Cilat aplikacione të komunikimit nuk shpërndajnë informata personale?

09.12.2021. / 09:38

Përdorimi i aplikacioneve të komunikimit është dukuri e përditshme për të gjithë, përfshirë gazetarët. Sot është e paimagjinueshme të komunikosh me mesazhe me SMS, sepse të gjithë përdorin aplikacione falas të komunikimit online.

Shumica e këtyre aplikacioneve u përkasin kompanive të mëdha që ofrojnë nivele të ndryshme të privatësisë. Të rralla janë ato me kod të hapur, me mbrojtje të plotë të të dhënave personale të përdoruesve.

Së fundmi, Rolling Stone ka hasur në një dokument që flet për mundësitë e qasjes në të dhënat personale dhe përmbajtje të tjera që ne i plasojmë përmes aplikacioneve të komunikimit, si WhatsApp, Viber, iMessage, Signal, Telegram.

Dega e Shkencës dhe Teknologjisë e FBI-së dhe Departamenti i Teknologjisë së Operacioneve, të cilët përgatitën këtë dokument, ofrojnë informata mbi llojet e informatave që mund të ofrojnë shërbime të ndryshme në përgjigje të kërkesave të të dhënave të përdoruesve. Këtë dokument e ka siguruar një grup i quajtur Property of the People, nëpërmjet Ligjit për Lirinë e Informatave (FOIA). 

Ky është një dokument i pabotuar dhe nuk është i klasifikuar, por është shënuar "vetëm për përdorim zyrtar" dhe "i ndjeshëm për zbatimin e ligjit".

dsds

Këto të dhëna tregojnë se si FBI-ja mund t'i qaset ligjërisht përmbajtjes së sigurtë në aplikacionet kryesore të mesazheve, duke përfshirë detajet e informatave në dispozicion në bazë të procesit ligjor të zbatueshëm. Disa nga të dhënat e siguruara përmes këtij dokumenti nuk janë risi. Dihet tashmë se, për shembull, Apple mund t'i ofrojë policisë mesazhet e plota të dërguara përmes iMessage nëse ato mesazhe kopjohen në iCloud.

Ajo që mund të shihet qartë edhe në këtë dokument është fakti se WhatsApp është i vetmi aplikacion i sigurtë i mesazheve që ofron të dhëna në kohë pothuajse reale në përgjigje të kërkesave të policisë.

Ne tashmë kemi raportuar se sa i sigurtë është WhatsAppi, e në përgjigjen e tyre ndaj hulumtimit të Rolling Stoneit, WhatsApp konfirmon informatat që shfaqen në këtë dokument.

“Po shqyrtojmë me kujdes, po verifikojmë dhe po u përgjigjemi kërkesave të zbatimit të ligjit duke u bazuar në ligjin në fuqi dhe këtë e kemi bërë të qartë në faqen tonë të internetit dhe në raportet e rregullta të transparencës”. Ata thonë më tej se dokumenti "ilustron atë që ne kemi thënë – se policia nuk duhet të thyejë enkriptimin end-to-end për të hetuar me sukses krimet". Kjo konfirmon qartë se WhatsAppi ofron të dhëna pothuajse në kohë reale në përgjigje të kërkesave të policisë.

Përveç WhatsAppit, dokumenti përmend një sërë aplikacionesh të tjera që ofrojnë shumë informata që mund të jenë të mjaftueshme për të zbuluar të dhëna të rëndësishme. Mbase jo në kohë reale, siç është rasti me WhatsApp, por gjithsesi mund të siguroni numrin e telefonit (Viber), llojin e pajisjes në të cilën është instaluar aplikacioni (Wickr), IP-në dhe adresën elektronike (WeChat).

Cilat aplikacione të përdorni?

Për shumë njerëz do të mjaftojë fakti se disa aplikacione kanë komunikim të koduar end-to-end. Por, ata persona të cilët duan që informatat e tyre të mbesin private, mund të hasin probleme serioze duke përdorur WhatsAppin, por edhe aplikacionet e tjera të lartpërmendura. Përdorimi i këtyre aplikacioneve mund të jetë problem i madh për gazetarët që nuk duan të zbulojnë burimet dhe informatat e tyre.

Si aplikacionet që ofrojnë më së paku informata, ky dokument pëmrend Signalin dhe Telegramin.

Sipas dokumentit, nga Signali nuk mund të merret përmbajtja e mesazheve, por mund të merret data dhe ora kur përdoruesi është regjistruar në këtë aplikacion dhe hera e fundit kur personi ka përdorur aplikacionin.

Telegrami gjithashtu nuk jep përmbajtjen e mesazheve, dhe vetëm sipas deklaratës së privatësisë së Telegramit, për hetimet e konfirmuara terroriste, Telegrami mund t'u zbulojë autoriteteve kompetente adresën IP dhe numrin e telefonit.

Më shumë rreth Signalit

Për shkak se është aplikacion open source, Sinjali është bërë një nga aplikacionet më të njohura të mesazheve. I njohur për enkriptimin e tij end-to-end dhe strukturën e pavarur të krijuar nga një organizatë jofitimprurëse të drejtuar nga një fondacion dhe jo nga një kompani e madhe teknologjike, Signali është i popullarizuar nga shumë përdorues, si gazetarë, aktivistë, ekspertë digjitalë dhe shumë të tjerë që duan të komunikojnë të sigurtë.

Është në dispozicion falas për iPhone, Android, Mac dhe PC. Përdoruesit e Androidit madje mund të vendosin aplikacionin e tyre të paracaktuar të mesazheve në Signal nëse dëshirojnë një gjë të tillë.

Nëse jeni të brengosur se dikush po i qaset aplikacionit Signal nga telefoni juaj, mund ta mbyllni aplikacionin me të njëjtin fjalëkalim ose skanim të gjurmëve të gishtërinjve që përdoret zakonisht për të mbyllur telefonin tuaj. Signali kërkon numër telefoni për ta përdorur aplikacionin.

Për herë të parë ka shënuar rritje të ndjeshme të numrit të përdoruesve në pranverën e vitit 2020, kur njerëzit që morën pjesë në protestat antiraciste për vrasjen e George Floydit kuptuan se sa nga afër po i përcillte policia dhe u kërkonte kompanive të ofronin të dhënat e përdoruesve.

Në fillim të janarit të këtij viti, WhatsApp bëri publike ndryshimet e reja në politikën e vet të privatësisë  dhe përdorimit që ndërkohë bëri të mundur shkëmbimin e të dhënave me Facebookun. Ky vendim solli shumë pasoja, duke i shtyrë shumë përdorues të kalojnë në aplikacionet e tjera mobile për komunikim. Kështu, për shembull, Signali dhe Telegrami shënuan rritje të madhe të përdoruesve këtë vit. Sa për krahasim, numri i përdoruesve të Signalit në dhjetor të vitit 2019 arrinte në gjysmë milion, ndërsa në janar të vitit 2021 kjo shifër arriti në 40 milionë përdorues.

Vlerësoni cilësinë e artikullit