Si i zhvillon mediat gazetaria kalimtare: Promovimi i përmbajtjes me Instagram story

16.12.2022. / 08:55

Një herë e një kohë na ishte një shoqëri ku njerëzit kërkonin lajme. Sot, lajmet i kërkojnë njerëzit.

Njerëzit janë në rrjete sociale, dhe mediat duhet të jenë aty gjithashtu.

Dhe kjo kërkon mund – padyshim. Dhe kërkon resurse – gjithsesi. Por, të jesh në rrjetet sociale nuk është opsionale. Mediat duhet të promovohen nëse duan publik në faqen e tyre.

Prandaj ne shkruajmë për rrjetet sociale, podcastet, video përmbajtjet, newsletterët...

Në një nga tekstet e mëparshme, kemi theksuar se e ardhmja e lajmeve është mobile, sociale dhe vertikale.

Sot mund të themi se është edhe kalimtare (për të mos thënë efemerale).

Ç'është gazetaria kalimtare (efemerale)?

Gazetaria që krijon përmbajtje kalimtare (efemerale) për t'u shpërndarë nëpërmjet formave të përkohshme dhe veglave që synojnë të kënaqin shprehitë konsumuese të përdoruesve të përkohshëm, është ajo që quhet "gazetari efemerale".

Fjala kalimtare tingëllon e çuditshme, por shprehje më të mirë nuk ka sepse Instagram story ka afat prej 24 orësh. Sado tronditëse, interesante dhe e mirë të jetë storia, ajo zhduket për 24 orë.

Rrjetet sociale kërkojnë përshtatjen e informatave me formatet, shpërndarjen e lajmeve, në kohën që ju e keni për të tërhequr vëmendjen (që është tre sekonda). Vetëm pse e keni publikuar një Instagram story, nuk do të thotë se njerëzit vërtet do ta shohin, dhe as nuk do të thotë se do ta kuptojnë mirë. Këtu del në pah e gjithë ajo që do të trasojë rrugën e një mediumi në Instagram. Ata që i kanë respektuar kërkesat e platformës dhe kanë arritur të krijojnë përmbajtjen që i pëlqen publikut, kanë pasur rritje të madhe. Shembujt konkretë do t'i përmendim në vazhdim të këtij teksti.

Është përgjegjësi e madhe e mediave të përcjellin informata në mënyrën e duhur, të marrin një klikim që të çon në faqen e tyre, që publiku të shikojë përsëri edhe storien tjetër.

A është e leverdishme të harxhosh burime për krijimin e përmbajtjeve kalimtare, për t'i plasuar ato te përdoruesit kalimtarë? Si do ta dijmë që ia vlejti?

5 storie në ditë do t'i mbajnë 70% të përdoruesve në përmbajtje

BBC News e ka përdorur Instagramin për të çuar trafikun në faqen e vet duke postuar storie të Instagramit me 3 lajmet më të mira të ditës, duke i mundësuar publikut të lëvizë gishtin lart për të lexuar tërë storien dhe për t'u regjistruar për emailë ditorë të BBC Newsit.

Këto storie kanë deri në 150,000 shikime dhe rreth 2,000 njerëz regjistrohet për newsletterin e përditshëm çdo ditë.

Përveç kësaj, çdo të premte BBC News bën një kuiz rreth storieve të veta në të cilat lexuesit u përgjigjen pyetjeve të sakta ose të rreme rreth lajmeve, duke dëshmuar se si BBC News komunikon me publikun dhe i edukon ata.

"Publiku, i pari në Instagram," tha Mark Frankel, redaktor i rrjeteve sociale në BBC News. "Kjo është mundësi për të arritur deri te publiku që përndryshe nuk do të ndiqte përmbajtjen tonë, duke rritur në të njëjtën kohë trafikun".

Sipas sqarimit të Frankelit, duke botuar deri në 5 storie në ditë, ju arrini shkallën e ruajtjes së publikut deri në 70%.

