Të kuptuarit e modeleve të nevojave të përdoruesve: elementi thelbësor i gazetarisë

12.04.2023. / 10:46

Njerëzve të ndryshëm u duhen informata të ndryshme nga mediat.

Si t'u ofrojmë të gjithëve ato që u nevojiten pa i dërrmuar me lajme që nuk do të lexohen?

Nevojat e publikut shkojnë përtej vetë fakteve dhe burojnë nga nevoja themelore njerëzore për të kuptuar botën përreth, për të qenë në gjendje të përfshihen në bisedë, të ndajnë informata me të tjerët dhe të vërtetojnë nëse diçka është e keqe apo e mirë, e gabuar apo e drejtë.

Vitin e kaluar kemi shkruar për nevojën e shtuar për të përfshirë modelet e nevojave të përdoruesve brenda redaksive të mediave, që përmbajtja e plasuar të jetë në përputhje me nevojat e publikut për të cilën ju raportoni.

Modeli i nevojave të përdoruesve në gazetari është kornizë që vë në pah të kuptuarit dhe përmbushjen e nevojave të përdoruesve të lajmeve. Modeli fokusohet në përshtatjen e përmbajtjes dhe ofrimin e gazetarisë për të përmbushur më mirë nevojat, preferencat dhe sjelljet e publikut. Modeli i nevojave të përdoruesve konsideron se gazetaria duhet të jetë e përqendruar te përdoruesi, me theks të veçantë te kuptimi dhe adresimi i nevojave të publikut për informata, në vend se të prodhojë thjesht lajme të bazuara vetëm në gjykimin redaktorial ose traditën.

Modeli i nevojave të përdoruesve, i krijuar nga BBC World Service, që nga hartimi i tij në vitin 2016 e deri më sot ka ardhur duke ndryshuar dhe duke iu përshtatur nevojave të përdoruesve, dhe sot flitet për modelin 2.0 të nevojave të përdoruesve, të publikuar sivjet nga Dmitry Shishkin (krijuesi i modelit origjinal) dhe bashkëthemeluesi i Smartoctos Rutger Verhoeven. Modelet ndryshonin sipas përvojës dhe të dhënave që mblidheshin, dhe sipas mënyrës se si, ku dhe pse funksiononte vetë modeli.

Siç tregojnë në Smartocto, nevojat e përdoruesve 2.0 tani bazohen në katër boshte:

  1. Të dish
  2. Të kuptosh
  3. Të ndjesh
  4. Të punosh

Përveç këtyre katër boshteve, modeli bazohet në tetë nevojat kryesore të përdoruesve, që janë dy më shumë se që ishte rasti me versionin 1.0.

eh

Dusan Masic, gazetar me përvojë dhe drejtues i zhvillimit të biznesit në BBC World Service, në Master Classin e tij katër vjet më parë shpalosi veglat dhe strategjitë për të tërhequr publik më të ri, e që gjithashtu mbështetet në ndërtimin e një koncepti të nevojave specifike të përdoruesve, në këtë rast një publiku më të ri. Videoja është me titra në maqedonisht, shqip dhe në BHS.

Master Class: Veglat dhe strategjitë për tërheqjen e publikut të ri - YouTube

Model i nevojave të përdoruesit zakonisht përfshin disa komponentë bazë:

  1. Hulumtimi i publikut: Ky komponent përfshin studimin dhe analizën e karakteristikave, preferencave dhe sjelljes së publikut të synuar ose përdoruesve të përmbajtjes mediale. Mund të përfshijë sondazhe, intervista, fokus grupe dhe metoda të tjera për të mbledhur njohuri se çka dëshiron publiku, çfarë informatash u nevojiten, si i konsumojnë lajmet dhe cilat formate apo platforma preferojnë.
  2. Krijimi i përmbajtjes së fokusuar te përdoruesi: Duke u bazuar në hulumtimin e publikut, gazetarët dhe mediat mund të krijojnë përmbajtje që plotësojnë nevojat e publikut për informata. Kjo mund të përfshijë prodhimin e lajmeve, raporteve, përmbajtjeve multimediale dhe formateve të tjera që janë relevante, në kohë të duhur, dhe tërheqëse për publikun e synuar.
  3. Angazhimi i publikut: Modeli i nevojave të përdoruesve gjithashtu thekson ndërtimin dhe ruajtjen e marrëdhënieve me publikun përmes angazhimit aktiv. Kjo mund të përfshijë përdorimin e mediave sociale, buletinëve, komenteve në media sociale dhe kanale të tjera për të bashkëvepruar me përdoruesit, për të mbledhur komente dhe për të kuptuar nevojat e tyre në zhvillim e sipër.
  4. Personalizimi dhe përshtatja: Ky model pranon se publiku ka interesa, preferenca dhe nevoja të ndryshme për informata. Prandaj mediat mund të përshtatin strategjitë e tyre për të personalizuar dhe përshtatur shpërndarjen e përmbajtjes te përdoruesit veç e veç ose te segmente specifike të publikut. Kjo mund të përfshijë përdorimin e algoritmeve, analitikës së të dhënave dhe profilizimin e përdoruesve për të ofruar përmbajtje që është e rëndësishme dhe domethënëse për secilin përdorues.
  5. Vlerësimi dhe përmirësimi i vazhdueshëm: Mediat duhet të vlerësojnë dhe përmirësojnë rregullisht përmbajtjen dhe strategjitë e shpërndarjes duke u bazuar në informatat e publikut dhe nevojat e ndryshueshme.

