Barazia gjinore në media (pjesa 6): Siguria digjitale dhe dhuna gjinore online

12.07.2023. / 10:14

Pasqyrimi i trendit global është i pranishëm edhe te gazetaret në Ballkan të cilat po përjetojnë më shumë sulme online sesa kolegët e tyre. Shifrat që konfirmojnë këtë pretendim mund të gjenden në shumë sondazhe dhe analiza. Gjysma e partnerëve kryesorë medialë të BMAP Forward thanë se kishin përjetuar një formë të dhunës në internet, shumica e të cilave kishin në shënjestër gazetaret dhe stafin e tyre. Në studimin e fundit të kryer në Maqedoninë e Veriut nga Platforma për Raportim dhe Analizë Hulumtuese – PINA me mbështetjen e Misionit të OSBE-së në Shkup, më se 81,6% prej 103 gazetareve të intervistuara u përballën me ngacmime online. Sipas gazetareve, motivi i ngacmimit ishte kryesisht publikimi i artikujve që synonin qendrat e pushtetit ose publikimi i artikujve për ngjarjet shoqërore që ishin kritike ndaj qeverisë. Kjo gjendje mund të vlejë për shumë partnerë të BMAP Forward sepse ata, si media të pavarura, i shërbejnë një interesi publik që nuk është gjithmonë në përputhje me programet e autoriteteve dhe/ose partive politike në Ballkanin Perëndimor. Internews punon me mediat, ekipet femra të të cilave janë në shënjestër në internet kryesisht për shkak të gjinisë së tyre. Në një sondazh të realizuar për qëllimin e këtij studimi, morëm përgjigje se pothuajse të gjitha gazetaret përjetuan një lloj ngacmimi digjital, kërcënime në internet, komente mizogjene, etj. Këto sulme më së shpeshti ndodhin në rrjetet sociale, por publikimet tabloide dhe përfaqësues të partive politike, institucionet shtetërore dhe/ose figurat publike në Ballkan gjithashtu shprehin kërcënime të hapura dhe komente fyese ndaj gazetareve. Fushatat shpifëse, përfaqësimi negativ dhe qasja diskriminuese ndaj gazetareve janë gjithashtu të pranishme në disa stacione televizive në Ballkan.

Në studimin, pjesë të të cilit mund të lexohen në Balkanmedia, autoret kanë cituar tashmë disa gjetje të një studimi global trevjeçar mbi dhunën gjinore online ndaj gazetareve, të kryer nga ICFJ-ja dhe me mbështetjen e UNESCO-s. Në një studim të përbashkët që mbulon 15 vende në pjesë të ndryshme të botës, studiuesit përfshinë edhe Serbinë. Autorët/et e kapitullit që analizon studimin e rastit të Serbisë rekomandojnë, ndër të tjera, se ç'duhet të bëjnë organizatat e lajmeve:

  • Adresoni kulturat mizogjene të redaksive që thellojnë ndikimet e dhunës gjinore online ndaj gazetareve.
  • Nxitni dhe ndërtoni një kulturë holistike dhe të ndjeshme gjinore të sigurisë brenda organizatave mediale (p.sh. protokollet e sigurisë, udhëzimet dhe qasja në shërbimet mbështetëse) për të trajtuar kërcënimet hibride.
  • Punoni bashkë për t'i luftuar fushatat e shpifjes kundër gazetareve përmes gazetarisë hulumtuese dhe iniciativave të solidaritetit.
  • Siguroni burime dhe mekanizma specifikë për përfshirjen e gazetareve në pozita të cenueshme: gazetare të pavarura, gazetare hulumtuese, gazetare lokale, mbulimin e temave të ndjeshme, etj.

Ekzistojnë iniciativa të ndryshme për të adresuar dhunën gjinore onilne – nga Plani i Veprimit i OKB-së për sigurinë e gazetarëve dhe Direktiva për Luftimin e Dhunës ndaj Grave dhe Dhunës në Familje, në një sërë veglash si Safe Sisters Toolkit e zhvilluar nga Internews dhe Defend Defenders. Projekti BAMP Forward e ka përfshirë sigurinë digjitale dhe dhunën gjinore në mesin e prioriteteve të tij dhe po zhvillon hapa të mëtejshëm për të adresuar në mënyrë specifike këtë problem mes partnerëve të tij.

***

Studimi “Barazia gjinore në media” është hartuar në kuadër të Programit për mbështetjen e mediave në Ballkan: zhvillimi i qëndrueshëm përmes përmirësimit të qëndrueshmërisë dhe aftësive organizative (BMAP Forward) synon t'u përgjigjet nevojave të shprehura nga partnerët kryesorë medialë për përmirësimin e barazisë gjinore dhe politikës dhe praktikës së përfshirjes. Autoret e këtij studimi, Danica Ilić, Vanda Kučera dhe Armina Mujanović, analizuan kërkesat e partnerëve kryesorë medialë të BMAP Forward, si dhe performancën e tyre, duke ofruar disa zgjidhje dhe rekomandime për përmirësimin afatgjatë dhe të rëndësishëm në fushën e barazisë gjinore në media. 

Lexoni artikujt paraprakë:

Barazia gjinore në media: pjesa e parë

Barazia gjinore në media (pjesa 2): Qëllimet globale për barazinë gjinore

Barazia gjinore në media (pjesa 3): Nënpërfaqësimi i gjinisë dhe stereotipet në kontekst lokal

Barazia gjinore në media (pjesa 4): Pse diversiteti është i mirë për biznes

Barazia gjinore në media (pjesa 5): Peizazhi medial i partnerëve të BMAP FORWARD

Vlerësoni cilësinë e artikullit