Steve AI: Vegla e cila me ndihmën e inteligjencës artificiale krijon video të mrekullueshme

17.08.2022. / 09:12

Për rritjen e përdorimit të videos dhe potencialin e saj për të arritur publikun dhe për të përhapur lajmin tashmë kemi shkruar në disa raste. Nuk ka dyshim se sot përdorimi i videove për punë në media, edhe kur merreni me gazetari të shkruar, është bërë i domosdoshëm. Kësaj i ka kontribuar edhe përhapja e përdorimit të rrjeteve sociale për mbajtjen e publikut, sidomos në platformat të cilat videon e kanë në thelbin e veprimtarisë së tyre, si YouTube, si dhe gjithnjë e më shumë në platformat e tjera të mëdha si Facebooku, Instagrami, TikToku e Twitteri.

Nga ana tjetër, inteligjenca artificiale bëhet gjithnjë e më e përdorur në veglat për krijimin e videove. Ajo lehtëson procesin e montazhit të videove dhe përmes rezultateve të shkëlqyera u mundëson gazetarëve të krijojnë video të mrekullueshme profesionale.

Sot po ju shpalosim një vegël të tillë.

Rregulluesi i videove Steve AI ju ndihmon që klipet tuaja të papërpunuara t'i shndërroni në video shumë profesionale për vetëm disa minuta.

Steve AI është vegël SaaS që ju mundëson të krijoni shpejt dhe në mënyrë kreative video dhe animacione. Kjo vegël është e shkëlqyer për krijuesit e videove, ekspertët e marketingut, sepse ju mundëson të krijoni video të mahnitshme në kohë të shkurtër.

Nëpërmjet veglës Steve AI, mund të krijoni çfarëdo video siç janë videot në YouTube, Instagram, dhe videot në Facebook, karikatura ose video të animuara, dhe t'i konvertoni postimet e blogut tuaj ose përmbajtjet në video.

Drejtori ekzekutiv i Animakerit, Raghav thotë: "Në botë sot ka mbi 200 milionë përdorues që përdorin programe për krijimin e videove. Nga startupet te prezentimet korporative, video të mediave sociale, video të mësimit dhe zhvillimit, video demonstrimet me shpjegime dhe lansime të produkteve – ne përdorim video kudo dhe kurdo. Megjithatë, kurrë nuk kemi pasur vegël për video që kërkon më pak përpjekje nga ne".

Karakteristikat interesante që ka kjo vegël

Ka shumë gjëra interesante dhe të dobishme për gazetarët në këtë vegël. Dhe ndoshta veçoria më e rëndësishme është thjeshtimi i krijimit të videove. Steve AI thjeshton procesin e konvertimit të tekstit tuaj në video të mrekullueshme në kohë shumë të shkurtër. Vegla automatizon detyra të gjata dizajni dhe ju ndihmon të kurseni kohën e vlefshme.

Kjo vegël gjithashtu ofron edhe shabllone të gatshme për ringjalljen e vizionit tuaj. Ajo vjen me shumë shabllone për krijimin e videove tuaja. Keni shabllone për video të marketingut, video të rrjeteve sociale, video të reklamave, video për trajnime, video korporative, si dhe video të lajmeve dhe redaksive.

Përmbajtjen tuaj mund ta transformoni në video të animuara të cilat do të jenë më bindëse me Steve AI. Përmban shumë karaktere dhe ngjarje të gatshme, dhe kësisoji mund të krijoni thjesht videon tuaj të animuar nëpërmjet avatarëve njerëzorë.

Po ashtu, fotografitë tuaja mund t'i konvertoni në video të bukura. Mund të zgjedhni në mesin e 100+ shablloneve për krijimin e fotografitë tuaja në video të mrekullueshme. Shabllonet inteligjente ju mundësojnë krijimin e videove moderne të adaptuara për përdoruesin nga përmbajtja individuale.

Me këtë vegël ju vjen një përzgjedhje prej 1000+ videove të gatshme të cilat mund të adaptohen. Vegla përbëhet nga skripta të gjeneruara automatikisht të cilat i aktivizon AI. Mund të përdorni grafika të pasura, fotografi e video nga biblioteka e tyre.

Si të krijoni video në mënyrë inovative duke përdorur veglën Steve AI

Së pari, duhet të krijoni llogari nëpërmjet emailit tuaj dhe profilit ekzistues në Google ose Facebook. Pastaj do të ridrejtoheni te Steve AI Dashboard dhe mund të merrni udhëzime apo doracakë për krijimin e videove.

Për të krijuar video të re, klikoni në opsionin për krijim. Do t'ju jepet opsioni për krijimin e videove horizontale, vertikale apo katrore. Po ashtu, mund të zgjidhni mes videos live dhe animacionit.

