

Portalet e lajmeve sot janë tregje online.
Lloje të ndryshme abonimesh, blerje biletash për ngjarje speciale, blerje abonimesh për shtyp – e gjithë kjo gjendet në një platformë që jep dhjetëra lajme çdo ditë.
Nuk mund të mos e pyesim veten se si të zgjedhim një CMS për një portal që njëkohësisht ofron përvojën më të mirë për publikun, klientët dhe reklamuesit, ndërkohë që mediumi i ka optimizuar rrjedhat e prodhimit dhe promovimit të përmbajtjes.
Të gjitha në një ekosistem
Sot, redaktorët/et, gazetarët/et, menaxherët/et e mediave sociale përdorin CMS, derisa lehtësia e përdorimit të tij është po aq e rëndësishme për të gjithë.
Marrja e vendimeve të duhura teknologjike, thotë Sanjay Ravindran, shefi i informacionit i New Statesman Media Group (NSMG), është vendimtar në dy fronte.
"Dëshironi veglat më të mira për biznesin tuaj, por ekipi redaktues, ekipet komerciale, menaxhmenti - të gjithë duhet të jenë të sigurtë në zgjidhjen që ju propozoni. Dhe, gjithnjë e më shumë, kjo zgjidhje është modulariteti dhe aftësia për të ndryshuar, jo domosdoshmërisht shumë shpejt, por në mënyrë efektive", thotë ai.
"Ka disa standarde të industrisë, por ndryshimi në të vërtetë varet nga mënyra se si keni ndërmend të fitoni para nga publiku juaj, ose nëse një faqe e caktuar ka një USP të veçantë [propozim unik shitjeje] që ka nevojë për diçka që nuk është në dispozicion brenda zgjidhjeve standarde. Me rëndësi është që faktikisht të kuptoni se ç'është USP-ja juaj dhe më pas të krijoni një zgjidhje teknologjike që përputhet me atë USP", shton Ravindran.
Mediahuis posedon brende mediale nacionale dhe rajonale në Belgjikë, Holandë dhe Luksemburg, duke përfshirë De Telegraaf, NRC dhe Het Nieuwsblad. Po ashtu, ajo është pronare e Irish Independent. Nga viti 2013, grupi Mediahuis po rritet me shpejtësi përmes bashkimeve dhe blerjeve.
Drejtori i Mediahuisit Koen Vandaele thotë se ata kanë dy parime udhëheqëse:
- krijimi i ekonomive të shkallës për të ulur kostot
- përshpejtimi i inovacionit digjital.
Sfida më e madhe e Vandaeleit është integrimi i duhur i mjediseve të shumta.
Kompania ka nisur një projekt madhor për të prezantuar një CMS krejtësisht të ri, duke e sjellë tërë procesin në një ekosistem të ri, nga krijimi dhe menaxhimi i përmbajtjes deri te publikimi dhe shpërndarja.
Kur u pyet se çka pret nga CMS-ja, Vandaele u përgjigj: "Te ne, krejt këtë e kanë bërë gazetarët – lehtësimi i kërkimit dhe gjetjes së përmbajtjes, redaktimi, pasurimi me video, zë, podcast, metadata".
Ajo që sot pritet nga një CMS është një ekosistem të cilin çdo medium do ta krijojë sipas nevojave të tij.
Si të zgjidhni CMS-në më të mirë për një portal lajmesh
Ekzistojnë disa gjëra që i veçojnë CMS-të më të mira nga turma.
Këtu hyn shpejtësia, besueshmëria, integrimi i shtojcave siç është shpërndarja e përmbajtjes përmes kanaleve të shumta, automatizimi, elementët modularë, SEO-ja dhe shkallëzueshmëria.
Në vijim do ta shohim shkurtimisht secilën prej tyre përpara se të kalojmë në listën tonë.
Koha e hapjes dhe besueshmëria
Shpejtësia e hapjes së faqes është e rëndësishme sepse ndikon në SEO, mund të përcaktojë renditjen e faqes në makinën e kërkimit dhe ndikon edhe në shkallën e largimit nga faqja.
