Ç'mund të bëjnë redaksitë për t'u ndihmuar gazetarëve për mbrojtjen më të mirë digjitale

15.11.2022. / 07:50
Autor/ica
Share
safety online
safety online

Redaksitë e madhësive të ndryshme kanë nivele të ndryshme të mbështetjes kur bëhet fjalë për sigurinë digjitale. Nuk është çdo redaksi në gjendje t'i sigurojë vetes një ekip profesional të IT-së që do të jetë përgjegjës për mbrojtjen digjitale të infrastrukturës së internetit. Disa redaksi kanë ekspertë të IT-së, të tjerë këto kapacitete i kanë në formë të mbështetjes së jashtme të profesionistëve të IT-së. Për disa redaksi, ky lloj i mbrojtjes digjitale organizative nuk ekziston fare, dhe kështu ata mbështeten në kapacitetet individuale të gazetarëve ose kanë një person që e "kupton" sigurinë digjitale, dhe i mbulon këto segmente.

Kur flasim për sigurinë digjitale nëpër redaksi, në përgjithësi ka pak njohuri në lidhje me nevojat e mbrojtjes dhe sigurisë së krejt asaj që e bën një medium, dhe këto nuk janë vetëm informatat. Nën mbrojtje në sferën digjitale të një redaksie përfshihen njerëz (gazetarë, redaktorë, pronarë, burime informatash). Mbrojtja përfshin të gjitha të dhënat që i posedon një medium, infrastrukturën digjitale (kompjuterët, serverët dhe pajisjet e tjera digjitale). Siguria digjitale e një mediumi nënkupton edhe mbrojtjen online të të dhënave të lidhura: kërkimi në internet, faqja e internetit, kanalet e komunikimit (posta, rrjetet sociale – Facebook, Tweitter, Instagram, TikTok dhe të tjerë, aplikacionet e komunikimit – WhatsApp, Viber, Signal dhe të tjerë).

Në përgjithësi, nuk ka shumë udhëzime dhe as nuk flitet për to në redaksi kur bëhet fjalë për mbrojtjen dhe ndihmën e personelit në sigurimin e kësaj mbrojtjeje.

Përqëndrohuni në këto dy fusha të sigurisë digjitale

Sipas doracakut Mbrojtja e redaksive dhe gazetarëve nga dhuna online, redaksitë mund të fokusohen në dy fusha digjitale të sigurisë kur mbrojnë dhe ndihmojnë stafin e tyre:

1. Ndihmë stafit për t'i mbrojtur të dhënat e tyre onilne

Në epokën digjitale, veçanërisht me ekzistimin e mediave sociale, të gjithë ndajnë shumë informata në sferën online. Gazetarët nuk bëjnë përjashtim. Përkundrazi, gazetarët nxiten të ndërtojnë profilin e tyre personal dhe kësisoji të krijojnë portofolin e tyre dhe të lidhen me publikun. Në lidhje me këtë, kjo hapësirë është shumë e qasshme për ata që duan t'i shkaktojnë ndonjë dëm atij gazetari ose nëpërmjet redaksive ku ai gazetar punon.

Redaksitë mund t'i mbrojnë më mirë gazetarët si në vijim:

·       Duke ngritur ndërgjegjësimin e gazetarëve se disa forma të të dhënave është më mirë të ruhen privatisht, duke përfshirë të dhënat që përdoren për t'i gjetur, për t'i kontaktuar ata apo të dhënat e përdorura për vjedhje identiteti, si data e lindjes dhe të tjera

·       Duke i njoftuar gazetarët se të dhënat e tyre online mund të përdoren për t'u keqtrajtuar

·       Duke bërë vlerësimin e rreziqeve dhe regjistrit për verifikim si ndihmë gazetarëve për t'i mbrojtur të dhënat e tyre

·       Duke pasur një person të caktuar në redaksi i cili mund t'u ndihmojë gazetarëve t'i menaxhojnë gjurmët e tyre digjitale

·       Duke organizuar trajnime për personelin lidhur me atë se si t'i mbrojnë të dhënat e tyre online

·       Duke pasur politika të qarta të cilat përcaktojnë se ç'do të bëjë mediumi në rast të ndonjë sulmi konkret, doxingu apo fushate të shpifjes

2. Ndihmë stafit për mbrojtjen e llogarive online

Gazetarët shpesh përdorin llogaritë e tyre personale të mediave sociale për të publikuar punën e tyre dhe për të komunikuar me publikun e tyre.