Sipas Social Insiderit, brendet mund të kalojnë me postimin e 5 storieve në ditë. Studimet tregojnë se kjo madje do t'i sillte brendit shkallën e mbajtjes së publikut deri në 70% nëse përdoruesit e tyre shikojnë storie.

pic 

Përdoruesit që nuk janë të interesuar për përmbajtjen e brendit ka shumë të ngjarë të largohen pas 3 storieve të para në Instagram. Rënia më e madhe është 12,99% që ndodh pas stories së parë. Pastaj vjen rënia prej 9,75% pas stories së dytë, dhe 8,12% pas stories së tretë.

Instagrami "na mundëson të arrijmë e të mbajmë publik të ri dhe të zhvillojmë një stil tjetër të rrëfimit", shpjegon Kevin Young, udhëheqës i departamentit për publikun në The Economist.

"Ndërsa mprehim fokusin tonë në identifikimin, arritjen dhe mbajtjen e gjeneratës së ardhshme të lexuesve dhe parapaguesve, ky komunitet prej më shumë se 3 milionë të rinjsh është i etur për lajme dhe po merret me ne më shumë se kurrë më parë në muajt e fundit", e ndau Young përvojën e tij në një blog personal në Medium.

Rezultatet e promovimit të përmbajtjes në Instagram ishin aq të mira saqë Young dhe ekipi i tij u nominuan për Ekipin e Vitit për Rrjetet Sociale në Drum Online Media Awards 2020.

Kjo qasje çoi në një rritje prej 180% të sugjerimeve në gjashtë muaj, me një rritje përkatëse nga 24% në 35% të pjesës së shikimeve të përgjithshme të faqeve të gjeneruara nga rrjetet sociale.

Mediat nuk kanë zgjidhje tjetër veçse t'u përshtaten këtyre përparimeve teknologjike, nëse duan të mbijetojnë dhe të përparojnë. Ky adaptim shumë mediave u solli rritje dhe zhvillim.

Pse të investojmë në zgjidhje kalimtare? Pse t'i japim shans stories së Instagramit?

Instagram story solli një mënyrë të re të shpalosjes së lajmit. Mediave iu dha mundësia të paraqesin vizualisht veten dhe përmbajtjen që krijojnë.

Krejt kjo ishte një mundësi për mediumin që të jetë "on top of mind" apo "në mendjen e publikut".

Kur kemi shkruar për brendimin e mediave, aty u veçua një fakt – se vetëm 32% e lexuesve përdorin "shkuarjen direkte në faqe apo aplikacion", derisa shumica përdorin format e shpërndara të zbulimit, makinat e kërkimit 25%, dhe rrjetet sociale 23%.

Këto të dhëna mund t'i interpretojmë asisoji që tashmë kemi besimin e 32% të lexuesve, dhe prandaj ata shkojnë direkt në portal për t'i lexuar lajmet. Rrjetet sociale janë mundësi e shkëlqyer për brendimin e mediave dhe për të fituar besimin e publikut, sepse mediat me storiet e tyre në Instagram u kujtojnë atyre çdo ditë se ata gjithmonë mund të presin përmbajtje të përditësuara, të verifikuara që janë të përshtatura me mënyrën e tyre të të konsumuarit.

Natyra kalimtare e këtij formati i cili zhduket pas 24 orësh do të thotë se lexuesit e dijnë se çdo ditë duhet të ndajnë kohë dhe t'i shohin storiet nëse duan që ato të mos u ikin.

Bukuria e kësaj epoke moderne është se tash ka përmbajtje për secilin. Mënyrat se si njerëzit mund të konsumojnë lajme dhe mundësitë për angazhim dhe interaksion sot janë të pafundme.

Ato media që këtë e kuptojnë me kohë do t'i shpërblejë edhe publiku edhe algoritmi.

Vlerësoni cilësinë e artikullit