

Besimi, diversiteti dhe pavarësia janë elemente qenësore të gazetarisë sot.
Dhe kjo nuk do të duhej të përbënte lajm.
Këto tre elemente kanë qenë gjithmonë të rëndësishme në gazetari dhe ato duhet të vazhdojnë të jenë themeli i punës së këtij profesioni që të sigurohet mbijetesa e ardhshme e gazetarisë ashtu siç ajo duhet të jetë – e vërtetë, e verifikuar, objektive, dhe në shërbim të shoqërisë.
Në një epokë ku mbizotëron dezinformimi dhe lajmet e rreme, besueshmëria është thelbësore për gazetarët që të ruajnë kredibilitetin dhe rëndësinë. Publiku mbështetet në media dhe pret që ata të japin informata të sakta dhe të besueshme dhe t'i verifikojnë faktet. Gazetarët duhet t'i japin përparësi transparencës, integritetit dhe standardeve etike që të fitojnë dhe ruajnë besimin e publikut të tyre.
Jemi dëshmitarë të një mosbesimi në shtuar të publikut, i cili zgjedh të shmangë lajmet, veçanërisht ato aktuale që na shqetësojnë të gjithëve, krejt kjo për shkak të shtimit të dezinformatave.
Sondazhi i Institutit Reuters për Studimin e Gazetarisë në raportin e tij vjetor mbi mediat digjitale thotë: "Ndërsa shumica e të anketuarve konsumojnë rregullisht lajme, 38% thanë se ata shpesh ose ndonjëherë i shmangin lajmet – nga 29% në vitin 2017. Rreth 36% – veçanërisht ata nën moshën 35 vjeç – thonë se lajmet ua ulin disponimin".
Diversiteti dhe pavarësia
Redaksitë që janë të larmishme ofrojnë një gamë më të gjerë perspektivash dhe përvojash raportimi, duke e bërë atë më inkluzive dhe gjithëpërfshirëse. Gazetarët nga mjedise të ndryshme sjellin njohuri dhe ekspertizë unike në punën e tyre, gjë që ndihmon në shmangien e paragjykimeve dhe siguron paraqitje më të saktë të ngjarjeve të raportuara. Diversiteti në redaksi ndihmon në ndërtimin e besimit mes një publiku të larmishëm që dëshiron të shohë storie me të cilat mund të lidhet. Gazetaria vihet në funksion të mbulimit dhe raportimit për komunitete të ndryshme që të nxisë mirëkuptim më të madh dhe të kapërcejë paragjykimet që ekzistojnë për shkak të njohjes së pamjaftueshme të komuniteteve.
Integriteti dhe objektiviteti i mediave sigurohen përmes pavarësisë. Gazetarët duhet të kenë lirinë e raportimit të mediave, sepse vetëm kështu ata mund të raportojnë pa u ndikuar ose pa ndërhyrje të panevojshme. Gazetaria e pavarur i mban përgjegjës ata që janë në pushtet, zbulon të vërtetën dhe shërben si kujdestare e shoqërisë. Gazetarët duhet të jenë të lirë nga presionet politike, korporative ose ndonjë presion tjetër i jashtëm që mund të rrezikojë aftësinë e tyre për të raportuar me vërtetësi dhe pa frikë.
Ajo që mirëmban pavarësinë e mediave është pavarësia financiare. Në këtë segment, organizatat mediale do të duhet të gjejnë mënyrë për qëndrueshmërinë e tyre, e cila nuk do të varet nga investimet e të tjerëve. Fondi Investues për Zhvillimin e Mediave (MDIF) thotë se "mediat mund të jenë vërtet të pavarura vetëm nëse nuk kanë vështirësi financiare". Mu për këtë, ata krijuan Plūrālisin, një model financimi që kombinon kapitalin filantropik dhe tregtar për intervenime kur mediat janë më të prekshme. Plūrālisi u krijua si eksperiment për të testuar një modeli të ri financimi. "Kërkohej një qasje e re, dhe ky ishte një eksperiment, por me të vërtetë mund të jetë model për të ardhmen", tha për Guardian zyrtari i tyre kryesor strategjik, Patrice Schneider.
Modelet e ndryshme të qëndrueshmërisë mediale
Gjithnjë e më shumë media po u drejtohen modeleve të ndryshme që do të sigurojnë stabilitetin e tyre financiar, siç janë modelet e abonimit. Megjithatë, kjo duket si sfidë e madhe, duke pasur parasysh se me sferën online dispozicioni i lajmeve është i madh, dhe kështu lind pyetja e qëndrueshmërisë së këtij modeli, sepse publiku gjithmonë do të gjejë hapësirë ku do të marrin informata. Pyetja është: çfarë lloj informatash.
Digjitalizimi dhe përhapja e internetit ka çuar në mbingopjen me informata, dezinformim dhe nevojën për të kontrolluar burimet e informatave, dhe kjo është një arsye tjetër pse modelet e abonimit mund të kenë ende sukses, sepse publiku ende po kërkon informata që do të jenë të vërteta dhe të verifikuara.
Modelet themelore të financimit të mediave, siç janë reklamat ose modelet e abonimit, nuk janë më të mjaftueshme, dhe siç thotë Irena Omazic, sfidat janë të mëdha dhe mediat duhet të kenë njohuri të gjerë të të gjitha modeleve, t'i kombinojnë ato dhe të gjejnë mënyrën më efektive për t'i zbatuar ato.
Dy vjet më parë, Federata Evropiane e Gazetarëve (EFJ) publikoi një raport që analizon nismat që synojnë promovimin e gazetarisë së qëndrueshme dhe inovative, duke përfshirë ato që eksplorojnë modele të reja biznesi. Ky raport ofron shembuj dhe qasje të shumta që demonstrojnë trende dhe ide të përbashkëta për të arritur qëndrueshmërinë dhe inovacionin e kërkuar. Hulumtimi ka treguar se mediat e suksesshme janë ato që ofrojnë angazhim të fortë me publikun e tyre të larmishëm dhe krijojnë aleanca. Praktika e mirë e financimit nuk mbështetet shumë në një burim të vetëm financimi. Diversiteti në redaksi jo vetëm që kontribon në diversitetin në raportim, por mund të kontribojë edhe në gjetjen e modeleve të diversifikuara të financimit.