Sipas Googleit, shkalla e largimit nga ballina rritet për 32% pas vetëm tre sekondash të hapjes së faqes. Për pesë sekonda, kjo shifër rritet në 90%. Këto shifra tregojnë se sa e rëndësishme është shpejtësia e faqes në këtë epokë digjitale.
Shpërndarja e përmbajtjes përmes kanaleve të shumta
Rrjetet sociale janë ndër burimet kryesore të lajmeve. Shumë lexues i marrin lajmet e tyre ekskluzivisht përmes rrjeteve sociale. Me një përqindje kaq të madhe të lexuesve të shpërndarë nëpër platforma të shumta, është e rëndësishme që mediat të publikojnë përmbajtje në kanale të shumta njëkohësisht.
Element i rëndësishëm për një CMS është se ai mund ta thjeshtojë këtë proces, po qe e mundur, me një klik.
Modulariteti
Sa më pak që shqetësohen krijuesit e përmbajtjes për kodimin, aq më produktivë do të jenë në krijimin e përmbajtjes. Blok elementet modulare mund të zvogëlojnë sasinë e përpjekjes së nevojshme për dizajnin dhe interaktivitetin e përmbajtjes.
Me ndihmën e elementeve modulare, integrimi i multimedias (imazhe, tinguj, video) mund të bëhet vetëm me disa klikime. Me këtë rast, hapja e tyre zvogëlon shpejtësinë e faqes.
Ky element është tejet i rëndësishëm kur dihet se një portal i madh lajmesh mesatarisht publikon rreth 50 lajme në ditë.
SEO
Në çmimin e hapësirës reklamuese të mediumit ndikon numri i vizitave. Numrit të vizitave i kontribon edhe SEO-ja. Prandaj çdo CMS duhet të ketë opsione që do të lehtësojnë optimizimin e SEO-së së çdo pjese të përmbajtjes.
Pse është e rëndësishme që optimizimi i SEO-së të jetë pjesë e CMS-së, dhe jo vegël e veçantë që nuk është e vështirë të integrohet në sistem? Sepse vegla të tilla ngadalësojnë hapjen e faqes. Kështu ne humbim shpejtësinë e faqes dhe shpejtësinë e njerëzve që e përdorin veglën.
Shkallëzueshmëria
CMS-të më të mira rriten me publikuesin. Nëse jeni duke e hapur një portal, mbase nuk e dini menjëherë se si do të bëni biznes brenda një viti. Nuk e dini nëse do t'ju duhen më shumë kategori, nëse do t'u ofroni abonime lexuesve dhe nëse do të filloni të bëni podcaste. Por me siguri e dini se dëshironi një integrim të thjeshtë nëse diçka e tillë është e mundur, pa zgjidhje të shtrenjta programerësh ose, edhe më keq, në varësi të disponueshmërisë së developerëve.
CMS-ja duhet të jetë në gjendje të përshtatet me rritjen e mediumit pa shkaktuar probleme dhe kosto të tepërta.
Numri i përdoruesve të CMS-së
CMS-ja nuk duhet të kufizojë numrin e bashkëpunëtorëve.
Ndërsa redaksia zgjerohet, mund të nevojitet staf shtesë dhe një CMS i mirë duhet të sigurojë funksionim të papenguar për të gjithë. Dhe kjo të bëhet pa e ngadalësuar faqen dhe pa e vështirësuar hapjen e saj ndërsa punohet në CMS.
Të kuptuarit e të dhënave
Për të zbuluar se cila përmbajtje funksionon dhe – më e rëndësishmja – pse funksionon ajo, ka një kërkesë të shtuar për të dhëna. Redaktorët e ballinës, duke u bazuar në të dhënat në real time, vendosin se çka shkon në ballinën e mediumit, dhe çka largojmë. Suksesi i shpalosjes së lajmeve është shumë i matshëm falë të dhënave. Të dhënat janë një lloj udhëzimi për trajtimin e mëtejshëm të lajmit.
Zgjedhja e CMS-së për një medium është punë serioze që kërkon të kuptuarit e mirë të nevojave dhe proceseve të një mediumi. Planifikimi dhe vendimmarrja marrin kohë, por edhe kjo është më e lehtë sesa ndryshimi i CMS-së ndërkohë që mediumi funksionon me kapacitet të plotë.