CrowdTangle: vegla për analizën e bisedave në rrjetet sociale

14.12.2020. / 11:02
Autor
Share
dz
dz

CrowdTangle është vegël për mbikëqyrjen dhe analizën e të dhënave në Facebook, Instagram dhe Reddit. Vegla u bë publike në vitin 2011 dhe përdor Facebook API për të dhëna. Pjesët e kësaj vegle janë publike dhe të gjithë mund t'i përdorin ato, derisa për pjesën tjetër të kësaj vegle duhet kërkuar leje.

Kjo vegël ndihmon në mbledhjen e të dhënave, ndërsa rezultatet e saj janë precize dhe të sakta. Për shembull, mund të shihni se si publiku juaj komunikon me postimet tuaja në rrjetet sociale. Po ashtu, CrowdTangle ofron të dhëna në fusha të caktuara në bazë të numrit të pëlqimeve, ndjekësve të përmbajtjes e kështu me radhë që faqja të mund të rrisë dukshmërinë.

Në CrowdTangle mund të krijoni listën për përcjelljen e subjekteve politike, si dhe të ndani gjëra të caktuara që ju interesojnë, e të cilat janë pasur numër të madh interaksionesh në rrjetet sociale. Konkretisht, kjo bëhet me filtrimin e postimeve në 24 orët e fundit në tabelën kryesore.

Përcjellja e mediumit tuaj në rrjetet sociale

CrowdTangle gjithashtu u lehtëson redaksive punën me statistika në rrjetet sociale. Në faqen e të dhënave informuese, mund të nxjerrni të dhëna për të parë më mirë se si funksionojnë publikimet tuaja në Instagram, Facebook e Reddit. Këtu mund të shihni efektin e llogarive në rrjetet sociale në aspektin e numrit të interaksionve dhe shfaqjeve të videove, shkallës së interaksionit (numri i interaksioneve i pjestuar me numrin e ndjekësve të llogarisë / faqes në momentin e matjes), publikimeve gjatë periudhës së caktuar kohore apo trendit të numrit të pëlqimeve / ndjekësve të faqes gjatë periudhës së caktuar kohore. Listat mund t'i paraqitni sipas tipit të postës dhe periudhës kohore.

Për më tepër, mund të krahasoni statistikat për llogarit ë ndryshme duke i radhitur njërën bri tjetrës, për shembull për t'u krahasuar me konkurrentët apo për të parë se si funksionon strategjia e llogarive tuaja. Një llogari mund të fokusohet në publikime, derisa tjetra fokusohet në identitetin vizual në formë të fotografive statike apo videove. Pra, mund të shihni se çka i pëlqen publikut dhe çfarë reagimesh tërheq përmbajtja. CrowdTangle ju ofron mundësi që të gjitha këto të dhëna t'i merrni në formë të raporteve në PDF.

CrowdTangle si ekstension i Chrome-it për të gjithë dhe CrowdTangle që kërkon qasje

Ekstensioni CrowdTangle për Chrome të cilin mund ta shkarkojë secili ofron disa informata themelore që mund t'i përdorin të gjithë, derisa vegla e plotë CrowdTangle që u shërben analistëve dhe fact-checkerëve kërkon qasje të autorizuar. Ato dallojnë sipas mënyrës së shfrytëzimit. Portali raskrinkavanje.ba përmes CrowdTangle-it ka zbuluar një fermë të faqeve të portalit Novi.ba ku kanë zbuluar se gati 70 faqe që fare nuk quhen Novi.ba shpërndajnë përmbajtje të këtij portali në rrjetet sociale.

Mladen Lakić nga raskrinkavanje.ba thotë se ata përdorin platformën CrowdTangle për gjëra të ndryshme, varësisht nga ajo që kërkojnë të analizojnë.

"Përmes saj mund të shihet më lehtë se kur u publikua një përmbajtje, qoftë ajo fotografi, tekst apo video, sa interaksione ka shënuar ajo përmbajtje dhe kush e ka shpërndarë nëse përmbajtja është publike. Në sensin e analizave të verifikimit të fakteve që i publikon raskrikavanje.ba, vegla është veçanërisht e dobishme te gjetja e burimit të disa dezinformatave, por është e rëndësishme edhe në aspektin e përcjelljes së temave potenciale, gjegjësisht përmbajtjeve dezinformuese saktësinë e të cilave nuk mund ta vërtetojmë".

Përmes CrowdTangle-it, ju mund të përcillni absolutisht gjithçka. Nga përcjellja e lajmeve lokale, partive politike, e deri te ajo se çka ka përcjellur popullata dhe në ç'mënyrë i ka përcjellur temat e caktuara.

Si mund të siguroni qasjen në CrowdTangle

Qasja në CrowdTangle që kërkon qasje është e mundur vetëm nëse organizata / redaksia juaj është partnere me Facebook-un. Nëse jeni partnere e Facebook-ut, mund të paraqiteni drejtpërdrejt në faqen CrowdTangle dhe të kërkoni qasje. Nëse jeni hulumtues/e, mund të paraqiteni drejtpërdrejt në këtë link. Nëse jeni medium apo organizatë joqeveritare, duhet të dërgoni e-mail në support@crowdtangle.com. Ajo që CrowdTangle mundëson kur ju lejon qasjen është që ju më vonë të shtoni anëtarë të ekipit tuaj që mund të shfrytëzojnë këtë vegël. CrowdTangle në këtë rast ka katër lloje të përdoruesve: Account owner, Team owner, Dashboard list dhe Read-only. Secili tip i përdoruesve ka opsione të caktuara që mund t'i shfrytëzojë në CrowdTangle. Pronarët e llogarive mund të shtojnë përdorues në ekip, të ndryshojnë parametrat dhe të kenë qasje 100% në gjithçka. Përdoruesi Team owner është pak më poshtë se Account owner dhe mund të bëjë gjëra të ngjashme si ai, në përjashtim të ndryshimit të parametrave dhe është përgjegjës për ekipin e përdoruesve. Përdoruesit Dashboard list dhe Read only janë më poshtë se këta të dy. Nuk mund të bëjnë pothuajse asgjë, përveç se të shikojnë dhe të bëjnë analiza.

Çka mund të bëjë ekstensioni CrowdTangle?

Ajo që e veçon nga CrowdTangle-i i pavarur është ekstensioni të cilin mund ta shkarkojë secili. Ekstensioni punon sipas parimit të përcjelljes së interaksionit në rrjetet sociale (Facebook, Twitter, Reddit, Instagram). Nëse dëshironi të shihni se sa publikon mediumi / organizata juaj në rrjetet sociale, këtë mund ta bëni me ekstensionin në fjalë. Në këtë video mund të shihni shkurtimisht se si funksionon ky ekstension dhe çka mund të bëjë. Si shembull kemi marrë portalin Novi.ba dhe në cilat faqe publikojnë linkë nga ky portali.

CrowdTangle deri në vitin 2016 ishte kompani e pavarur që funksiononte me parimin e abonimit. Më pas, Facebook e bleu kompaninë, shfuqizoi abonimin, por e kufizoi qasjen vetëm për organizatat mediale partnere, por edhe për hulumtues të studimeve të doktoratës dhe postdoktoratës që bëjnë kërkime nga fusha e dezinformatave, zgjedhjeve, COVID-19, drejtësisë racore dhe mirëqenies.

Edhe pa qasjen e plotë, me ekstensionin e Chrome-it mund të realizohen analiza të mira të ndikimit të internetit në zhvillimet sociale dhe biseda që zhvillohen në rrjete të ndryshme sociale.

Ocijenite kvalitet članka