. Pengesa më e madhe e perceptuar për të mësuar (65%) është mungesa e kohës për t'u trajnuar apo për t'i thelluar njohuritë e shkathtësive.
Përkundër këtyre sfidave, hulumtimi zbuloi gjithashtu një numër mundësish për data gazetarët, duke përfshirë rritjen e pranisë së tyre në mjedisin medial, zbulimin e storieve dhe mbështetjen e tyre në fakte dhe përdorimin e të dhënave për të luftuar dezinformimin. Përveç kësaj, hulumtimi sugjeroi se data gazetarët duhet të jenë më të vetëdijshëm për praktikat më të mira për të ruajtur raportimin e të dhënave.
Përfundimi
Popullariteti i data gazetarisë po rritet nga viti në vit dhe pandemia e koronavirusit e ka bërë këtë fushë edhe më të popullarizuar. Këtë e dëshmon edhe fakti se shumica e të anketuarve besojnë se pandemia ka ndikuar pozitivisht në përdorimin e të dhënave në mbulimin medial.
Hulumtimi tregoi se data gazetarët përdorin të dhëna për të nxitur raportimin medial për tema të ndryshme. Nga zgjedhjet, pandemia, lufta në Ukrainë te ndryshimet klimatike dhe kriza e kostove të jetesës, data gazetarët analizuan, vizualizuan dhe interpretuan këto çështje, duke i ofruar publikut njohuri thelbësore. Data gazetaria është bërë vegël e vlefshme në luftën kundër dezinformatave. U theksua gjithashtu se këta gazetarë nxiten të arkivojnë punën e tyre për përdorim në të ardhmen. Në fund, hulumtimi arriti në përfundimin se data gazetaria është vegël e paçmuar për të kuptuar çështjet më urgjente në botë.
Nëpërmjet dhjetë video tutorialeve që ne i kemi përgatitur për ju tre vjet më parë, shikoni me Imer Muhovicin se si të mblidhni të dhëna, si t'i pastroni, lokalizoni dhe si t'i formatoni ato, si dhe cilat vegla të përdorni dhe si t'i vizualizoni ato.