Si të bëheni TikTok gazetar/e

10.01.2023. / 10:30

 

Platforma TikTok nga viti në vit po bëhet gjithnjë e më e rëndësishme në gazetari, sidomos në segmentin e ndërtimit të publikut më të ri dhe kontakteve me ta. Në TikTok, mund të realizoni dialog të afërt me publikun tuaj të synuar, të merrni komente, t'u përgjigjeni pyetjeve dhe të jeni në dispozicion. Askund tjetër sot të rinjtë nuk janë aq aktivë në komente sa në TikTok. Pikërisht këtu ju mund të keni mundësinë të merrni përgjigje të drejtpërdrejta për përmbajtjen tuaj. Kështu, ju mund të zhvilloni tutje përmbajtjen, por edhe të ndërtoni marrëdhënie me publikun tuaj.

TikToku është këtu dhe është e rëndësishme ta shfrytëzoni

Edhe pse duket ashtu, nuk është e lehtë të publikoni lajme në TikTok. Algoritmet e TikTokut mund të jenë sfiduese, e prioriteti i lajmeve mund të mos jetë i njëjtë si në platformën tuaj kryesore – uebfaqen tuaj. Disa tema që ne i konsiderojmë të rëndësishme janë të vështira për t'u përhapur në TikTok, sidomos për shkak të algoritmeve të vendosura ndryshe.

Në të njëjtën kohë, TikToku po vendos një standard të ri industrial dhe me siguri do të ndryshojë shprehitë e shikimit të videove dhe do të ndihmojë në formimin e mënyrës se si do të prodhohen lajmet në të ardhmen. Edhe nëse ky aplikacion nuk do të jetë i pranishëm, video formati i këtillë do të vazhdojë përmes platformave të tjera. Tashmë mund të shohim se tendenca të ngjashme po përdoren edhe në Instagram dhe Facebook stories/reels.

"Nëse nuk e ndiqni avancimin rreth asaj se si njerëzit krijojnë komunitete, se si njerëzit flasin me njëri-tjetrin në ato komunitete, si mund t'i përdorim më pas për të mbledhur lajme dhe për të treguar storie, atëherë do të jetë gjithnjë e më e vështirë të kapeni"thotë gazetarja Laura Garcia.

Po ashtu, në TikTok kemi kohë të shkurtër për të tërhequr vëmendjen e shikuesve. Dhe mbase do t'ju duhet të investoni kohë për të gjetur ekuilibrin e duhur në mënyrën se si i shpalosni lajmet dhe se si i përdorni gazetarët për ta bërë këtë gjë. Dalja e gazetarëve në video i kontribon besimit, sepse përdoruesit lidhen me personin, jo me mediumin. Kësisoji, ju krijoni besim dhe i bëni lajmet tuaja më të besueshme. Në këtë rast mund të jetë e dobishme edhe nëse videot tuaja i përshtatni me dukjen e të tjerëve, sepse këtu publikut i pëlqejnë standardet që shprehen përmes grafikës, shkronjave, muzikës.

“Si gazetarë, është përgjegjësia jonë të jemi në kontakt me publikun, të mësojmë për publikun tonë, të dimë se çfarë po flasin, të dimë se çka është në trend dhe të kuptojmë se çka u intereson, sepse lajmet tona vijnë nga njerëzit. ”thotë gazetarja Monika Plaha, e cila ndiqet nga 83.000 persona në TikTok.

Do ta keni të vështirë të balanconi faktin që publiku në këtë rrjet të ndryshojë qëndrimin se kur shohin gazetarë po përgatitet diçka “e vështirë”, por kjo nuk është e pamundur. Eksperimentoni, përpiquni të përdorni vetëm zë dhe grafikë në sekondat e para dhe vetëm atëherë lëreni gazetarin të shfaqet, le të tërheqë përmbajtja vëmendjen, e pastaj gazetari.

Çka duhet të keni parasysh kur krijoni identitet medial në TikTok

Për të kuptuar përmbajtjen që duhet të shpalosni në këtë platformë, së pari duhet të gjeni ekuilibër mes frymëzimit nga të tjerët dhe krijimit të diçkaje unike.

Do të ju duhet të jeni të pranishëm në TikTok, të ndiqni media të tjera, gazetarë të tjerë, por edhe përdorues të tjerë, para se të filloni të krijoni përmbajtjen tuaj. Ndërsa shikoni videot, vendosni se si mund të përshtatet ajo që dëshironi të thoni në përmbajtjen ekzistuese. Ndoshta ekziston ndonjë këngë hit së cilës mund t'ia ndryshoni tekstin.

Përmbajtja më e mirë mediale u mëson shikuesve diçka pa e kuptuar as ata vetë. Bisedoni me përdoruesit e TikTokut për të zbuluar se çfarë lajmesh duan dhe si duan t'i marrin ato. Kur krijoni përmbajtjen tuaj, përdorni gjuhë të thjeshtë dhe ton miqësor.

Mos u mbështetni vetëm në tingullin e zërit tuaj. Grafika dhe teksti në ekran, si dhe muzika, mund t'ju ndihmojnë të shpjegoni shpejt dhe qartë konceptet.

Përvetësoni të gjitha këto dhe do të zbuloni se arti i TikTok gazetarisë rrit njohuritë tuaja për temat që mbuloni dhe përmirëson praktikën tuaj. Kjo është për shkak se ju duhet të arrini shpejt në thelbin e stories dhe rëndësinë e saj për publikun.

Në fillim të vitit të kaluar Journo Resources ka përpiluar një listë me 45 gazetarë dhe media që mund të jenë frymëzimi juaj për krijimin e kanalit tuaj që do të jetë i suksesshëm në shpalosjen e lajmeve. Analizoni profilet e tyre – besojmë se mund të jenë të dobishëm për ju.

Ocijenite kvalitet članka