Nëse zgjedhni opsionin e videos live (Script to Live video), do t'ju shfaqet një ekran i vogël Auto Generate Script. Mund të ndryshoni llojin e videove tuaja në live apo të animuar dhe të vendosni për video vertikale, horizontale ose katrore në opsionin Video Ratio. 

steve

Po ashtu mund të keni skripta të përgatitura paraprakisht për videon tuaj në opsionin kategoritë, të cilat mund t'i ndreqni automatikisht me skenarin tuaj të përgatitur nëse nuk ju përshtatet skenari i propozuar. Skriptat e përgatitura janë në anglisht, dhe kjo nuk do t'ju ndihmojë nëse punoni me ndonjërën nga gjuhët e Ballkanit Perëndimor. Pas vendosjes së skriptës, zgjidhni stilin e dizajnit të videos, e më pas vazhdoni me përpunimin dhe finalizimin e videos. Direkt në secilin slajd mund të ndryshoni animacionet, imazhin e sfondit apo videon, të ndryshoni skriptën dhe të shtoni fjali të reja. Mund të ndryshoni edhe ngjyrën e shkronjave, dhe të shtoni muzikë. Për fat të keq, shtimi i zërit automatik është në dispozicion vetëm për gjuhën angleze.

Zgjidhni cilëndo skriptë nga dritarja kërcyese dhe secila skriptë do të ndahet në skena të ndryshme. Çdo skenë është stock tjetër i videos apo imazhit.

Pasi t'i rregulloni të gjitha skenat, klikoni në Publish ku do të mund të shkarkoni videon tuaj, ta dërgoni përmes emailit apo ta shpërndani direkt në Facebook, Twitter ose Reddit.

Ne kemi krijuar një video të shkurtër për nevojat e këtij teksti, dhe na janë dashur disa minuta për ta realizuar atë, shikoni në vazhdim:

 

Për fat të keq, kjo vegël nuk mbështet alfabetin cirilik prandaj nuk ka mundësi të përdoret për maqedonishten apo boshnjakishten në alfabetin cirilik. 

Çmimi

Kjo vegël ofron edhe mundësinë e përdorimit falas, por natyrisht me kufizime të caktuara.

Në versionin falas ju mundësohen tri shkarkime gjatë muajit, me vulën e tyre të detyrueshme. Videoja xhirohet në rezolucion 720p, me mundësinë e përdorimit të formateve të ndryshme (vertikale, horizontale, katrore). Ofron mundësinë e një numri të madh videosh dhe fotografish nga biblioteka e tyre, ndërsa mund të shtoni edhe videot dhe fotografitë tuaja si dhe t'i kombinoni në kreacionet tuaja. Mund të përdorni edhe karaktere të animuara me një numër të madh veprimesh të këtyre karaktereve.

Përveç versionit falas, ekzistojnë edhe katër paketa me pagesë: Basic, Starter, Pro i Enterprise.

Paketa basic kushton 9 dollarë në muaj, ju lejon të shkarkoni deri në 5 video në muaj, pa vulë të detyrueshme, si dhe mundësinë e pagesës shtesë për shkarkimin e videove të tjera me çmimin prej 5 dollarësh për video.

Starter kushton 30 dollarë në muaj dhe me të fitoni rezolucion 1080p, 15 video në muaj si dhe 10 zëra të ndryshëm për gjuhën angleze.

Paketa pro kushton 40 dollarë në muaj dhe përveç këtyre që i përmendëm më parë, ofron edhe mundësinë për shkarkimin e 40 videove në muaj, rezolucion 2K, 20 zëra të ndryshëm për gjuhën angleze, si dhe shumë video dhe fotografi të hapura për përdorim.

Paketa Enterprise vjen e përshtatur për çdo përdorues dhe kështu edhe çmimi dallon sipas përdoruesit.

Eksploroni të gjitha mundësitë që ofron kjo vegël, dhe sipas nevojave tuaja vendosni se cilën nga paketat e ofruara do të përzgjedhni.

Për mediat, kjo dhe veglat e ngjashme si kjo mundësojnë krijimin e shpejtë dhe përmbledhjen e formave të gjata të përmbajtjes mediale, por lehtësojnë edhe krijimin e reklamave për klientët potencialë të marketingut. Edhe pse veglat e këtilla nuk janë të përsosura, ato përmbushin synimin e përshpejtimit të procesit të prodhimit të përmbajtjes multimediale që në çdo redaksi sot është element i rëndësishëm për komunikimin me publikun.

Ocijenite kvalitet članka