Kushtet e këqija të punës, presioni dhe stresi, pakënaqësia me punën në disa media sot zgjidhen lehtë.
Nuk ka qenë kurrë më e thjeshtë dhe më e arritshme që një gazetar të hyjë në biznes dhe të fillojë diçka të vetën.
Kostot më nuk janë pengesë, sepse nuk keni nevojë të keni radiostacion të tërë, frekuenca e pajisje – ju mund të nisni podcast.
Nuk keni pse të dizajnoni revistë – mund të hapni portal online.
Mundësitë ekzistojnë, por bashkë me to vijnë edhe sfidat që i kemi analizuar në këtë tekst.
Kur fillon ndërmarrësia në gazetari?
"Nuk filloni të mendoni të bëheni ndërmarrës pasi pushoheni nga puna, por duhet të filloni të mendoni për gjëra të tjera që mund t'i bëni përveç punës suaj aktuale. Herët a vonë do t'ju duhet të ecni tutje. Ajo që duhet të dini është se do të ketë jetë edhe pas redaksisë dhe duhet të jeni të përgatitur për këtë".
Me këto fjalë në ligjëratën e tij, Lekan Otufodunrin, drejtor ekzekutiv i Media Career Development Network, ofroi sugjerime se si gazetarët mund të bëhen ndërmarrës të suksesshëm, me sfida të ndryshme me të cilat tani duhet të përballen.
Ndërmarrësia në gazetari nuk dallon nga ndërmarrësia në industri të tjera. Në treg, gazetarët konkurrojnë për punë, projekte dhe pozita më të paguara. Aftësitë themelore në një ndeshje tregu janë aftësi profesionale prej gazetari, por ato nuk janë vendimtare për suksesin. Vendimtar është rrjeti i kontakteve, aftësitë e shitjes dhe mënyra e komunikimit me punëdhënësit e mundshëm.
Mendësia ndërmarrëse e gazetarëve fillon zhvillimin në redaksinë ku fitohen aftësitë profesionale të hulumtimit, ndërtimit të storieve, shkrimit dhe redaktimit. Ajo që i veçon gazetarët është njohja e temës, njohja e teknologjisë, përdorimi aktiv i multimedias, gjetja dhe zgjedhja e burimeve.
Hapi tjetër në përvetësimin e aftësive ndërmarrëse në redaksi është komunikimi me publikun, ndërtimi i komunitetit.
Shkathtësitë dhe njohuritë e gazetarëve ndërmarrës
Në çastin kur gazetari/ja e gjen veten në një situatë ku duhet të bëjë lëvizje në karrierë dhe nga anëtari i redaksisë të bëhet pronar/e biznesi, shfaqen mundësitë dhe sfidat.
Përveç aftësive, njohurive dhe pasionit për të cilat hyhet në ndërmarrësi, është e nevojshme të përcaktohet se me ç’lloj ndërmarrjeje mediale duam të merremi.
Që mediumi të mbijetojë, është e nevojshme të përcaktohet paraprakisht se cilin problem po e zgjidhim dhe si do të paguhemi për këtë. Me fjalë të tjera, a po flasim për lansimin e një mediumi lokal apo rajonal, lansimin e një mediumi alternativ, mediumi inkluziv apo mediumi të komunitetit...
"Po ashtu, duhet të mendoni për rrjedhat e mundshme të të hyrave në kuptimin e asaj se kush do të paguajë për produktet dhe shërbimet tuaja, ndërsa duhet të përvetësoni njohuri dhe trajnime të nevojshme për sukses", shpjegoi Lekan Otufodunrin.
“Në përgatitjen për t'u bërë ndërmarrës, gazetarët duhet t'i kushtojnë më shumë vëmendje anës së biznesit të veprimtarisë mediale ku ata aktualisht punojnë. Nuk mjafton të dini vetëm për aspektet redaktoriale të biznesit, duhet të jeni të interesuar se si menaxhohet kompania, marketingu dhe shitjet".
Përmbajtja cilësore vazhdon të jetë elementi më i rëndësishëm i suksesit të një projekti të medias digjitale, por nëse jeni të përqendruar vetëm në krijimin e gazetarisë së mirë, biznesi juaj do të dështojë. Përmbajtja cilësore duhet të gjejë rrugën e vet te publiku në rrjetet sociale dhe makinat e kërkimit, duhet të ofrojë informata në një format që do të jetë interesant për publikun dhe fitimprurës për mediumin.
E gjithë kjo mbulohet dhe ndiqet nga analitika që do të japë përgjigjen “bardh e zi” për storiet të cilat i lexon publiku.
Gazetaria dhe shitjet
Sot, mediat shesin gjithçka.
Nuk është ky përshkrim i shëmtuar i skenës mediale sot, por përshkrimi real i biznesit medial.
Rregulli i parë i qëndrueshmërisë në biznes thotë: asnjëherë të gjitha vezët në të njëjtën shportë. Në këtë kontekst, kjo nënkupton diversifikimin e burimeve të të ardhurave sa më shumë që të jetë e mundur.
Burimet e të ardhurave mund të ndahen në dy kategori:
- ato që mund t'ju ndihmojnë të filloni projekt të ri
- ato që mund t'ju ndihmojnë të zhvilloni burime të qëndrueshme të të ardhurave me kalimin e kohës.
