Çmimi Pulitzer tërhoqi vëmendjen për rolin e rëndësishëm të gazetarisë qytetare

15.06.2021. / 10:54

Të premten u nda Çmimi Pulitzer për Arritje në Gazetari, Dramë, Muzikë dhe Fotografi.

Fituesit e sivjetëm të Çmimit Pulitzer janë Robert Greene nga Los Angeles Times për Redaksi, Wesley Morris nga New York Times për Kritikë (fitorja e tij e dytë) dhe Louise Erdrich për Fiksion për romanin e saj The Night Watchman. Associated Press fitoi në publikimin e lajmeve të fundit, ndërsa ylli i Minneapolis Star Tribune fitoi me foton më të fundit të lajmeve.

Por, ajo që mori vëmendjen e çmimeve të këtij viti ishte çmimi "për filmimin e guximshëm të vrasjes së George Floydit, një video që ngjalli protesta kundër brutalitetit të policisë në tërë botën, duke theksuar rolin vendimtar të qytetarëve në kërkimin e së vërtetës dhe drejtësisë". Bordi i Çmimit Pullitzer i dha mirënjohje të veçantë Darnella Frazierit, atëbotë 17 vjeçe, e cila majin e kaluar filmoi policiin e dikurshëm Derek Chauvin duke u gjunjëzuar mbi qafën e George Floyd dhe duke e vrarë atë.

Kjo video ishte edhe pjesë e provave në gjykim dhe Darnella dëshmoi gjatë gjykimit.

"Videot më të fuqishme të vitit nuk u ndërmjetësuan nga artistë, por u transmetuan të papërpunuara nga celularët e qytetarëve si Darnella Frazier, të cilët, duke kthyer vëmendjen nga padrejtësia, na mobilizuan kundër pushtetit shtetëror në numra si kurrë më parë" - vëren kritikja e filmit Amy Taubin.

Me rritjen e teknologjive të reja të informacionit dhe komunikimit, gazetaria qytetare po fiton gjithnjë e më shumë popullaritet dhe peshë të rolit të saj në tërë hapësirën mediale.

Siç përmbledh Paola Prado në artikullin e saj, ka të kuptuarit e llojllojshëm të konceptit të gazetarisë qytetare.

Nga njëra anë, Nip (2006) i përkufizon gazetarët qytetarë si "prodhues dhe botues të lajmeve origjinale, të cilët nuk ndihmohen ose nuk kanë nevojë për pjesëmarrjen e gazetarëve profesionistë ose mediave të etabluara".

Nga ana tjetër, Luke Goode (2009) beson se gazetarët qytetarë janë "individë që kontribojnë në lajmet kryesore dhe mund të rreshtohen me lëvizje të caktuara shoqërore".

Edhe pse ka perceptime të ndryshme për gazetarinë qytetare, ekzistojnë avantazhe të ndryshme të kësaj mënyre të angazhimit të qytetarëve dhe aktivistëve.

"Ta zëmë se ka ndodhur një shpërthim dhe njerëzit duan të dijnë se çka ka ndodhur. Ekipi i televizionit apo reporteri i gazetës do të duhet të shkojë atje, derisa në vendin e ngjarjes sigurisht ka njerëz me vegla në xhepat e tyre" – tha Mark Glaser, themelues i MediaShift, uebfaqe që përcjell lajme në epokën digjitale.

Ai gjithashtu shprehet se besueshmëria e materialit që media merr nga gazetarët qytetarë është ajo që do të jetë gjithmonë sfidë.

Por, me konfirmimin e fundit të dhënë nga Çmimi prestigjioz Pulitzer për Darnellën, roli i gazetarëve qytetarë po bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm dhe sigurisht se do të ketë ndikim të rëndësishëm në angazhimin e vazhdueshëm të qytetarëve për të kapur atë që po ndodh rreth tyre. Nga ana tjetër, mediat nuk do të mund të shpëtojnë nga ky material dhe e vetmja gjë që u mbetet atyre është të trajtojnë të gjitha sfidat që u vihen përpara.

Ocijenite kvalitet članka