Çka është gazetaria e ngulitur dhe cilat janë përparësitë dhe mangësitë e saj

07.07.2021. / 10:39

Sipas Britannica.com, gazetaria e ngulitur (embedded) është akti i vendosjes së gazetarëve/eve brenda dhe nën kontrollin e ushtrisë së njërës palë gjatë sulmit të armatosur. Reporterët dhe fotografët e ngulitur i ngjiten një njësie të caktuar ushtarake dhe u lejohet t'i përcjellin trupat në zonat ushtarake.

Pra, këta janë gazetarët/et që udhëtojnë me trupat ushtarake dhe raportojnë nga dora e parë nga fushëbeteja.

Edhe pse raportimi nga zona të luftës ka ekzistuar për kohë të gjatë, shumë raportime ishin të kufizuara dhe gazetarët/et shpesh nuk kishin qasje të plotë në zona të caktuara apo dinamika të brendshme të ushtarëve. A e ka hapur faktikisht kjo qasje e re këtë liri që gazetarët/et të kenë qasje te palët dhe informatat e ndryshme në zona lufte?

Gazetaria e ngulitur si formë e gazetarisë, e organizuar mu në këtë mënyrë, është përdorur për herë të parë më 2003 në operacionin Liria e Irakut me afro 775 gazetarë/e dhe fotografë/e që udhëtuan me trupat ushtarake në linja fronti. Deri te formimi i këtij aranzhimi të ri erdhi pas shumë takimesh mes shefëve të agjencive dhe lajmeve dhe Ministrisë së Mbrojtjes së SHBA-ve. Qëllimi ishte t'u mundësohej gazetarëve/eve të raportojnë nga zona të luftës me rrezikun më të vogël të mundshëm. Kjo praktikë transformoi raportimin e luftës duke sjellë qasje të paparë tek ushtarët, lufta dhe mundësitë e krijimit të storieve në kohë reale, bashkë me fotografi e video nga fronti.

Por, edhe pse në shikim të parë duket se më në fund u krijua hapësira aq e nevojshme për raportim sa më objektiv, gazetarët e ngulitur para shkuarjes në terren duhet të nënshkruajnë marrëveshje me ushtrinë. Me këto marrëveshje vendosen kufizime të caktuara për atë se çka mundet dhe çka nuk mund të raportohet. Por, me gjithë këto kufizime, lindi mundësia e re që gazetarëve t'u mundësohej një qasje e paparë në lajme drejtpërdrejt nga fronti.

Llojet e gazetarëve/eve të ngulitur

Në këtë ndërmarrje të parë gazetarësh të ngulitur në luftën në Irak ekzistuan dy kategori kryesore:

  • Gazetarët/et e ngulitur në programin e Pentagonit

Pentagoni hartoi këtë program për shumë arsye. E para ishte të ndryshohej perceptimin ushtarak se mediat janë armike dhe të kuptonin se ata mund të jenë aleatë për përhapjen e informatave. Sipas tyre, koncepti i programit ishte i thjeshtë: siç thonë ata, meqë administrata e Sadam Husseinit ishte e shkathtë të përdorte dezinformata, vëzhguesit e pavarur në atë rast mund të vepronin si kundërmasë. Kështu gazetarët/et nga e gjithë bota iu bashkuan trupave amerikane dhe britanike për të vëzhguar luftën nga dora e parë dhe për të ndarë atë që kishin parë me publikun e gjerë.

  • Gazetarët/et freelance mund të lëvizin nëpër vend

Gazetarët/et freelance në këtë rast shpesh refuzojnë "të nguliten" në ushtrinë amerikane ngase duan të kapin jetën e përditshme ashtu siç e jetojnë irakianët. Edhe pse nga njëra anë rrisin rrezikun në zona lufte pa përcjellje ushtarake, nga ana tjetër storiet e tyre bëhen të gjithanshme dhe ofrojnë shumë më shumë përvojë se ato që vijnë vetëm nga perspektiva nën ombrellën e trupave ushtarake amerikane.

Për këtë arsye, gazetarët/et freelance mbajnë profil të ulët gjatë qëndrimit në zona lufte për të mos tërhequr vëmendjen te vetja, derisa gazetarët/et e ngulitur në programin e Pentagonit përdorin sigurinë që marrin nga ushtarët dhe veprojnë nga ky pozicion.

