Aplikacioni Keybase për komunikim të sigurtë

28.07.2022. / 09:18
Autor/ica
Share
keybase
keybase

Aplikacionet për komunikim të sigurtë të redaksive, gazetarëve me burime të informatave dhe me gazetarë të tjerë me të cilët shkëmbejnë informata konfidenciale janë jashtëzakonisht të rëndësishme për punën e përditshme.

Çështja e besueshmërisë dhe mbrojtjes së të dhënave kurrë nuk ka qenë më e rëndësishme. Gjetja e aplikacionit të përshtatshëm për të komunikuar me të, për të shpërndarë dhe ruajtur fajlë, është sfidë për çdo gazetar.

Më parë kemi shkruar për aplikacione të ndryshme të cilat mund të jenë të dobishme për gazetarët për komunikim, dhe sot po ju prezentojmë edhe një të tillë.

Keybase me enkriptim end-to-end

Aplikacioni Keybase ju mundëson shkëmbim të sigurtë të mesazheve dhe fajlëve. Aplikacioni është me kod të hapur dhe është plotësisht i enkriptuar me komunikim end-to-end.

Kur punoni bashkë në rrjet, veglat për komunikim si Slack dijnë të jenë tejet të dobishme, por ato i mundësojnë ofruesit të shërbimeve të lexojë mesazhet tuaja. Keybase e thjeshton procesin e shkëmbimit të sigurtë të fajlëve dhe bisedave.

Duhet përmendur këtu se nga mesi i vitit 2020 keybasein e bleu platforma Zoom i cili kishte mjaft kundërthënie sigurie, gjë që i shtyri disa përdorues të Keybaseit të kërkonin që kompania ta bëjë më të qasshëm kodin e saj. Paralelisht me këtë, përvoja e ekipit Keybase i ndihmoi Zoomit që me shpejtësi të sjellë enkriptimin end-to-end, duke u mundësuar miliona përdoruesve të bisedojnë në mënyrë të sigurtë nëpërmjet videos.

Fillimi i punës me Keybase

Për të filluar përdorimin e Keybaseit, duhet të vizitoni faqen e tyre dhe ta instaloni aplikacionin. Në krye të faqes, në këndin e djathtë gjendet opsioni "Install" ndërsa aplikacioni është në dispozicion edhe për pajisjet mobile në App Store për iphone apo në Google Play për android.

Pasi të keni vendosur për pajisjet ku dëshironi të instaloni aplikacionin, ndiqni udhëzimet për instalim.

Pas instalimit, hapni aplikacionin dhe zgjidhni "Create an account" dhe zgjidhni emrin e përdoruesit. Emri juaj i përdoruesit nuk mund të ndryshojë, prandaj vendosni mirë se cili do të jetë ky emër.

Duhet të shtoni edhe emrin e pajisjes që do të lidhet me profilin tuaj dhe do të jetë publik në faqen e Keybaseit.

Sipas dëshirës, mund të shtoni edhe numrin e telefonit dhe emailin. Kjo varet nga ju, por kini parasysh se, nëse i dërgoni këto të dhëna të kontaktit, çdokush me numrin dhe emailin tuaj do të mund t'ju gjejë më lehtë brenda Keybaseit.

Në fund klikoni "Përfundo" për të filluar bisedën.

Si të filloni bisedën

Keybase funksionon ngjashëm sikur të gjitha platformat e tjera të bisedave.

Në dritaren Chat mund të filloni biseda të reja me përdorues të tjerë të Keybaseit. Klikoni "Biseda e re" për të gjetur shokun/shoqen duke përdorur emrin e tyre për Keybase. Pasi të gjeni personin e duhur, klikoni "Start" dhe filloni bisedën.

KEYBASE

Krijimi i ekipit

Ky aplikacion ofron edhe krijimin e ekipeve, si në rastin e aplikacionit Slack, dhe kjo mund të jetë shumë e dobishme për redaksitë.

Kur e ftoni dikë në ekip, mund t'u jepni katër lloje të ndryshme rolesh brenda ekipit, varësisht nga kontrolli që dëshironi t'u jepni brenda ekipit:

·       Lexuesit: Lexuesit mund të shkruajnë në chat dhe të lexojnë (por jo të dërgojnë) fajlë brenda grupit.

·       Shkruesit: Shkruesit mund të krijojnë kanale për chat, të lexojnë dhe të shkruajnë brenda grupit.

·       Administratorët: Administratorët mund të bëjnë gjithçka që mund të bëjnë shkruesit, plus të shtojnë dhe të heqin anëtarë dhe të ndryshojnë rolet e anëtarëve të ekipit.

·       Pronarët: Pronarët mund të bëjnë çdo gjë që mund të bëjë administratori, si dhe mund të fshijnë ekipin.

