Dita Botërore e Lirisë së Shtypit 2021: Informata si e mirë publike

03.05.2021. / 19:57

Çdo vit. 3 maji është një data në të cilën festohen parimet themelore të lirisë së shtypit, vlerësohet liria e shtypit në mbarë botën, mbrohen mediat dhe gazetarët nga sulmet ndaj pavarësisë së tyre dhe u bëhen homazhe gazetarëve që kanë humbur jetën në kryerjen e detyrave të tyre profesionale.

Dita Botërore e Lirisë së Shtypit (WPFD) i ka rrënjët në konferencën e UNESCO-s në Windhoek, Namibi të mbajtur në vitin 1991.  Asambleja e Përgjithshme e OKB-së në vitin 1993 e shpalli 3 majin Ditë Botërore të Lirisë së Shtypit, duke u bazuar në rekomandimet e miratuara në konferencën e UNESCO-s në vitin 1991.

Kjo datë shërben si rast për të informuar më tej qytetarët lidhur me shkeljet e lirisë së mediave, censurën ndaj së cilës ata i ekspozohen, kërcënimet, ngacmimet, sulmet dhe madje edhe vrasjet e gazetarëve në krejt botën.

Tema e sivjetme e Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit "Informata si e mirë publike" shërben si ftesë për të riafirmuar rëndësinë e kultivimit të informatës si e mirë publike, si dhe përmirësimit të transparencës. Periudha e pandemisë nxori edhe më shumë në pah faktin se informata e transmetuar nga media është e rëndësishme për të mirën publike dhe është temë me rëndësi urgjente për të gjitha vendet në botë. Kjo temë njeh ndryshimin e sistemit të komunikimit që ndikon në shëndetin tonë, të drejtat e njeriut, demokracinë dhe zhvillimin e qëndrueshëm.

UNESCO shprehet se shënimi i këtij viti i lirisë së mediave "thekson ndryshimin e rëndësishëm midis informatave dhe llojeve të tjera të përmbajtjes së komunikimit si keqinformimi, gjuha e urrejtjes, argëtimi dhe të dhënat. Qëllimi është të tërheqim vëmendjen për rolin e veçantë të gazetarisë në krijimin e lajmeve që janë informata të verifikuara në lidhje me interesin publik dhe se si kjo varet nga ekosistemi i gjerë që ofron informatën si një të mirë publike ".

WPFD për vitin 2021 dëshiron të nxjerrë në pah tre imperativat e mëposhtëm për këtë ekosistem:

  • Hapat për sigurimin e qëndrueshmërisë ekonomike të mediave;

  • Mekanizmat për sigurimin e transparencës së kompanive të internetit; dhe

  • Kapacitete të rritura për edukimin medial dhe informativ që u mundësojnë njerëzve të njohin dhe vlerësojnë si dhe të mbrojnë dhe kërkojnë gazetarinë si pjesë jetike e informatës si e mirë publike.

Indeksi Botëror i Lirisë së Medias 2021

Sipas raportit të Indeksit Botëror të Lirisë së Medias, të publikuar më 20 prill, situata në media gjatë vitit 2020 në 180 vende të botës u vlerësua me probleme serioze me liritë e medias.

Raporti rendit vendet në gjashtë zona sipas renditjes së indeksit të lirisë së medias, ku Norvegjia është në vendin e parë me indeks prej 6,72 ndërsa Eritrea me indeks prej 81,45 e cila zë vendin e fundit, 180.

 

Vendet e Ballkanit Perëndimor janë në zonën portokalli, e cila është vlerësuar si gjendje "e keqe" e lirisë së medias.

Kroacia ka përparuar për tri vende dhe ka zënë pozitën 56, me indeksin 27,95. Bosnje dhe Herzegovina ka mbajtur të njëjtin vend si vitin paraprak – 58, me indeksin 28,34. Serbia zuri vendin 93, Mali i Zi 104, derisa Maqedonia e Veriut u gjend në pozitën 90 që paraqet kërcim prej dy pikëve nga raporti fundit i Reporterëve pa Kufij. Shqipëria renditet në vendin 83 me indeksin 30,59, ndërsa Kosova renditet në pozitën 78 me indeksin 30,32 dhe shënoi rënie prej tetë vendesh për sa i përket lirisë së medias.

Sulmet ndaj gazetarëve dhe arrestimet janë shtuar në Gjermani, Francë, Poloni, Serbi, Greqi, Itali dhe Bullgari.

“Gazetaria është vaksina më e mirë kundër keqinformimit. Por për fat të keq, prodhimi dhe shpërndarja e saj bllokohen shumë shpesh nga faktorë politikë, ekonomikë, teknologjikë dhe ndonjëherë edhe kulturorë. "Si përgjigje ndaj natyrës virale të dezinformimit që kalon edhe kufijtë, në platformat digjitale dhe në rrjetet sociale, gazetaria është mënyra kryesore për të siguruar që debati publik të bazohet në një varg të larmishëm faktesh të vërtetuara", tha Sekretari i Përgjithshëm i Reporterëve pa Kufij, Christophe Deloire.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Ocijenite kvalitet članka