Në përgjithësi, redaksitë nuk marrin përsipër përgjegjësi dhe ndihmë për sigurimin e profileve personale të gazetarëve në rrjetet sociale, duke konsideruar se ato nuk janë të lidhura me mbrojtjen redaktoriale. Por, redaksitë mund të ndërmarrin hapa për të mbrojtur llogaritë e mediave, por nëse, për shembull, një gazetar (që shpesh është rasti) ka qasje në llogarinë e mediumit në Twitter për të publikuar përmbajtjen e prodhuar, kjo qasje kalon përmes pajisjes personale të gazetarit (laptop, kompjuter, telefon celular), dhe kjo është hapësira përmes së cilës mbrojtja redaktoriale bëhet e cënueshme.

Redaksitë mund t'i mbështesin gazetarët e tyre si në vijim:

·       Duke kuptuar se përmes llogarive sociale personale përdoren edhe ato të biznesit dhe prandaj ato duhen mbrojtur

·       Duke i trajnuar për mënyrat më të mira për t'i siguruar llogaritë e tyre personale

·       Duke u ofruar mbështetje të brendshme informatike për realizimin dhe vendosjen e autentifikimit dyfaktorësh

·       Duke u ofruar mbështetje për vendosjen dhe përdorimin e menaxherëve të fjalëkalimeve

Hiqni informatat personale nga sfera online

Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve (CJP) thotë se është e rëndësishme të hiqen të dhënat personale nga interneti nëse konsideroni se ato mund të përdoren kundër jush, familjes suaj ose mediumit tuaj.

Për të larguar informatat nga llogaria dhe lokacioni që e kontrolloni ju apo familja juaj, ndërmerrni hapat në vijim:

·       Hyni në llogaritë tuaja dhe fshini të gjitha të dhënat personale që i keni identifikuar e të cilat nuk duhet të jenë publike.

·       Shfletoni faqen tuaj ose ndonjë faqe tjetër që ju e menaxhoni në kërkim të informatave të ndjeshme identifikuese dhe gjeni mënyra për t'i hequr aty ku është e mundur. Për shembull, përdorni ndonjë formë kontakti në vend se të cekni emailin ose adresën tuaj fizike.

·       Bisedoni me familjen dhe miqtë për informatat që ata postojnë për ju dhe për njëri-tjetrin. Tregojuni se cilat të dhëna doni t'i ndani dhe cilat doni t'i mbani private. Bisedoni me ta për kufizimin e postimeve në të cilat ju përmendin.

·       Jini të gatshëm t'u ndihmoni anëtarëve të familjes që të kontrollojnë rrethanat e tyre të sigurisë dhe të heqin përmbajtjen nga llogaritë e tyre të mediave sociale.

Për largimin e informatave në ndonjë vend tjetër, ndërmerrni hapat në vijim:

·       Kontaktoni me faqet dhe kërkoni t'i largojnë informatat për ju. Varësisht nga lokacioni online, vendi ku ato gjenden dhe ligjeve që i rregullojnë informatat, ato mund apo mund të mos jenë të harmonizuara. Kontrolloni secilën faqe për t'i kuptuar rregullat e saj. Mos harroni t'i kontrolloni arkivat online, siç është faqja Wayback Machine, dhe kërkoni t'i largojnë të dhënat tuaja.

·       Drejtojuni platformave si Google Maps, Apple Maps dhe kompanive të tjera për të mjegulluar apo për të larguar të dhënat e shtëpisë suaj apo të dhëna tjera identifikuese.

·       Kërkoni nga Google Search të largojë linkë nga rezultatet zyrtare të kërkimit. Kjo tash përfshin linkë me detaje të të dhënave tuaja personale, siç është adresa e shtëpisë. Kini parasysh se kjo do të largojë vetëm informatat nga makina e kërkimit Google, dhe jo nga makinat e tjera të kërkimit.

·       Lokacionet siç janë adresarët e njerëzve shkarkojnë të dhëna personale nga databazat publike. Kërkoni nga këta adresarë t'i largojnë informatat tuaja, edhe pse me gjasë ato do të shfaqen përsëri përveç nëse mund t'i largoni nga burimi.

·       Kontaktoni me krijuesin e databazës publike, që zakonisht është organ publik, për të parë nëse mund të largohen apo të bëhen private të dhënat tuaja. Ligjet për këto aspekte dallojnë nga shteti në shtet.

Më shumë lidhur me aspektet e sigurisë, kërcënimet dhe mbrojtjen digjitale, mund të gjeni në faqen tonë nëse kërkoni shprehje si: siguria digjitale, mbrojtja digjitale, phishing, ransomware, enkriptimi, autentifikimi i dyfishtë, dhe shumë të tjera.

Ocijenite kvalitet članka