Doracakët për gazetarë për raportimin e sfidave globale

14.04.2021. / 11:00

Në kuadër të Kuvendit të Gazetarisë Freelance, Qendra Evropiane e Gazetarisë (EJC) me mbështetjen e Fondacionit Bill & Melinda Gates, ka nisur serinë e re të resurseve, udhëzuesve dhe doracakëve të hartuar për të mbështetur gazetarët freelance të cilët raportojnë për sfidat globale dhe çështjet zhvillimore. Edhe pse ata fokusohen te gazetarët freelance , këta doracakë mund të jenë të dobishme për secilin gazetar që mbulon këto tema.

Plani është që në periudhën e ardhshme të bëjnë një seri udhëzuesish të cilët do të fokusohen te temat e ndryshme globale siç është raportimi për vaksinat, barazinë gjinore, qëllimet e zhvillimit të qëndrueshëm, të drejtat e njeriut , ndryshimet klimatike e shumë të tjera.

Si të raportohet për vaksina

Deri më tani janë publikuar dy doracakë, ndërsa doracaku i parë lidhet me raportimin për vaksinat e brenda tij mund të gjenden këshilla, burime të dobishme, databaza profesionale dhe vegla të cilat mund të jenë të dobishme për forcimin e efekteve të storieve tuaja për temën aktuale të vaksinimit dhe imunizimit të popullatës.

via GIPHY

Përmes këtij udhëzuesi flitet për elementet kryesore që duhen pasur parasysh me rastin e krijimit të storieve lidhur me zhvillimin e vaksinave. Në këtë fushë ekspertiza, përzgjedhja e fjalëve dhe tonit, këndi, përzgjedhja e burimeve dhe kontekstualizimi i të dhënave janë qenësore për të siguruar që informatat e sakta të vijnë deri te publiku.

Përmes këtij udhëzuesi atraktiv dhe informatave të shpjeguara me thjeshtësi mund të mësoni me lehtësi se si t'i kuptoni sa më mirë dhe si të veproni me të dhënat rreth vaksinave, siç është konteksti i të dhënave, madhësia e eksperimenteve të kryera për vaksinën e caktuar, si dhe këshillat e ekspertëve. Përmes bazave profesionale dhe burimeve të pasura që ofron ky udhëzues ju mund të merrni më shumë informata dhe të kompletoni storiet tuaja. Raportimi për rezultatet e hulumtimeve lidhur me vaksinat është shumë i rëndësishëm për publikun tuaj. Andaj të kuptuarit e zhvillimit dhe hapave të hulumtimit janë të rëndësishme për çdo gazetar që publikut t'i transmetohen informata sa më relevante.

Përse është i rëndësishëm raportimi korrekt për vaksinat?

Në udhëzues përmenden katër arsye të cilat flasin për rëndësinë e raportimit korrekt dhe të kuptueshëm për vaksinat, për procesin e hulumtimit të rezultateve dhe imunizimin.

  1. Imunizimi parandalon 2-3 milionë vdekje në vit dhe vaksinat kanë arritur të çrrënjosin apo gati të çrrënjosin disa nga sëmundjet më vdekjeprurëse të cilat i njeh njerëzimi.

  2. Besimi publik masiv në vaksina sjell deri te pranimi i vaksinimit dhe përhapja e imunizimit. Kjo mund t'u ndihmojë shteteve të arrijnë shkallën e nevojshme të personave të vaksinuar për të arritur imunitet kolektiv. Raportimi i besueshëm për vaksinimin mund të ndihmojë për ndërtimin e besimit në vaksinim dhe mund të shpëtojë jetë.

  3. Se si mediat shpalosin efektet anësore të vaksinimit mund të ndikojë në imunizimin global.

  4. Si një temë e ndjeshme, vaksinat dhe vaksinimi mund të jenë cak i hapur për përhapjen e dezinformatave. Fushatat e antivakserëve shpesh shpërfaqin teknika të lakmueshme komunikimi të cilat angazhojnë publikun. Raportimi i saktë dhe i besueshëm për vaksinat është i nevojshëm për të zmbrapsur këto dezinformata dhe për t'i luftuar ato aktivisht.

Me doracak, ju merrni këshilla të detajuara se kujt duhet t'i kushtoni vëmendje me rastin e raportimit, si dhe një varg idesh për të qenë në gjendje të zhvilloni storie që lidhen me vaksinat dhe vaksinimin.

Raportimin për gjininë dhe identitetet

Udhëzuesi tjetër që tashmë ishte publikuar ka të bëjë me raportimin për gjininë dhe identitetet. Në këtë udhëzues mund të gjeni këshilla, databaza profesionale dhe vegla praktike se si të mbuloni çështjet gjinore me qëllim të përmirësimit të barazisë gjinore në storiet tuaja.

via GIPHY

Mënyra se si gazetarët raportojnë për temat që lidhen me gjininë, identitetin gjinor, përfaqësimin e grave dhe personave LGBTIQ në storiet e tyre mund të ndihmojë të arrihen perspektiva të reja, të thyhen paragjykimet të cilat ekzistojnë karshi tyre dhe të paraqitet një pasqyrë më e qartë e jetës së këtyre personave. Zërat e personave LGBTIQ dhe të grave nuk janë të përfaqësuara sa duhet në lajme. Duke adresuar këtë boshllëk në gazetari mund t'i jepet kontribut i madh barazisë.

Në udhëzues mund të gjeni përgjigje për atë se kujt duhet t'i kushtoni vëmendje gjatë raportimit, siç është mënyra se si të zgjedhni fjalë dhe materiale vizuale kur flisni për personat LGBTIQ apo gratë.

Me këshilla shumë të qarta dhe precize ju mund të shihni se si të përfshini kënde të ndryshme të stories nga perspektiva gjinore, madje ehe për temat në të cilat deri më sot nuk keni përfshirë këtë çështje, siç është çështja e mjedisit, shëndetësisë dhe ekonomisë.

Të dy udhëzuesit ofrojnë një numër të madh burimesh dhe linkësh për hulumtim të mëtejmë dhe të kuptuarit më të mirë të këtyre temave – krejt kjo me qëllim të transmetimit sa më korrekt dhe profesional të informatave për publikun tuaj.

Shpresojmë që këto udhëzues t'ju sjellin dobi dhe t'ju lehtësojnë përpjekjet tuaja ditore drejt raportimit të saktë dhe të besueshëm.

Ocijenite kvalitet članka