Çka është RSS dhe si të keni në një vend të gjithë përmbajtjen që ju intereson?

09.12.2019. / 08:57
Autor/ica
Share
RSS Blog Header
RSS Blog Header

Çdo ditë përcjellim një numër të madh faqesh, portalesh të lajmeve, dhe blogësh që vazhdimisht publikojnë përmbajtje të reja. Shumica e njerëzve përcjellin përmbajtjen duke shkuar faqe për faqe dhe duke shikuar nëse është publikuar diçka e re, kalon një kohë në një faqe dhe shkon te tjetra, duke i përsëritur klikimet deri në pafundësi. Këtë gjithsesi mund ta shkurtoni duke pasur tashmë tabs të gatshme në browserët tuaj për faqet që i vizitoni. Por, browserët shpesh mund të jenë plot me këto tabs, dhe na ndodh që shpesh ta humbim fillin në këtë mes. Imagjinoni se jeni duke përcjellë 10 apo mbi 100 faqe të ndryshme. Sa kohë do të ju duhej ta hapni secilën prej tyre dhe të lexoni përmbajtje të reja? Sa herë keni klikuar në ndonjë faqe dhe aty nuk ka pasur ndonjë përmbajtje të re?

Çka është RSS?

Për të kursyer kohën tuaj dhe për t'i pasur të gjitha faqet tuaja të preferuara të lajmeve në një vend, këtë mund ta bëni me RSS. Programet RSS ju mundësojnë që në një vend të përcjellni çdo tekst të ri që publikohet. Informaciot për tekstet e reja rëndom do të pubilkohen në formë të titujve, hyrjes së shkurtë dhe faqes në të cilën publikohet ai shkrim. Nganjëherë ofrohet edhe mundësia e leximit të krejt tekstit aty. Por nëse nuk ofrohet ky opsion, ndërsa ju ka interesuar lajmi i ri, gjithsesi mund të klikoni në faqen në fjalë dhe të lexoni më shumë. Në kohët e fundit, lexuesit RSS mundësojnë sinkronizimin dhe lidhjen me rrjetet sociale, mail dhe kalendarë.

RSS është shkurtesë nga anglishtja për - Really Simple Syindication – dhe në fakt do të thotë lajme vërtet të thjeshta. Pra, RSS është platforma e cila në një vend grumbullon publikimet më të reja nga faqet që ju i keni përzgjedhë, dhe në një vend ju ofron pasqyrimin e përmbajtjes më të re. Derisa një qasje e ngjashme tashmë gjendet në rrjetet sociale, rregullimi algoritmik i përmbajtjes së tyre, si dhe ndryshimi i vazhdueshëm i atij algoritmi paraqet më shumë pengesë se përparësi për publikimet e reja të faqeve që ne i ndjekim. Andaj, RSS ende është opsioni më i mirë për qasjen e centralizuar në përmbajtjet e faqeve të cilat i përcjellim përditë.

Programet dhe serviset RSS

Teknologjia RSS është shpëtim për shumë njerëz. Po bëhet çdoherë e më vështirë të jesh i përditësuar me të gjitha informacionet që ekzistojnë në internet si dhe me faqet tuaja të preferuara. Ju paraqesim disa prej aplikacioneve më të përdorura RSS.

Feedly

Feedy është aplikacion shumë i thjeshtë para së gjithash për shkak të dukjes minimaliste. Është e thjeshtë për përdorim dhe përmbajtjen e paraqet në mënyrë të thjeshtë, e që mundëson qasje të lehtë në përmbajtje. Versioni pa pagesë përfshin deri në 100 burime për t'u përcjellë, kategorizimin e përmbajtjes si dhe mundësinë e shikimit të videove në Youtube. Ekziston edhe versioni premium, me pagesë vjetore 64,29 dollarë, e që ju mundëson të shkëmbeni përmbajtjen tuaj me njerëz të tjera, pastaj të integroni Evernote dhe Dropbox. Aplikacionit Feedly mund t'i qaseni përmes browserit, Androidit apo iOS-it, që e bën shumë të qasshëm në çdo rrethanë – në rrugë, në redaksi apo në shtëpi.

Inoreader

Përmes Inoreader-it ju mund të ndiqni numër të pakufizuar faqesh, dhe t'i kategorizoni nëpër follderë. Njëra prej anëve të mira të këtij aplikacioni është se përmbajen tuaj mund ta ruajë përgjithmonë, dhe kështu mund të ktheheni mbrapa dhe të lexoni sërish ndonjë tekst që e keni lexuar dikur më parë. Me versionin premium të cilin e paguani 14,99 dollarë në vit, mund të ndiqni postimet në rrjetet sociale, pastaj të zgjedhni kategorizimin, dhe t'ia bëni tag përmbajtjes suaj që ju paraqitet në feed. Inoreader gjithashtu ju ofron një video tutorial se si ta shfrytëzoni këtë aplikacion në mënyrë sa më efikase, e që këtë aplikacion e bën të shkëlqyer për ata që për herë të parë përdorin aplikacionet RSS.  Është në dispozicion për browser, Android dhe iOS.

News blur

News blur gjithashtu ka versionin falas dhe atë me pagesë. Për versionin falas keni mundësi të ndiqni 64 faqe, t'i ruani dhe t'i ndani me miqtë. Në versionin me pagesë ju ofrohet mundësia e kërkimit të profilit tuaj dhe të ruani storiet. Ju ofron mundësinë e kategorizimit tematik të teksteve në follderë, dhe të ndiqni numër të pakufizuar faqesh. Paketa premium kushton 36 dollarë në vit. Një opsion i shkëlqyer të cilin e ofron News blur është ndjekja e temave tuaja, pastaj rekomandimet për ndjekjen e faqeve të cilat nuk i keni ndjekur më parë e që ofrojnë informacione për po atë temë. Është në dispozicion për browser, Android dhe iOS.

