Aplikacionet mobile të lajmeve: A duhen dhe kur duhen krijuar

01.11.2022. / 08:08
Autor/ica
Share
mobile apps
mobile apps

Në këtë epokë të përshpejtuar digjitale industria e mediave përballet me sfida dhe mundësi të reja për të ardhur deri te publiku. Dikur ishte shumë më e thjeshtë dhe njerëzit merrnin informata përmes tri mediave klasike: gazetave, televizionit dhe radios. Sot, në epokën digjitale, publiku mori shumë opsione për konsum të lajmeve. Sfera online dhe portalet e lajmeve fituan rastin për të qenë shumë më të shpejtë se mediat klasike dhe me "shpejtësinë e dritës" t'ia pasojnë publikut lajmet.

Për shkak të sfidave të këtilla, mediave klasike iu është dashur të përshtateshin dhe ta zgjeronin veprimtarinë e tyre, dhe kështu shumica e mediave të shtypura, por edhe radiotelevizionet, krijuan portalet e tyre që edhe përmes atyre kanaleve të ofronin përmbajtjen e tyre dhe të vazhdonin garën për tërheqjen e publikut. Përveç kësaj, me paraqitjen e telefonave të mençur u shfaqën edhe aplikacionet mobile.

Sot gati të gjithë përdorim së paku një aplikacion mobil në ditë. Për të kontrolluar llogarinë tuaj bankare, për të shfrytëzuar rrjetet sociale, për të blerë rroba a për të kërkuar rrugën deri te restoranti – sot për gjithçka ekziston një aplikacion.

Në këtë gatë për publikun përfshihet edhe industria e mediave duke krijuar aplikacione të lajmeve në pajisjet mobile. Por, ekziston një varg hapash që të gjitha organizatat por edhe mediat duhet t'i kalojnë që aplikacioni i tyre të korrë sukses.

Zhvillimi i aplikacioneve mobile

Shpikjet e aplikacioneve në pajisjet mobile ndjekin zhvillimin e telefonave celularë.  Steve Jobs që në vitin 1983 aludonte në App Store – së paku në versionin e tij të thjeshtë. Ai e pa App Storein si vendin ku do të bliheshin softuerë. Me lansimin e iPhoneit në qershor të vitit 2007 u zhvilluan edhe aplikacionet burimore, ndërsa një vit më vonë u lansua edhe App Store.

Katër vjet më vonë, Google lansoi versionin e vet të dyqanit të aplikacioneve, Google Play, ku zunë vend të gjitha aplikacionet në dispozicion për përdoruesit e Androidit. Ndërsa më parë ekzistonin tregje të ndara për përdoruesit e Androidit, kryesisht Android Market, Google Books dhe Google Music, në fund u vendos të shkriheshin në një dyqan më të madh të aplikacioneve për treg masiv.

Ndërsa rriteshin nevojat e përdoruesve të celularëve zhvilloheshin edhe aplikacionet në dyqanet mobile.

Duke pasur parasysh se shumica e njerëzve tani kanë telefon celular, ajo që i bën aplikacionet mobile kaq të popullarizuara është fakti se qasja në to është e lehtë dhe, si rrjedhojë, thjesht ta bëjnë jetën shumë më të mirë.

Sot ka me miliona aplikacione mobile. Ka aplikacione për rrjete sociale, banking, udhëtime, shëndet, fitnes, lajme, kalendarë, lojra, për ç'të duash ka sigurisht aplikacion.

Matthew Panzarino, bashkëredaktor i TechCrunchit, përmend tri fazat e zhvillimit të aplikacioneve që e lëvizën teknologjinë celulare nga thirrjet telefonike, lojërat dhe shërbimet, aplikacionet që dëshironin të ishin "ballinë" dhe të dominonin me përvojën tuaj, deri tek aplikacionet e pasura me përmbajtje që "maksimizojnë dobinë e tyre pa e dominuar vëmendjen tuaj".

Aplikacionet mobile në gazetari

Aplikacionet mobile nuk janë risi për mediat. Ato ekzistojnë për më shumë se një dekadë dhe zhvillimi është më se i dukshëm. Aplikacionet mobile të leximit të lajmeve e kanë çuar konsumin e mediave në një nivel të ri.

Me lulëzimin e tregut të aplikacioneve mobile mes vitit 2000 organizatat mediale filluan të eksperimentonin me aplikacionet që përpiqeshin të përshtateshin me përparimet teknologjike me shpresën për të sjellë mediumin e tyre më pranë një publiku që përdor pajisjet mobile.

Në përpjekjet e tyre për të zhvilluar këto aplikacione, organizatat mediale filluan të punësojnë redaktorë mobilë, duke zgjeruar kështu shpërndarjen e përmbajtjes.

The Washington Post që para 11 vitesh shpalosi aplikacionin e vet për telefonat e mençur për përdoruesit e telefonave Android. Qëllimi ishte dhe mbetet të krijohet një përvojë intuitive e lajmeve të lëvizshme për përdoruesit. Aplikacioni përfshinte dhe kombinonte më të mirën nga politika, lajmet ndërkombëtare, financat, arti dhe kultura dhe lajmet lokale.

"Aplikacioni i Washington Postit për Android është një shembull tjetër i angazhimit tonë për krijimin e produkteve mobile që ofrojnë përvoja dinamike. Ndërsa mendojmë për më shumë mënyra për të arritur publikun tonë lokal dhe nacional, ne do të vazhdojmë të zhvillojmë produkte që u japin përvojë të pasur klientëve", tha Ken Babby, shefi i të ardhurave dhe drejtori i përgjithshëm i Digitalit në The Washington Post.

