Teknologjitë për njohjen e fytyrës

06.04.2022. / 10:43

Teknologjitë për njohjen e fytyrës po bëhen gjithnjë e më të sofistikuara në botën digjitale. Tash e një kohë të gjatë ato përdoren në aspekte të ndryshme – nga kompanitë që identifikojnë punëtorët e tyre në këtë mënyrë e deri te hapja e telefonit.

Softuerët që njohin, hartëzojnë, analizojnë dhe konfirmojnë identitetin e fytyrës në një foto ose video janë shndërruar ndër veglat më të fuqishme të monitorimit si kurrë më parë. Derisa shumë njerëz komunikojnë me njohjen e fytyrës vetëm si mënyrë për të hapur telefonat e tyre ose për të kategorizuar fotografitë e tyre, mënyra se si kompanitë dhe qeveritë e ndryshme e përdorin atë do të ketë ndikim shumë më të madh në jetën e njerëzve dhe do të nxisë polemika e debate për një kohë të gjatë.

Nga ana tjetër, aplikacione të tilla mund të jenë shumë të dobishme në gazetarinë hulumtuese, duke ofruar një vegël të shkëlqyer për gjurmimin e disa figurave publike të përfshira në storiet që hulumtohen.

Ç'është teknologjia e njohjes së fytyrës

Njohja e fytyrës është mënyrë e përdorimit të teknologjisë për identifikim personal apo grupim të individëve në imazhe, fotografi dhe video.

Njohja e fytyrës përdor hyrje optike për të analizuar fotografinë, në këtë rast duke shikuar specifikisht fytyrat që paraqiten në fotografi. Kjo teknologji u mundëson kompjuterëve të identifikojnë dhe kuptojnë objektet dhe njerëzit në fotografi dhe video.

Njohja e fytyrës është formë e inteligjencës artificiale (AI) që imiton aftësinë e njeriut për të identifikuar fytyra. Njohja e fytyrës është mënyrë për të identifikuar ose konfirmuar identitetin e një individi me ndihmën e fytyrës së tij. Sistemet e njohjes së fytyrës mund të përdoren për të identifikuar njerëz në fotografi, video ose në kohë reale. Në këtë mënyrë, mediat mund të kenë pasqyrë jashtëzakonisht të mirë të lëvizjes së personave me interes për storiet e tyre.

Njohja e fytyrës është kategori e sigurisë biometrike. Forma të tjera të softuerit biometrik përfshijnë njohjen e zërit, njohjen e gjurmëve të gishtërinjve dhe njohjen e retinës ose të irisit të syve. Teknologjia përdoret kryesisht për sigurinë dhe zbatimin e ligjit, megjithëse ka interes të shtuar në fusha të tjera të përdorimit, siç është gazetaria.

Njohja e fytyrës Azure

Microsoft Azure Face API ofron algoritme të avancuara që zbulojnë fytyrat në fotografitë digjitale. Face API mund të zbulojë një ose më shumë fytyra në fotografi dhe të shfaqë fytyrat e kornizuara për t'i nxjerrë ato në pah në fotografi. Gjithashtu paraqet atributet që përfshijnë parashikimet e vijave së fytyrës duke u bazuar në mësimin makinerik. Atributet përfshijnë moshën, gjininë, emocionin, pozën, buzëqeshjen dhe leshin e fytyrës, me 27 orientime të tjera për çdo fytyrë të identifikuar në fotografinë e dhënë.

Këtë aplikacion e veçon edhe Rrjeti Global i Gazetarisë Hulumtuese si një nga veglat potenciale për hulumtimin e personave me ndikim nga Rusia.

Microsoft Azure Face API mund:

  • Të zbulojë fytyrat dhe të kërkojë ngjashmëri

  • Të bashkojë fotografitë në grupe duke u bazuar në ngjashmëritë e tyre vizuale

  • Të identifikojë të gjithë personat e shenjuar më parë në fotografi

Pasi Face API identifikon fytyrat, vegla bën një vlerësim besueshmërie për të verifikuar nëse dy personat në një ose disa foto janë të njëjtë, ose e krahason me bazën e të dhënave për të zbuluar nëse tashmë ekziston një fytyrë identike. Face API përdor karakteristika të përbashkëta vizuale për të grupuar një fytyrë me dukje të ngjashme.

Procesi i njohjes së fytyrës është si në vijim:

  • Fotografia është e shkrepur

  • Softueri AI i njohjes së fotografive lexon gjeometrinë e fytyrës në foto duke parë distancën midis karakteristikave thelbësore të fytyrës, duke krijuar një model unik të fytyrës

  • Shablloni i fytyrës krahasohet me një databazë të personave të njohur, të ruajtur ose në dispozicion

  • Identifikimi realizohet me sukses nëse gjendet përputhja në një databazë ekzistuese

Problemi i privatësisë dhe etikës

Siç thonë në Rrjetin Global të Gazetarisë Hulumtuese, është e rëndësishme t'u kushtoni vëmendje rreziqeve që hasni kur përdorni aplikacionet e njohjes së fytyrës.

"Vegla Blacklight e Markupit, e cila skanon dhe liston teknologjitë e gjurmimit të përdoruesve në faqet e internetit, ka gjetur një "regjistrues sesioni" në faqen Findclone, që do të thotë se mund të gjurmojë shtypjet e butonit të miut dhe të tastierës që ju i bëni. Blacklight gjithashtu ka zbuluar se Pimeyes "duket se përdor veçorinë [Google Analytics"] të 'audience remarketing' që u mundëson përdoruesve të ndjekin reklamat e synuara online".

Prandaj lexoni me kujdes kushtet e përdorimit të këtyre aplikacioneve, si dhe mundësitë e ofrimit të shërbimeve e madje edhe ligjet, pasi kjo është temë shumë e ndjeshme.

Megjithatë, pavarësisht shqetësimeve të privatësisë, njohja e fytyrës mund të dëshmohet si vegël e vlefshme për gazetarët hulumtues që ndoshta dëshirojnë të identifikojnë dhe pastaj të hulumtojnë njerëzit që i shohin në videot e postuara në internet.

Kështu, si precedent, prokurorët e Gjykatës Penale Ndërkombëtare kanë përdorur videot e postuara në rrjetet sociale për të lëshuar një urdhërarrest në vitin 2017 ndaj personit që u pa në video duke bërë atë që prokurorët thonë se ishte krim lufte.

Në vitin 2020. Komisioni Evropian ka shqyrtuar ndalimin e teknologjisë së njohjes së fytyrës në hapësirat publike deri në pesë vjet, që të lejonte kohë për të hartuar një kornizë rregulluese për të parandaluar shkeljet e privatësisë dhe etikës. Deri më sot nuk është bërë shumë në këtë drejtim.

Dispozitat e ardhshme të BE-së të cilat Komisioni Evropian i ka shpalosur vitin e shkuar do t'i klasifikonin sistemet e identifikimit biometrik si sistem me rrezikshmëri të lartë për shkeljen e privatësisë, derisa për qëllime zbatimi të ligjit përdorimi i veglave të tilla në publik është i ndaluar.

Teknologjitë e reja si kjo hapin një varg mundësish, por edhe çështje të hapura privatësie dhe sigurie për të cilat sigurisht do të flitet në vitet e ardhshme. Se sa dhe si do të jenë në dispozicion të gazetarëve dhe si do të përdoren në gazetari, kjo mbetet të shihet.

Ocijenite kvalitet članka