Me rastin e aktivizimit të Teamsit, Keybase mund të kërkojë qasje në sistemin tuaj për t'ju mundësuar shkëmbimin dhe pranimin e fajlëve me anëtarët e ekipit.

Fshirja automatike e mesazheve

Shumica e aplikacioneve të mesazheve do t'i ruajnë mesazhet tuaja derisa llogaria juaj të jetë fshirë ose derisa ju t'i fshini ato manualisht. Me Keybase, mund të vendosni që mesazhet të fshihen automatikisht pas një kohe të caktuar sipas zgjedhjes suaj. Brenda cilësdo bisedë, klikoni ikonën timer në fund të ekranit. Mund të vendosni që mesazhet të "shpërthejnë" në atë bisedë midis 30 sekondave dhe shtatë ditëve nga dërgimi i tyre.

FDSA

Ruajtja dhe shpërndarja e fajlëve

Fajlët tuaj mund t'i shkëmbeni ose t'i ruani brenda aplikacionit. Ato mund t'i mbani në tri lloje hartash, varësisht se si dëshironi t'i shkëmbeni.

·       Hartat private: Për fajlët që mund t'i lexoni vetëm ju apo kushdo tjetër sipas zgjedhjes suaj.

·       Hartat publike: Për fajlët që dëshironi t'i vini në dispozicion të secilit në internet.

·       Hartat ekipore: Për fajlët të cilëve mund t'u qaset vetëm njëri nga ekipet tuaja.

Për bartjen e fajlëve te persona të caktuar zgjidhni hartën private. Për shembull, kur dëshironi të bartni ndonjë fajl për ta ruajtur për vete, mund të klikoni në hartën tuaj personale dhe të klikoni tek emri juaj i përdoruesit për t'i bartur vetes gjithçka që dëshironi. Në hartën private gjithashtu mund të klikoni në hartën me emrin e kontaktit për të shkëmbyer fajlë me atë person. Nga hartat ekipore kësisoji mund të shkëmbeni fajlë me cilindo ekip të cilit i jeni bashkuar.

Po kështu, mund të sinkronizoni fajlët në pajisjen tuaj, duke i lejuar Keybaseit të shkarkojë automatikisht versionin më të ri të hartës dhe fajlët e saj. Për ta mundësuar një gjë të tillë, shtypni butonin "Sinkronizo me këtë pajisje" në këndin e sipërm djathtas të cilësdo hartë me fajlë.

Krijoni kopje të sigurisë

Meqë Keybase është i enkriptuar me komunikim end-to-end, vetëm pajisjet tuaja mund t'i deshifrojnë mesazhet. Në rast se e humbni qasjen në pajisjet tuaja, do t'ju nevojitet një plan rezervë. Për ta ruajtur qasjen në Keybase, do t'ju nevojitet një fjalëkalim për raste urgjente, të cilin Keybase e quan "paper key", e që është çelës rastësor për hapjen e llogarisë suaj. Gjeneroni çelësin tuaj kështu: Pajisjet > Shto pajisjen apo paper key > Krijo paper key.

Nga këtu mund të shtoni edhe pajisje të tjera, siç janë pajisjet mobile. Ruani kopjen e çelësit tuaj në ndonjë vend të sigurtë, siç janë menaxherët e fjalëklimeve.

Rëndësia e komunikimit të sigurtë në gazetari

Duke kuptuar rëndësinë e sigurimit të komunikimit në sferën online, një aplikacion i këtillë vërtet mund të jetë i dobishëm për gazetarë dhe redaksi të tëra. Gazetarët përditë shfrytëzojnë dhe ruajnë numër të madh të dhënash të besueshme, andaj është me rëndësi të kenë aplikacione në të cilat mund t'i shpërndajnë e t'i ruajnë sigurtë këto të dhëna.

Me opsionin siç është fshirja automatike apo fshirja në periudha të caktuara kohore, komunikimi juaj me gazetarë dhe burime bëhet edhe më i sigurtë. Ky aplikacion mund të jetë veçanërisht i dobishëm për ata gazetarë që merren me gazetari hulumtuese dhe punojnë me të dhëna të ndjeshme.

Të vetëdijshëm për faktin se komunikimi online sot kërkon shumë kujdes dhe shpenzon mjaft energji, këto dhe aplikacione të ngjashme u ndihmojnë gazetarëve të komunikojnë me më shumë liri, pa frikë se dikush do t'i përgjojë në komunikim. 

Natyrisht, asnjë vegël nuk është plotësisht e sigurtë, dhe nuk është e mjaftueshme vetvetiu për t'ju mbrojtur plotësisht, andaj do të duhet t'i kushtoni përgjithësisht kujdes higjienës digjitale dhe t'i ndiqni ato rregulla për të cilat ne shkruajmë shpesh.

Ocijenite kvalitet članka