Përparësitë e kësaj mënyre raportimi

Në shikim të parë, gazetaria e ngulitur përmirëson marrëdhëniet mes qeverisë dhe mediave në forcat e armatosura. Duke u ngulitur në forca ushtarake, mediat bëhen pjesë e asaj force që udhëtojnë duke xhiruar aktivitetet e tyre në pajtim me marrëveshjen. Qëndrimi i vazhdueshëm i ushtarëve dhe gazetarëve zbut dyshimet e rëndomta që përgjithësisht ekzistojnë midis ushtarëve dhe gazetarëve.

Pavarësisht nënshkrimit të kufizimeve, përparësi mund të jetë fakti se gazetarët/et udhëtojnë me ushtrinë duke përcjellë çdo hap të tyre, e kjo mund të prodhojë përgjegjësi më të madhe tek ushtria për çdo veprim të tyre.

Sipas Steven Komarowit, mediat amerikane ndihmuan të siguronin që forcat e armatosura amerikane të përgjigjeshin për bombardimin e ahengut familjar afgan. Kjo pasi hetuesit fillestarë, së bashku me gazetarët, shkuan në vendin e ngjarjes dhe zbuluan një plan të fshehur që forcat e armatosura amerikane donin të fshinin provat. Presioni i mediave i bëri të marrin përgjegjësi.

Meqenëse gazetarët e ngulitur mund të kenë qasje në skenat e luftës, ata marrin më shumë informata dhe më shpejt se ata që janë larg zonave të luftës. Hannah dhe Baylor pajtohen me këtë dhe thonë: "Gazetarët udhëtuan me aeroplan nga zona dhe në zona të luftës dhe ishin të lirë të vëzhgonin operacionet luftarake". Falë teknologjisë moderne, këto informata në dispozicion mund të barten menjëherë në destinacione të tjera.

Prania fizike e gazetarëve u mundëson të flasin me ushtarë, komandantë, por edhe me njerëz jashtë bazave ushtarake.

Mangësitë

Para së gjithash, pengesa kryesore është fakti se ata nënshkruajnë një marrëveshje me ushtrinë, e cila që nga fillimi i ndalon të raportojnë lirshëm.

Sipas Lehrerit, "Para se t'u bashkoheshin batalioneve të tyre, gazetarët e ngulitur duhej të nënshkruanin një marrëveshje që kufizonte kohën dhe atë që mund të raportonin". Ngulitja është forca shtytëse e raportimit dhe gazetarët e ngulitur mund të përshkruajnë vetëm veprimet ushtarake në përgjithësi dhe nuk lejohen të raportojnë për misionet e ardhshme. Ata që vendosin të qëndrojnë jashtë hapësirës së ngulitur nuk do të lihen të lirë sepse qeveria i shqetëson herë pas here. Sipas Nalini Rajanit "Dallimi mes patriotizmit dhe raportimit të ndershëm bëhet i paqartë në rrethana të tilla".

Për shkak të varësisë së gazetarëve nga ushtarët dhe mbrojtja ushtarake, objektiviteti i gazetarëve bëhet i diskutueshëm dhe afërsia e krijuar në zonat e luftës mund të ndërhyjë në mbikëqyrjen dhe raportimin e duhur të shkeljeve.

Gabimet e gazetarisë së ngulitur bien në fushën e pavarësisë dhe anshmërisë. Gazetarët/et rrezikojnë të humbin qëndrimin e tyre të pavarur kur hidhen në një ushtri e cila i mbron. Nëse bëjnë storie të keqe ose raportojnë informata të klasifikuara, ata mund të cënojnë marrëdhënien me trupat. Reporterët/et gjithashtu rrezikojnë të humbin një pjesë të storieve së tyre për shkak të censurës qeveritare. Dhe për fund, të zhytur plotësisht në njërën anë të konfliktit, ata nuk arrijnë të marrin anën tjetër të stories.

 ***

Gazetaria e ngulitur gjithsesi u mundëson gazetarëve të flasin nga një këndvështrim i ri. Ata kanë mundësinë të zbulojnë një të vërtetë për të cilën mbase nuk raportohet. Nuk është e lehtë të bëhet kjo duke ruajtur pavarësinë dhe duke i mbetur besnik vlerave etike. Ky parim i shkuarjes në zona lufte është diçka që padyshim krijon shumë sfida dhe shumë mundësi për avancim që gazetaria si e tillë të mbetet e lirë dhe e paanshme. Se a është e mundur kjo qasje e shkuarjes me një forcë ushtarake, e që gazetaria të mbetet objektive dhe e pavarur – kjo është një pyetje për të gjithë pjesëmarrësit në këtë proces:  mediat, ushtrinë dhe qeverinë.

Ocijenite kvalitet članka