Nisja dhe zhvillimi i projekteve të reja realizohet me ndihmën e fondeve nga:
- fonde dhe grante të ndryshme
- crowdfunding
- investitorë privatë
- investitorë të specializuar për media, si The Media Development Investment Fund dhe Omidyar Networks
Burimet më të mira të të ardhurave afatgjata mund të jenë:
- donacionet nga lexuesit e organizuar në klube leximi dhe anëtarësimet
- ngjarjet, seminaret dhe konferencat
- shërbimet e konsulencës dhe trajnimit
- prodhimi i përmbajtjeve për klientët
- sindikimi i përmbajtjes së faqeve të mediave të tjera
- shitja e librave digjitalë dhe produkteve të tjera
- rrjetet e reklamave dhe programet filiale, si Google AdSense
- sponsorët dhe reklamuesit
- ofrimi i shërbimeve digjitale për klientët.
Drejtori ekzekutiv i The Media Career Development Network, Lekan Otufodunrin, në ligjëratën që e kemi përmendur në fillim të këtij teksti ka theksuar se prioriteti i gazetarëve duhet të jetë edhe zhvillimi i ndërmarrësisë e cila është e lidhur ngushtë me mediat, siç është inicimi i pubikimeve/organizimeve për transmetim, shërbimi i krijimit të përmbajtjes (content marketing), botueshmërisë dhe produksionit të pavarur të transmetimit.
Ai tha se gazetarët duhet të mendojnë edhe për shërbimet e konsulencës mediale, marrëdhëniet me publikun dhe trajnimet, gjegjësisht të gjitha shërbimet për të cilat kanë ekspertizë apo kapital të nevojshëm.
Si duket në praktikë kur gazetarët bëhen ndërmarrës
Portali Republik me seli në Zvicrën gjermanishtfolëse, i cili është hapur në janar të vitit 2018, ka grumbulluar më se 6 milionë dollarë nga financimi grupor dhe investitorët.
Themeluesit thonë se suksesi i faqes dhe mbështetja e lexuesve dhe investitorëve pasqyrojnë frustrimin e publikut me mediat kryesore zvicrane. Shumë janë ankuar në disa prej korporatave të mëdha mediale të cilat viteve të fundit I kanë blerë dhe I kanë bërë bashkë disa gazeta të pavarura zvicrane si dhe disa stacione të radios dhe televizonit, duke e qendërzuar tregun medial që dikur ishte i diversifikuar dhe duke e ulur cilësinë.
Stafi në të përditshmet kryesore në pronësi të Tamedias, për shembull, është ankuar për reklamat e rreme. Në të njëjtën kohë, valët e mëdha të investimeve vijnë nga djathtistët ekstremë, euroskeptikët, nga politikani që kundërshton migrimin Christopher Blocher të cilin mediat zvicrane e kanë akuzuar për promovimin e perspektivave të djathta në gazetën e dikurshme neutrale të cilën ai e kishte blerë viteve të fundit, duke përfshirë raportimin joproporcional, pozitiv për partinë popullore zvicrane të Blocherit.
Duke hapur faqen, buletinin dhe aplikacionin, Republik së fundmi ka publikuar një hulumtim lidhur me prokurorët në Zurich të cilët kishin angazhuar roje private banditësh për të kapur e për të marrë në pyetje të akuzuarit.
Republik ështe kompani fitimprurëse me 50 të punësuar me orar të plotë e të pjesshëm, plus freelancerët. Themeluesit kanë themeluar shoqatën Project R e cila kontrollon 49% të hises në biznes. Abonentët dhe donatorët e tjerë automatikisht janë aksionarë të Projektit R.
Gjashtë bashkëthemelues posedojnë rreth 35 për qind. Investitorët, të cilat në masë të madhe i kanë ndihmuar mbështetjes së këtij mediumi zvicran, kanë në posedim 15 përqindëshin e mbetur. Modeli i ofron këtij publikimi mënyrën legale të grumbullimit publik të fondeve, por siguron që të tjerët pos themeluesve dhe investitorëve të parë të mbajnë kontrollin e kompanisë.
Bashkëthemeluesja Clara Vuillemin ishte eksperte e teknologjisë interne kur u inicua mediumi Republik. Krijimi i mënyrës individuale të të menduarit ishte sfidë për të. Vuillemin thotë: "Kohëve të fundit po marr vendime të cilat asnjë gazetar/e nuk dëshiron t'i marrë".
Ajo i shkurtonte shpenzimet e redaksisë. Shpenzimet ishin më të mëdha se të hyrat. Këto shifra duhet të kthehen mbarë nëse duan të gjejnë investitorë të rinj. Publikimi ka 18,000 abonentë, por nevojiten së paku 25,000 sosh për të qenë të qëndrueshëm, thotë ajo. Kërkojnë edhe 1 milion dollarë financim që do t'u ndihmonte të mbijetojnë, ndërsa janë duke ndërtuar bazën e lexuesve që paguajnë.
Zhvillimi i aftësive ndërmarrëse dhe hyrja në ndërmarrësi është kapitulli i ri në zhvillimin e karrierës në media. Nganjëherë arsyet janë kushtet e këqija me të cilat nuk pajtohet gazetari/ja, nganjëherë dëshira për të ndryshuar imazhin e mediumit. Pavarësisht arsyes, sfidat e mbijetesës në treg mbesin të njëjta.