Bloglovin'

Bloglovin' është ndër RSS lexuesit me dizajnin më atraktiv. Ka format të thjeshtë me mundësi të lënies së komenteve për çdo postim. Përfshin edhe fotografi, për çka dizajni i tij duket edhe më tërheqës. Përmbajtja ndahet në kategori, e kjo ju lehtëson kërkimin e faqeve të reja. Gjithsesi, edhe ky lexues RSS ju ofron mundësinë e krijimit të follderëve dhe t'u ktheheni më vonë.  Një fakt shumë i mirë është se ky lexues është tërësisht falas. Është në dispozicion për browser, Android dhe iOS.

Feeder

Ky lexues RSS është i thjeshtë për shfrytëzim, dhe përfshin integrimin e aplikacioneve të tjera të cilat mund ta përmirësojnë produktivitetin tuaj. Nëse përdorni këtë aplikacion në internet, do të ju duhet të instaloni një shtojcë pa pagesë për browserin tuaj. Ofron mundësinë e leximit të krejt tekstit apo të përshkrimit të shkurtë. Ekziston versioni falas, pastaj plani pro i cili kushton 4,99 dollarë në muaj, apo mund të zgjedhni planin e biznesit i cili kushton 15 dollarë në muaj.

Selfoss

Nëse keni njohuri në informatikë dhe dëshironi ta përshtatni RSS-në tuaj me nevojat tuaja specifike, atëherë ky është aplikacioni ideal për ju. Është i hapur dhe pa pagesë, që ju mundëson t'i shtoni shtojcat tuaja dhe ta personalizoni. Përveç faqeve në internet, aplikacioni ju mundëson t'i ndiqni edhe personat në Twitter. Këtë aplikacion duhet ta instaloni manualisht në browserin tuaj.

The old reader

Me këtë lexues RSS mund t'i ndiqni miqtë e mikeshat tuaja dhe automatikisht do të ju shfaqet se çka ata rekomandojnë për lexim. Gjithashtu ekziston opsioni për të parë se çka lexojnë personat e tjerë, e që paraqet mënyrë të mirë të zbuloni faqet e reja të cilat do të mund t'i ndiqni. Ekziston versioni falas dhe ai premium. Versioni pa pagesë ju lejon ndjekjen deri në 100 faqe, dhe leximin e krejt tekstit. Versioni premium kushton 25 dollarë në vit dhe lejon përcjelljen e më shumë se 100 faqeve, mundësinë e bllokimit të reklamave, dhe kërkimin e detajuar. Zakonisht rekomandohet të përdoret me browserë.

Feedreader

Feedreader është platformë e internetit e cila ju mundëson të kënaqeni me përmbajtjen tuaj të preferuar në mënyrë shumë të thjeshtësuar. Mund ta shikoni në versionin e gjatë apo të shkurtuar. Feedreader është pa pagesë, dhe ofron mundësinë e kategorizimit të llojllojshëm, si dhe shënimin e teksteve me yll si tekste të lexuara.

Flowreader

Kjo platformë ju mundëson njëkohësisht të përcjellni faqe të internetit dhe ta keni feed-in tuaj nga rrjetet sociale, e që është opsion mjaft i mirë që në një vend t'i keni të gjitha. Është pa pagesë dhe mund t'i qaseni vetëm me browser.

Netvibes

Ky lexues RSS ju mundëson ta përshtatni që të mund të përcjellni edhe rrjetet sociale edhe faqet tuaja të preferuara. Mund të vendosni edhe kalendarin e sinkronizuar, listën me aktivitete dhe e-mail.  Opsionet VIP dhe premium ju mundësojnë kërkime nëpër tekste, incizimin automatik, përcjelljen e temave dhe krahasimin. Gjithashtu mund ta ndani përmbajtjen me të tjerët. Paketa bazike është falas, paketa VIP kushton 2 dollarë në muaj, derisa ajo premium kushton 649 dollarë në muaj, dhe ekziston mundësia e marrjes së Netvibes-it për ekip.

Cilin lexues RSS ta përdor?

Ju kemi prezentuar disa nga RSS lexuesit më të përdorur në vitin 2019.  Edhe pse secili prej tyre i ka opsionet e njëjta, ato megjithatë dallojnë. Se cilin RSS do ta përdorni varet nga nevojat tuaja. Ndani pak kohë dhe gjeni lexuesin i cili do t'u përshtatet kërkesave tuaja, sepse cilindo që e përzgjedhni nuk do të gaboni.

Si mund t'u shërbejnë këta lexues gazetarëve?

Në kohën e hiperprodhimit të përmbajtjes, gazetarët e kanë çdoherë e më zor të jenë në rrjedha me të gjitha informacionet në dispozicion. Lexuesit RSS mund të ju kursejnë kohën e kërkimit nëpër faqe ku ju gjeni informacione. Ka ardhur koha t'u jepni fund klikimeve të pafundme dhe t'i freskoni faqet për të parë përmbajtje të re. Në momentin që paraqitet ndonjë përmbajtje e re në faqet që ju i ndiqni, ajo përmbajtje do të paraqitet në feed-in tuaj të lexuesit RSS. Lexuesit RSS janë bazë e shkëlqyer e teksteve dhe në çdo moment atyre mund t'u ktheheni dhe të merrni informata të cilat mund të ju duhen. Mos hezitoni, ndani pak kohë, eksploroni këto dhjetë lexues të ofruar dhe ndërtoni bazën tuaj që sot.

Ocijenite kvalitet članka