Të kuptuarit e nevojave të përdoruesve përfshin marrjen e njohurive mbi preferencat, pritjet dhe sjelljet e publikut të synuar. Ky pasqyrim mund t'u ndihmojë gazetarëve të përshtatin përmbajtjen e tyre për të përmbushur nevojat e publikut të tyre. Ai ka për qëllim të sigurojë që gazetaria të mbetet relevante, e angazhuar dhe me ndikim në një mjedis medial që zhvillohet me shpejtësi të madhe.

"Çdo redaksi mund të jetë e suksesshme për sa kohë që konstaton se produkti i saj përshtatet në treg dhe se rezultatet e saj në mënyrë strategjike, të vazhdueshme dhe kreative plotësojnë nevojat e përdoruesit/publikut", - thuhet në artikullin Modeli i nevojave të përdoruesve për mediat, të publikuar në smartocto.com.

Përveç këtyre komponentëve thelbësorë të këtij modeli, rëndësia e besimit, besueshmërisë dhe etikës është e madhe për të pasur një qasje cilësore dhe profesionale ndaj përdoruesve.

Rëndësia e informatave të besueshme dhe besimit të publikut që konsumon media të caktuara është element i rëndësishëm për ndërtimin e marrëdhënieve me publikun. Të kuptuarit e nevojave të përdoruesve mund t'u ndihmojë mediave të krijojnë besim me publikun e tyre, duke ofruar përmbajtje të saktë e të besueshme. Për të kuptuar nevojat, mediat shpesh përdorin vegla të inteligjencës artificiale, të cilat sigurisht mund të ndihmojnë në verifikimin e fakteve, verifikimin e burimit dhe zbulimin e dezinformatave ose lajmeve të rreme. Duke përdorur inteligjencën artificiale për të siguruar saktësinë dhe besueshmërinë e përmbajtjes së tyre, mediat mund të krijojnë besim te publiku i tyre, gjë që është qenësore në një epokë të mbingarkesës me informata dhe përhapjes së lajmeve të rreme.

Por, kur flasim për inteligjencën artificiale dhe dobinë e saj, një pyetje etike është e pashmangshme. Konsideratat etike janë të domosdoshme në gazetari dhe veglat e bazuara në inteligjencën artificiale duhet të përdoren në përputhje me parimet e gazetarisë dhe udhëzimet etike. Të kuptuarit e nevojave të përdoruesve mund t'u ndihmojë gazetarëve të lëvizin nëpër sfida etike që lidhen me inteligjencën artificiale, si paragjykimi, privatësia dhe transparenca. Për shembull, algoritmet e inteligjencës artificiale mund të përjetësojnë pa dashje paragjykimet në përmbajtjen e lajmeve ose të shkelin pa dashje privatësinë e përdoruesit. Thjesht, veglat që përdorin inteligjencën artificiale nuk janë ende mjaft të sofistikuara për t'i shmangur këto shqetësime, dhe duke qenë se sfera online është e vërshuar me informata të rreme dhe dezinformata, kjo çështje bëhet jashtëzakonisht e rëndësishme. Duke kuptuar nevojat e përdoruesve dhe duke qenë të ndërgjegjshëm për çështjet etike, gazetarët mund të sigurojnë që inteligjenca artificiale të përdoret me përgjegjësi dhe në interesin më të mirë të publikut.

Shumë media në mbarë botën po e përvetësojnë këtë model të nevojave të përdoruesve, si BBC, Buzzfeed, Wall Street Journal, Vogue, TRT e Culture Trip. Qoftë duke përdorur modelin e krijuar fillimisht nga BBC-ja qoftë duke hartuar modelet e tyre, shumë redaksi shohin përfitime të mëdha nga kjo qasje.

"S'ka dyshim se përvetësimi i një strategjie duke u bazuar në nevojat e përdoruesve mund t'u ndihmojë redaksive të rrisin angazhimin. Gjithashu, e dimë se njoftimet inteligjente mund të kenë efekt transformues në kulturën dhe rrjedhën e punës së ekipeve redaktoriale. Kombinimi i të dyjave duhet të krijojë një zgjidhje të fuqishme për t'u mundësuar redaksive të lidhen më mirë me publikun e tyre – dhe atë për më gjatë”, tha Rutger Verhoeven, CMO në Smartocto.

Të kuptuarit e nevojave të përdoruesve është një nga elementët më të rëndësishëm në gazetari. Duke përafruar preferencat, pritshmëritë dhe sjelljen e publikut, mediat mund të krijojnë gazetari të personalizuar dhe më të fokusuar te publiku, dhe për rrjedhojë gazetari më efektive dhe më të besueshme.

Ocijenite kvalitet članka