Duke marrë parasysh se shumica e shikuesve sot kanë qasje në përmbajtje nga telefonat celularë, The New York Times ka kohë që e ka njohur rëndësinë e lansimit të aplikacioneve mobile.

Statistikat tregojnë se aplikacioni mobil është kanal i cili funksionon tejet mirë për botuesit e lajmeve.

Bryan Davis, menaxher i lartë i marketingut të publikut në NYT, pohon se aplikacionet mobile ofrojnë një përvojë më të lehtë leximi, janë të shpejta dhe shikimi dhe dëgjimi në aplikacione është më intuitiv.

Përparësitë e posedimit të aplikacioneve mobile

Është e lehtë fillimisht të tërheqësh një publik për të përdorur aplikacionin tënd për herë të parë. Në mos diçka më shumë – publiku do ta instalojë aplikacionin për kërshëri. Por, t'i shtysh t'i kthehen aplikacionit dhe ta përdorin atë – kjo është sfidë. Ajo që ndihmon në shumicën e rasteve në këtë proces janë njoftimet Push. Ato mund të jenë jashtëzakonisht të rëndësishme për çdo aplikacion mobil serioz. Aplikacionet mobile ju japin mundësinë të dërgoni njoftime në kohë të duhur për të riangazhuar përdoruesit, për të promovuar përmbajtje të reja dhe për të komunikuar drejtpërdrejt me bazën tuaj të përdoruesve.

Sipas të dhënave në Localytics, kur një përdorues zgjedh të marrë njoftime push, ai e hap aplikacionin tuaj 88% më shumë se përdoruesi që nuk i merr ato njoftime.

Një tjetër çelës për zhvillimin e aplikacionit tuaj është që njerëzit ta shpërndajnë aplikacionin ose përmbajtjen brenda tij me miqtë e tyre. Si përdorues të aplikacionit, shpërndarja mund të jetë më e shpejtë dhe më e lehtë se përmes shfletuesit.

Karakteristikë jo më pak e rëndësishme është koha që kalohet brenda aplikacionit. Përdoruesit kalojnë shumë më shumë kohë në aplikacione sesa në web. Hulumtimet tregojnë se përdoruesit e celularëve shpenzojnë 88% të kohës së tyre në pajisjet mobile duke përdorur aplikacione, ndërsa koha e shpenzuar në aplikacione rritet nga viti në vit.

Një avantazh tjetër i krijimit të një aplikacioni mobil kundrejt aplikacionit për web përbëjnë të ardhurat nga reklamat dhe aftësia për të përdorur teknika të tjera të monetizimit të aplikacioneve.

Hulumtimet tregojnë se shpalljet në aplikacion shpesh janë më efikase se ato në shfletues.

Organizatat mediale në Ballkanin Perëndimor po krijojnë gjithnjë e më shumë aplikacione mobile të lajmeve, mes tyre Oslobodjenje, Klix, N1 nga BeH, Vijesti nga Mali i Zi, Danas, Kurir dhe Krik nga Serbia, Kosova Online dhe dhjetra (në mos qindra) të tjerë. Duke marrë parasysh faktin se shumica e mediave sot kanë aplikacione mobile që ndjekin zhvillimet më të fundit teknologjike, rëndësia është më se e dukshme.

Procesi i vendimit për zhvillimin e aplikacionit mobil

Edhe pse ka një varg avantazhesh që sjellin aplikacionet mobile, çdo medium duhet të vendosë vetë nëse ka nevojë për këtë lloj të plasimit të përmbajtjes për publikun. Kini parasysh disa nga këto pyetje kur vendosni nëse duhet të investoni kohë, përpjekje dhe burime financiare për të krijuar një aplikacion celular.

Përpiquni t'u përgjigjeni pyetjeve ose të realizoni një hulumtim me publikun për të parë nëse publiku juaj dëshiron apo kërkon aplikacion? A do të zgjerojë aplikacioni shtrirjen tuaj drejt publikut? Për çka ju duhet aplikacioni – a dëshironi të ofroni të njëjtën përmbajtje si në portal, apo aplikacioni ka për qëllim të ofrojë përmbajtje ekskluzive, ndoshta me pagesë? A është synimi monetizimi dhe a ka aplikacioni potencial aty ku jeni të pranishëm si medium? A ekziston mundësia që aplikacioni të përdoret përditë nga publiku juaj – i tanishëm dhe i ardhshëm? Çka ofroni më ndryshe se konkurrentët tuaj?

Techpluto përmend disa hapa për t'ju ndihmuar të planifikoni, dizajnoni dhe implementoni aplikacionin e suksesshëm:

  1. Identifikoni nevojën
  2. Theksoni veçoritë themelore
  3. Integroni tërësinë tuaj teknologjike
  4. Planifikoni modelet e monetizimit
  5. Testoni aplikacionin tuaj

Nuk është e nevojshme që çdo medium të ketë aplikacion mobil – ndoshta publikut tuaj i mjafton ajo çka ju i ofroni në portalin tuaj. Ndoshta vetëm keni nevojë që platformën tuaj të përpunoni që të jetë më user friendly.

Nëse keni planifikuar të lansoni aplikacionin tuaj, së pari ndani pak kohë për të realizuar hulumtimin dhe vendosni themelet për zhvillimin e tij. Përgatitja mund t'jua lehtësojë procesin dhe mund t'u përgjigjet disa prej pyetjeve themelore që do të jenë të rëndësishme për synimin tuaj përfundimtar.

Ocijenite kvalitet članka